Koha kur të ketë kohë
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Mendime për poezinë e Jeton Kelmendit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Jeton Kelmendi është një nga figurat e mëdha të poezisë së sotme.
Për të shprehur ndjenja të fuqishme në poezi, nuk ka gjë më të efektshme sesa shkurtësia e vjershës dhe forma e saj e ngjeshur. A nuk e tendos bisha trupin dhe të gjitha forcat e saj kur bëhet gati për të sulmuar ? Poezia e Jeton Kelmendit i ngjan këtij imazhi me fërgëllimat e saj të brendshme. Ajo karakterizohet nga ndenja e masës dhe lakonizmi. Lirizmi i saj i kondensuar arrin të depërtojë thellë në ndjesitë e lexuesve. Me anë të strofave të tij eliptike, ai na kumton në fakt atë çfarë ka më të lartë shpirti njerëzor. Kelmendi është një nga figurat e mëdha të poezisë së sotme. Vepra e këtij poeti kosovar nderon jo vetëm letërsinë në gjuhën shqipe, por letërsinë në përgjithësi.
Athanase Vantchev de Thracy
Paris, më 15 korrik 2009
Poeti kërkon ta shpikë edhe një herë atdheun dhe dashurinë
Jeton Kelmendi ka aq pasion sa duket sikur kërkon ta shpike edhe një here atdheun dhe dashurinë. Ëndrrën kërkon ta bëjë zhgjëndërr, por edhe të kundërtën. Në poezinë e tij ka diçka të kundërt, që u del përballë erës dhe arritjeve, ai sikur nuk do të arrije, por është luftëtar i kërkimeve. Të degët zbulon rrënjët, te frutat - fytyrat. Kërkon ardhmërinë dhe zbulon të tashmen, kërkon tjetrin dhe zbulon veten.
Visar Zhiti Romë
Janë pesë “kategori” apo “territore” tematike në artin poetik të Jeton Kelmendit
Dashuria, Fjala, Heshtja, Koha dhe Etnia. Ja pesë “kategori” estetike, apo pesë “territoret” tematike të artit, mbi të cilat këndon poeti Jeton Kelmendi në vëllimin e përzgjedhur poetik “Erdhe për gjurmë të erës”. Ani se të gjitha këto lirika i zotëron ndjenja e skepsës (qenia njerëzore është vjelë e harxhuar në gjithçka), në njërin breg të kësaj skepse ligjëron folësi autopoetuk që e gjen shtegun e realizimit të qenies e të esencave jetësore, që i drejtohet një vete të dytë, herë të dashurës, herë një vete të dytë të depersonalizuar apo të sintetizuar si vete kolektive, nacionale, universale, apo herë si vetë alternative e zërit personal lirik. Kurse në “bregun tjetër” qëndrojnë raportet e aktivizuara në mes të këtij zëri-subjekti-folësi dhe Dashurisë, Fjalës, Heshtjes, Kohës dhe Etnisë. Historisë, Njeriut dhe Shoqërisë. Të mos harrojmë, epiqendër të interesimit krijues, poetik e ka qenësinë artistike të poezisë, kurse aty ndodh dialogu poetik me vetveten, me Tjetrën/Tjetrin, me vetë ligjërimin poetik. Ky procedim i tillë poetik paraqet fatin e mendimit aktiv nëpër “regjionet” e lartheksuara. Së këndejmi, nga pak me një ton e fjalor të tujgun poetik të Azem Shkrelit, poeti prodhon atmosferën e kontrastimeve paradoksale (të tipit të thënieve lirike “ku shkojnë ardhjet”, “ujë i etjes së saj”, “edhe deti mund të thahet” etj. ), procedon asisoj, në mënyrë që Fjalën artistike ta “zë ngushtë”, ta sjellë në situatën e “palakmueshme”; aty vjen një nivel tjetër i thënies artistike, ai i klithmës poetike me thënien krejtësisht të dendur, të spastruar, fine; për të arritur, së fundmi, t’ia vërë poezisë edhe një shkallë estetike, edhe një “detyrë”: atë të vetëzbërthimit, të vetëtinterpretimit estetik njerëzor, nëpërmes aq e aq nuancimesh e variantesh thëniesore e metaforike dhe, pse jo, edhe fjalëformimesh figurative. Të lexuara e të sistemuar kësisoj, poeti veç sa e ka thelluar mitologjinë e poetikën personale të krijuar mbi gjakimin lirik dhe mbi situatat arketipore, tek i vë në gërshet ato qoftë me përvojën e vet personale, qoftë me atë kulturologjike apo historike. Nëse këto janë pesë “elementet” mitike, të cilat e përbëjnë bazën e kujtesës dhe atë të të gjitha gjërave, atëherë edhe Dashuria, Fjala, Heshtja, Koha dhe Etnia na dalin si përvojë tejet e rëndësishme personale. Do theksuar se poezia e Jetonit e përpunon gjuhën si subjekt autonom, me vetëdijen moderne ligjërimore për tekstin letrar. Prend Buzhala shkrimtar dhe studiues
Një heshtje e gjallë e bukurisë me shpirt të qetë
