Jump to content

Xhamia e Hadumit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kompleksi Xhamia e Hadumit)
Kompleksi Xhamija e Hadumit
LlojiArkitekturore
VendndodhjaGjakovë, Kosovë
NdërtuarShek. XVI - 1595
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
PërcaktuarE.K.58/55
Nr. i referencës602

Kompleksi Xhamija e Hadumit është një objekt sakral në Gjakovë, Kosovë.[1] Xhamia e Hadumit është një monument i trashëgimisë kulturore.

Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër E.K.58/55. Objekti është ndërtuar gjatë sundimit të Perandorisë së Osmanlinjve, në dekadën e fundit të shekullit XVI.[2]

Në defterin zyrtar te Perandorisë të vitit 1571, Gjakova përmendet si fshat, ndërsa tregu i saj konsiderohet si qendër tregtare rajonale. Në atë periudhë, konkretisht në në vitet 1594/1595, Hadum Sylejman Efendia - i njohur si "Hadum Aga", vendos ta financojë ndërtimin e një xhamie e cila do ta bartte emrin e tij. Pas ndërtimit të xhamisë në territorin e fushës së Jak Vulës, fillon zhvillimi i hovshëm i ekonomisë, pasi zejtarët nisin të vendosen në afërsi të objektit të saj. Në këtë mënyrë krijohet struktura e kompleksit të Çarshisë së Madhe, e cila më vonë luan rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të Gjakovës.

Sipas udhëpërshkruesit turk Evlia Çelebi, 70 vjet më vonë rreth fushës së Jak Vulës dhe Xhamisë së Hadumit ishin 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhami monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamami i bukur dhe 300 dyqane.

Xhamia e Hadumit si ndërtim arkitektural i takon formave klasike të xhamive të grupit të stilit kosovar. Xhamia është e mbuluar me kube, ka bazë katërkëndëshe kënddrejtë dhe minaren e cila del nga muri jugperëndimor me bazë në formë kënddrejtë. Planimetria dhe skema kompozicionale e saj përbëhet nga këto pjesë: salla e lutjeve, hajati - që zë vend në fasadën veriperëndimore të veprës, dhe minarja.

Po ashtu duhet cekur se përreth xhamisë janë varret me nishane, të realizuara në plastikë guri, me gravurë, të mbishkruara në osmanishten e vjetër. Në të kaluarën në këtë pjesë të xhamisë varroseshin anëtarët e familjeve të njohura të Gjakovës.

Në kuadër të kompleksit të xhamisë ishin edhe hamami, i cili nuk ekziston më (2008), Hani i Haraqive (ende ekziston, veçse i adaptuar, i transformuar gjatë kohës), ndërtesa e bibliotekës së vjetër, objekti nga viti 1671 (biblioteka nuk ekziston, u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 dhe në tërësi u rrënua në vitin 2000), si dhe mejtepi nga viti 1777, po ashtu i adaptuar.

Xhamia e Hadumit

Salla e lutjeve ka vëllim unik dhe është e mbuluar me kupolë. Kjo sallë ka planimetri katrore dhe në të hyhet nga dera e cila gjendet në fasadën veri-perëndimore. Dera është e mbuluar me arkitra paksa harkorë. Salla, me vëllimin e saj unik, është e mbuluar me kube të konstruktuara drejtpërdrejt mbi të nëpërmjet trompeve në qoshet e mureve konstruktive. Madhësia, pra diametri i kubesë është 13.5 metra, kurse lartësia prej dyshemesë është 12.6 metra. Eshtë specifike se kubeja qëndron në tetë pilastra të forta dhe në konstruksion të trompeve. Kjo mënyrë e konstruktimit paraqet të vetmen zgjedhje të këtillë ndërtimore në territorin e Kosovës. Duhet cekur se në këtë pjesë konstruktive, në tamburin e xhamisë, nuk kemi hapje a dritare, pra, kemi të bëjmë me një kube të verbër. Sa i përket ndriçimit, salla e lutjeve merr dritë nga gjithsej 11 dritare. Çdo faqe e kubit, për dallim nga ajo veri-perëndimore, ku ndodhet hyrja, ka nga tri dritare. Edhe në këtë pjesë, mbi portal kemi një hapje të vogël gjysmëharkore. Dritaret si elemente konstruktive-arkitektonike, janë të vendosura në dy radhë, në formë piramidale. Në radhën e parë janë të konstruktura në mënyrë simetrike nga dy dritare në çdo faqe, përkatësisht në katër pamje të mureve konstruktive. Këto dritare janë të mbuluara me arkitrarë, por kanë edhe timpanone të verbra që mbarojnë me harqe paksa të mprehta. Ndërkaq, në radhën e dytë ka vetëm një dritare. Kjo dritare e mbuluar me hark të mprehtë ndodhet pikërisht nën tambur, në që të trija muret anësore, përveç atij verior. Dritaret e Xhamisë së Hadumit, ato të rendit të parë, nga jashtë janë të siguruara me parmakë të metaltë.

