Mulla Shaqë ef. Hoxha
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Mulla Shaqa u lind më 25-11-1918 në fshatin Marali të Malishevës, në një familje bujare me tradita fetare dhe atdhetare. Pë 7 decenie ishte në shërbim të Islamit,vdiq ne vitin 2007.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vargani i veprimtarëve fetarë të kësaj familjeje do të niste me hoxhën e parë - Mulla Sejfija, i cili në vitin 1528 ndërtoi xhaminë e këtij fshati, që ishte gurthemeli i parë i një faltoreje islame në trevën e Llapushës. Nga kjo familje e njohur hoxhallarësh, gjurmët e mulla Sejfi efendiut i ndoqën edhe pasardhësit e tij: mulla Syla, mulla Shaqiri, mulla Shaqa e mulla Muslija. Mësimet e para fetare ai i mori në mejtepin e fshatit tek mulla Jusuf ef. Hoxha rreth viteve 1933-1935. Më pas u regjistrua në medresenë Mehmet Pasha të Prizrenit, ku ndoqi mësimet tek hafëz Abdullah Telaku, Nysret Efendiu, Hafëz Qamili etj.Si talebe e kësaj medreseje, mulla Shaqa gjatë muajit të Ramazanit ushtronte detyren e imamit në fshatrat: Mirushë, Lubizhdë e Llashkidrenoc. Në vitin 1951 filloi punën si imam, hatib e mualim në fshatin e tij. Detyrën e imamit e deshi shumë dhe e kreu me përpikëri, sidomos shquhej për përkushtimin e tij ndaj Allahut dhe predikimin e Fjalës së Tij. Gjatë kohës sa punoi si imam, pati vuajtje dhe peripeci të shumta. Për vite me radhë ua mësoi mësimbesimin fëmijëve të fshatit, megjithëse për këtë pati pengesa nga më të ndryshmet nga sistemi sllavo-komunist. Më 1956, në një ceremoni mevludi, policia sllavo-komuniste e arrestoi duke e lidhur para xhematit, me pretekst se po bënte tubime fetare. Më pastaj, disa herë ishte thirrur në të ashtuquajturat biseda informative, në kohën e heqjes së havalës dhe të aksionit famëkeq të armëve.I brumosur thellë me virtyte islame, ai kurrë nuk kishte pushuar së predikuari parimet islame dhe mësimet për gjeneratat e reja. Sidomos shquhej për pajtim dhe afrim në mes njerëzve.Bujaria dhe fisnikëria e tij bënë që ai të ishte i dashur dhe i respektuar e fjala e tij të pranohej dhe çmohej nga të gjithë. Në vitin 1984 u pensionua dhe dy vite më vonë vizitoi Qabenë dhe bëri Haxhin. Lufta e fundit e zuri në moshë të shtyrë, por të pathyer dhe durimtar.Së bashku me bashkëshorten e tij qenë shpërngulur në Shqipëri, ku qëndruan për afro tre muaj.Gjatë qëndrimit në Kukës, i vdiq bashkëshortja. Vdekja e saj Hoxhës i shtoi edhe një sfidë të vështirë për jetën, krahas luftës që zhvillohej në atë kohë në Kosovë. Kthimi i tij në vendlindje, përjetimi i dhimbjeve bashkë me ata që kishin humbur të afërmit e tyre në luftë, - do të dëmtonin edhe më shumë shëndetin e Hoxhës.
Gjëja e parë dhe kryesore, gjatë tërë jetës së tij, deri në frymëmarrjen e tij të fundit – qenë predikimi i Islamit e zbatimi i tij në jetën praktike dhe edukimi i njerëzve. Pas një sëmundjeje të shkurtër, më 22 nëntor 2007 vdiq në spitalin e Prizrenit dhe në të njëjtën ditë u varros në varrezat e fshatit Marali. Ditën e varrimit, duke folur për virtytet dhe shëmbëlltyrën e mulla Shaqës, Hafëz Syla nga Shkoza e Malishevës, imam veteran i kësaj ane si dhe bashkëkohanik i Hoxhës, tha: “Ne e kemi pasur shumë të vështirë ta predikonim Islamin në kohën e sistemit monist, sepse atëherë feja ka qenë e kufizuar vetëm në xhami, bile edhe aty censurohej. Megjithëkëtë, mulla Shaqa ishte një imam vital e me virtyte të larta, mendjemprehtë e i kalitur në sfida të vështira të jetës”.
Në varrimin e mulla Shaqës morën pjesë xhematlinj, miq, shokë, hoxhallarë nga KBI të Malishevës, Rahovecit, Klinës, Deçanit, etj. Në faljen e namazit të xhenazes, xhematit i priu mulla Hysen Bellanica, shok i shkollës dhe i punës i mulla Shaqës.