Gajtani
Gajtani |
---|
Gajtani është një fshat në komunën Gur i Zi në rrethin e Shkodrës të Shqipërisë.
Porta e qytezës së Gajtanit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në sipërfaqe të këtij vendbanimi ilir, me përjashtim të disa pjesëve të murit rrethues, nuk duket asnjë lloj monumenti të vjetër. Pothuaj i gjithë vendi është shkëmb i zhveshur. Megjithatë po të vërehet me kujdes, përtokë mund të gjinden copa të vogla enësh balte ose edhe ndonjë monedhë bronzi apo argjendi. Këto gjurmë tërhoqën vëmendjen e arkeologëve që në fillim të shekullit tonë, megjithëse ai mbeti deri vonë i pastudiuar. Për arkeologjinë tonë kjo qendër paraqitej me interes, sepse është një nga vendbanimet ilire të rrethuara, nga më të vjetrat që kemi në vendin tonë dhe së dyti se materialet që mund të zbuloheshin në të do të pasqyronin deri diku edhe kulturën materiale të Shkodrës së vjetër, prej secilës e ndajnë vetëm pak kilometra. Prandaj në vitet 1961-1963 u ndërmorën gërmime, të cilat vende, vende shkuan deri në thellësi 5 m. Ato nxorën sasi të mëdha copa enësh balte, vegla pune, objekte zbukurimi; u zbulua një ndërtesë (punishte), një pjesë e murit rrethues dhe gjetje me karakter kulti.
Muret rrethuese
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]“Qyteza”, siç e quajnë vendasit këtë qendër të lashtë, është e vendosur në shpatet e dy kodrave të larta dhe të izoluara. Me gjithë pozicionin mbrojtës natyral, rreth shek. VII para e.s., vendi u rrethua me mure të mëdha, të cilat edhe sot, mbas afro 2600 vjetësh janë ruajtur, në disa pjesë. Janë të trashë deri 3,5 m, të ndërtuar me gurë të mëdhenj, me punim të pakët, që duken si shkëmbinj të mëdhenj, të vendosur një mbi një pa ndonjë lidhje llaçi apo balte. Është ruajtur edhe një portë e “qytezës” (foto 1), kurse një tjetër u zbulua nga gërmimet e vitit 1963. Mure me karakter të tillë gjenden edhe në disa qendra të tjera si marshej (Shkodër), Dorëz (Tiranë) etj. dhe i quajnë zakonisht “ciklopike” meqë këto gurë (me gjatësi nganjëherë deri 5-6 m) krijojnë përshtypjen se duhet t'i kenë ngritur njerëz më të fortë se të sotmit — ciklopët, njerëzit mitologjikë me një sy. Kurse në të vërtetë nuk ishte forca e një personi “ciklop”, por fuqia e muskujve të gjithë fisit të bashkuar, që ngriti mure që edhe sot habisin syrin tonë.
Punishtja e qeramikës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në thellësi 3 metra nga sipërfaqja e tokës, u gjetën gjurmët e një ndërtese të gjatë, e cila ka qenë përdorur në shek. VII para e. sonë për prodhimin e qeramikës. Në të u gjet një kompleks me tre lloj furrash: furrë të mbyllur me skarë, të hapur dhe furrë të mbyllur pa skarë. Në afërsi të tyre janë gjetur skarco qeramike dhe veglat që përdornin për punimin e qeramikës.
Enët në këtë “punishte” bëheshin pa çark, megjithatë poçarët ilirë të kësaj kohe kishin arritur një mjeshtri të madhe. Enët i punonin me sipërfaqe të lëmuar e të shkëlqyeshme, modelimi i trungut të enës bëhesh me dorë të sigurt e harmoni.
Vetë ndërtesa ishte me planimetri katërkëndëshe, me mure gardhi të suvatuar me baltë. Mbrenda në të u gjetën sopata guri, shpuese dhe gjylpana kocke ose bronzi ; bri një votre u gjend një pickër e vogël. Kjo “punishte” duhet të ketë zhvilluar një veprimtari të gjatë e të gjallë meqë në të përveç kompleksit që u përmend u gjetën edhe disa furra të tjera, në pjesë të ndryshme të banesës, të cilat ishin prishur dhe mbuluar me baltë.
Lulëzimi i vendbanimit e shkatërrimi i tij
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në shek. III p.e.s. qyteza e Gajtanit arriti shkallën më të lartë të lulëzimit të vet. Është koha kur ilirët, në gjithë trevën e tyre, pësojnë një ngritje të ndjeshme ekonomike, e cila shfaqet në perfeksionimin e ndërtimeve e prodhimeve të artizanatit, në pasurimin e zhvillimin e mëtejshëm të kulturës së tyre. Në Gajtan kjo periudhë është e përfaqësuar kryesisht me qeramikën dhe objekte zbukurimi. Enët, në këtë kohë, punohen me çark, kanë shpesh një përpunim e pjekje mjaft të mirë. Në vend të motiveve zbukuruese monotone, që ndeshen në periudhat paraardhëse, në shek. III gjejmë thurje mjaft të bukura motivesh, që vihen gjithmonë në përshtatje me tektonikën e enës. «Gajtanasit» në këtë kohë kanë përvetësuar disa forma enësh të huaja, po në masën më të madhe ato kanë ruajtur të gjitha tiparet e kulturës së tyre materiale, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë profesionale dhe artistike. Objektet e zbukurimit të gjetura si gjilpëra e kapse argjendi janë të punuara me shije mjaft të hollë dhe zotësi teknike.