Mihrabi dhe mimberi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si në çdo xhami, edhe në Xhaminë e Hadumit, përballë hyrjes, është mihrabi. Mihrabi gjendet në mes të murit juglindor dhe përherë është i orientuar në drejtim të Mekës. Ky element është i thelluar në mur në formë nike me pjesën e sipërme gjysmëkonike. Pos mihrabit, në të djathtë të tij është mimberi që shërben për predikim. Mimberi përbëhet prej derës, shkallëve dhe balldahinit. Mimberi ka formë tradicionale të trajtave të mimberëve dhe është i punuar në tërësi nga druri. Të tëra elementet e drurit janë të gdhendura dhe të pikturuara në atë mënyrë që i përgjigjen trajtimit tektonik të këtij elementi.

Edhe mahfili është realizuar tërësisht nga druri. Ai qëndron mbi shtyllat/kolonat e profilizuara të drurit. Mahfili a galeria (Fig. 5) si pjesë konstruktive-arkitektonike e funksionale, përveçse pasuron dhe thyen monotoninë e vëllimit të sallës së faljeve, veçohet edhe për dekorime plastike e pikturale. Galeria zë vend në anën veriperëndimore mbi hyrjen në sallën e lutjeve, në tërë gjerësinë e saj. Përveç që mbështetet për murin veri-perëndimor, ajo qëndron edhe mbi shtylla/kolona të drurit. Në mahfil arrihet nëpërmjet shkallëve të minares. Si pjesët tjera të xhamisë edhe mahfili është i tërë i pikturuar, natyrisht me motive të botës bimore. Dyshemeja e xhamisë me kohë ishte e shtruar me pllaka tullash të pjekura në formë gjashtëkëndore. Mbi dyshemenë ndodhen qilimat e shtruar.

Elementet konstruktive - Trompet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vëllimi i jashtëm kryesor me kube përbëhet nga pjesa kubike dhe kubeja. Vëllimi kryesor nga ana e jashtme është i mbështjellë, i konstruktuar nga gurë të latuar. Gurët janë marrë në afërsi të Gjakovës, matanë Erenikut, në mes Devës dhe fshatit Guskë. Ndërkaq faqet e brendshme të mureve janë me tulla dhe të suvatuara. Për ta ndërtuar kubenë e xhamisë, nga vëllimi i kubit është kaluar në tetëkëndësh. Në rastin konkret, gjatë këtij procesi të ngushtimit, në katër qoshe, formohen trajtat e çerektopit - trompet, të cilat në të dy anët e jashtme mbarojnë në kurorë dhe janë të veshura me plumb. Pjesa konstruktive, e cila fillon nga vëllimi, përkatësisht nga tropet, e përfundon në kurorë, ku fillon kalota e xhamisë, paraqet tamburin si element konstruktiv-arkitektonk. Tamburi në Xhaminë e Hadumit është i ulët dhe tetëfaqësh. Për dallim nga pjesët e tjera të objektit sakral, trompet dhe në tërësi kubeja e xhamisë është ndërtuar me tulla të pjekura. Nga kurora e tamburit fillon mbulesa me plumb e kubesë së xhamisë.

