Hafiz Sabri Bushati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Biografi i parë i Hafiz Sabri Bushatit (1889 – 1971), shkrimtari Fadil Kraja 1), me te drejtë denoncon faktin që për dekada të tëra nuk u bë fjalë për meritat e këtij kleriku dinjitoz. Këtyre konsideratave me vlerë le t’u bëjme një plotësim: injorimi që iu bë kësaj figure, qe pjesë e strategjisë që pushteti i dhunës ushtroi ndaj krejt elistës intelektuale në përgjithësi dhe asaj klerikale në veçanti.

Duke iu referuar një të vërtete historike, që i ka tërhequr vëmendjen edhe një eminence si H. Vehbi Ismaili 2) se pjesa kryesore e hoxhallarëve te qytetit të Shkodrës vinin nga familjet më të njohura të qytetit, duhet te pohojmë se edhe H.S. Bushati ishte pinjoll i një “dere” të tillë. Edhe me parë ajo nxorri hoxhallarë të shquar, si: H. Halit Bushati, Molla Rustem Bushati dhe me vonë “Martirin e demokracisë”, Qazim Bushatin.

Lindi më 1889, ndoqi Medresenë e lagjes Qafë, institucioni arsimor më i vjetër në Shkodër në periudhën e sundimit turk. 3)

Nxënës i kësaj medreseje pati fatin të ishte edhe H. Sabri Bushati, i cili pasi e përfundoi, shkoi në Stamboll për të ndjekur studimet e larta. Plasi Lufta Ballkanike dhe ai vendosi të kthehej në Shkodër. Vendimi që mori për të braktisur studimet, qe një zgjidhje e dhimbshme, por kuptohet që më vendimtare qe dashuria për vendlindjen dhe shqetësimi për fatin e qytetit të dashur, të cilit po i kërcënohëj rreziku serbo-malazias.

Hoxha i ri, porsa u kthye, u rreshtua krahas vëllezërve luftëtarë për t’ua ngritur moralin aty në llogore, mu në vijën e parë të frontit, në mënyrë që armikut t’i bëhej i pamundur realizimi i planeve të tij ogurzeza. Ky shpirt vetmohimi dhe kjo fryme atdhedashëse, nuk e çuditnin qytetin e Shkodrës. Që në shekullin e kaluar, duke qenë predikues të fjalës së Zotit, shumë bij të saj hoxhallarë nuk patën hezituar të dilnin në ballë të përpjekjeve për të drejtën dhe lirinë.

Pas përfundimit të luftimeve, në pranverën e vitit 1913 ai iu rikthye studimit për të plotësuar përgatitjen teologjike, kësaj here brenda vendit, sepse mundësitë e tjera nuk ekzistonin. Në qytet hynin e dilnin ushtritë e huaja, në Evropë përgatitej Lufta e Parë Botërore. Duke iu referuar kujtimeve të S. Vllamasit 4), kemi një pasqyrë mjaft bindëse te kësaj gjendjeje kaotike të viteve 1913-1914 në Shkodër. Klani esadist në bashkëpunim me xhon-turqit përpiqej ta vinte Shkodrën nën influencën e vet, sepse dispononte fonde financiare të mjaftueshme, të dhëna nga Franca për kundër Austrisë e në favor të propogandës sllave. Pjesa myslimane, e gënjyer nga kjo propagandë antiqeveritare e kundër Princ Vidit, e ndërroi qëndrimin sepse e kuptoi se ideja e “bashkimit me Turqinë” jo vetëm ishte utopi, por edhe antikombëtare, siç e pohoi vetë myftiu Adem Efendiu.

Pas ikjes së Vidit, patriotët shqiptarë, që bënin pjesë në organizatën “Krahu kombëtar”, u shpërndanë një pjesë në emigrim, ndërsa pjesa më e madhe u strehua në Shkodër, sepse zonat kryesore të Shqipërisë ishin në duart e rebelëve të Haxhi Qamilit. Shkodra u bë vendi më i sigurtë për të gjithë patriotët duke mbledhur në gjirin e vet ajkën e Shqipërisë. 5)

Në mesin e këtyre patriotëve bënte pjesë edhe H. Vehbi Dibra, ish kryetari i Senatit të parë shqiptar. Ky personalitet i shquar kishte zënë vend në historinë e kombit tone, sepse militoi me konsekuencë në krahun e patriotëve përparimtarë për të vënë në jetë idealet e Rilindjes sonë, derisa u kurorëzua shpallja e Pavarësisë, ngjarje e madhërishme, ku ai qe ndër protagonistët. Një portretizim të goditur të kësaj figure shumëdimensionale, që sipas H. Vehbi Ismailit qe “komentatori më i shquar i Kuranit në gjuhën shqipe”, na e përcjell Sh. Osmani 6): “... zotëruesi i gjuhëve klasike të lindjes, filozofi dhe interpretuesi i doktrinës islame, juristi i përkryer i shkencave juridike, atdhetari i idesë së çlirimit kombëtar, i mëkuar me idetë e H. Tahsinit, të Frashërit, P. Vasës, Jani Vretos. Ai ishte tanimë një intelektual solid.”

