Jump to content

Mit'hat Fagu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mit'hat Fagu është një regjisor dhe piktor shqiptar. Lindi në Tiranë më 4 shtator 1937. Kreu shkollën e lartë për aktor pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në kinematografi filloi punën më 1959 si asistent regjisor dhe më vonë si regjisor i filmave dokumentarë. Ndër filmat dokumentarë të xhiruar prej tij janë: Tregim për Naftëtarët (1965), Mali na Thërret (1966), Ata çanë Malin (1970), Higjenë, higjenë (1971), Dhuruesit e Jetës dhe Kirurgjia në stenozën mitrale (1971), etj. Në vitin 1968 xhiroi filmin e parë artistik Prita dhe vazhdoi përsëri me filmin dokumentar.

Më 1973 xhiroi një film dokumentar që i kushtohej revolucionit tekniko-shkencor të ndërtuar në intervistimet dhe ballafaqimin e mendimeve midis specialistëve dhe kuadrove shtetërore. Ky film shkaktoi reagime të aparatit burokratik, u konsiderua “ideologjikisht i rrezikshëm” dhe pas shumë debateve u pezullua shfaqja dhe autori u dënua duke u larguar nga Kinostudio.

Punoi për disa vjet si punëtor në fabrikën e tullave në Vorë, pranë Tiranës. Në vitin 1985 u rikthye në Kinostudio dhe për aftësitë e tij në pikturë u emërua në repartin e filmit vizatimor. Realizoi katër filma si piktor dhe regjisor: Orët e Gentit dhe Të mëdha dhe të vogla (1986), Vizatim për një zog (1989), Kush qesh i fundit (1991).

Më herët, në 1973, kish punuar për filmin vizatimor Lulëkuqja, që nëse do të kishte përfunduar, do të ishte filmi i parë vizatimor shqiptar.

Në vitin 1991 emigroi në Itali ku ndodhet edhe sot.