Tremja a hajati i xhamisë së Hadumit (Fig. 6) përfshin anën veri-perëndimore dhe ka një zgjidhje tradicionale të këtyre mjediseve të veprave klasike monumentale jo vetëm për Kosovën dhe pjesë të tjera shqiptare, por edhe për Ballkanin. Mjedisi i saj shërben (në rast nevoje, kur në sallën e lutjes nuk ka vend apo arrihet me vonesë) për lutje, falje të namazit. Hajati mbulohet me tri kube të vogla. Këto kube si dhe ajo kryesorja janë të veshura me mbulesa të plumbit. Nga jashtë në hajat hyhet drejtpërdrejt. Pjesa ndërmjetëse e hajatit është në nivel të sallës së lutjeve. Nga kjo pjesë e hajatit, e cila e ndan në dy hapësira të barabarta mjedisin në fjalë, hyhet në sallën e lutjeve. Dyshemeja e hajatit (në të dy anët e ndërmjetëses) si gjithnjë është në nivel më të lartë se dyshemeja e sallës së lutjeve dhe terreni pranë Xhamisë së Hadumit. Edhe dyshemeja e hajatit me kohë ishte e shtruar me pllaka tullash (dheu të pjekur) gjashtëkëndëshe, që ishin identike me dyshemenë e enterierit, sallës së faljeve. Pra, si shihet, dyshemeja e hajatit të xhamisë paraqitet si një podium dhe kështu shërben si bazament për arkadat mbi shtylla, kolona të mjedisit në fjalë.

Arkada veriperëndimore, pra e ballit kryesor të xhamisë së Hadumit, përbëhet prej tri harqesh gjysmërrethore, që mbështeten në katër shtylla, kolona. Kolonat e hajatit të xhamisë nuk janë monolite, po të konstruktuara nga disa pjesë, përkatësisht nga tri pjesë të gurëve masivë. Kolonat nuk kanë bazament dhe paraqesin një gjë të rastit në arkitekturën të periudhës osmane në Kosovë. Po ashtu edhe kapitelet e shtyllave janë tejet modeste. Në bazamentin e shtyllave si dhe para kapiteleve të tyre, si pjesë dekoruese na paraqiten unazat e materialit të mesingut. Nga ana lindore dhe perëndimore kemi vetëm nga një hark të mbështetur në kolonën e arkadës veriore dhe murit konstruktiv të pamjes kryesore të objektit sakral. Ngjitur për hajat, deri në pranverën e vitit 1999, ekzistonte edhe parahajati, i shek. XIX, cili u dogj dhe tani nuk është më pjesë përbërëse e xhamisë.

Si pjesë e skemës kompozicionale, si element i pandarë i xhamisë është edhe minarja, e cila si zakonisht zë vend në të djathtë të sallës së faljeve tek del nga muri jugperëndimor. Me minare komunikohet me anën e dy deriçkave, dyer të vogla. Njëra është në eksterier, kurse tjetra në enterier të objektit. Deriçka e eksterierit të minares është e vogël dhe në nivelin e dyshemesë së sallës së lutjeve, kurse deriçka tjetër e minares është e konstruktuar në nivelin e dyshemesë së mahfilit. Nga minarja nëpërmjet deriçkës, komunikohet me mahfilin dhe, anasjelltas, me minaren.