Pikërisht këtë personalitet të shquar pat shansin H. Sabri Bushati ta kishte pedagog të vetin gjatë periudhës së lartpërmendur dhe të merrte diplomën (ixhazetnamen) prej tij, duke fituar titullin “myderriz”. Nisur nga ky moment, myderrizi i ri filloi karrierën e nderuar të mësimdhënies duke përgatitur dhjetra e dhjetra hoxhallarë të rinj, si: H. Man Durrësi, H. Ibrahim Vekshari, Ismail Hoti, Hamdi çanga, H. Sabri Koçi 7), (për çështje juridike) etj. Familjarët informojnë se edhe Sheh Qazim Hoxha ka marrë mësime të veçanta nga H. S. Bushati, i cili mësimet i jepte në Xhaminë e Kuqe ose në shtëpinë e vet, duke nënkuptuar që tërë kjo punë ë e lodhshme e fisnike bëhej me baza vullnetare.

Në situatën e turbullt dhe plot tensione që po kalonte qyteti i tijnë vitet e Luftës së parë Botërore ai u orientua drejt dhe është meritë e tij që u rreshtua përkrah patriotëve përparimtarë që qenë në ballë të përpjekjeve për të nestralizuar forcat destabilizuese në shërbim të propagandës antishqiptare. Nën pushstimin austriak qyteti njohu një periudhë stabiliteti e rimëkëmbjeje, por masat e administratës austriake qenë shumë arbitrare dhe ngjallën zemërim e protesta, që çuan në revoltën e popullatës myslimane te Xhamia Plakë në vitin 1916. 8) Pjësëmarrja e klerit qe e gjerë dhe midis tyre qe edhe hoxha ynë i ri.

Pavarësisht nga rroba fetare, Hafiz Sabriu edhe më vonë nuk mundi të qëndronte indiferent ndaj zhvillimit të ngjarjeve që tronditen vendin. Mjedisi ku u rrit dhe u edukua ishte i tillë, ku ngjarjet historike që kishin të bënin me fatin e kombit, patën gjetur jehonën që duhej. Burrat e farefisit të tij luajtën role të dorës së parë në rrjedhat e historisë. Ky fakt konstatohet lehtë duke iu referuar vetëm periudhës pas vitit 1830, pas mbarimit të sundimit të vezirëve Bushatllinj.

Folklori dhe historiografia na sugjerojnë një vazhdimësi emrash, që u imponuan me rolin e tyre parësor në ngjarjet e rëndësishme të shekullit të kaluar dhe fillimeve të shekullit tonë, duke lënë pas vetes gjurmë lavdie. Të tillë qenë Isuf Beu me të vëllanë Hysejnin 9),krahë të djathtëve të Hamz Kazazit në kryengritjet e viteve 1834-35, duke organizuar vetadministrimin e qytetit, një lloj “qeverie të përkohshme”. Nipi i tyre Selim B. Bushati, 10) u bë i njohur për mendjemprehtësinë e tij dhe guximin që me 1869, që i kushton dhe internimin për një vit. Në vitet e ethshme 1878-81 qe anëtar aktiv i komisioneve te Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes së Prizrenit dhe njëheri delegat i Shkodrës në Mbledhjen Historike të atjeshme. Reshit Beu udhëhoqi luftëtarët shkodranë në luftë për mbrojtjen e trojeve 11) tona, po ashtu si Beqir Beu qe bashkëluftëtar me Dasho Shkrelin 12), ndërsa i biri, Ali Beu u shqua si veprimtar politik i Lidhjes së Prizrenitdhe si luftëtar trim. 13) Muza popullore i bëri jehonë më vonë shpirtit vetëmohues të Shaban Beut 14) që u shqua për trimëri, si në luftën për mbrojtjen e Podgoricës, ku mbet i vrarë edhe i biri, ashtu më vonë, në udhëheqjen e vullnetarëve në luftën e Tivarit, duke u caktuar pastaj anëtar i Shtabit Ushtarak për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë. Në pragun e mes dy shekujve do të bëjë emër Shaqiri, i biri, i cili, ashtu si i ati, në Tivar, do të shquhet më vonë edhe te Ura e Rrzhanicës, ku bashkë me Dedë Gjo Lulin e Baco Kurtin etj. fatosa, do të korrin një fitore të bujshme mbi trupat malazeze. Nga viti 1989-1908 do të zërë vendin e kryetarit të bashkisë së qytetit, kurse me 1908 si deputet i Shkodrës në parlamentin turk, do të shquhet për një akt burrërie e vetëflijimi, duke rënë më vonë, me sa duket, viktimë e një atentati politik. 15) Në këtë retrospektivë historike s’mund të lihet pa u përmendur kushëriri i tij i afërm, Hysen Bej Fusha (Bushati), viktimë e një hakmarrjeje politike të armiqve të Shqipërisë, si dhe të tre kushërinjtë e tij, bashkëmoshatarë, protagonistë, në zhvillimet politike të Shtetit Shqiptarë, që nga pavarësia e këtej: Sylço Beu, Maliq e Xhemal Bushati. Tragjedia e vëllezërve kosovarë ndikoi që ai të mbështeste në mënyrë të dukshme veprimtarinë e Komitetit të Kosovës, i cili e kishte qendrën në Shkodër. Ky komitet zhvilloi një veprimtari të dendur, duke u bërë drejtues dhe autoritet i politikës kombëtare të organizuar dhe duke i sjellë shërbime të mëdha çështjes kombëtare dhe bashkimit të popullit pa dallime krahinore ose fetare. Promotori i kësaj veprimtarie qe Hoxhë Kadriu, me të cilin Hafiz Sabriu kishte miqësi të madhe.