Rrathë simbolikë të diellit. Jeta në këtë vendbanim u ndërpre në shek. II para e.s. Në shtresat e kësaj kohe u gjetën gjurmë të mëdha djegiesh e shkatërrimi të furishme. Ushtritë romake që në këtë kohë pushtuan Shkodrën, me hekur e zjarr morën edhe këtë vendbanim, shkatërruan muret e rrethimit e me sa duket detyruan edhe popullsinë të largohet nga kalaja.
Besimi i gajtanasve të vjetër
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Botëkuptimi fetar tek ilirët mbetet një çështje gjithnjë e hapur dhe mjaft interesante. Autorët e lashtë flasin për këtë shumë pak. Materialet arkeologjike në disa vendbanime (Amantia, Dimal, etj) tregojnë që ilirët e atyre vendeve përvetësuan mjaft kulte të huaja. Po cilët qenë kultet e «gajtanasve» të vjetër? Në vitin 1872 në afërsi të Gajtanit, u gjend një figurë bronzi që paraqiste një priftëreshë të perëndeshës Artemida. Kjo gjetje megjithëse e shkëputur, sikur lente me dyshue që edhe këtu u futën kultet e huaja; në të vërtetë gërmimet në këtë vendbanim treguan një pamje tjetër. Në thellësi 1,5 m. u zbulua një sipërfaqe e madhe që ishte veçuar për qëllime kulti. Në të u gjetën rrathë të shkëputur të mëdhenj, të mbushur me gurë me të cilët ilirët përfytyronin Diellin — Perëndi. Po në këtë vend, në thellësi më të madhe u zbulua një varrezë me enë të mëdha në të cilat ishin futur kocka fëmijësh të vegjël. Dihet se ilirët kishin zakon që «në vijën e mbrojtjes» t'i kushtonin perëndive të tyre flijime të ndryshme. Ky zakon, në qytezën e Gajtanit, është shprehur me anën e këtyre rrathëve të gurtë të vendosur me qëllim që muret e rrethimit të kishin edhe mbrojtjen e perëndisë së diellit. Me këtë zakon, ka lidhje edhe vendosja e kësaj varreze afër mureve mbrojtëse.
Këto gjurmë të gjetura, tregojnë që ilirët e qytezës së Gajtanit ruajtën gjatë gjithë periudhave besimin e tyre tradicional për Diellin dhe rrjedhimisht edhe për tokën e fenomenet e natyrës. Provë bindëse është edhe fakti që gjatë gërmimeve trevjeçare nuk u gjet as edhe një figurë idhulli grek apo romak. Skulptura e gjetur në vitin 1872 është pa tjetër objekt i rastit i ardhur nga jashtë.
Punimet arkeologjike dhe studimi i materialeve të nxjerra nga gërmimi vërtetojnë që qyteza e Gajtanit, ka qenë e banuar që nga fundi i mijëvjeçarit të II para e.s. (dhe jo nga shek. IV p.e.s., siç mendohej nga disa arkeologë të huaj) e deri në shek. II p.e.s. Këto materiale të zbuluara janë interesante, sepse na njohin me vazhdimësi të kulturës ilire për një periudhë kaq të gjatë. Në to mund të ndjekim zhvillimin e kulturës ilire në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të fundit para e.s. kur ajo shfaqet me forma më tipike dhe në ato të mëvonshmet kur ajo pëson një seri ndryshimesh të zhvillimit të vet të brendshëm.
Vëmendje të posaçme meritojnë materialet e shek. III-II p.e.s. sepse aty duket më tepër se kudo ruajtja me një xhelozi të madhe dhe zhvillimi i mëtejshëm i traditave ilire edhe në një kohë kur disa nga vendbanimet e tjera rrokën mjaft elementë të kulturave të huaja.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Komuna Gur i Zi |
---|
Gajtani · Ganjolla · Guri i Zi · Jubani · Kuçi · Mazreku · Rragami · Renci · Sheldi · Shpor-Mali · Vukatana |
redaktoni kutinë |
Ky artikull në lidhje me njësitë administrative të Shqipërisë është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
- Articles using infobox templates with no data rows
- Pages using infobox settlement with unknown parameters
- Pages using infobox settlement with missing country
- Pages using infobox settlement with no map
- Pages using infobox settlement with no settlement type
- SQ-Administrata-Cung
- Artikuj të cunguar
- Fshatra në Shqipëri
- Fshatra në Rrethin e Shkodrës
- Vendbanime në Shqipëri