Jump to content

Gjuha japoneze

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Japonisht)
Gjuha japoneze
Shqiptimi/nihoNɡo/: [ɲihoŋɡo]
Folës amtare
2020
Familje gjuhësore
Japoneze
  • Gjuha japoneze
Statusi zyrtar
Gjuhë zyrtare në
Flamuri Japoni
Flamuri Palau
Kodet gjuhësore
ISO 639-1ja
ISO 639-2jpn
ISO 639-3jpn
Glottolog[https://glottolog.org/resource/languoid/id/nucl1643 nucl1643 nucl1643]

Gjuha japoneze (日本語 Nihongo) është gjuhë e folur nga më shumë se 125 000 000 persona që jetojnë në ishullin e Japonisë duke përfshirë edhe Ryukyus (Rjukjus). Gjuha tjetër që përdoret në Japoni është Ainu, që tashmë flitet vetëm nga një pjesë e vogël personash në Hokaido, por megjithatë ajo është prapë shumë e njohur. Japonishtja nuk është e lidhur ngushtë me ndonjë gjuhë tjetër edhe pse mendimi që ajo ka një farë lidhje të largët me gjuhën koreane (sipas disa shkollarëve) dhe akoma më të largët me gjuhët altaike, nuk përjashtohet si ide. Gjuha japoneze e pastër ka dalë në shekullin e VIII (era jonë). Gjuha japoneze përmban shumë huazime dhe barbarizma (të cilat me kalimin e kohës mund të kenë humbur kuptimin e vërtetë të tyre ose mund të jenë shëndrruar) të rrjedhura nga gjuha kineze, që i janë përshtatur fonetikës së banorëve vendas. Pavarësisht se japonezët e ruajnë me fanatizëm gjuhën e tyre, në televizione dhe në gazeta spikasin shumë fjalë të huaja (sidomos nga anglishtja).

Sistemi shkrimit të japonishtes është një sistem i përshtatur dhe modifikuar nga ana e banorëve të Japonisë për të shkruar gjuhën japoneze. E bazuar në shkrimin kinez, japonishtja zhvilloi dhe një sistem pjesërisht hieroglifik ku bashkëtingëlloret kanë një rol të rëndësishëm. Në shekullin e 9 dhe të 10-të pati një zhvillim të një mënyre të shkruari me emrin Hiragana, që është një thjeshtëzim (përshtatje gjatë vizatimit të germave duke lehtësuar lakimin e ideografive) i mënyrës së të shkruarit të karaktereve (hieroglifëve) kineze. Ndërsa Katakana, e lindur në të njëjtën kohë me Hiraganën bazohet në elementet e karaktereve (hieroglifëve) kineze. Japonishtja moderne përfshin përdorimin e gjerë të Hiraganës si edhe të Katakanës.

Gjuhëtarë të cilët janë specializuar në gjuhën japoneze, kanë rënë dakord se japonishtja është njëra nga gjuhët japoneze; ku tjetra gjuhë në këtë grup është Ryukyuan (Rjukjuan). Megjithatë një pikëpamje e vjetër nga persona jo të specializuar, thonë që japonishtja është një gjuhë e vetme dhe e izoluar, dhe se gjuhët Ryukyuan janë thjeshtë dialekte.

Pavarësisht nga kjo, lidhja ngushtë e gjuhës japoneze me ndonjë gjuhë tjetër është akoma në pikëpyetje. Teori të shumta janë propozuar nga studiuesit për japonishten, si një gjuhë e vdekur e folur nga banorët e lashtë që banonin penisulën Koreane. Ide të tjera janë se ajo e ka prejardhjen nga gjuha Koreane, gjuhët altaike dhe gjuhët austronesiane. Mendohet gjithashtu se japonishtja mund të jetë një gjuhë kreole. Edhe sot e kësaj dite këto teori përplasen me njëra tjetrën, por do të duhej një analizë shumë e thellë për të nxjerrë në pah një mendim sa do të saktë.

