Linhardi dhe Gertruda

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Linhardi dhe Gertruda (ilustrim nga Hans Bendel)

Linhardi dhe Gertruda është një vepër utopike e Johan Heinrich Pestalozzit që paraqet njërën nga veprat më të mëdha pedagogjike të romantizmit. Vepra përbëhet nga katër vëllime, të botuara midis viteve 1781 dhe 1787. Sidoqoftë, autori iu përkushtua veprës në fjalë gjatë gjithë jetës së tij, duke publikuar edhe dy botime të tjera, si një reagim ndaj ndryshimeve socio-politike. Kjo vepër shpesh është krahasuar me veprën Wilhelm Meisters Lehrjahre (Mësimet e Wilhelm Meisterit)Johan V. Gëtes, një tjetër roman i madh pedagogjik i Romantizmit Evropian, aq sa edhe me veprën tjetër me titull I promessi sposi (Të fejuarit), të Alessandro Manzonit për angazhimin e fuqishëm pedagogjik e arsimor dhe zgjedhjen e të përulurve si kryeprotagonistë.

Hyrje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pestalozzi e njihte shumë më mirë jetën fshatare dhe varfërinë e tyre se sa bashkëkohësit e tij, për shkak të vizitave që kishte bërë gjatë periudhës së fëmijërisë së bashku me gjyshin e tij si dhe raporteve të mëvonshme të tij me fshatarët. Nisur nga këto përvoja ai arriti që të botoi katër vëllime të një tregimi të titulluar Linhardi dhe Gertruda. Këto katër vëllime sillen rreth jetës së katër personazheve: Gertruda, Glüphi, një klerik famullie pa emër dhe Arner. Gertruda është një grua dhe nënë nga fshati Bonnal, e cila i mëson fëmijët e saj se si të jetojnë një jetë të drejtë morale nëpërmjet besimit dhe dashurisë për Zotin. Glüphi, një mësues shkolle, sheh suksesin që Gertruda arrin me fëmijët e saj dhe përpiqet të modelojë shkollën e tij sipas shembullit të mësimeve të Gertrudës. Një klerik famullie i përkrah gjithashtu mësimet dhe kontributin e Gertrudës prandaj Gertruda, Glüphi dhe kleriku ndihmohen edhe nga Arner, një politikan, i cili kërkon ndihmë nga shteti. Nëpërmjet këtyre katër institucioneve arrihet harmonia dhe ofrohet një edukim gjithëpërfshirës për të gjithë njerëzit e fshatit.[1]

Përmbajtja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Libri i parë, si dhe e gjithë historia, zhvillohet në fshatin imagjinar Bonnal, që është në pronësi të zotit feudal Arner, vasal i një princi të kohës. Fshati, megjithatë, në fakt sundohet nga despoti mesjetar Hummel, i cili ruan pushtetin falë korrupsionit, ngacmimeve dhe mbështetjes së fermerëve të pasur. Edhe protagonisti, Linahrdi, është viktimë e Hummelit dhe, në dëshpërim, luan rreth e rrotull në përtaci dhe dehje. Gruaja e tij, Gertruda, do ta shpëtojë atë nga kjo situatë shkatërruese: gruaja e guximshme, në fakt, i drejtohet Arnerit, i cili i beson Linhardit, që është një murator i aftë, me projektin e ndërtimit të kishës së re në fshat. Megjithë përpjekjet e Hummelit për të bojkotuar projektin, kisha u ndërtua, gjithashtu me ndihmën edhe të pastorit Ernst, një bashkëpunëtor besnik i Arnerit.

Libri i dytë hapet me dëbimin e Hummel nga fshati dhe ardhjen e një podesti të ri, më të ri në moshë dhe sigurisht shumë më të ndershëm; Arner gjithashtu arrin të dënojë edhe bashkëpunëtorët kryesorë të Hummel kështu që kampi komunal u jepet të varfërve. Në këtë mënyrë përfundon një regjim frike dhe korrupsioni, dominimi dhe shfrytëzimi, i cili kishte ekzistuar gjithmonë brenda çifligut të vogël.

Në librin e tretë, Arner dhe Ernst, pas një vizite në fabrikën e pambukut Meyer, bëhen të vetëdijshëm për faktin se cilësia e jetës së njerëzve mund të përmirësohet vetëm nëse sigurojnë arsimimin e tyre, përmirësojnë kushtet materiale të jetës dhe fillojnë një proces të racionalizimit të punës së prodhimit. Kështu, Glüphi, një ish-toger, tani në pushim për shkak të plagëve të luftës, mbërrin në fshat për të zëvendësuar mësuesin e moshuar dhe për të nisur një projekt të reformës arsimore. Qëllimi i Glüphit është lidhja midis arsimit dhe punës: duke ndjekur këtë qëllim, ai harton një sistem arsimor të përqendruar në endjen, siç këshillohet nga Gertruda. Kështu lindi një shkollë me kohë të plotë në të cilën fëmijët mësojnë të numërojnë sipas tezgjahut, për më tepër leximi dhe shkrimi do të mësohen në mënyrë aktive, falë materialeve mësimore inovative të ndërtuara nga vetë Glüphi. Thirrja për rend dhe rregull është gjithmonë e pranishme në kuadër të klasës dhe shkollës:

