Jump to content

Masakra e 4 shkurtit 1944

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Masakra e 4 shkurtit)

Operacioni i 4 shkurtit i quajtur Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 sipas numrit të gazetës "Bashkimi" që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që u kishin bërë figurave politike.

Prapavija e ngjarjeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasi Operacioni i Dimrit u kishte shtrënguar darat komunistëve, iu rikthyen atentateve ndaj figurave politike, si në rastin e Idhomeno Kosturit.

Në zonën e Tiranës së re, më 3 shkurt, guerilët komunistë në befasi i bëjnë atentat makinës së autoriteteve të regjimit pushtues ku mbeti i plagosur a pa jetë shoqëruesi i afërt i Kadri Cakranit. Pasditen e vonë të 3 shkurtit, guerilë të qarkorit komunist i bëjnë një goditje të befasishme të armatosur makinës së ministrit Xhafer Deva. Sipas dëshmisë së Isuf Devë, sekretar privat i tij, i cili edhe në rrethana torture dëshmonte: “Komunistët më 3 shkurt i bëjnë atentat makinës së Xhafer Devës, plagoset dhe vdes në spital i nipi, adoleshenti Fahri Ibrahimi”[1][2].

Operacioni filloi në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944, dhe do të përfundonte në ora 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Sipas organit të shtypit të regjimit komunist, "Bashkimi", autorët kanë qenë Kolonel Bajazit Boletini - komandant i regjimentit "Kosova", Kadri Cakrani, dhe Xh. Devës.

Interpretimet dhe faktet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Trakti i PKSH-së për atë masakër shkruar nga Sejfulla Malëshova, i botuar më 4 shkurt 1945, në gazetën “Bashkimi” përcillte numrin e 86 të vrarëve, por me emra identifikohen vetëm 24 të vrarë. Shifra e mbi 80 të vrarëve duket se vjen nga një letër që Nako Spiru u ka nisur Komitetit Qendror (M. Popoviqit, K. Xoxes, L. Gegës)[2].

Sipas kërkimit të studjueses Gilmana Bushati, procesverbalet e prokurorisë (5 e 6 shkurt) me të vrarët më 3-4 shkurt, viktimat janë 14. Në procesverbalin e 6 shkurtit janë nëntë të identifikuar, dy të paidentifikuar, dy me identitete italiane, kurse një (Ali Ferra) i vrarë nuk është i listuar në “Pavdekësia”. Si përfundim, katër janë të vrarë në mbasditen e 3 shkurtit, shtatë të vrarë natën e 4 shkurtit (bashkë me dy italianë). Sekretari privat i ministrit Xhafer Deva, Isuf Deva (i pushkatuar) në dëshminë e tij në janar ’47 në hetuesinë e regjimit komunist pohonte se “Xh. Deva pohoi se ishin vrarë jo më shumë se 7-8 njerëz dhe nuk pranoi 80 të vrarë”. Dëshmi kjo e përafërt me të dhënat nga procesverbalet,[2] tek të cilat figurojnë:

  1. Vangjel Capo, i biri i Andonit dhe i Valës nga Fieri vjeç 22
  2. Todi Shkurti nga Fieri vjeç 25
  3. Hasan Rexhep Çeliku vjeç 34, kryepuntor pranë Ministrisë P.B nga katundi Mullet i Tiranës.
  4. Sokrat Vangjel Tako, i biri i Aleksandrës vjeç 43 nga katundi Novosel i Përmetit dhe banues në Tiranë rruga Mihal Grameno
  5. Mihal Jani Koço i biri i Margës vjeç 20 Druvjan i Gjirokastrës banues në rrugën e Kavajës Tiranë.
  6. Vinçenzo Apel, i biri i Feliksit dhe i Kleopatrës lindun në Sarandë banues në Tiranë rruga e Dibrës nr.6 vjeç 20.
  7. Reveni Ludovico Carlo i biri Marijes nga Italia banues në Tiranë vjeç 26.
  8. Gjergji Legjizi i biri i Frrokut dhe i Diles lindun ne katundin Kthjellë të Mirditës vjeç 45 banues në Tiranën e Re Lagje Llagami nr;43. 

Dy të paidentifikuar:

  1. ..vjeç 22... këpucë me syprina beze të zezë e... çorape të zeza pambuku ushtarake;... katrore, boj kafe... jeshile me të bardha, triko leshi pambuku boj kafe, xhaketë civile boj kafes të mbydhun me vija pak të dukshme. 
  2. mesatar vjeç 34 flokë kështije, fytyre pak të hekun, i rruem pa mjekër, me nji shall leshi jeshil, xhaketë civile e pantallona boj të kafes, i vesgun nën rrobe me bixhama të bardhe e me vija te kuqe, nji triko leshi në boj të hinit e pa mange, jelek boj kafe, peshime me ngjyra e me vija, kepucë te zeza civile ushtarake, çorape boj kafe te Europes. 

Më 6 shkurt 1944 u paraqitën për t'u interesuar tre persona për familjarët e tyre që nuk ishin as në burgje ose në ndonjë vend tjetër të kryeqytetit, familjarët që kërkonin: Haki e Maliq Huta (letrat e identitetit të të cilëve u gjetën nëndhé në rr. e Elbasanit), Fadil Rada punëtor 22 vjeç, Xhemal Sojli.

Më 16 shkurt 1944 Gjyle Shkalla e veja e Selim Ferrës deklaroi se i biri Ali Selim Ferra, 18 vjeç, tabelashkrues, u mor nga shtëpia mëngjezin e 4 shkurtit nga një patrullë e armatosur. Kufoma e tij u gjet në lumin e Tiranës afër Saukut[3].

  1. ^ Lamaj I., (...) Puto nuk ka asnjë fakt kundër Devës, ndaj e shan (...), intervistuar nga Gilmana Bushati, Gazeta shqiptare. - Nr. 5470, 23 nëntor, 2011, f. 20 - 21.
  2. ^ a b c Baruti V., E vërteta dhe rrenat e Masakrës së 4 shkurtit, Standard, 22 shkurt 2015.
  3. ^ Bushati G., Masaker me 4 shkurt 1944? Ja dokumentet, Gazeta Shqiptare, 29 nëntor 2011.
  • Pearson, Owen. 2005. Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism, 1940-1945. London: I.B. Tauris.2006