Interesi
Interesi (kursi i interesit/kamata) është kostoja që huamarrësi i paguan huadhënësit gjatë një periudhe të caktuar kohore, zakonisht e llogaritur në bazë vjetore. Kjo shumë e paguar ka si qëllim të kompensojë huadhënësin për sakrificën që po ndërmerr në humbjen e përdorimit të menjëhershëm të parasë së tij, për uljen e vlerës së parasë si pasojë e inflacionit gjatë kohëzgjatjes së huadhënies, dhe e fundit, për rrezikun që paraqet procesi i huadhënies (p.sh. mospagimi nga huamarrësi i shumës së dhënë hua).
Ekzistojnë kurse të ndryshme interesi që varen nga faktorë si kush është huadhënësi (kreditori) e kush huamarrësi (kredimarrësi). Mënyra e harxhimit të kredisë luan po ashtu rol në çmimin e kredisë. Dy kurset më të njohura të interesit janë ato të Bankës Qendrore Evropiane dhe ajo e Bankës Qendrore Amerikane (origj. Federal Reserve Bank). Këtë lloj interesi e paguajnë bankat komerciale kur marrin hua nga banka qendrore.