Shtrirja gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjuhë e folur në territorin japonez nga më shumë se 125 milion njerëz, shumica e të cilëve jetojnë në shtetin e Japonisë. Ajo flitet gjithashtu edhe në ishullin e Ryukyus, Kore, Taivan, në disa pjesë të SHBA (Kalifornia dhe Hauai) dhe Brazil (ku ndodhet edhe pjesa më e madhe e komuniteteve japoneze). Gjithashtu një komunitet i vogël emigrantësh japonezë ndodhet në Davao, Filipine, por gjuha e tyre nuk është shumë e pastër dhe nuk flitet rrjedhshëm prej tyre. Në ditët e sotme egzistojnë shumë persona që studiojnë gjuhën japoneze pasi kjo e fundit është një gjuhë e rëndësishme në botën e biznesit.

Tabela Kana

Gjuha japoneze moderne përdor tre lloje shkrimesh:

  • Kanji (kanxhi) - Shkrim ku përdoren shkronja (ideografive) me origjinë kineze.
  • Hiragana - Ideografi të përshtatura nga hieroglifët kineze duke thjeshtëzuar mënyrën e vizatimit të tyre. Hiragana ka një përdorim të gjerë në Japoni.
  • Katakana - Hieroglifë kineze që përdoren zakonisht për të shkruar fjalë ose emra të huaj. Duke qenë se Japonishtja ka një sërë fjalësh të huazuara, për t'i dalluar ato nga fjalët origjinale në japonisht, përdoret ky lloj shkrimi.

Megjithatë në ditët e sotme në mënyrën e të shkruarit japonisht përdoren gjithashtu edhe shkronjat latine. Shkronjat latine zakonisht përdoren për shkurtime si “CD”, “PC” e të tjerë. Për më tepër, është e mundur konvertimi i të gjithë shkrimit nga japonisht në shkronja latine (rōmaji).

Këtu për shëmbull paraqiten disa fjalë në japonisht me shkronja latine (rōmaji):

  • Watashi (uatashi) – Unë
  • Konichiwa (koniçiua) – Mirëdita, Tungjatjeta
  • Sajonara (sajonara) – Mirupafshim

Kombinimi dhe renditja e fjalëve në japonisht përcaktohet nga kana (që është mënyra e të shprehurit e fjalës), dhe jo nga Kanji (kanxhi). Mënyra e shkrimit në japonisht është shumë ndryshe nga gjuhët indo-evropiane. Fjalia fillon nga ana e majtë, duke vazhduar poshtë. Japonia po përpiqet gjithmonë e më shumë të shmangë dhe të ulë numrin e madh të përdorimit të shkronjave kineze. Pavarësisht se ka pasur progres në këtë detyrë, numri i hieroglifëve të huazuara nga vëni fqinj është akoma i madh dhe i pranishëm kudo.

Japonishtja ka një larmi tingujsh. Shqiptimi i zanoreve është i njëjtë me atë të italishtes, shqipes ose spanjishtes. E vetmja germë që është e veçantë është zanorja U që shqiptohet pak a shumë si "juu". Japonishtja ka gjithsej 5 zanore (shih figurën për detaje), të cilat kanë versionin e tyre të zgjatur dhe të shkurtër. Në gjuhën japoneze zakonisht theksi bie në zanoren e parë të fjalës, edhe pse kjo është diçka e diskutueshme.

Në Japoni ka me qindra dialekte. Këto dialekte kanë ardhur si pasojë e shumë faktorëve, si koha e gjatë e popullimit të arkipelagut, ishujt e shumtë me një terren malor dhe izolimi i gjatë si brenda dhe jashtë vendit. Dialektet zakonisht ndryshojnë nga zëri i lartë ose i ulët, nga zëri i trashë ose i hollë, pjesa e gramatikës (që merret me rregullimin e intonacionit), fjalori dhe në fund përdorimi në raste të veçanta i gjuhës. Madje ndonjëherë ka ndryshime edhe në shqiptimin e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve edhe pse kjo nuk është shumë e zakonshme në popullsinë folëse.