„Poeti Kelmendi, që vjen nga një familje fisnike me rrënjë të lashta të krishterimit shqiptar dhe betejave shqiptare për liri e pavarësi, është i talentuar, i lindur i tillë (1978), tejmatanë Prizrenit historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), e nderon sot Kosovën si poet i mendimit të madh. Poezia e Jeton Kelmendit si një uratë admirimi edhe nga ana e njohësit më të mirë të poezisë shqipe në gjuhën rumune, Marius Chelaru, i cili e vlerëson këtë vepër si „një udhëtim në një botë të brendshme, të sentimenteve multikolore dhe sekondave që derdhen përmes gishtërinjve të kohës, duke e konstruktuar realen në kohën kur koha, nganjëherë, duket se është thuajse „e prekur” dhe e thithur nga poeti, si çdo pjesë tjetër e ndjeshmërisë së dashurisë dhe shpirtit njerëzor”. Përmes lirikës së tij të qartë e të brishtë, autori i jep kuptim jetës, duke e mundur të keqen si një luftëtar/mendimtar, i cili përmes universalitetit të tij, jep kontribut për çlirimin e popullit të vet. Zoti Kelmendi! Lusim Zotin të përgëzosh evolucionin tënd, e të na bësh të mbetemi përjetë krenarë për faktin se të kemi njohur në Bukuresht, si një misionar i klasicizmit shqiptar të ditëve tona!
Prof. Dr. Xhelku Maksuti Rumani
Verbi poetik i Jeton Kelmendit
Verbi poetik i Jeton Kelmendit është mjaft tronditës, se poeti na zbret nga lartësitë, ku nuk mungon imagjinata dhe ku njeriu konsiderohet shkëmb i një jete, që vlen të shpaloset dhe lexohen mesazhet
Ali Podrimja, Prishtinë
Drita e fjalëve
Më duket se prej shekujsh e mbaj në trup këmishën e poezisë shqipe, ndërsa drita e saj e nxit murlanin në shpirtin tim me vargje të cilat më shërojnë nga vdekja duke i lexuar, apo, duke ua dëgjuar fëshfërimën e mrekullueshme. Fuqia e vargjeve të poetëve shqiptarë buron nga zemra e përjetshme e një dheu të mbrojtur me dashuri dhe vuajtje që e përmbushin misionin e jetës me merita që mbeten në histori. Ja, mbaj në pllakat e shuplakës, shpirtin poetik të Jeton Kelmendit, ndërsa drita e tij më duket e mjaftueshme, ngase buron nga rrënja e fjalëve që i lartëson në drejtim të shikimit, aq sa e kuptoj britmën e tyre edhe në adresën time, një lexues i gjorë, dhe më bën të jem dëshmitar i çastit fitimtar të lotit kosovar. Jetoni është një zjarr i brendshëm i degdisur nëpër prita e pritje fjalësh që s’të lënë të mbetesh i vetmuar, edhe pse i kaplon nga një here vetmia në largësinë e një mendimi të cilit i janë fshehur rrugët. Poeti shkëput nga mishi i shpresës një mahnitje turbulluese që turfullon me të gjitha hijet që vijnë pas teje, dhe vjeshtat kalojnë këndejpari si një heshtje e fillimit kur të mbyll e shkuara në vetmi. Kush e din se cila erdhi më parë: “ardhja apo shkuarja”, pyet poeti duke ëndërruar t’i shërojë me fjalë krejt të vetmuarit e botës. Jeton Kelmendi e fiton betejën mendimtare të mundimit duke arritur të bëhet një zë i veçantë i ndërgjegjes artistike të shpirtit shqiptar. Kështu, poemat e tij i japin peshë plotnisë dhe vlerës, duke u shndërruar në stoli të vërteta. Nga do të nisë dita ime e nesërme, ku është hija ime e djeshme, pyet poeti duke i kundruar te guri i padukshëm ëndrrat dhe zgjimin nga ëndërrimi Delikat dhe i sinqertë, poeti sjell në gjykatën e instancës së fundit të gjuhës së tij dhe të gjithëve, çdo gjë të mbrujtur me vërtetësi, dashuri, dyshim apo fitore, në një regjistër personal të mirë strukturuar, që e vë pa kurrfarë dyshimi në qarkun e zërave të mëdhenj të lirikës së sotme shqipe. Poeti dëgjon qetësinë e skalitur në gjurmët e fjalëve, në brigjet e të cilave unë, shtegtar i vonuar apo i ardhur para kohe, nuk jam veçse njeriu me duart e pastra nga bardhësia e të cilave ka marrë fluturimin një pulëbardhë e vetmuar. Dhe ja, dha Zoti një “një çik më vonë”, më mirë më vonë se kurrë, të dalë një “bandit” që din të përkthejë, e të na e sjellë shpirtin poetik të Kosovës kreshnike në veri të Danubit, në gjirin e gjuhës së një kombi me të cilin na lidh një e shkuar e lashtë dhe e bukur, nga e cila buron edhe fjala më e lashtë dhe më e bukur e nënshtratit të gjuhëve tona: bukuria. Qoftë i gëzuar dhe paharruar ky çast i bekuar, me poezinë e Jeton Kelmendit ne gjuhen Rumune.
