Historia e futbollit në Kosovë
Historia e futbollit në Kosovë është relativisht e gjatë dhe përmbledh të kaluarën e një sporti që nisi në fillim të shekullit XX dhe lidhet ngushtë me zhvillimet shoqërore e politike të vendit. Ky sport u përhap fillimisht në qytetet kryesore, si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Vushtrria, etj. përmes ushtarëve dhe tregtarëve të huaj që sollën topat e parë dhe rregullat e lojës. Ndeshjet e para të organizuara u zhvilluan gjatë viteve 1920, kur u formuan edhe klubet e para vendore si Gajret Prizren, Normalisti Prishtinë, Besa Pejë, Vëllaznimi Gjakovë, Kosova në Vushtrri, etj.[1]
Zanafilla e futbollit në Kosovë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Topi i parë në Kosovë është sjellur nga një student i Grenoblit më 1919, por thuhet se që në vitin 1914 futboll kanë luajtur Austro-Hungarezët që kanë shërbyer në Kosovë në atë kohë. Sipas librit me titull, "Zhvillimi i kulturës fizike dhe sportit në Vushtrri (1900-2000)" të autorit Fahri Buçinca, ndeshja e parë e futbollit në Kosovë u zhvillua në vitin 1916, në qytetin e Vushtrrisë, në lagjen e Badivukëve. Në atë kohë, në këtë sektor ishin të vendosur ushtarët austro-hungarezë, të cilët organizuan dhe luajtën për herë të parë një lojë futbolli në këtë qytet të lashtë. Kjo ngjarje u mirëprit me entuziazëm nga banorët vendas, të cilët pas shekujve të gjatë të sundimit osman e panë ardhjen e austro-hungarezëve si fillimin e një epoke të re. Përveç njohjes me sportin e futbollit, ajo periudhë solli edhe hapjen e shkollave të para në gjuhën amtare dhe fitimin e disa të drejtave të reja që kishin munguar për pesë shekuj.[2] [3]
Pak kohë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore ka nisur edhe themelimi i klubeve të para futbollistike, si p.sh. në vitin 1922 në Gjakovë dhe KF "Prishtina" në Prishtinë, e më pastaj formohen edhe klubet e tjera. Garat nuk kanë qenë të rregullta për arsye të situatës jostabile që ka mbretëruar në atë kohë.[4]
Futbolli në Kosovë 1945 - 1991
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kjo periudhë fillon pas luftës së dytë Botërore prej vitit 1945 e deri më 1991. Në këtë kohë futbolli në Jugosllavi përparon në mënyrë të shpejtë e bashkë me të edhe futbolli kosovar, kur formohet edhe Federata e Futbollit të Kosovës më 1946, si degë e Federatës së Futbollit të Jugosllavisë. Në Ligën e parë jugosllave dallohen më së shumti KF "Prishtina", kurse një vit anëtar i kësaj lige ishte edhe KF "Trepça" nga Mitrovica. Liga e dytë shtetërore vazhdimisht kishte nga 3-4 klube kosovare. Në këto dy liga Federative garonin Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi,Vojvodina, Kosova dhe Maqedonia, të gjitha në një ligë unike. Kosova e kishte ligën e vet të parë, ku skuadra kampione kalonte direkt në Ligën e dytë jugosllave, pastaj kishte Ligën e dytë dhe të tretë. Kosova në këtë kohë kishte reprezentues, referë federativë dhe punëtorë të shumtë të nivelit më të lartë.
