Shko te përmbajtja

Historia e Mitrovicës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Historia e Mitrovicës dhe rrethinës së saj paraqet të kaluarën e njërit prej qyteteve më të rëndësishme të Kosovës, me një histori të pasur që shtrihet nga lashtësia deri në kohët moderne. Zona e Mitrovicës dhe rrethinat e saj kanë qenë të banuara që në periudhën ilire, duke pasur një rëndësi të veçantë për shkak të burimeve natyrore dhe pozitës gjeografike strategjike.[1]

Pozita strategjike dhe sidomos ajo gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës, ka bërë që territori i Mitrovicës të popullzohet qysh në parahistori. Albaniku (Monte Argentarum), i pasur me argjend e plumb prej kohës antike deri në Mesjetë, pastaj Trepça si vendburim i madh i plumbit, klima e përshtatshme, kushtet e mira për t’u marrë me bujqësi, blegtori, tregti etj., kanë ndikuar në koncentrimin e popullsisë në këtë mjedis. Motivet ekonomike për themelimin e vendbanimeve dhe për përqendrimin e popullsisë në këtë trevë kanë qenë blegtoria, bujqësia, gjuetia e më pas edhe xehetaria, e cila fillimisht u zhvillua në masë modeste, por më vonë u bë një nga shkaqet kryesore të depërtimit romak dhe pushtuesve të tjerë.

Kjo trevë, sikurse pjesët e tjera të Gadishullit Ilirik, në lashtësi ka qenë e banuar me banorë ilirë, përkatësisht fisin dardan. Në territorin e sotëm të trevës së Mitrovicës janë zbuluar disa gjurmë ndërtesash, një nekropol ilir, statuja të ndryshme prej balte e plumbi, një sarkofag, figura e Terpsikorës (Muzës së vallëzimit) etj. Jeta ekonomike në Dardani, pra edhe në trevën e Mitrovicës, ka qenë e mbështetur në bujqësi. Në shek. I të e.r., Iliria u gjend nën sundimin romak. Mitrovica në këtë kohë mund të ketë qenë stacion pushimi dhe vend i përpunimit të metaleve. Pas Ulpianës, qendra e dytë e rëndësishme ishte Municipium DD afër Soçanicës, e banuar qysh në parahistori.

Në fund të shek. IX, treva e Mitrovicës, bashkë me territorin e Kosovës, u gjend nën sundimin e shtetit bullgar të Car Simeonit (897-927), ndërsa pas rënies së kësaj mbretërie u rikthye nën sundimin e Bizantit. Më 1185, viset shqiptare të veriut të Kosovës u pushtuan nga shteti serb i Nemanjve. Këtu fillon periudha më e vështirë dhe më e errët për popullsinë shqiptare. Sundimtarët serbë e shndërruan këtë trevë në qendër politike, ekonomike e kishtare të shtetit të tyre, duke zbatuar politikën e asimilimit. Në kohën e Car Dushanit, shqiptarët ishin të detyruar të braktisnin ritin katolik për t’u orientuar drejt ortodoksisë sllave. Me ardhjen e sllavëve në këto treva, harta toponomastike ndryshoi rrënjësisht, duke zëvendësuar emërtime iliro-shqiptare me ato sllave.

Në gjysmën e dytë të shek. XIX, Mitrovica u bë një qendër e rëndësishme ushtarake, ekonomike dhe tregtare. Në afërsi të Mitrovicës, në fshatin Boletin, prodhoheshin gurë mulliri “kosovar”. Si stacion i fundit hekurudhor, Mitrovica u bë stacion importues dhe eksportues. U hapën dyqane të ndryshme zejtare e tregtare, ndërsa një objekt i rëndësishëm ishte sharra e Dragajve.

Gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, figura të tilla si Ali Draga e Mulla Iliazi bashkë me shumë luftëtarë të tjerë dhanë një kontribut aktiv në çështjen kombëtare.