Maturia, ndershmëria e patriotizmi, tipare të qenësishme të tij, qenë përcaktuese në të zgjedhurit e tij si delegat i Kongresit të Lushjës më 1920. Dihet që Kongresi u hap me datën 21 janar, por i shtyu punimet për datën 28-31 janar, për t’iu dhënë mundësinë 50 delegatëve të merrnin pjesë si përfaqësues të të gjithë vendit. Në këto punime të para, delegatët e Shkodrës, ku bënte pjesë edhe H. S. Bushati, nuk arritën të merrnin pjesë, sepse në rrugë e sipër u arrestuan nga forca të Qeverisë së Durrësit, e cila, e përkrahur nga pushtuesit italianë bënte çmos të pengonte Kongresin e Lushnjës. 16) Pasi u mbajtën të izoluar për disa ditë, u liruan dhe mundën t’i nënshkruanin vendimet historike, pasi qeveria e porsakrijuar e S. Delvinës dhe organet e zgjedhura nga Kongresi, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar, u vendosën në Tiranë, duke e shpallur kryeqytet të vendit. Dihet rëndësia e këtij Kuvendi për dështimin e planeve të shteteve të huaja, veçanërisht të Italisë, për të cënuar pavarësinë dhe tërësinë tonë tokësore. Kongresi, përveç Qeverisë dhe Këshillit të Lartë, pat zgjedhur edhe Këshillin Kombëtar, i quajtur Senati, të përbërë prej 37 vetash, duke i veshur atributet e parlamentit. Anëtar i këtij senati u zgjodh edhe H. S. Bushati. Nësa më 11 mars Shkodra priste me entuziazëm forcat qeveritare që i dhanë fund administratës së huaj, me 27 mars u zhvillua në Tiranë mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar (Senatit). Pa zënë vend mirë qeveria e re (data e hyrjes së saj në Tiranë-11 shkurt) filluan manovrat e esadistëve për ta rrëzuar atë. Në prillin e këtij viti u krijuan situata kritike për Qeverinë dhe Senatin, si nga presioni i forcave të O. Balit, si nga ato të M. Krujës, duke kërkuar në mënyrë ultimative përmbysjen e Qeverisë, çka do t’i interesonte qeverisë italiane për të mbështetur pretendimet e saj për domosdoshmërinë e mandatit mbi Shqipërinë si “e paaftë për të qeverisur vetveten”.

Për të evitur keqësimin e gjendjes dhe futjen e rebelëve të M. Krujës e të esadistëve në Tiranë, në një kohë që Qeverisë i mungonin forcat për t’i përballuar, u krijuan dy komisione të Senatit për të hyrë në bisedime me ta, në mënyrë që të fitohej kohë. Në njerin prej këtyre komisioneve u zgjodh edhe H. S. Bushati 18), që në mbledhjen e dt. 13 prill 1920. Hapi i ndërmarrë nga këta përfaqësues të popullit qe me shumë rezultat, sepse u arrit qëllimi që rebelët të frenoheshin duke i dhënë mundësinë Qeverisë të siguronte pozitat e saj me anë të grumbullimit të forcave.

Në proces-verbalin e mbledhjes së 30-të, mbajtur me datën 27 prill 1920, 19) shënohet se u krijua edhe Komisioni i Arsimit, anëtar i të cilit u zgjodh edhe H. Sabriu, duke na bërë të kuptojmë se organi më i lartë legjislativ i kohës në kuadrin e problemeve të mëdha për organizimin e jetës se brendshme të vendit vendosi dhe mbi problemet e arsimit, çka ia shton meritat. Klima politike, në të cilën Këshilli Kombëtar zhvilloi veprimtarinë e vet, qe e ngarkuar me tensione të mëdha, që u krijuan në tre drejtime: presioni i jashtëm diplomatik e ushtarak nga Italia dhe fqinjët (prania e forcave pushtuese, Lufta e Vlorës, ndërhyrja jugosllave në Dibër e Koplik, etj.) komplotet dhe aksionet e reaksionit të brendshëm, si dhe grupimi i senatorëve në rreshtime kundërshtare. Sipas kujtimeve të S. Vllamasit, 20) në Senat ishin dy rryma: në krye të njërës ishte Aqif Pasha (irredentistët kosovarë, ish-anëtarët e Qeverisë së Durrësit etj.), ndërsa tjetra, me A. Zogun në krye, përfshinte ata të krahut Kombëtar etj., ku bënin pjesë dhe gjysma e delegatëve të Shkodrës. Nga të dhënat e familjarëve të H. Sabriut krijohet ideja se ai bënte pjesë në një grupim të vogël të pavarur dhe jashtë këtyre rrymave, që përpiqej të ruante ekuilibrin në Senat.

Kundërshtarët e politikës së pavarur të Qeverisë së S. Delvinës u përpoqën ta rrëzonin atë me anën e përfaqësuesve të tjerë në Senat, por nuk ia arritën qëllimit. Presioni ndaj Qeverisë u rrit më shumë, kur u mor vendimi për thirrjen e Asamblesë, saqë S. Delvina u detyrua të jepte dorëheqjen pa pëlqimin e të tjerëve. 21) U krijua qeveria e re me elementë jashtë grupimeve, nën kryesinë e Iliaz Bej Vrionit. Senati i dha votëbesimin dhe u shpërnda vetë.