Baza e minares ka planimetri, bazament kënddrejt që vazhdon me papuçen në formë piramide të cunguar, që përfundon me një kornizë guri që del nga muri perimetral i elementit konstruktiv. Nga kjo pjesë fillon trupi i minares që ka formë shumëkëndore a poligonale. Trupi i minares nga korniza e parë shkon duke u ngushtuar deri në kornizën e dytë. Prej lartësisë së kornizës së dytë, trupi i minares, duke u ngushtuar gjithnjë lehtazi, mbaron me kornizën e tretë. Këtu trupi poligonal përfundon me kazanin a sherefen e minares. Sherefeja në lëshime anëcake nga disa rende gurësh të latuar del nga muri poligonal perimetral të trupit të minares dhe kështu merr, fiton një gjerësi sa për të lëvizur në rast nevoje, për kryerjen e ndonjë ceromonie të caktuar fetar: thirja e ezanit për tenbih etj. Kazani ka edhe parapetën e tij. Kjo pjesë, pra sherefeja, në xhaminë e Hadumit paraqet një pjesë ku prezantohen gdhendje në teknikë relievi, në plastikë të imët. Daljen në kazan e bën të mundur një deriçkë e ngushtë dhe e ulët. Konstruksioni i minares nuk mbaron me kaq, por tani mbi kazan vazhdon pjesa e sipërme, peteku i minares. Peteku mbaron me pjesën konike të quajtur qylah. Qylahu ka konstruksion druri dhe është i mbuluar e i veshur me mbulesë të plumbit. Në fund të minares, si element përfundimtar, njëherësh edhe element dekorimi; me cilësi artistike e estetike është edhe alemi i minares. Elemente të njëjta dekorimi prezantohen edhe në kubenë e sallës së faljeve të xhamisë së Hadumit në Gjakovë. Përveç të tjerash, funksioni i minares është që nëpërmjet shkallëve të saj, të arrihet në kazan-sherefe. Shkallët janë nga gurë njëpjesësh, të vendosur, konstruktuar edhe si pjesë të pandara të mureve konstruktive të minares, që vazhdojnë njëra pas tjetrës të lidhura deri në deriçkën e sherefes. Enterieri i minares në xhaminë e Hadumit ndriçohet nga një numër i vogël dritaresh. Këto dritare kanë formë frëngjish. Këto, përveç funksionit të cekur, luajnë edhe rolin e ajrosjes së minares.

Dekorimet murale-arabeskat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në xhaminë e Hadumit, në veprën monumentale të mbuluar me kube si dhe në disa vepra të tjera të karakterit dhe tipit të cekur në Kosovë, të ndërtuara në shek. XV, XVI e XVII, prezantohen edhe piktura, dekorime murale të cilat me ekzistenën dhe pamjet e tyre zbukuronin muret e objekteve sakrale islamo-shqiptare. Këso dekorimesh ka edhe në hapësirat, sipërfaqet e mureve të xhamisë së Hadumit në Gjakovë.

Enterieri, pamja kryesore e xhamisë, kubetë e hajatit, janë të dekoruara me piktura murale të punuara në teknikën seko. Motive kryesore janë peizazhet e stilizuara (në disa raste edhe me motive të arkitekturës popullore, kullave të Rrafshit të Dukagjinit) me selvi, natyra të qeta, yje bosh, motive arkitektonike të objekteve të kultit-xhamive, ornamente të botës bimore, figura gjeometrike dhe citate të Kuranit. Edhe pse dekorimet përsëriten, ato nuk janë monotone, veçse me praninë dhe pamjet e tyre i shtojnë vlerën objektit. Këto motive të prezantuara me përmbajtje të dekorimit të tyre në artin e Islamit, njihen si piktura murale a arabeska. Dekorimet e përmendura, paraqiten në kubenë kryesore si dhe ato në hajatin e objektit, në kurorë, nike, harqe dhe trompe. Njëherësh duhet cekur se edhe mihrabi, mimberi, mahfili, pjesët e mureve të sallës së lutjeve, përreth dritareve në veçanti, janë të dekoruara me piktura murale. Ngjyra dominuese në këto dekorime janë: e kuqja, e kaltra, e gjelbra, okeri, e përhimja, e zeza e cila përdoret vetëm në citatet e Kuranit, si dhe në Emrin i Allahut, Muhamedit si dhe pasardhësve të tij. Dekorimet e cekura i takojnë stilit të barok islamo-shqiptar, të realizuara në shek.XIX. Në xhaminë e Hadumit ka tri shtresa pikturale. Ekzistimi i shtresave në dekorimet pikturale është konstatuar gjatë punimeve konservuese-restauruese në vitit 1981. Me atë rast, në bazë të sondimeve të bëra në kubenë e mesme të hajatit, u vërejtën tri shtresa të pikturimit. Ndërkaq, në kubetë anësore kemi nga dy shtresa dekorimi. Motivet në shtresat e gjetura janë nga bota bimore dhe figura gjeometrike, ku dominon ngjyra e kuqe, e qeramidhes dhe e zeza. Motivet si dhe ngjyrat e cekura janë karakteristike edhe për dekorimet e shtresës së dytë. Dy shtresat e para duhet t’i takojnë shek. XVII-XVIII. Shtresa e tretë dekoruese, kjo ekzistuesja, është realizuar në vitin 1260 (sipas hixhrit), përkatësisht në vitin 1842. Këtë të dhënë e dokumenton mbishkrimi dhe data e shënuar në timpanonin e portalit kryesor.