Kampionët e Ligës së Kosovës në këtë periudhë kanë qenë
- 1945 - Jedinstvo (Prishtinë) 1946 - Jedinstvo
- 1947 - Trepça (Mitrovicë) 1947-48 - Proleteri (Prishtinë)
- 1948-49 - Trepça 1950 - Trepça
- 1951 - Kosova (Prishtinë) 1952 - Trepça
- 1953-54 - Kosova 1954-55 - Trepça
- 1955-56 - Rudari (Stantërg) 1956-57 - Rudniku (Hajvali)
- 1957-58 - Rudari 1958-59 - Prishtina
- 1959-60 - Rudari 1960-61 - Prishtina
- 1961-62 - Buduqnosti (Pejë) 1962-63 - C.Zvezda (Gjilan)
- 1963-64 - Slloga (Lypian) 1964-65 - Slloga
- 1965-66 - Buduqnosti 1966-67 - Obiliqi (Kastriot)
- 1967-68 - Vëllaznimi (Gjakovë) 1968-69 - Vëllaznimi
- 1969-70 - Vëllaznimi 1970-71 - Vëllaznimi
- 1971-72 - Obiliqi 1972-73 - Fushë-Kosova
- 1973-74 - Vëllaznimi 1974-75 - Liria (Prizren)
- 1975-76 - KXEK Kosova (Kastriot) 1976-77 - Prishtina
- 1977-78 - Buduqnosti 1978-79 - Prishtina
- 1979-80 - Vëllaznimi 1980-81 - Liria
- 1981-82 - Vëllaznimi 1982-83 - KNI ”Ramiz Sadiku” (Prishtinë)
- 1983-84 - Liria 1984-85 - C.Zvezda
- 1985-86 - Vëllaznimi 1986-87 - Liria
- 1987-88 - C.Zvezda 1988-89 - Buduqnosti
- 1989-90 - Vëllaznimi 1990-91 - Fushë-Kosova
Plotësim: Në këtë etapë, për shkak të situatave politike në Kosovë, përkatësisht për shkak të demostratave gjithëpopullore të shqiptarëve më 1981 dhe më 1989, kampionatet e Ligës së Kosovës 1980-81 dhe 1988-89, me vendimet e pushtetit të atëhershëm, janë ndërprerë që në fillim të stinorit pranveror dhe me dekret, kampion janë shpallur skuadrat që në ato momente kanë qenë në pozitat e para të renditjes tabelare (Liria, përkatësisht Buduqnosti).
Shënim: Duhet theksuar se në këtë periudhë skuadrat më të suksesshme të Kosovës kanë qenë të përfshira në kategoritë më të larta të shtetit të atëhershëm (Jugosllavisë), prandaj Liga e Kosovës ka qenë për nga cilësia më e dobët.
Futbolli në Kosovë 1991 - 1999
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, pikërisht në vitin 1991 futbolli kosovar ishte në zenitin e saj dhe kishte vazhdimisht 4-5 klube në të dy ligat federative. Por, përkeqësimi i situatës politike reflektohej edhe në sport. Ishte gati e pamundur të luhej më futboll, e sidomos jo në Kosovë. Kjo bëri që në gusht të vitit 1991, klubi më i mirë i Kosovës, Prishtina me një traditë të ndritshme në Ligën e parë jugosllave të braktisë Ligën profesioniste të Jugosllavisë, sepse nuk kishte më garancë për sigurinë as të lojtarëve, as të zyrtarëve të tjerë, por as të simpatizuesve kosovar. Reaksioni i pushtetit të Millosheviqit ishte pa presedan në historinë e sportit. Ai suprimoi të gjitha klubet e të gjitha sporteve dhe definitivisht i largoi nga fushat e veta të gjithë sportistët e Kosovës, siç bëri edhe me punëtorët që i la në rrugë. Të gjitha nivelet e ligave të futbollit në Kosovë u zhdukën për një ditë nga dora kriminele e pushtetit serb. Në vitin 1991, pas këtij akti të pashembullt të shtetit serbo-jugosllav, futbolldashësit kosovar treguan qartë se nuk mund të jetojnë pa futboll dhe në kushte absurde për shekullin e 20-të, formuan FEDERATËN E FUTBOLLIT Të KOSOVËS, të pavarur nga Jugosllavia me të gjitha organet e saja: kryetarin, bordin prej 12 anëtarëve nga 7 qendrat rajonale, komisionet, shoqatat etj.. Ndeshja e parë u zhvillua