Me shpërndarjen e senatit mund të thuash se u mbyll dhe impenjimi politik i H. S. Bushatit, sepse mënyra se si u zhvillua fushata politike në prag të zgjedhjeve të vitit 1921 për parlamentin shqiptar, e lëndoi në sedër H. Sabriun, aq sa mori vendimin të shmangej nga kjo veprimtari. Ata që e njohën, mbajnë mend se simpatitë e tij dhe lidhjet familjare me Sylço Begun dhe Xhemal Bushatin (vëllai i gruas së tij) etj., rezervat e mëdha ndaj A. Zogut, lidhjet e miqësisë me Hoxhë Kadriun, Ramiz Dacin, senator i Dibrës; Sejfi Vllamasin “opozitar” e të tjerë bënë që ai të kandidohej në listën e deputetëve të këtij grupimi të fuqishëm në Shkodër. Duke dashur të përfitonte nga popullariteti që gëzonte, grupi kundërshtar e vendosi edhe ainë listën e “popullores”, diçka e rrallë, por me kuptim e që e dëshmon për konsideratat e bashkëqytetarëve të vetndaj atdhedashurisë, ndershmërisë dhe moderacionit të tij. 22)

Rastisi të merrte vesh se ata të “Opozitës” kishin improvizuar një mbledhje “në heshtje”, pa dijeninë dhe praninë e tij dhe po i kurdisej një “prapaskenë”. Shumë i revoltuar, si mik i paftuar, ia behu në shtepinë e kunatit, sepse aty zhvillohej “pas shpine” debati dhe zbrazi gjithë mllefin e vet. Pas këtij “incidenti”, me anë të një njoftimi publik tërhoqi kandidaturën; kjo ngjarje ndikoi për mjaft kohë në marrëdhëniet familjare e rrethit të afërm. 23)

Pavarësisht nga kjo “shije e hidhur” që i la loja politike, ai diti t’i hidhte pas shpine mllefet, kur konstatonte se me praninë e tij mund t’i shërbente së mirës së përgjithshme. Një rast i tillë iu paraqit, kur në shtëpinë e nacionalistit Y. Luftija u zhvillua një debat i hapur midis forcave politike. Në këtë mbledhje përplasja mes palëve kundërshtare qe aq e ashpër, saqë për pak plasi sherri. E keqja u evitua, falë gjakftohtësisë dhe autoritetit të H. S. Bushatit, që ndërhyri me paanësi dhe guxim. 24)

Fitorja e Kryengritjes së qershorit e detyroi XH. Naipin, myfti i Shkodrës, të linte postin, sepse qe përkrahësi i “Popullores”, kështu që me këtë detyrë të lartë u ngarkua H. Sabriu. Është rasti të ndalemi pak te marrëshëniet e Hafizit me A. Zogun. Ato u karakterizuan nga një qënrim jodashamirës, por i përmbajtur, pa kaluar në urrejtje dhe konflikt, sepse ia kanë njohur njëri-tjetrit “të metat”, por edhe meritat. Për të argumentuar këtë, le t’u referohemi disa momenteve, që ndriçojnë këtë problem. Ahmet Zogut ia çmonte zgjuarsinë, guximin dhe aftësinë si organizator, por ia kishte pikasur synimet e tij për pushtet personal dhe ia dënonte manovrimet e tij politike në shërbim të këtyre prirjeve ambicioze, që më vonë do ta dëmtonin legjimitetin e zhvillimeve politike në vend. Pikërisht, në një darkë që A. Zogu do të shtronte për senatorët e Shkodrës, Hafizi, konsekuent i mendimeve të veta, pati kurajon që pikëpamjet personale rreth zotit të shtëpisë t’i shprehte troç aty, gjatë darkës, duke i sugjeruar atij se e mira e kombit ishte që të hiqte dorë nga politika (!). Familjarët thonë se këtë “sugjerim”, origjinal për nga guximi, befasimi dhe transparenca e pat mbështetur dhe mysafiri tjetër i pranishëm, Xh. Bushati, ndërsa Xh. Naipi uli kokën në shenjë mosmiratimi e pezmatimi. Me bashkëbiseduesit A. Zogu u tregua zot i vetes, por gjakftohtësinë e humbi, kur rastisi të hynte Lal Krosi, të cilin e nxori jashtë me harbutllëk. Kuptohet që Zogu e “gëlltiti” këtë për rrethanat, por jo se ishte diçka që harrohej lehtë. Megjithatë, ai ishte diplomat dhe politika triumfonte mbi sedrën e prekur. Të njëjtat burime informojnë se në dy raste të mëvonshme, me rastin e ndodhjes së vet në Shkodër për çështje shtetërore, Zogu dërgoi dhe e thirri për t’u takuar, por Hafizi gjeti “alibi” të paqena për t’iu shmangur kësaj gjëje. Thuhet gjithashtu se Zogu e komentoi pa të keq, kështu: “ç‘t’i bësh?! Ka kokë mushke!”. Shkaqet e këtij “huji” të Hafizit duhen kërkuar te largimi i tij i pamotivuar nga detyra e myftiut, sapo fitoi “Legaliteti” dhe ardhja pëesëri në atë post e Xh. Naipit, në një kohë që Hafizi kishte qëndruar larg luftës politike. Rrjedhojë e këtij “revanshi” politik të pavend dhe jo dinjitoz qe dhe transferimi i tij si myfti në Berat, çka u refuzua prej tij dhe prej mjaft hoxhallarësh të tjerë “të persekutuar”, por që u kushtoi mjaft: mbajtjen nën vërejtje nga xhandarmëria dhe një lloj internimi larg familjes. Qenë protestat dhe reagimi i fortë i besimtarëve dhe dashamirësve shkodranë që i detyroi organet qeveritare t’i pezullonin këto arbitraritete banale. Në mbyllje të këtij digresioni ështe me vend të shtohet edhe ky fakt: ish-emigrantë politikë, legalistë të kthyer në Shqipëri vitet e fundit, u kanë deklaruar bijve te Hafizit se në mërgim A. Zogu paska bërë këtë vlerësim për Hafizin: “burrë i ndershëm, i drejtë, me karakter, por inatçor”, vlerësim i ndikuar edhe nga qëndrimi i Hafizit ndaj pushtimit fashist të 7 prillit, një sjellje që i bën nder atij, siç do të shihet më poshtë. 25)