Mihai Antonescu shkrimtar Rumun
Kelmendi është një shpirt i brishtë që din t’i mësoje fjalët të të dashurojnë
Jeton Kelmendi i jep poezisë së tij art dhe shpirt, pra ndjenjë të bukur. Ndjenja e tij poetike përçohet tek lexuesi, nuk mbetet tek autori. Ajo godet mprehtë, gjallërisht dhe hijshëm. Madje hijshëm edhe kur nëpër midis vargjeve ka heshtje. “Sa fort janë rralluar letrat”. Fjala poetike e Jeton Kelmendit dhe tejkalimi i saj në gjuhën e Emineskut (rumune), si dhe përurimi që i bëhet në këtë zonë të bukur të Favoritit, e zbukuron Bukureshtin me një moment të ri në folenë e pikëpjekjeve shpirtërore ndërmjet shpirtit shqiptar dhe gjuhës rumune të atdheut të poezisë. Kelmendit i vjen keq pse janë rralluar letrat. Neve s’na vjen keq pse fjalët e poetit të veprës së madhe të ftojnë tu bësh ballë betejave të jetës për të mbajtur lart flamurin e atdhetarizmit dhe qytetërimit shqiptar. Poeti e përjeton jetën në Kosovë, Francë, Belgjikë e gjetiu. Ai është një shpirt i brishtë që din t’i mësoje fjalët të të dashurojnë. Fjalët e tij janë fluturime lirike që të japin dritë për imagjinatë, aftësi, përgjegjësi dhe ekuilibër.
Florentin Popescu shkrimtar Rumun
Poezia e Jeton Kelmendit është një shpërthim autokton i shpirtit shqiptar. Ai i jep poezisë së tij art dhe shpirt, pra, një ndjenjë të bukur. Lasgushi shkruante për yllin e zëmrës dhe gjumin e shpirtit, Jetoni shkruan për hijen e kujtimit dhe shpirtin e fjalës. Ndjenja e tij poetike përçohet tek lexuesi, nuk mbetet tek autori. Ajo godet mprehtë, gjallërisht dhe hijshëm.
Agim Gjakova, Prishtinë
Bukuria e vargut
Ka do kohë që në poezinë shqipe doli para lexuesve një zë i bukur i poezisë. Dhe u lexua e u pëlqye. Vepra e parë nuk ishte e rastit, një zbrazje ndjenjash e një të riu që do të thotë krejt çka ka e çka ndien. Veprat e tjera na bindën se po shkruan një dorë e sigurt e poetit që poezinë e do, e njeh dhe di ta shkruajë. Jeton Kelmendi është poeti i poezisë intelektuale dhe shumë domethënëse, që pavarësisht nga modelet letrare që kishte lexuar, do ta gjejë rrugën e vet poetike me tema e forma dhe me shprehje e stil të veçantë. Në zemër të poezisë qëndron e bukura artistike si kategori estetike. Në të njëjtën paralele qëndrojnë dashuria e poezia, në piedestalin shpirtëror të poetit. Duke i lexuar poezitë e Jeton Kelmendit na duket se ndeshim tema e motive të shkruara edhe më parë, si ato nga e kaluara historike, nga përditshmëria, nga jeta intime, motive dashurie, ku frymëzohen edhe poetë të tjerë, por mënyra se si poetizon, se si i artikulon ky, është krejt personale. Unë kështu e kuptoj poezinë e tij, që është një prej formave të mundshme të leximit e të interpretimit. Poeti Jeton Kelmendi mpleks në një, dëshirat e veta me të atdheut. Në ndonjë poezi ma përkujton poetin Azem Shkreli, sidomos kur është fjala për kujdesin, respektin e maturinë e fjalës së shkruar: Edhe ky kërkon pedanterinë e fjalës e të mendimit, me një qëndrim prej poeti e intelektuali, se fjala e bukur dhe mendimi i qëlluar krijojnë art, krijojnë poezi, krijojnë të bukurën estetike: Prandaj hasim përafrime në shenja autobiografike me ato biografike të atdheut. Metaforat e tij janë tepër artistike, këtu e ka burimin e tërë bukuria e poezisë. Bukuria e bukurive.