Në vitet e para të shek. XX janë të njohura luftërat për liri të popullatës shqiptare të kësaj treve të udhëhequra nga Isa Boletini. Më 1903 luftëtarët e Shalës së Bajgorës, të udhëhequr nga Jashar Boletini, Bejtë Selaci, Shaban Jashari etj., zhvilluan një kryengritje të përgjakshme kundër forcave turke për të kundërshtuar vendosjen e konsullit rus, Shqerbinit, i cili në popull njihej me emrin Kanxhallozi i Mitrovicës. Atë e vrau Ibrahim Popovci nga fshati Suk i Gjilanit. Më 1906, Komiteti Shqiptar me qendër në Manastir i shtriu degët e veta në tërë hapësirën shqiptare. Një nga degët më të forta ishte edhe ajo e Mitrovicës. Prijësit e Mitrovicës organizuan Kuvendin e Ferizajt. Luftëtarët e Mitrovicës çliruan Pazarin e Ri (22 korrik), Mitrovicën, Prishtinën dhe marshuan deri në Shkup (1912). Kështu në fund të korrikut 1912 kryengritësit shqiptarë çliruan tërë Kosovën. Pas tre muajsh, pra në tetor 1912, filloi Lufta e parë ballkanike. Serbia e ndihmuar nga Rusia etj., arriti ta pushtojë Kosovën. Vetëm në Mitrovicë, e cila paraqiste një interes të veçantë politik dhe ekonomik për të, ajo solli më shumë ushtarë se ç’kishte banorë.

Shumë përfaqësues të kësaj treve morën pjesë në kryengritjen që solli Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, si Isa Boletini, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica, Hajdin Draga, Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, etj. kishin marrë pjesë në Kongresin e Elbasanit, ndërsa Isa Boletini udhëtoi me delegacionin në Londër për të biseduar lidhur me fatin e Shqipërisë e Kosovës. Nexhip Draga, ky mitrovicas ka qenë deputet në Parlamentin turk dhe, bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin etj. luftuan për çështjen e autonomisë së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Në vitet 1921-1924, mitrovicasi tjetër, Rexhep Mitrovica ishte ministri i parë reformator i arsimit në Qeverinë Shqiptare. Në kullën e Boletinit në vitin 1899 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe.

Në vitin 1908, nga ky mjedis doli edhe një personalitet shumë i rëndësishëm, Rexhep Remziu, i cili gjithashtu në këtë qytet hapi shkollën në gjuhën shqipe. Gjatë periudhës së sundimit austro-hungarez (1915-1918) këtu janë hapur disa shkolla, ku përpos Rexhep Remzi Efendiut, janë shquar edhe Hajrë Haxhija, Jusuf Rexha, Shaban Idrizi etj.

Popullata shqiptare mori pjesë në luftërat për çlirim duke nisur që nga periudha e Tanzimatit e deri në Luftën e Dytë Botërore. Luftërat e Isa Boletinit dhe kryengritja e vitit 1912 çuan në çlirimin e Mitrovicës nga forcat osmane.

Më 1 maj 1918, ende pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, u formua ilegalisht Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës. Anëtarë të këtij Komiteti kanë qenë edhe disa personalitete nga ky mjedis, si Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica,Shaban Rexha etj. Ata së bashku me Hasan Prishtinën kundërshtonin politikën e Mbretërisë SKS, njoftonin mekanizmat ndërkombëtarë lidhur me dhunën e terrorin serb mbi shqiptarët. Popullata shqiptare nuk gëzonte asnjë të drejtë, madje as të drejtën për përdorimin e gjuhës së tyre, të drejtën për t’u shkolluar, për të zhvilluar kulturën nacionale etj. Shumë familje u shpronësuan. Në tokat dhe pasurinë e tyre u vendosën kolonë serbë e malazezë. Shumë familje u shtrënguan që të braktisin vatrat e tyre stërgjyshore e të shpërngulen në Turqi e ngjeti. Veçanërisht pësuan familjet e pjesëtarëve ose të përkrahësve të lëvizjes së rezistencës.

Pas Luftës së Parë Botërore, Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës kundërshtoi politikën e Mbretërisë SKS dhe dhunën ndaj shqiptarëve. Gjatë viteve 1930, Mitrovica përjetoi rritje ekonomike me zhvillimin e industrisë minerare dhe ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave.