Pas qetësimit të “gjakrave” ai do të kryejë me përkushtim detyrën modeste, por fisnike të imamit të lagjes “Perash”. Ndërkohë ai vazhdonte të ishte një vaiz i zgjedhur, që me predikimin e tij, të hijshëm përcillte mesazhe devocioni të thellë e të sinqertë ndaj Fjalës Kuranore e porosive të Profetit a.s., por edhe principe të etikës morale në familje e shoqëri. Me fjalën dhe me shembullin e tij në jetë ai i edukonte besimtarët me frymën e atdhedashurisë, të vëllazërimit e të tolerancës fetare, ai ishte një ithtar i përparimit shoqëror e kulturor, mbronte idenë që shkenca dhe feja duhej të ecnin paralelisht, përkrahte emancipimin e femrës shqiptare, por duke iu ruajtur formalizmit dhe imitimeve.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste qe nje “test i dukshëm” për të dhe politikanet e kohës, ashti dhe për të gjithë shqiptarët. Në ato momente hutimi dhe çorientimi politik, që u krijuan nga arroganca e pafytyrësia e agresorit, nga pazotësia dhe fryma kapitulluese e qeveritarëve të deriatëhershëm, nga demagogjia dhe slloganet që spekullonin me ndjenjat liridashëse të popullit, nga propaganda dhe diversioni i agjenturës profashiste, nga “asnjanjësia” fyese dhe indiferentizmi i diplomacisë së huaj, Hafizi diti të pozicionehet në mënyrë të ndershme dhe të guximshme. Ai nuk ra në atë grackë që kishte kurdisë agjentura proitaliane, viktima të së cilës ranë disa nga “paria”, të cilët ndryshe nga bashkëpunëtorët e ndërgjegjshëm për rolin dhe aktin e tyre, u kompromentuan vetëm për hir të naivitetit politik ose të mungesës së kurajos civile. Me pretekste të ndryshme ai iu shmang këtij akti nënshtrimi dhe kompromisi politik me të cilin okupatori do të spekullonte në lëmin e propagandës. Gjesti i tij ishte pjesë e rezistencës pasive të popullit tonë, në mbështetje të asaj me armë, që u zhvillua në brigjet e shtigjet e atdheut tonë.

Familjarët, të larguar nga shtëpitë nga frika e ndonjë bombardimi të mundshëm nga pushtuesi, kujtojnë dëshpërimin e madh pëe këtë fatkeqësi kombëtare dhe, që ai e shprehte me fjalët e dhimbshme: “Atë ditë e kam la çardakun e shtëpisë me lotë!”. Qeveritarët e rinj për konsum politik, duke shfrytëzuar reputacionin e tij, mospajtimin e tij me politikën e Zogut, si dhe lidhjet fisnore me Maliq Bushatin, e emëruan kryemyfti, në vend të S. Myftisë që ishte internuar.

Mungesën e përzemërsisë ndaj pushtuesit, një shfaqje e asaj rezistence pasive, që qe shprehur që në fillim, ai s’mundi ta fshihte në asnjë rast. Gjente pretekste për t’iu shmangur ceremonive të ndryshme zyrtare, por, edhe kur s’kishte si t’ia bënte, asistonte vetëm në pjesën e parë dhe me një mënyrë o me një tjetër, largohej. Nuk ngurroi t’i kundërvihej B. Shapatit, Kryetar i Komunitetit Mysliman të kohës dhe të polemizonte me të ashpër në lidhje me konçesionet që donte t’u bënte autoriteteve pushtuese në dëm të integritetit të institucioneve fetare dhe të klerit mysliman. I është dashur të përballonte mjaft provokacione e shantazhe nga agjentura fashiste për qëndrimin e tij jokonformist me pushtuesin. Një provë tjetër e përpjekjes së tij për të ruajtur prestigjin e postit të tij të nderuar, si dhe për të mos ulur dinjitetin e kolegëve të tij hoxhallarë dhe për të mos i kompromentuar politikisht qe ajo kur refuzoi kategorikisht ofertë për ndihmën ekonomike ndaj klerit mysliman, që konsullata italiane në Shkodër paraqiti me anën e agjentit të vet Gj. P. Një kënaqësi të vërtetë provoi kur në ato vite u arrit më në fund të përurohej Xhamia madhështore e Parrucës, pas një zvarritjeje disavjeçare të ndërtimit të saj.