Ndryshimi kryesor i dialekteve në Japoni është në mes të stilit-Tokjo (東京式, Tōkyō-shiki) dhe stili-Kyoto-Osaka (京阪式, Keihan-shiki). Ndërsa stili-Kjushu krijon një grup të vogël në vete. Zakonisht stili-Kyoto-Osaka përdoret zakonisht në pjesën qendrore të Japonisë që kufizohet nga prefekturat si Tojama, Kjoto, Hjogo dhe Mie. Gjithashtu shumë dialekte si Shikoku, cilësohen si dialekte të stilit-Kyoto-Osaka. Dialektet që hasen më në perëndim në të vërtetë (pavarësisht nga termi perëndim) janë të stilit-Tokjo. Ndërsa grupi i fundit që rrjedh nga dialektet lindore përbën dialektin e Japonishtes së Vjetër. Këto dialekte janë të folura përgjithësisht në Hachijojima (Haçizhozhima), Tosa, si edhe në shumë krahina të tjera.

Dialekte që rrjedhin nga rrethina si Tohoku ose Tsushima, ndonjëherë mund të jenë të pa kuptueshëm për folësit nga krahina të tjera të vëndit. Dialektet e ndryshme të përdorura në Kagoshima (pjesa jugore e Kjushusë) janë praktikisht të pa kuptueshme jo vetëm nga folësit standard (pra ata që përdorin japonishten në gjuhën letrare) por madje edhe nga folësit e rrethinave të Kyushu. Kjo mendohet se ka ardhur si pasojë e dialekteve Kagoshima që ndryshe nga japonishtja letrare, përfshin bashkëtingëllore të mbyllura (kjo do të thotë fjalë që përmban vetëm një zanore dhe që zakonisht mbyllet nga dy bashkëtingëllore). Për shembull në gjuhën letrare fjala Kumo (merimangë) shqiptohet nga dialektorët si Kob. Fjalori Kagoshima ka 84% lidhje me dialektet standarde të Tokjos. Dialekti Kansai, një grup që flitet në qendrën e pjesës perëndimore të Japonisë, flitet nga një mori njerëzish. Ndërsa dialekti Osaka (që kuptohet flitet nga banorët e rrethinave të prefekturës së Osakës), përdoret zakonisht për humor dhe komedi.

Gjuhët Ryukyuan (Rjukjuan), që janë shumë të lidhura ngushtë me japonishten, dallohen aq shumë sa mund të konsiderohen një degë e grupit të gjuhës së japonishtes. Këto gjuhë fliten në ishujt e Ryukyusë dhe disa ishuj janë politikisht pjesë e prefekturës së Kagoshimës. Këto gjuhë jo vetëm që janë të pa kuptueshme për folësit japonez por, shumica e tyre janë të pakuptueshme për ata që flasin gjuhë të tjera në territorin Ryukyuan.

Kohët e fundit japonishtja standarde është përhapur shpejt dhe shumë gjerësisht në vend me zhvillimet teknologjike si televizori, radio, zhvillimi i mjeteve të komunikimit telefonik si edhe zhvillimi dhe zgjerimi mjeteve të transportit si rrugët automobilistike, aeroportet, trenat e të tjerë. Të rinjtë zakonisht dinë të flasin edhe dialektin e krahinës ku jetojnë, edhe japonishten standarde, edhe pse kjo e fundit ndikohet shumë nga dialektet e shumta që ekzistojnë akoma sot në Japoni.

Japonishtja është gjuha zyrtare e Japonisë, i vetmi vend ku kjo gjuhë është zyrtare. Ka dy forma të gjuhës japoneze: hyōjungo (標準語) ose japonishtja standarde dhe kyōtsūgo (共通語) ose gjuha e zakonshme. Plani i qeverisë ka modernizuar Japoninë, duke bërë që shumica e ndryshimeve ndërmjet këtyre të dyjave të zvaniten. Hyōjungo përdoret gjerësisht në shkolla, në televizione, komunikimet zyrtare, për artikujt nëpër gazeta dhe libra.

