Kisha e Shën Premtes (Valesh)
Kisha e Shën Premte | |
---|---|
Lloji | Arkitekture |
Vendndodhja | Valesh,Elbasan, Shqipëri |
Ndërtuar | Në shekullin e 16 |
Organi drejtues | IMK Kisha e Shën Premtes (Parashqevisë) |
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Kriteret | I |
Nr. i referencës | EL052 |
Kisha e Shën Premtes (Parashqevisë) ndodhet në fshatin Valësh,krahina e Shpatit rrethi i Elbasanit. Ndonëse nuk dallohet për vlera arkitektonike, ruan vlera të mëdha të pikturës që veshin faqet e brendshme të mureve. U ndërtua në 1554-ën.[1]
Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë I më 15 janar1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Arkitektura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha e Shën Premtes është kishë njënefëshe. Ky është tipi më i thjeshtë, me përmasa të vogla. Kisha të tilla u ndërtuan në periudhën e parë të pushtimit osman, aty ku pushteti osman ishte i fortë. Ndërtimi është me mure guri të lidhur me llaç gëlqereje ose me baltë.[2]
Kisha ka përmasa 7x2.50 metra e përbërë nga një naos pa shtylla, me çati me një kulm. Apsidat janë me të çara vertikale në vend të dritareve.
Piktura të Onufrit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha është pikturuar nga dora e Onufrit në vitin 1554. Pasi përfundoi së pikturuari afresket e kishës së “Shën Kollit” në Shelcan, dora e Onufrit ka pikturuar afresket e kishës së “Shën e Premtes” në fshatin Valësh të Shpatit. Kjo vërtetohet nga një mbishkrim në greqishten bizantine nga dora e mjeshtrit të madh Onufrit në faqen e murit të kishës, në vendin e prothesit: “Kur të ngresh duart e tua nga Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend dhe mua mëkatarin, prift Onufrin, piktorin dhe protopapë të Neokastrës (Elbasanit)”. Nga mbishkrimi del se Onufri ka qenë klerik, madje me ofiqin “Protopapë” që do të thotë “Prift i parë”.
Kisha e “Shën e Premtes” në fshatin Valësh të Shpatit u pikturua me shpenzimet e prift Gjergj Logothetit në vitin 1554. Kjo vërtetohet nga mbishkrimi i pikturuar në pjesën veriore të faqes së murit perëndimor të kishës: “...u shtua nga katundi i valshakëve dhe është pikturuar me shpenzimet ....dhe fort i devotshmi prift Gjergj i Logothetit ka dhënë e oblla.....(ju) të Neokastrës që e vështroni lutuni për zotërinë që ka dhënë dhuratën, në vitin 7062
(=1554) cikël (të diellit), 12, cikël (të hënës)...”. Nga mbishkrimi kuptojmë se Gjergj Logotheti ka qenë prifti i kishës së “Shën e Premtes”. Mbishkrimi gjithashtu na bën me dije se ai ka paguar “oblla”, një lloj paraje që përdorej në Bizant. Në pjesën jugore të faqes së murit perëndimor të kishës gjendet një mbishkrim, i cili na bën me dije së katundi i valshakëve këtë kishë ia kushton dëshmores së madhe Shën e Premtes.[3]
Ikonostasi i kishës së “Shën e Premtes” është prej muri të suvatuar me lartësi rreth dy metra. Ai është i pikturuar edhe nga ana e brendshme e altarit.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Baçe Apollon, Meksi Aleksandër, Riza Emin, Karaiskaj Gjerak, Thomo Pirro (1980). Historia e arkitekturës shqiptare. Tiranë. fq. 369.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ Baçe Apollon, Meksi Aleksandër, Riza Emin, Karaiskaj Gjerak, Thomo Pirro (1980). Historia e arkitekturës shqiptare. Tiranë. fq. 368–369.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ Llukani Andrea (2014). Arti kishtar në Shqipëri (sipas mbishkrimeve të kishave). Tiranë: Trifon Xhagjika. fq. 38.