Haki Taha
Haki Taha (Gjakovë, 1913 - Prishtinë, 14 mars 1945) ka qenë arsimtar, nacionalist shqiptar dhe vrasësi i Miladin Popoviqit, ndër dy delegatët e Kominternit që themeluan Partisë Komuniste Shqiptare dhe ndër krerët e Partisë Komuniste Jugosllave.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Hakiu shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Shkollën fillore "Kosova" në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë. Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vet, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe. Aty edhe ngjalli ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë. Ndonëse antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare për arsye se ishte "nacionalist i madh", si tha në rastin që përmendëm Fadil Hoxha, dhe - për shkak të mosbesimit ndaj bashkëpunimit me serbët e malazeztë. Por, as nuk u hodh në luftë të drejtpërdrejtë kundër kësaj Lëvizjeje. Kështu, gjatë tërë kohës së luftës mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt. Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i ogranizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të "liktorit", t'i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij. Fjalën me këtë kërkesë të të rinjve gjakovarë, të drejtuar kryeministrit Mustafa Kruja, që e mbajti Vehap Shita, atëherë nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, e kishte inicuar dhe mundësuar pikërisht Haki Taha, atëherë mësues në Gjakovë. E pas kësaj vizite të kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare. Mirëpo, Haki Taha, edhe atëherë shëndetlig, së shpejti u sëmur rëndë dhe mbeti i shtrirë në shtrat pothuaj deri në ditët kur mori rrugën për në Prishtinë, ku edhe e gjeti vdekja në mars të vitit 1945.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Haki Taha (1913-1945), atdhetari nga Gjakova që goditi tradhtinë komuniste jugosllave". radiokosovaelire.com. 13 mars 2019.