Prof. Dr. Xhavit Aliçkaj kritik letrar
Simbolika e fjalës dhe arti i kontrasteve
Ashtu sikurse shkruante Horaci te "Arti poetik" se "poetët duhet të sjellin dobi ose të argëtojnë, ose njëkohësisht të thonë gjëra të këndshme dhe të dobishme", poezia e Kelmendit ngërthen në vete tipare poetike origjinale, sjell të këndshmen dhe të dobishmen para lexuesit, me një stil të kultivuar e gjuhë të dendur me simbole të gjetura, por asnjëherë duke e ngarkuar poezinë. Poezia e tij, diskursi lirik, apo "mimezisi i brendshëm i tingullit dhe imazheve mëton të jetë një modues tematik" (Northrep Fraji) edhe në poezinë e Kelmendit. Ky modues tematik që është karakteristikë e poetikës së tij, ndërtohet nga figura të përpunuara, me vargje të ëmbla, me ritëm të brendshëm e tonalitet impulsiv, shpeshherë me pasthirrma, apo një shkronjë të vetme që mbart shumë shprehësi- elemente këto që i japin kësaj poetike dimension specifik dhe origjinal poetik. Jeton Kelmendi i përket brezit më të ri të letërsisë shqipe, brez ky i cili ka përjetuar katrahurat më tragjike në Ballkan dhe që tani ecën krah trendëve bashkëkohëse të letërsisë, duke mbart mbi sup një të kaluar të hidhur, të cilën Kelmendi e përjetëson me imagjinatë të bujshme dhe diskurs poetik dinamik. Poezia e Kelmendit është asociative. Ajo sa evokon perceptime, aq krijon. Ajo është imagjinative aq sa reale. Poeti ec me vargun për të kuptuar skutat e botës, ai gjendet në tehun e paradokseve edhe atëherë kur ndoshta e "ka zënë ora e ligë" (Pas njohjes), por ai ka në shpirt fuqinë e poezisë për të sfiduar dhe këndej pari për të triumfuar fjala
Ndue Ukaj Kritik letrar, Suedi
Jeton Kelmendi ka dhuntinë për të gjetur një stil personal, një fushë tematike dhe një botë poetike vetjake, në të cilën lëviz me mjaft zhdërvjelltësi. Pa e shkëputur lëngun poetik nga dramatizmi i mbarimit të periudhës komuniste apo te luftës që e ka prekur deri para do kohe botën në të cilën jeton, përkatësia ndaj historisë dhe qenia e vendlindjes, të konturuara me bindshmëri (për shembull Atdheu im është atdheu i Zotit/ Qe ma ka dhëne emrin/ Shqiptar), në shpirtin dhe në vargun e tij qëndrojnë pranë vargut te dashurisë (për shembull: Dashuri/ Bukuria dhe vargjet se bashku rrjedhin/ Për ty dhe për atdhe). Duke e lexuar poezinë e tij nen thjerrën e një analize te fjalorit të përdorur, te proceseve linguistike/ stilistike, përmes mënyrës në të cilën e përdor fjalën, Jeton Kelmendi ma përkujton nganjëherë njërën nga figurat me te rëndësishme të poezisë amerikane, Charles Olson: Elementet e fjalorit janë të përkufizuara, por poeti, përmes qëndrimit të tij, (loja e mendjes) është ai qe i përdor fjalët në një mënyrë të sofistikuar. Sofistikimi për Jeton Kelmendin nuk donë të thotë precizitet, por përpjekje për të zhvilluar një fushe semantike sa me te gjerë për fjalën, me të cilën e vesh vjershën. Dhe për ketë, mund te themi se ia arrin me mjaft sukses.