Japonishtja standarde mund të ndahet edhe në bungo (文語) ose gjuha letrare dhe kōgo (口語) ose gjuha e folur. Kjo e fundit ka rregulla të ndryshme në gramatikë si edhe disa ndryshime në fjalor. Bungo ishte mënyra kryesore e të shkruarit të japonishtes deri në vitin 1940 dhe akoma shërben si një udhërrëfyes për historianët, gjuhëtarët si edhe ka një rëndësi të madhe në aspektin juridik. Për shembull ligjet që mbetën pas Luftës së Dytë Botërore janë të shkruara akoma në stilin bungo, edhe pse tashmë qeveria po merr nisma frutdhënëse për të t’i modernizuar këto shkrime në gjuhën standarde japoneze. Ndërsa Kōgo sot është mënyra më e përdorur e të folurit dhe të shkruarit të gjuhës japoneze, edhe pse gramatika dhe fjalori bungo me disa raste të veçanta, është i pranishëm në gjuhën japoneze duke pasur parasysh që përdorimi i tyre nuk është i mirëfilltë, por thjeshtë për efekt.

Përdorimi i titujve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Japonishtja është një gjuhë shumë formale. Zakonisht, si në jetën e përditshme ashtu edhe në institucionet zyrtare, titujt dhe nderimet përdoren gjerësisht kudo. Nderimet shprehen me anë të titujve që vendosen mbrapa emrit të individit. Për shembull në se një personi në gjuhën shqipe do t’i referoheshim thjeshtë me emrin X, në Japoni do të bëhej diçka e tillë si X-san, X-kun, X-sensei e të tjerë. Pra siç shihet titujt vendosen prapa emrit. Duke theksuar këtë gjë kemi në mendje që titujt nuk mund të dalin kurrë në fillim të emrit. Në se një person do i drejtohej një personi tjetër pa këto nderime ajo do të tregonte që lidhja mes dy personave është shumë e ngushtë sepse një komunikim i tillë me një person të pa njohur ose pak të njohur do të ishte turp dhe do mund të shkaktonte keqkuptime midis dy, tre ose më shumë individëve.

Një sjellje e tillë (pra rasti kur nuk përdoren nderimet) do të vlerësohej me fjalën yobisute (呼び捨て) dhe siç u tha më parë kjo do vlerësohej si ofendim dhe si mungesë kulture. Titujt pavarësisht se përdoren gjerësisht, nuk kanë ndonjë vlerë në se përdoren brenda gjirit të familjes. Është i diskutueshëm fakti në se personat brenda një grupi i drejtohen njëri tjetrit me tituj, por dihet se zakonisht ata ose ato përdorin kundrejt njëri tjetrit titullin –san, që është njëkohësisht një nga titujt më të përdorur në shoqërinë japoneze. Por asnjëherë dikush brenda grupit shoqëror nuk i drejtohet me tituj dikujt që nuk është aty për momentin, pavarësisht se ky i fundit mund të jetë i moshuar, më i lartë në pozitë e të tjerë. Kjo gjë vlen edhe në punë. Një pastruese e thjeshtë duhet t’i drejtohet gjithmonë drejtorit me titullin përkatës kur ai është i pranishëm, por në se ai nuk është i pranishëm thjeshtë emri i individit do mjaftonte.

Në se do duhej ta thjeshtëzonim pak atë që shkruhet më lartë shembulli i mëposhtëm do na ndihmonte:

Brenda grupit X është i pranishëm: X – san

Brenda grupit X nuk është i pranishëm: X

Punëtor i një kompanie i drejtohet drejtorit: Konichiwa X –sama. (Mirëmëngjesi i nderuar X)

Punëtor i një kompanie flet rreth drejtorit kur ai nuk është i pranishëm: X

X është një emër çfarëdo.