Ai donte që klasa të ishte e pastër si një kishë. Nuk toleronte që (...) fëmijët të hidhnin ndonjë gjë në tokë ose të hanin ose të bënin diçka tjetër gjatë mësimit. Gjithçka duhej të vazhdonte si mbi një vizore, madje edhe në ngritjen dhe uljen, nxënësit duhej të mbanin një rend të tillë që askush të mos përplasej me tjetrin.[2]

Thirrja për rend dhe rregull konsiderohet thelbësore nëse rendi do të vendoset, në përgjithësi, në shoqëri, gjithashtu përmes angazhimit konkret të Arnerit dhe Ernstit, të cilët kontribuojnë me vepra mbështetjeje dhe bamirësie, duke inkurajuar format e vetëqeverisjes dhe decentralizimit popullor.

Në librin e fundit, libri i katërt, Arneri angazhohet personalisht me princin për të siguruar që përvoja në Bonnal të shtrihet në të gjithë shtetin dhe, në fakt, pavarësisht ngjarjeve alternative, reforma arsimore në të ardhmen do të shtrihet në të gjithë shtetin. Ndërkohë, Arner sëmuret dhe, megjithëse zyrat më të larta të fshatit ndjejnë shqetësim për gjendjen e tij, populli duket indiferent ndaj fatit të feudalit të tij. Kjo është pika fillestare për teorizimin e Glyphit në lidhje me prirjen njerëzore ndaj së keqes dhe rëndësinë themelore të një arsimi dhe edukimi që e pengon atë: kjo pjesë e fundit quhet "filozofia e togerit" gjë që paraqet përfundimin, disi pesimist, të gjithë veprës.

Kuptimi i teorive dhe figurave edukative të veprës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Librat e parë dhe i dytë i dedikohen popullit. Ata tregojnë se, përmes rimëkëmbjes sociale dhe morale, angazhimit pedagogjik dhe mësimit të vlerave të mirëfillta, njeriu mund të largohet nga e keqja dhe të kthehet në mirësinë e tij origjinale. Është evidente se ky konceptim është trashëgimi e mësimeve të pedagogut Jean-Jacques Rousseau. Gertruda është emblema e këtij shpengimi moral, dhe social; ajo është gjithashtu simbol i familjes dhe dimensionit të rolit të nënës. Johann Heinrich Pestalozzi, në fakt, do t'i kushtojë figurës së saj edhe një vepër tjetër, me titull Si i mëson Gertruda fëmijët e saj.

Libri tretë dhe i katërt u drejtohen klasave të arsimuara. Arner dhe Ernst pasqyrojnë angazhimin arsimor të aristokracisë dhe kishës, grupe shoqërore të cilave Pestalozzi u atribuon angazhimin konkret të iniciativave që synojnë renovimin moral të shoqërisë. Në të njëjtën mënyrë Princi mishëron idealin pestalozzian të një shteti arsimor.

Sidoqoftë, është Gyphi të cilit Pestalozzi i beson idealin e tij arsimor. Glyphi është mjeshtri që Pestalozzi dëshironte të ishte: duke njohur vështirësinë dhe rëndësinë e zanatit të tij, ai e konsideron atë më shumë një mision sesa një profesion. Ndërsa ish-togeri, në fakt, nuk e zgjodhi këtë profesion, por gjithsesi i përkushtohet me pasion dhe qëndrueshmëri, ashtu siç bën me një mision. Gyphi jep një arsim konkret, duke shmangur çdo verbalizëm pedant, dekor të padobishëm të arsimit të fshatarëve të Bonnalit, edhe nëse "përgatitja e rëndë profesionale" nuk përjashton një arsim integral. Karriera e tij e mëparshme si ushtarak i atribuohet vizionit të tij pesimist për natyrën njerëzore, thirrjes së tij të vazhdueshme për rend, vëmendjes së tij ndaj çdo detaji të veprimtarisë arsimore dhe didaktike, rekursit të tij ndonjëherë ndaj qortimeve, të drejtuara nëse është e nevojshme edhe për familjet. Në thelb, Gyphi mishëron vetëdijen pestalozziane për rëndësinë dhe vlerën shoqërore të arsimit popullor. Ai edukon me ashpërsi, nuk pranon dështime, pasi e di se për fshatarët e rinj të Bonnalit shkolla është i vetmi instrument për të arritur emancipimin politik dhe një jetë sociale dinjitoze.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Pestalozzi, Johann Heinrich (1787) [1781, 1783, 1785], Leonard & Gertrude (në gjermanisht)
  2. ^ Johann Heinrich Pestalozzi, Leonardo e Geltrude, La Nuova Italia, Firenze 1928, libro III p.190