Edhe në kohën e pushtimit nga trupat naziste Hafizi dha prova të intransigjencës së tij në mbrojtjen e integritetit juridik të institucioneve të fesë; kështu, me këmbëngulje iu kundërvu komandantit gjerman Husding dhe nuk lejoi dislokimine trupave gjermane në territorin e xhamisë së Begos, çka ata do ta realizonin me ndërhyrje nga lart. 26)

Qëndrimet plot guxim të Hafizit dhe fryma e mosnënshtrimit që e karakterizonin në ato momente kritike, u shfrytëzuan edhe nga shtypi ilegal i PKSH-së dhe në një trakt të dimrit 1943-44, për qëllime thjesht demagogjike dhe konsum politik të H. Sabriu u cilësua “njeri patriot dhe i ndershëm”, por këta konsiderata prej lajkatarësh qenë shumë jetëshkurtëra. Komunistët jo vetëm harruan fjalët e bukura, por nuk hezituan ta largonin nga posti i kryemyftiut, ndonëse pa asnjë motiv justifikues. Ai vetë dhe masa e besimtarëve, si dhe krejt opinioni i qytetar i paindoktrinuar i nënkuptonte prapaskenat. Një person me dinjitet si Hafizi nuk mund të kthehej në një marionetë të atij rregimi, që jo vetëm s’donte të mirën e fesë, por as të mbarë kombit.

Ndonëse H. Sabriu u kishte qëndruar dredhave e huqeve të politikës, atij iu hoq edhe e ashtuquajtura “triskë e Frontit”, një masë e diskriminimit politik ekstrem e që u rezervohej “armiqve të klasës”, pra me pasoja të përhershme, të vrullshme apo të ngadalshme, në shumë drejtime: politike, ekonomike, administrative, juridike, e në të drejtën e arsimimit të fëmijëve. Nuk vonuan truket e ndryshme për ta inkriminuar, në mënyrë që të motivohej arrestimi e pastaj dënimi, aq më tepër që njerëzit e afërm të rrethit të tij u persekutuan me pasoja tragjike, sepse kishin strehuar deri në çastin e vetëvrasjes së tij nacionalistin e nderuar e të mirënjohur, Jup Kazazi. Në sajë të qëndrueshmërisë dhe të shpirtit të sakrificës së atyre kushërinjve, që pranuan më mirë vdekjen ndër tortura, se sa denoncimin, Hafizi i shpëtoi “grushtit të diktaturës”, ndonëse pat qenë i informuar më parë mbi përgatitjet për Lëvizjen Antikomuniste të Postribës së vitit 1946, duke pasur njëheri kontakte direkte me J. Kazazin ilegal. 27)

Nga viti 1946, viti i shkarkimit nga detyra, deri ne vitet ’60 ka qenë predikues (vaiz) në Xhaminë e Bardhë, duke gjetur në këtë funksion fetar dhe shoqëror një kënaqësi të vërtetë, që i sillte një qetësi të madhe shpirtërore në ato vite aq dramatike, plot tensione morale e probleme mbijetese. Goditja më traumatike për hoxhën, ashtu si dhe për gjithë kolegët e tij, pa përjashtuar masën e besimtarëve, qenë ngjarjet e vitit 1967, lidhur me fushatën amorale dhe antihumane kundër fesë dhe institucioneve të saj. Ky gjenocid kultural nuk u mjaftua me goditje kolektive në rrafshin ideologjik e shoqëror, por kaloi dhe në trajtimin individual të klerikëve, duke provokuar të urryerat “mbledhje të lagjes” me qëllimin e prapë për të diskredituar në mënyrën më cinike e të pafytyrë njerëzit “me xhybe”, “me veladonë”.

Vala e “thellimit të mëtejshëm të revolucionit” nuk kurseu as edeh atë që kishin krijuar me shumë përkushtim dhe me shumë mundime; është fjala për bibliotekat personale të klerikëve, të cilat u sekuestruan plotësisht, në kundërshtim më çdo normë morale e juridike. Kuptohet se ç‘zbrastësi iu krijua Hafizit, kur u privua dhe nga mundësia e vetme e mbetur deri atëherë për të shuar etjen për dituri dhe për të ngushëlluar shpirtin e lënduar keq.

Duke dashur të ruante të pastërt e me dinjitet imazhin e klerikut fisnik, nuk doli nga shtëpia, poor u vetëburgos, vetëm e vetëm për t’u dhënë me kuptue aparatçikëve të kuq se pranonte më parë vdekjen, se të hiqte dorë nga petku i nderuar. Kështu, me kokën lart e me shpirt të qetë, sepse mbeti i patjetërsuar, do t’i mbyllte sytë me 28 shkurt 1971.


