Jump to content

Llixhat e Elbasanit

Coordinates: 41°02′17″N 20°04′15″E / 41.03806°N 20.07083°E / 41.03806; 20.07083
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Llixhat e Elbasanit

Llixhat e Elbasanit (të njohura edhe si Banjat e Elbasanit) ndodhen në Tregan pranë qytetit të Elbasanit. Këto burime janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës romake. Hoteli i parë i ndërtuar nga sipërmarrësit privatë ka qenë ai i vitit 1932, i quajtur " Hotel Park", pronë e Grigor Nosit, ndërsa më vonë janë ndërtuar edhe hotele të tjera.[1] [2] [3]

Mosha e ujërave termale llogaritet në rreth 5 shekuj, por vetëm në shekullin XIX mund të thuhet se shfrytëzimi kurativ i zonës nisi të hyje në rrugën e shkencës mjekësore. Uji çudibërës i llixhave mori vëmendjen në fillim të shekullit XX edhe të mbretit të atëhershëm të shqiptarëve, Ahmet Zogu. Ai kërkoi të sillej një specialist nga Çekosllovakia, e cila njihet për shfrytëzimin e ujërave termale.

Mjeku i sjellë në Elbasan ka bërë një vlerësim dobiprurës për këto ujëra të përcaktuara si shëruese për një mori sëmundjesh. Në përfundim të studimit të ujit, u renditën edhe sëmundjet, të cilat mund të kurohen nga uji i llixhave. Dokumenti që qarkullon mes drejtuesve të hoteleve dhe të banjave termale në llixhë u jep atyre edhe prestigjin e gati 80 viteve më parë, kur ky studim u realizua dhe i dha famë këtij uji. Në dokumentin që është shumëfishuar dhe mbahet në çdo hotel, nëpërmjet dialektit gegërisht tregohen edhe me fjalë popullore disa sëmundje të cilat janë shqetësim edhe sot.

Në dokument shkruhet: "Naltmadhënia e Tij, Mbreti Jonë, Zogu i sikurse interesohet për marëvajtjen e Shqipnis, denjoi me u interesua për ujnat minerale, me famë shëruese, të Llixhës s'Elbasanit edhe urdhënoi Qeverin me sjellë në vend specialistin me famë Ing. Dr Benno Wintere, drejtorin e Banjës së Marienband-it të Çekosllovakisë".[4]

Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike. Sot gjenden shumë hotele private që ofrojnë shërbime në llixha. Brenda zonës turistike te saposhpallur përfshihen Qendra Balneare Hidrotermale, Parku llixha “Nosi”, burimet termale që shkojnë në katër, Guri i Fatit, monumentet e Kulturës si dhe qendra e Komunes Tregan, terrene sportive dhe qendra shëndetësore. E ndodhur vetem 10 kilometra në juglindje të qytetit, sipërfaqja gjelbëruese llogaritet në 35 hektare, ku lartësia mbi nivelin e detit nis nga 185 metra gjer në 284 metra. Zona ka një qëndrueshmeri sizmike, ku temperatura mesatare vjetore varion nga –2 në 35 gradë dhe sasia e rreshjeve llogaritet në 1400 mm. Veç bukurive natyrore turistike, e tërë zona pozicionohet në rreth 178850 hektarë, me pyje ku rriten më së shumti dushk, frashër, shkozë, shqope murrizi dhe kryesisht pisha e kultivuar. Ndër kafshët e egra mjafton të përmenden: lepuri i egër, dhelpra dhe kunadhja si dhe shpendët : mëllenja, harabeli, pëllumbat e egër, qukapiku, kumria dhe thëllëza. E shtrirë në një zonë të banuar, numri i të cilëve nuk i kalon 5 mijë njerëz dhe ku rriten e kultivohen të gjitha llojet e kulturave bujqësore, llixhat e Elbasanit ofrojnë burime natyrore dhe njerëzore të admirueshme. Pavarësisht se së fundmi është njohur e drejta e pronarëve të ligjshëm në zonë kurative, shteti gëzon të drejtën e pronësisë në më tepër se 54 mijëra metra katrore, ku shtrihet edhe qendra më e madhe shtetërore kurative, e njohur hotel “Ylli”. Një vendim i tillë i marrë nga KRT-ja e Qarkut përmbush dëshirën e komunitetit të vogël, vlerëson drejt bukurinë natyrore të zonës dhe vlerat kurative të ujërave termale, por më së shumti ndalon fluksin e madh të ndërtimeve pa leje dhe shfrytëzimin pa kriter të ujit të nxehtë.[5] [6] [7] [Shënime 1]

