Mahir Domi
Prof. Mahir Domi (Elbasan, 12 mars 1915 - 19 tetor 2000) ishte filolog, pedagog dhe akademik shqiptar.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në qytetin e Elbasanit, i biri i Sulejman Domit.[1] Studimet e mesme i nisi në Normalen e Elbasanit dhe i vazhdoi e përfundoi në Liceun Kombëtar të Korçës më 1937. Ndoqi studimet e larta për filologji klasike dhe u diplomua në Universitetin e Grënoblës në Francë më 1941. Po atë vit filloi punën si mësues e më pas si drejtor në Normalen të Elbasanit[2].
Pjesëmarrës i lëvizjes nacionaloçlirimtare në Shqipëri. Për këto ide ai u internua nga pushtuesit fashistë në Porto Romano. Pas mbarimit të luftës ai e nisi udhën e tij të gjatë në shërbim të arsimit e të shkencës plot pasion e dashuri për t’i shërbyer atdheut e popullit të vet me tërë forcën e shpirtit e fuqitë e mendjes.
M. Domi ka dhënë një kontribut të shquar në fushë të arsimit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit dhe si drejtues e pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai punoi me përkushtim e dha ndihmesën e tij të çmuar si mësues e pedagog në hartimin e planeve dhe të programeve të reja të shkollës sonë si edhe me librat e gjuhës dhe të letërsisë që hartoi për nevoja të niveleve të ndryshme parauniversitare e universitare të shkollës.
Veç punës së tij të gjerë në fushën e mësuesisë, prof. M. Domi dha një kontribut të shquar në shumë fusha të dijes albanologjike në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushë të studimeve gjuhësore, duke u bërë një nga gjuhëtarët më të shquar me një njohje të gjerë brenda dhe jashtë vendit.
Kontributi i tij veçanërisht në fushën e studimeve gjuhësore është i jashtëzakonshëm jo vetëm se ai organizoi, nxiti e drejtoi veprimtaritë krijuese shkencore në shumë degë të gjuhësisë, por edhe sepse ai vetë, bashkë me gjuhëtarë të shquar si A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, S. Riza, A. Kostallari, Sh. Demiraj, S. Floqi e të mjaft kolegëve të tjerë më të rinj, të cilët më parë i pati studentë e më vonë bashkëpunëtorë, e ngritën gjuhësinë shqiptare në nivele bashkëkohore. Ai u dallua me punimet e tij në fushën e sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe e të marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera të Ballkanit, në fushën e gjuhës letrare e të kulturës së gjuhës, në leksikografi e në terminologji, në histori të gjuhësisë shqiptare e të mendimit shqiptar etj. Ai qe nismëtar i organizimit dhe i drejtimit të studimeve dialektologjike në Shqipëri, duke krijuar e ndihmuar një grup dialektologësh, i cili arriti të mbulojë me studime e përshkrime dialektore thuajse të gjitha të folmet e shqipes, të cilat u kurorëzuan me hartimin e “Atlasit dialektologjik të shqipes”.
Në të gjitha këto fusha duket shkencëtari me horizont të gjerë, gjuhëtari që njeh me themel gjuhën shqipe dhe dialektet e saj dhe që përpiqet të hapë gjithnjë shtigje të reja e të orientojë studiuesit e rinj drejt tyre, kërkuesi i palodhur e vëzhguesi i mprehtë. Studimet e tij janë shquar gjithnjë për analiza e sinteza dhe kanë shërbyer edhe si shtysa për studime më të thelluara.
Me punën e tij të shumanshme, prof. M. Domi ka dhënë një ndihmesë themelore për krijimin, organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë arsimore e shkencore në fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në Institutin e Shkencave, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe në Akademinë e Shkencave.
Me ndihmën e tij të kualifikuar e të pakursyer shkencore janë formuar një serë punonjësish të rinj, të cilët u frymëzuan prej tij me dashurinë e përkushtimin për punën shkencore. Mund të thuhet me plot të drejtë që nxënësit e tij janë dhe vepra e tij shkencore po aq e gjerë dhe e shumanshme sa ç’është prodhimi i tij shkencor.
Veprimtaria shkencore e shumanshme e ka bërë të njohur prof. M. Domin edhe në Kosovë e vise të tjera shqiptare si dhe jashtë kufijve. Ai nderohet e vlerësohet nga studiues të ballkanologjisë e të indoevropianishtes. Në shumë kongrese e konferenca ndërkombëtare e kombëtare ku ka marrë pjesë ka thënë fjalën e tij me peshë për problemet e shqipes, duke e përfaqësuar denjësisht shkencën shqiptare.
Krahas veprës së tij të gjerë shkencore, ai ka lënë kujtimin e një shkencëtari të palodhur erudit, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizonte, ia kushtoi përgatitjes së brezit të ri. Profesori u shua më 19 tetor të vitit 2000.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dervishi K., Historia e floririt të Sulë Domit në Elbasan, voal.ch, 23 maj 2016.
- ^ "Akademik Mahir Domi". Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)