Jump to content

Hektori

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hektori është figurë mitologjike, hero trojan, biri i Priamit dhe Hekubës, burri i Andromakës dhe babai i Astianaksit.

Orakulli kishte parathënë se për sa kohë që ai do të jetonte, mbretëria e Priamit do t'u qëndronte goditjeve të grekëve, prandaj Hektorin e kishin zgjedhur prijës të ushtrisë trojane. Në luftë Hektori tregoi trimëri të madhe. Ai për dhjetë vjetë e vonoi shkatërrimin e Trojës, mundi dhe vrau Protesilaun, luftoi me Ajaksin dhe Diomedin, dogji flotën greke dhe më në fund vrau Patroklin. U vra nga Akili.

Në lashtësi Hektori ka qenë një model i dhembshurisë bijore dhe bashkëshortore, një shembull i bujarisë dhe i guximit dhe si i tillë ka frymëzuar shumë mjeshtër të artit.[1] HEKTORI (greq. Hektor, lat. Hector) - djali më i madh i Priamit, mbretit të Trojës dhe gruas së tij Hekubës, kryekomandant i ushtrisë në luftë me akeasit.

Populli trojan e ka quajtur mburojë të qytetit të vet dhe e ka adhuruar si zot. Ishte luftëtari më i fortë dhe më guximtari në ushtrinë e Trojës dhe njësojë si me trimëri, dallohej me shtat të lartë, bukuri fizike dhe bujari shpirtërore. Në çdo aspekt e ka tejkaluar kundërshtarin e vet, kryekomandantin e ushtrisë akease, Agamemnonin, ndërsa prej akeasve e ka kaluar vetëm trimi Akil por vetëm me fuqinë trupore.

Nëntë vjet i ka përballuar epërsisë së akeasve, të cilët erdhën nën Trojë për t'ua hakmarrë për rrëmbimin e gruas së Menelaut, mbretit të Spartës të cilën e rrëmbeu princi i Trojës, Paridi. Derisa nën udhëheqjen e Agamemnonit ishin njëqind mijë ushtarë, Hektori i ka pasur vetëm pesëdhjetë mijë. Pjesa më e madhe e ushtrisë së tij përbëhej prej njësive të aleatëve, të cilët shërbenin vetëm për para dhe pjesëmarrje në ndarjen e plaçkës. Trojanët të cilët e mbronin qytetin e tyre për nga numri ishin përafërsisht dhjetë mijë. Epërsinë numerike të akeasve e kanë barazuar muret e forta me të cilat ka qenë e fortifikuar Troja. Përkundër kësaj nuk kufizohej vetëm në beteja mbrojtëse. E ka ditur se kështjella e cila nuk mbrohet me kundërsulme është e gjykuar të shkatërrohet. Në sulme përherë ishte në vijat e para dhe me shembullin e vet e ka nxitur tërë ushtrinë trojane. Në beteja për shpëtimin e Trojës ka bërë vepra heroike, madhësinë e të cilave e kanë njohur edhe armiqtë e tij. Që në fillim të luftës trimërisht iu kundërvu epërsisë së dhjetëfishtë të akeasve që t'ua bëjë të pamundshëm zbarkimin në bregdetin e Trojës. Po që se në betejë burrorore zmbrapsej kjo ndodhte vetëm për ta ruajtur ushtrinë e vet për beteja të reja, mbrojtëse. Për dhjetë vjet sa zgjati lufta, akeasve u solli dëme të cilat e ,kanë luhatur shpirtin e tyre luftarak, prandaj edhe deshtën të heqin dorë nga rrethimi i Trojës për ta lidhur paqen e nderit dhe të kthehen në atdhe.

Qëndresa në Luftën e Trojës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kur në vitin e dhjetë të luftës së Trojës aleati trojan, Pandari e shkel armëpushimin dhe kur trojanët qenë të detyruar ta vazhdojnë luftën nën presionin e shkeljes së marrëveshjes së shenjtë, Hektori nuk humbi guxumin dhe me trimërinë e vet sërish e fitoi mirësinë e zotërave. Shkathtësisht e shfrytëzoi grindjen në mes të Agamemnonit dhe Akilit për çka Akili nuk deshti të marrë pjesë në betejë. I sulmoi akeasit e dobësuar dhe i detyroi që të tërhiqen nga muret të cilat e mbronin kampin dhe limanin e tyre. Vërsulej në krye të shigjetarëve të vet në dyert kryesore të mureve dhe i pushtonin pas betejës së pamëshirëshme, duke depërtuar deri te anijet akease me dëshirë që t'ua vënë zjarrin. Nuk i ka munguar guximi as atëherë kur ushtria e tij rrëmbithi para sulmeve të papritura të Patrokliut, mikut të Akilit, i cili e muar mbi vete detyrën që t'i mashtrojë trojanët, duke e veshur parzmoren e Akilit dhe duke i marrë armët e tij. Hektori sërish i rregulloi radhët e veta luftarake, iu kundërvu Patrokliut dhe e vrau në betejë.


