Jusuf Gacaferri
Jusuf Gacaferri (korrik 1943 - 2003) ishte inxhinier i elektroteknikës dhe profesor universiteti.
U lind në Pejë në korrik 1943 ku ndjeki shkollimin. Studimet universitare i vijoi në Fakultetin e Elektroteknikës të Universitetit të Beogradit ku u diplomua më 1966. Studimet pasuniversitare i vijoi në Fakultetin e Elektroteknikës të Universitetit të Zagrebit ku më 1977 mbrojti temën e magjistraturës me titull “Teoria e gabimeve në programe dhe zgjidhja e tyre me ndihmën e kompjuterëve”. Në Universitetin e Prishtinës më 1997 mbrojti disertacionin e doktoratës me titull “Kontribut i analizës së urave transfomatorike”.
Karrierën e filloi më 1966 në Ndërmarrjen e Elektroekonomisë në Prishtinë ku punoi deri më 1968. Më 1968 u zgjodh asistent dhe më pastaj ligjërues dhe docent në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, për lëndët Matjet elektrike dhe Makinat llogaritëse. Ushtroi funksione drejtuese në Fakultetin Teknik në Katedrën e elektroteknikës. Nga viti 1985 deri 1991 dhe 1999-2003 kaloi me punë primare në Elektroekonominë e Kosovës me detyrën e udhëheqësit dhe dispeçerit kryesor të bashkësisë punuese për eksploatim dhe udhëheqje të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Pasi ishte pjesë përbërëse nga fillet e Katedrës së Elektroteknikës nga mësimdhënia në Fakultetin e Elektroteknikës nuk u shkëput deri në fund të jetës.
Është autor i tekstit universitar “Bazat e matjeve elektrike”, dhe i një sërë dispensave për studentët e Fakultetit të Elektroteknikës dhe i teksteve për shkollat e mesme profesionale. Është autor dhe bashkautor i artikujve në revista shkencore dhe përmbledhje studimesh brenda dhe jashtë vendit.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Fjalor Enciklopedik i Kosovës I (editor: Mehmet Kraja), Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, pp. 471-472.