Si veprat e tjera monumentale të mbuluara me kube të trashëgimisë kosovare, as xhamia e Hadumit nuk është e pasur me plastikë gurore. Plastika gurore në këtë vepër sakrale të ndërtimtarisë islamo-shqiptare, prezantohet kryesisht në anëcakun e parapetës së sherefesë së minares. Këto dekorime janë të realizuara në teknikën e plastikës së imët. Edhe shtyllat e hajatit nuk kanë dekorime plastike, por paksa veçohen për kapitelin në formë katrore, ku prezantohen lule të stilizuara, të realizuara në teknikën e plastikës së imët. Këto dekorime përsëriten në katër shtylla të hajatit. Nga profilizime cilësohen edhe dritaret, portali kryesor, kurorat e sallës së lutjeve, të hajatit si dhe vetë parapeta e minares së xhamisë. Pra, në përgjithësi, sipërfaqet e mureve si dhe elementet arkitektonike-konstruktive janë të pastra dhe modeste, një karakteristikë për arkitekturën e xhamisë në Gjakovë dhe më gjerë në territoret shqiptare. Po ashtu duhet të theksojmë se kubetë e xhamisë me madhësi të ndryshme dhe ato me dinamikë dhe kontrast, ndikojnë në thyerjen e monotonisë së objektit dhe xhamisë i japin pamjen estetike.

Përveç të tjerash, mund të përfundohet se Xhamia e Hadumit, me proporcionet, format dhe trajtat e saj, përmban në vete diçka të fuqishme, që ndikon dhe i jep një ngrohtësi objektit, i cili në tërësi është koordinuar dhe ndodhet edhe sot në ambientin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës.

Përposë disa intervenimeve të vogla restauruese aty-këtu, deri në vitin 2007 kur fillojë punën në këtë drejtim “CHWB” - Suedi (Trashëgimia kulturore pa kufij), nuk mund të flitet. Kjo organizatë ka marrë një donacion nga UNESCO-ja, për konservimin dhe restaurimin e dekoreve murale të brendshme dhe të jashtme (të hajatit) të xhamisë. o ashtu kjo organizat në vitin 2003, në xhaminë e Hadumit, kishte kryer punime restauruese: rikonstruimin e minares, drenazhimin, ndërrimin e mbulesës së plumbit të kupolave. Në kryerjen e restarurimeve është angazhuar ekipi i ekspertëve të restaurimit dhe të konservimit - Nihad Çengiq nga Sarajeva dhe Eliza Stefanini nga Bolonja e Italisë.[3]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ <F(ejaz). Drançolli, Xhamia e Hadumit në Gjakovë, Arkivi i Kosovës, Vjetari XVIII-XIX, Prishtinë, 1984.> përmbledhje në revistën DITURIA ISLAME - Trashëgimi:Xhamia e Hadumit. Nr.206, Fq.29 - KBI e Kosovës - Prishtinë, shtypi Koha - Prishtinë; PDF në internet[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
  3. ^ Dituria islame nr. 214 PDF internet[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]