Marius Chelaru Bukuresht
Vepra e Jetonit është një Kaliforni e fjalës
Po qe se të vjen frymëzimi dhe s'e përjetëson në varg, fjalët i merr era. Jeton Kelmendi, jeton në shtjellën e fjalëve që fluturojnë nga fjala në fjalë. Fjala e tij që parashtron pyetje mbi bukurinë është ilaç i mirë për dëbimin e trishtimit. Ai ka dëshmuar një pjekuri brilante me paraqitjen e tij në fushën e poezisë. Vepra e Jetonit është një Kaliforni e fjalës. Monaliza e tij i shikon njerëzit në fytyrë pa u folur. Në vargjet e tij ndjehet Dardania me ritmet e zemrës që trokasin në zemrat e atyre që dashurojnë dhe ndjejnë. Monaliza e tij është femra që i përjetoi të gjitha kënaqësitë që të bëjnë të pavdekshëm. Poeti ka zgjedhur për njësi matëse ritmin e zemrës, peshën e fjalës, forcën e ajrit, ngadalësimin e shpejtësisë, kujtesën dhe harresën. Lasgushi shkruante për yllin e zemrës, ne shkruajmë për gjumin e shpirtit, Jetoni shkruan për hijen e kujtimit dhe shpirtin e fjalës. Mbi shtratin e fjalëve të tij shtrihet vjeshta dhe bie drita. Aty pritet vetëm e dashura, dhe ulet poeti pranë saj të pushojë. Misioni i fjalës së tij është fisnik, artistik, etik, patriotik dhe erotik.
Baki Ymeri, Bukuresht Rumani
Poezia e Jetonit është një pikturë e gjallë që hesht si një hijeshi me shpirtin e qetë
Rruga e fjalëve të poezisë së Jeton Kelmendit, është një dritë magjike që të shpie në tempullin e lirisë dhe dashurisë. “Poeti din të korrespondojë lirshëm me fuqinë e fjalës dhe peshën e saj autoktone. Ai është ai që, po qe nevoja, din të tejkalojë përtej vetvetes, duke e kapërcyer hijen e natës, duke u përballur me të gjitha sfidat e jetës, për të dalë nga terri në dritë. Dhe vazhdon të krijojë poeti pandalshëm, nëpër prekshmërinë dhe paprekshmërinë e shpirtit dhe mendjes. Poezia e Jetonit është një pikturë e gjallë që hesht si një hijeshi me shpirtin e qetë duke ruajtur një ofshamë jetike për të mistershmen”.
Miradije Ramiqi Prishtinë
Një kërkimtar i lirisë përmes trupit të fjalës
„Poezia, për mua është ajo gjë që nuk mund të kalojë tejmatanë kufirit”. Para një dekade, kur kishte vetëm 20 vjet, një kosovar i ri e dinte ç’ donë të thotë të humbësh çdo gjë, përveç lirisë dhe vëllimit të parë të poemave. Ndoshta mu për këtë Jeton Kelmendi dëshironte që poezia të arrijë të bëhet një „diç” që do të ketë forcën e përcaktimit të kufijve të paçes dhe dashurisë për të pasur „pak atdhe” Prej atëherë, nga ai vit (1999), ai shkruan. Qe dhjetë vjet, ky kosovar i ri shkruan me elanin dhe produktivitetin që beson në fuqinë e fjalës, që mendon se „përtej heshtjes” e pret obligimi moral për të kërkuar lirinë dhe gruan e shkëlqyer, për të folur për to, për ta mbajtur të pashuar flakën në tempullin e Kosovës.
Marilena Lică (Paris)
Përfaqësues i brezit të vet
Jeton Kelmendi është një përfaqësues tipik i brezit të vet të poezisë, që u rrit e u zhvillua në rrethanat e pasluftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me rritjen e tij fizike, është rritur edhe poezia e tij. Ai sot në letrat shqipe njihet si një poet i mirëfilltë dhe me emër në qarqet letrare. Nga libri në libër, nga poezia në poezi, Jetoni ka shkuar duke e përsosur stilin e tij. Edhe pse në fillim ka ecur gjurmëve të poetit të mirënjohur rugovas, Azem Shkreli, me kohë Jetoni ka arritur ta krijojë stilin e vet unik dhe personal. Po ashtu, edhe aspekti semantik i poezisë së tij ka shkuar duke u pasuruar me një shumësi temash, motivesh e idesh, duke e bërë atë një emër të respektuar në poezinë shqipe.
Mr. Arben Atashi (Prishtinë)