Pas ngadhënjimit mbi Patroklin para Hektorit ishte ende vepra e fundit e trimërisë - vdekja në fushëbetejë. Akili vendosi që të hakmerret për vdekjen e shokut të tij, u pajtua me Agamemnonin dhe u kthye në betejë. E shpartalloi ushtrinë trojane, i ndoqi trojanët deri te muret dhe deshti që nëpër dyert kryesore trojane të depërtojë në qytet. Kur askush nuk pat guxim që t'i kundërvihet, atëherë Hektori bëri atë që i urdhëronte detyra dhe nderi. Nuk i merrte parasysh lutjet e prindërve, të gruas dhe të të gjithë trojanëve të cilët e përbenin që të mbrohej nga muret. Mbet para dyerve akease dhe e ftoi Akilin në dyluftim. I propozoi që të luftonin për jetë apo për vdekje dhe njëri tjetrit t'i premtojnë që ngadhënjyesi t'ua dorëzojë trupin e vdekur të të mundurit shokëve të tij që ta varrosin me nderë. Akili e pranoi vetëm provokimin për luftë dhe me tërë furinë e vet u vërsul në Hektorin. Për një çast Hektori u luhat, këmbët nuk e dëgjonin dhe pastaj u vu në ikje. Akili e ndiçte këmba-këmbës. Të dy luftëtarët, vrapuan tri herë rreth e rrotull mureve të qytetit të Priamit. Se si do të marrë fund dyluftimi e pritnin me padurim jo vetëm njerëzit, por edhe zotërat. Kur u nisën edhe për të katërtën herë që të vraponin rreth e rrotull muret, zoti suprem, Zeusi, e dërgoi peshoren e artë të fatit dhe vuri në të dy zare të vdekjes. Ana e Hektorit u rrëzua dhe së shpejti në pluhurin e vendlindjes së vet ra edhe vet Hektori.

Hyjnesha Athina e cila në luftën e Trojës u ka ndihmuar akeasve e mori pamjen e Defobit, vëllaut të Hektorit dhe zbriti në fushëbetejë për ta nxitur Hektorin në dyluftim me Akilin. Posa Hektori e hudhi shtizën e vet në Akilin, Athena u zhduk. Hektori tani pa se e kanë braktisur zotërat. Atëherë tha: "Vaj medet, vërtet, tani më ftuan zotërat në vdekje! ... Nuk më ikje ... Vaj medet, pa luftë dhe pa famë nuk dua të vritem. Veprën e madhe do ta përfundoj dhe për të do të dinë edhe nipat!"

Në luftën burrërore, të denjë për të gjithë trimat, u vra Hektori, sepse Akili e gjeti në trupin e tij vendin të cilin nuk e mbulonte parzmorja dhe aty e futi shtizën e vet vdekjeprurëse.

Kështu Hektori u vra përpara syve të të gjithë burrave dhe grave trojane, ndërsa famën e tij nuk ka mundur ta zvogëlojë as vepra e turpshme që ia lejoi vetes fituesi Akili e lidhi trupin e Hektorit për qerren e vet luftarake, e zvarriste nëpër pluhur rreth mureve të Trojës e pastaj e solli kampin e akeasve dhe ua la për gosti hutave dhe qenëve. Mirëpo, zotërat nuk lejuan që trimi më i madh trojan të mbetet i pavarrosur. Kur baba plak, Priami, nën shtytjen e tyre, shkoi te Akili me lutje e dhurata, Akili u zbut dhe ia dorëzoi Hektorin e vdekur. Troja e famshme, e cila ishte djepi i Hektorit, jo shumë pas kësaj u bë edhe përmendorja e tij mbivarrore. U bë muranë e madhe e gërmadhave në të cilën pas vdekjes së Hektorit e kishin shndërruar ngadhënjimtarët akeas.


Hektori në Iliadë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Hektori është personazhi më simpatik i Iliadës si për nga natyra e tij ashtu edhe për nga vetitë dhe veprat e tij. Vendet më të bukura të epeve të Homerit kanë të bëjnë pikërisht me të. Fjala e tij me gruan Andromakën dhe të birin, Astinaiktin, dyluftimi i tij me Akilin dhe lutja e përzemërt e Priamit për trupin e Hektorit janë ndër pjesët më të bukura të asaj që ndonjëherë ka krijuar poeti.

Veprat skulpturale të cilat e paraqesin Hektorin ngecin shumë pas parafytyrimeve që i fitojmë duke i lexuar epet e Homerit, edhe pse edhe këto vepra janë fryte të duareve të artistëve të famshëm. Nga antika na janë ruajtur relativisht shumë. Në vaza ka gati dyzet piktura; prej tyre Falja e Hektorit me Andromaken në pesë vaza; Hektori në betejë me Akilin në shtatë, ndërsa Hektori në betejë me Ajantin në njëmbëdhjetë dhe Akili e çnderon trupin e vdekur të Hektorit në pesëmbëdhjetë sosh. Prej veprave të artistëve modern po përmendim relievin e mermert Hektori falet me Andromakën të Bert Thorvaldsenit të vitit 1837 (që sot gjendet në Muzeun e Thorvaldsenit në Kopenhagë).

Assesi nuk është në kundërshtim me madhësinë e shembulltyrës së Hektorit edhe fati i tij tragjik pse nuk e kemi të trajtuar si hero kryesor në vepren dramaturgjike dhe poetike më vete. Hektori jeton si trim i vërtetë në të gjitha veprat të cilat merren me luftën e Trojës gati tre mijë vjet - shkurt që nga koha e Homerit e deri më sot.

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ FJALORI I MITOLOGJISË, "Rilindja" - P r i s h t i n ë 1988.