Kleriku i lartë ortodoks dhe njëheri patriot i shquar, At Visarion Xhuvani, kur po u fliste në burgun e Burrelit disa bashkëvuajtësve (njeri nga ata, i ndjeri Fejzi Boriçi, nga i cili kemi pasur këtë informatë), rreth H. S. Bushatit, qe shprehur kështu: “...Kur dilte H. Sabri Beu, sikur po dilte perandori”. Dhe sot ne që kemi patur fatin ta njohim, e parafytyrojmë një gjë të tillë: i gjatë e i hijshëm, me një mjekër të bardhë mesatare, me një hije buzëqeshjeje mbi fytyrë, sa herë e përshëndeste njeri, me dy palë sy plot ëmbëlsi, më të shumtën me një xhybe elegante, ngjyra e së cilës i përshtatej stinës, me një ecje të lehtë e të kujdesshme. Vetë veshja e tij sqimatare, të ecurit, deri edhe përshëndetja e tij plot delikatesë të impononin respekt. Familjarët kujtojnë se me sa skrupolozitet kontrollonte para pasqyrës veshjen, kur dilte nga shtëpia dhe ai, që e përcillte deri te dera, kishte për detyrë t’i bënte t’i bënte sugjerime rreth paraqitjes së jashtme; vetëm me kaq mbaronin pretendimet e tij.

Në të ngrënë ishte i përkorët. Përpiqej të mos i rëndonte njerëzit e shtëpisë me kërkesa; edhe në vitet e pleqërisë përpiqej të vetëshërbehej. Në asnjë veprim nuk e kalonte masën. Edhe kur s’e miratonte diçka, e bënte me fjalor të rezervuar dhe me ton të përmbajtur. Këshillonte vazhdimisht familjarët për korrektësinë në marrëdhënie me të tjerët, veçanërisht në ato ekonomike.

Pozicioni i shtëpisë bri ish ndërtesës së burgut, favorizonte shpeshherë arratisjen e të burgosurve. Besnik i traditës shqiptare që “miku s’pritet në besë”, asnjëherë nuk është sinjalizuar xhandarmëria në këto raste. Familjarët kujtojnë rastin e një ish të burgosuri nga Tropoja që, i aksidentuar në arratisje e sipër, u strehua, u mjekua për disa ditë, pastaj u përcoll mik pas miku deri në Postrribë dhe prej andej në fshatin e tij.

Kohën e lirë e pat shfrytëzuar me kritere të drejta dhe pikësynime të qarta. Kur nuk kishte nxënës, ndrryhej në bibliotekën e shtëpisë dhe studionte literaturën e pasur që kishte siguruar vetë, qoftë edhe me anë të shkëmbimit të librave me miqtë e vet. Në lëmin e teologjisë dhe të jurispondencës islamike, Gazaliu dhe Muheddini qenë autorët e tij më të preferuar, pasioni për librat e filozofisë dhe të historisë islame nuk ia cënoi shijet e tij të rafinuara për vargjet e pavdekshme të Khajamit dhe të poetëve të tjerë të njohur të Orientit, kurdoherë në origjinalitetin e tyre të magjishëm.

Një kënaqësi të thellë ndiente në të lexuarit e Kur’anit dhe në këtë të lexuar, sipas normave klasike (leximi me “gurrah”), thuhet, ka arritur të bëhej i shquar. Këtë shkallë përvetësimi të këtij “arti” e pat fituar në sajë të përvojës që ia transmetoi hoxha kosovar, H. Maliq Gjakova, i ardhur në Shkodër me vullnetarët shijakas, që morën pjesë në Luftën e Koplikut më 1920. Shumë herësh i ka vënë “talebët” e tij të lexonin Kur’anin, me qëllim që dhe atyre t’ua zbulonte “sekretin” e kësaj aftësie. Nga një fakt i kohëve të vona kemi dëshminë e gjallë, sa e si një përkushtim i tillë i Hafizit i dha frutet e veta: Hasani, djali i dytë i tij, gjatë haxhillëkut që kreu me 1992, takoi në Mekë një ish-nxënës të babait të vet, hoxhë Isufin nga fshatrat e Tiranës, që me leximin që i bëri Kur’an-it, i befasoi të pranishmit me shprehitë e tij; befasimi qe më i madh, kur deklaroi plot krenari dhe mirënjohje se këtë “dhunti” e kishte fituar nga ish-mësuesi i tij, i nderuari H. Sabri Bushati!

Një karakteristikë e tij dalluese gjatë debateve të natyrës filozofike-fetare ishte këmbëngulja e madhe, madje, jo në sintoni me temperamentin e tij flegmatik, kalonte në intransigjencë dhe në tone polemizuese të larta. Kështu i ka ndodhur jo vetëm me disa hoxhallarë nga Hindia e me B. Shapatin, por edhe me ish-pedagogun e vet, H. Vehbi Dibrën. Në këto interpretime teorike konvergonte shumë me kolegët e tij: H. H. Jusuf Kelmendi, A. Neziri, Y. Bakalli.