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga ky mjedis dolën personalitete të shquara, si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Nexhip Deva, Muhamed Deda, Bedri Gjinaj, Xhelal Mitrovica e shumë e shumë të tjerë. Dy të parët kanë qenë kryetarë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Gjatë viteve 1943-44 Rexhep Mitrovica ka qenë kryeministër i Shqipërisë, ndërsa Xhafer Deva ministër i Punëve të Brendshme, Idriz (Shaban) Rexha komandant i xhandarmerise Shqiptare. Më 28 nëntor 1941, në Mitrovicë u përkujtua 29-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kohë forcat çetnike sulmonin vazhdimisht kufijtë veriorë të Kosovës, duke rrezikuar kështu popullatën shqiptare në fshatrat Bistricë, Koshtovë e Vllahisë, Cerajë, Selac, Kaçanoll etj. Për ta ndalur këtë të keqe, qindra e mijëra vullnetarë shkuan në mbrojtje të kufirit. Në këtë kohë vepronte Lidhja Popullore Shqiptare me kryetar të parë të saj Rexhep Mitrovicën. Derisa nacionalistët si Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Idriz Rexha, Bedri Gjinaj, Pajazit Boletini e të tjerë luftonin e punonin për bashkimin e Mitrovicës dhe territoreve të tjera të kësaj prefekture me Shqipërinë etnike, partizanët në krye me Ali Shukriun bashkëpunonin me komunistët serbë e malazezë, të cilët përpiqeshin që ta sëndertonin po atë politikë që kishin çetnikët, ta ripushtojnë Kosovën dhe ta terrorizojnë popullatën shqiptare. Më 8 shkurt të vitit 1945 u vendos Administrimi ushtarak i Kosovës. Okupimi i Kosovës nga Ushtria Jugosllave u shoqërua me veprime terroriste, me operacione ndëshkimore, me masakra masive ndaj popullsisë shqiptare. Kundër grupeve të rezistencës, të cilat i udhëheqnin Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Idriz Rexha, Bislim Bajgora etj., u lëshuan disa divizione të Armatës së Jugosllavisë. Pos prijësve dhe anëtarëve të familjeve të tyre u ekzekutuan e masakruan barbarisht edhe mijëra banorë të tjerë. Shumë nacionalistë u ekzekutuan, shumë të tjerë u burgosën, ndërsa ata që arritën të shpëtojnë, kaluan tërë jetën në mërgim nëpër vendet e ndryshme të botës. Në këtë drejtim pësuan edhe anëtarët e NDSH, të cilët vepronin në Mitrovicë e rrethinë. Ata kundërshtuan vendosjen e Administratës ushtarake, ripushtimin e Kosovës, vendimin e KQ të PKJ që Kosova t’i bashkangjitet Serbisë, klasifikimin e shqiptarëve në “pakicë kombëtare”, pastaj ripërtërirjen e “marrëveshjes xhentëllmene” të arritur midis Jugosllavisë e Turqisë më 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve, qëndrimin mohues ndaj traditave kulturore e historisë kombëtare etj. Më 1955-56 organet e sigurimit vunë nën tortura me mijëra shqiptarë të këtij mjedisi, sidomos të fshatrave të Shalës së Bajgorës.

Mitrovica vazhdoi të ishte një qendër e rëndësishme strategjike dhe industriale, por ndarjet etnike dhe konfliktet pas Luftës së Kosovës ndikuan në zhvillimin e saj. Pavarësia e Kosovës solli ndryshime të reja, por sfidat ekonomike dhe politike vazhduan të jenë të pranishme. Sot, Mitrovica mbetet një nga qytetet më të rëndësishme të veriut të Kosovës, me potencial të madh ekonomik dhe kulturor.[2] [3]

  1. Komuna, e Mitrovicës. "Historia e Mitrovicës". www.wikiwand.com (në anglisht). Marrë më 2025-01-30.
  2. Drini.us (2024-05-29). "Tipologjia e banesës dhe simbolet e kultit në komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë". DRINI.us. Marrë më 2025-01-30.
  3. Latifi, Blerim (2021-01-13). "Nga Blerim Latifi - Historia e Trepçës, histori e Kosovës". Syri Kosova | Lajmi i fundit. Marrë më 2025-01-30.