Jump to content

Gjon Laca

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjon Laca (Shkodër, 1890 - Tiranë, 1968) ka qenë rrobaqepës shqiptar, gjatë periudhës së mbretërisë qe rrobaqepës personal i Mbretit Zog I dhe ushtarakëve të lartë.

U lind në Shkodër në gjirin e një familjeje qytetare, i ati merrej me shitblerje antikuaresh dhe prej tregtisë rrihte bregun dalmat. I biri u angazhua si shegert e më pas çirak tek një rrobaqepës.[1] Kumtohet se u punësua në esnafin e rrobaqepësve që organizoi Kolë Mjeda dhe më 1907 u bë pjesë e “Shoqërisë Ndihmëtare të Punëtorëve”.[2] Dikur udhëtoi në Itali ku ndaloi në Torino, ku për dy vjet ndoqi një shkollë rrobaqepësie.

Në vitin 1915 u kthye në Shkodër ku punoi edhe pak vite të tjera, më pas u vendos në Tiranë. Në sajë të një marrëveshjeje me familjen Kaceli, Gjon Laca kontribuoi në ndërtimin e godinës që u njoh si pallati "Vllazën Kaceli" në fillimin e viteve '30, kati i parë i të cilit shërbeu si rrobaqepsi.

Prej sasisë së punës rrobaqepësia pati deri 20 punonjës që punonin me makinat qepëse amerikane "Singer", dhe prej namit të mirë iu komisionuan qepjet e veshjeve ceremoniale për mbretin Zog dhe kryesisht të gjeneralëve. Për dasmën mbretërore, Lacës me gjithë familje iu bë ftesë mbretërore.

Më 1946 Lacës iu konfiskuan pajimet dhe prona dhe shteti e angazhoi t'u jepte mësim rrobaqepësve të rinj, më pas edhe atë vetë në prestarinë ushtarake. Emri i Gjon Lacës, dyqanet e tij dhe buja e rrobaqepësit u venitën në vitet e diktaturës. U lejua që të banonte në bodrumin e pallatit Kaceli deri kur ndërroi jetë më 1968. E shoqja, Maria, ndërroi jetë po aty më 1987. Pronat iu rikthyen familjs pas rënies së regjimit komunist, përkatësisht të bijave Rozit dhe Antonetës.[1]

  1. ^ a b Delisula, Rezarta (4 gusht 2002). "Gjon Laca rrobaqepësi që veshi Zogun". forumishqiptar.com. Gazeta Shqiptare. fq. 17.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Zekja, Zyhdi; Kruja, Namik (5 shkurt 2022). "Historia e shkodranit të njohur që vdiq në Burgun e Burrelit". bulevardionline.com. Arkivuar nga origjinali më 26 shkurt 2023. Marrë më 26 shkurt 2023.