në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, më 13 shtator 1991, që shënoi fillimin e kampionatit të parë të pavarur të Kosovës. Liga e parë e Kosovës numëronte 20 skuadra, ndërsa ligat tjera mvarësisht nga Regjionet, por ndeshjet luheshin vetëm nëpër fusha të improvizuara, në kushte shumë të vështira. Nëpër stadiumet e futbollit të Kosovës luanin tani 8% e popullatës së gjithmbarshme të saj, pra vetëm serbët. Maltretimet, burgosjet, rrahjet ishin të pranishme në çdo javë, por futbolli në Kosovë mbijetoi dhe u luajtë deri në janar të vitit 1998, kur filloi fushata luftarake serbe ndaj popullatës civile të Kosovës. Edhe gjatë kësaj periudhe (1991-1998)në Kosovë luhej futbolli sipas rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s, dhe çdo ndryshim i rregullave të tyre menjëherë aplikohej në sistemin e garave tona.[5]
- Kampionët e Kosovës në këtë periudhë kanë qenë
1991-92 - Prishtina gf 1992-93 - Trepça 1993-94 - Dukagjini(Klinë) 1994-95 - Liria 1995-96 - Prishtina 1996-97 - Prishtina 1997-98-Kampionati, për shkak të luftës, ndërpritet pas përfundimit të stinorit vjeshtor 1998-99 – Për shkak të luftës, kampionati nuk u zhvillua fare.
Futbolli në kohën e UNMIK-ut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Faza e IV-të e Futbollit në Kosovë filloi menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, kur u riorganizua FEDERATA E FUTBOLLIT E KOSOVËS. Konstituohet Kuvendi, miratohet Statuti, konfirmohen klubet pjesëmarrëse, caktohen komisionet, shoqatat, etj. Liga e parë numëronte 18 skuadra, Liga e dytë - dy grupe me nga 14 suadra. Prej vitit 1991 deri më sot vazhdimisht në futbollin e Kosovës është luajtur sipas rregullave të UEFA-së dhe FIFA-s. Tani në edicionin e ri 2006/2007, Kosova ka Superligën me 16 skuadra, Ligën e parë me 14 skuadra, Ligën e dytë - dy grupe me nga 12 skuadra dhe Ligën e tretë - dy grupe nga 10 skuadra, pastaj Ligat e juniorëve dhe të gjitha grupmoshat që garojnë sipas sistemit të garave të UEFA-së.
Kushtet infrastrukturale prej vitit 1999 deri në ditët e sotme janë shumë të vështira dhe futbolli po mbijeton vetëm falë sponzorëve vullnetarë, të cilët me vite të tëra sponzorojnë me mjete personale, edhepse atyre nuk u mundësohet asnjë lehtësim fiskal konkret nga shteti qoftë në infrastrukturë apo të tjera, por edhe mundësitë realisht janë të kufizuara.
- Kampionët e Kosovës në këtë periudhë kanë qenë
1999-2000 - Prishtina 2000-01 - Prishtina 2001-02 - Besiana (Podujevë) 2002-03 - Drita(Gjilan) 2003-04 - Prishtina 2004-05 - Besa 2005-06 - Besa 2006-07 - Besa
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]| Ky artikull nga futbolli është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
- ↑ "Historiku i Futbollit në Kosovë, ky qytet është "djepi" i futbollit kosovar" (në anglisht). Marrë më 2025-10-13.
- ↑ "Historiku i Futbollit në Kosovë, ky qytet është "djepi" i futbollit kosovar". Marrë më 2025-10-16.
- ↑ Buçinca, Fahri (2010). "Zhvillimi i kulturës fizike dhe sportit në Vushtrri (1900-2000)". NadirKitap (në shqip dhe turqisht). Marrë më 2025-10-16.
- ↑ "HISTORIKU I ZHVILLIMIT TË FUTBOLLIT NË KOSOVË 1914-1991 – dukagjinibotime.com". Marrë më 2025-10-13.
- ↑ "Historiku i FFK-së". Federata e Futbollit e Kosovës. Marrë më 2025-10-13.