Skeda:Elbasan, depozite e baltes se stazhinuar.JPG
Balta

Mjeku nga Çekosllovakia si bani analizën e duhun, u këshillue edhe me mjekë e specialistë të kësaj degë, dhe u gjet se këto ujna janë nga ma të rrallat në botë për fuqinë shëruese të tyne, sikurse e tregon raporte që pason :

  1. Goutte (Sëmundje e gjymtyrve të duarve e të këmbëve)
  2. Congestion (Mbështjellje të gjakut në nji vend të trupit si në mëlçi të zezë)
  3. Calcusbiliaires (gurët në tëmthin e mëlçisë së zezë)
  4. Hemorroidet
  5. Sëmundje të organeve të frymëmarrjes (nefezi)
  6. Reumatizëm i rëndë dhe i vjetër
  7. Sëmundje të gjymtyrëve dhe deformime të tyre
  8. Dhimbje nervash, në nji pjesë të trupit, kokës ose në të gjithë trupin
  9. Reumatizëm sëmundje nervore
  10. Të marrunit gjymtyrësh shkaktuar nga reumatizma e sëmundje të lidhjeve
  11. Anemi (kur mjekimi me hekur nuk ka sjellë dobi mjafton të pijë ujë në llixha)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Llixhat e Elbasanit.
  1. ^ Por ndërsa ndryshojnë kushtet, ndryshojnë edhe çmimet. Nën çadra dhe banja pa kushte, përdorimi i ujit është një mijë lekë të vjetra dhe kjo tërheq mjaft shtresën e varfër. Por ka edhe nga ata që evitojnë edhe të paguajnë duke gjetur të vetmin burim pa para në përroin e Llixhës. Nazmija vjen nga lagja "5 maj" e qytetit të Elbasanit. Ajo thotë se udhëton çdo ditë me autobus për të mbërritur në Llixhë dhe e ka më mirë të shfrytëzojë ujin pa pagesë, pasi paratë në dispozicion nuk i mjaftojnë për të marrë të njëjtin shërbim në llixhat private. Teksa është duke bërë banjë e shtrirë në përrua, ajo na thotë se çdo vit këtë gjë bën, por nuk di të thotë se sa e rrezikshme është banja jashtë kontrollit të mjekut. Gruaja rreth të pesëdhjetave e di se s'duhet të rrijë shumë në ujë, por se sa duhet të rrijë, këtë gjë nuk ia ka thënë njeri. Me paditurinë e saj ajo madje nuk frikësohet kur e pyesim se sa e rrezikshme është kjo gjë. "Si ta ketë shkruajtur Zoti. Tek banjat private me para nuk shkoj se s'kam mundësi. Më dhemb trupi dhe prandaj vij. Llixha më bën mirë dhe po të kisha mundësi, do vija më shumë. Ky pellg këtu është i vetmi që nuk e kanë zënë banorët". Në këtë burim të pazaptuar nga banorët vijnë edhe të tjerë frekuentues. Ata janë nga Velipoja. Pasi kanë shfytëzuar me pagesë banjat, vijnë këtu për të futur këmbët dhe për të qëndruar më tepër në ujin e llixhës. Të bindur se gjithçka i bën mirë, ata thonë se duan ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë ujë të bekuar (pa e ditur se kjo mund t'iu shkaktojë dëme të mëdha për shëndetin nëse nuk ndiqet nga disa rregulla dhe nëse nuk ka një kujdes mjekësor).
  1. ^ Gillian Gloyer (2012) Albania: The Bradt Travel Guide. Chalfont St Peter: Bradt Travel Guides. fq. 113. ISBN 978-1841623870
  2. ^ Nagel 1989: Albánia. [Pécs]: Baranya Megyei Könyvtár. 1989. Nagel Útienciklopédiák, fq. 70. ISBN 9637272194
  3. ^ Thermal Station Park Nosi: Baths of Elbasan Arkivuar 24 shkurt 2020 tek Wayback Machine. 24.12.2020
  4. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 24 shkurt 2020. Marrë më 24 shkurt 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  5. ^ Réti György (1991) Albánia. Budapest: Panoráma. Külföldi Útikönyvek, fq. 153. ISBN 9632433890
  6. ^ Dienes Tibor (2017) Albánia: Útikönyv. 4. kiadás. Budapest: Hibernia. Varázslatos Tájak, fq. 142. ISBN 9789637617638
  7. ^ "PLANI I ZHVILLIMIT LOKAL KOMUNA TREGAN" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 nëntor 2016. Marrë më 24 shkurt 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

41°02′17″N 20°04′15″E / 41.03806°N 20.07083°E / 41.03806; 20.07083