Jump to content

Jadera

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jadera (Iadera, Jadra, Jadar, Idassa) është një vendbanim liburn nga i cili u zhvillua Zadari i sotëm i Kroacisë . Më vonë, Jadera u bë një koloni e qytetarëve romakë.

Para vendosjes së fiseve ilire, kjo zonë ka qenë e banuar nga një popull i lashtë mesdhetar, nga gjuha paraindoevropiane e të cilit është vetë emri i vendbanimit - Jader, Jadra ose Jadera, i cili më vonë është marrë nga qytetërime të tjera, me shumë gjasa. Emri origjinal i vendbanimit lidhet me ndonjë term të lashtë hidrografik.

Vendbanimi ilir daton në shekullin e IX para Krishtit i cili në shekujt VII dhe VI para Krishtit ishte. një qendër e rëndësishme e fisit ilir Liburni, për të cilin porti i Zarës ishte pikënisja për udhëtime të shumta tregtare dhe një ankorim i sigurt. Jadarsinët si banorë të Idassa ose Jader përmenden për herë të parë në vitin 384 para Krishtit.në një mbishkrim grek nga Faros (qyteti i vjetër i sotëm në Hvar) si aleatë të vendasve të Hvarit në luftën kundër kolonëve grekë të sapovendosur. Gjeografi grek Skilaks Skariander përmend Idassa/Jadar dhe banorët i quan Jadasini.

Kolonia e qytetarëve romakë - Colonia Julia Jader u themelua në vitin 48 para Krishtit sipas të gjitha gjasave nga Jul Cezari . Jader u organizua sipas të gjitha parimeve të urbanizmit romak: pesë rrugë gjatësore dhe një numër më i madh i rrugëve tërthore krijuan një rrjet të rregullt komunikimi të qytetit, i cili e ndante qytetin sipas rendit të rreptë gjeometrik në lagje drejtkëndëshe, insule. Në skajin perëndimor të qytetit, u ndërtua sheshi kryesor, forumi romak, dhe pranë tij një kapitol paksa i ngritur me një tempull. Kapitoli kufizohej nga një portik njëkatësh dhe forumi nga një portik dykatësh. Në zonën përballë detit u ndërtua një shesh tregtar, emporium. Jaderi romak mbrohej me mure të forta, të përforcuara në disa vende me kulla monumentale, gjithashtu kishte një ujësjellës publik me gjatësi prej 40 km që sillte ujë nga Vrana, një sistem kanalizimi, banja termale dhe karakteristika të tjera të një jete urbane shumë të zhvilluar. Gjithashtu, në zonën e Zadarit romak supozohet ekzistenca e një godine amfiteatri për mbajtjen e luftimeve të përgjakshme gladiatorësh, si dhe një godinë teatri për shfaqje skenike.[1].

  1. ^ Buovac, Marin (2013-01-01). "Marin Buovac: Rimski amfiteatri na tlu istočnog Jadrana i zaobalja / Römische Amphitheater auf dem ostadriatischen Gebiet". Histria Antiqua (në serbo-kroatisht dhe gjermanisht).