Misticizmi dhe të gjitha format e trashendentalizmit e joshnin së tepërmi, prirje që e shtynë të hynte në Tarikatin e Tixhanive, të themeluar në Shqipëri nga H. Sh. Domnori. Gjatë seancave të lutjeve në teqe, shpesh herë kalonte në ekstazë të thellë, që i sillte një lodhje të madhe fizike. Në lidhje me këtë, ende sot H. Faik Hoxhës, myfti i Shkodrës, i kujtohet mirë një moment i tillë, sepse pat rastin të ishte dhëshmitar okular i këtij riti. Aq i madh qe ai stërmundim, saqë i mirënjohuri H. Mustafa Varoshi, ish myftiu i Durrësit, u mallëngjye në një shkallë të tillë që u detyrua të shprehte keqardhje dhe të kërkonte të falur, mbasi këmbëngulja e tij e pat shtyrë të zotin e shtëpisë, Sheh Qazim Hoxhën për të sajuar këtë prezantim “ashku” fetar. Mbi personalitetin e Hafizit hedh dritë dhe një vështim mbi rrethin e ngushtë të miqve, në zgjedhjen e të cilëve kishte shumë kujdes. Vendin e nderit mes tyre e zinte H. Abdullah Neziri (Bërdica), shok shkolle e, një jetë të tërë mik intim. Besimi te ky hoxhë qe kaq i madh, saqë kurdoherë që rastiste të largohej nga Shkodra, vetëm atij ia besonte zëvendësimin në zyrë. Frekuentonte shpesh ish-mësuesin e tij, H. I. Kadukun, një figurë eminente e klerit mysliman, ndërsa kontakti me prijësit e tarikatit Tixhani, Sh. Domnorin dhe më vonë Sheh Q. Hoxhën, ishte i përhershëm dhe i një shkalle të veçantë, pa harruar edhe miqtë e tjerë si: Haxhi Muhamet Bekteshi e H. Ymer Bakalli. Sensi i tij praktik i kishte sugjeruar që të mbante një grafik për vizitat e ndërsjella me këta miq, shokë të zgjedhur e të dashur, në mënyrë që të mos humbiste asnjërin nga këto raste kënaqësie shpirtërore.

Rrethi i miqve të tij shtrihej edhe jashtë Shkodre; ndër më të njohurit kujtohen H. H. Ali Korça dhe Abdullah Zemblaku, që, kur vinin në Shkodër, bujtnin në shtëpinë e tij dhe i sillnin veprat e tyre me autografe. Në epistolarin e tij bie në sy letërkëmbimi me intelektualin mysliman, padagogun e Medresesë së Lartë, z. Hasan Tahsini.

Cilësitë e tij të rralla morale, përkushtimi i plotë fetar e shoqëror, kultura e përgjithshme dhe përgatitja profesionale, atdhedashuria dhe integriteti i tij politik, detyrat serioze e me përgjegjësi, si ajo e imamit, e myderrizit, e vaizit dhe e kryemyftiut dinjitoz, pa lënë mënjanë impenjimin në rolin me aq përgjegjësi historike për konsolidimin e shtetit shqiptar, për ruajtjen e tërësisë tokësore e zhvillimin e demokracisë, si pjesëmarrësi i Kongresit të Lushnjës e si anëtar i Senatit, bënë që lidhjet e tij miqësore të shtriheshin edhe jashtë rrethit të hoxhallarëve, duke krijuar kështu një “ansambël” dashamirësish, si me intelektualët: H. Gjylbegaj, H. Bushati, Riza Drini etj. apo me përfaqësues të familjeve me tradita të vjetra: Selim Reçi, Oso Kopliku, Muho Kazazi, Junuz Boriçi, Nuto Podgorica, Elez Muka, Ymer Lutfia, Caf Reçi, Elez Sokoli, Ethem Kopliku, Riza Kaduku. 28) Me përmbysjen e komunizmit dhe rivlerësimin e figurave të denigruara nga diktatura, edhe kontributi historik i H. Sabri Bushatit u vlerësua nga Presidenti i Republikës, duke u dekoruar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike”, Kl.I, me këtë motivacion: “Për veprimtari të shquar patriotike në organizimin e mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjës”.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

1) F. Kraja: “Hafiz Sabri Bushati”, (gaz. “Drita islame”, nr. 19, shtator 1992).

2) H. V. Ismaili: “Për fe e atdhe”, (Miçigan USA, viti 1993, fq. ).

3) H. Bushati: “Shkodra dhe motet”, (dorëshkrim).

4) S. Vllamasi: “Ballafaqime politike në Shqipëri...”, Tiranë, v.1995, fq. 64-65.

5) S. Vllamasi: vep. e cituar, fq. 79.

6) Sh. Osmani: “Kontributi i H. V. Dibrës në senatin e I shqiptar”, (gaz. “Drita islame”, v.IV, nr.12, korrik 1995.

7) F. Luli – I. Dizdari: “Një jetë e tërë në shërbim të fesë”, Tiranë, 1997, fq.13/

8) H. Bushati: vep. e cituar.

9) “Historia e Shqipërisë” II, v.1984, fq. 123.

10) Xh. Repishti: “Isuf Sokoli e mbrojtja e Ulqinit”, Tiranë, 1979, fq. 25.

11) H. Bushati: vep. e cituar.

12) K. Naipi: “Zana popullore”, Shkodër, 1993, fq. 77.

13) L. Mile: “Lidhja shqiptare e Prizrenit, dok. franceze”, Tiranë 1978, fq.314. (dokumenti i cit. 25 tetuer 1879).

14) K. Naipi: vep. e cituar, fq. 101, 118.

15) H. Bushati: vep. e cituar.

16) “Historia e Shqipërisë” II, v.1964, fq. 481.

17) “Historia e Shqipërisë” II, vep. e cituar, fq. 483.

18) “Bisedimet e Këshillit Kombëtar”, Ligj.I, vëll.I, Tiranë, viti 1924, fq. 22.

19) “Bisedimet e Këshillit Kombëtar”, vep. e cituar, po aty.

20) S. Vllamasi: vep. e cituar, fq. 147-148.

21) “Historia e Shqipërisë”, vep. e cituar, fq. 499.

22-28) “Arkivi i familjes, dëshmi gojore të familjarëve”.