Titujt gjithashtu e humbin rëndësinë e tyre kur bëhet fjalë për një figurë të shquar historike dhe përdoren radhë për një person me grada ushtarake (kjo varet dhe nga vlerësimi që ka një person rreth atij njeriu si edhe kush është ai që po dëgjon këtë vlerësim).

Nga gjithë kjo që thamë, shumë të huaj që nuk i dinë këto rregulla, nuk gjykohen nga popullsia vendase dhe mos përdorimi i titujve është i lejuar.

Ndër nderimet më të përdorura janë –san, -kun, -senpai, -sensei, -sama e të tjerë.

Shumë tituj ndonjëherë zëvendësojnë komplet emrin e një personi. Siç përmendëm më lartë, titujt nuk mund të dalin kurrë përpara emrit, por ata mund të përdoren në vend të emrit të individit. Shembull: x-senpai mund të thërritet thjeshtë Senpai.

  • San(さん) është titulli nderi më i përdorur në Japoni, dhe duke marrë parasysh ndryshimin e madh midis shqipes dhe japonishtes, do mund të përkthehej zotëri, zonjë, zonjushë. Përdorimi i tij i gjerë ka si arsye përdorimin e titullit –san edhe për ushqime të ndryshme. Në Japoni çdokush që kryen një profesion (nuk ka rëndësi se çfarë profesioni kryen) mund të marrë titullin –san. Gjithashtu ky titull përdoret për personat që janë në krye të një kompanie zyrtare dhe emri i tyre në vende publike shkruhet X–san.
  • Senpai(先輩) përdoret nga studentët për t’ju drejtuar studentëve që janë në klasat më të avancuara por mund të përdoret edhe në kompani të ndryshme për të treguar personat që janë më të vjetër në punë ose që personat që janë më të ngritur në pozitë.
  • Kōhai(後輩) është e kundërta e Senpai-t. Studentët e mëdhenj e përdorin ketë titull për t’ju drejtuar studentëve më të rinj dhe mund të përdoret në vende pune gjithashtu. Në raste të shumta përdorimi i kësaj fjale konsiderohet ofendues dhe nuk është e këshilluar të përdoret. Kōhai në një përkthim të përafërt do të merrte kuptimin i sapo ardhur, ai që ka ardhur në fund ose ai që është më i ri (por kjo është e diskutueshme).
  • Sensei (先生) përdoret për t’ju drejtuar personave që kanë një status ose pozitë të lartë në shoqëri si mësuesit, mjekët, avokatët, ushtarakët me grada të larta etj. Mundësisht këtë emër mund ta marrin edhe artistë të ndryshëm si këngëtarë, piktorë etj. Titulli –sensei përdoret për të treguar respekt për dikë që ka “arritur diku” me punën e tij. Gjithashtu titulli sensei mund të përdoret edhe ndryshe. Një qëllim i tij mund të jetë përdorimi në mënyrë ironike ose për të bërë sarkazëm me dikë që “e meriton” atë titull.
  • Shi (氏) përdoret në shumicën e rasteve në gjuhën e shkruar por mund të përdoret edhe në gjuhën e folur për t’ju drejtuar dikujt që njihet nga fama e tij ose saj, por që biseduesi nuk e ka takuar më parë. Pra si shembull, në se dikush në rrugë do të donte të merrte një autograf nga dikush që është i njohur por që nuk e ka takuar më parë, i drejtohet atij ose asaj me këtë titull. -shi përdoret nëpër gazeta ose nga komentues lajmesh për t’ju drejtuar një personi në fjalë. Gjithashtu në artikuj gazetash si edhe në dokumentet legale preferohet përdorimi i këtij titulli. -shi përdoret në mënyrë shumë formale për sa i përket gjuhës së folur. Pasi emri i personit që mban këtë titull është bërë i qartë, ky titull mund të përdoret edhe vetëm, kjo për sa kohë që ka vetëm një person në bashkëbisedim.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]