Nikollë Mazreku
Dom Nikollë Mazreku (Zhupë, Mazrek 28 dhjetor 1912 - Shkodër, 2 maj 1996) ka qenë prift katolik, shkrimtar dhe polemist shqiptar me pseudonimin Nik Barcolla.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Zhupë të Mazrrekut, kur Shkodra ishte nën rrethimin serbo-malazez. Mësimin fillor e mori në Kolegjin Saverian, ndërsa të mesmin në Seminarin Papnor më 1924. Më 1932 dërgohet në kolegjin e Propaganda Fides në Romë për studimet e mëtejshme për teologji. Më 10 fruer 1936 u shugurua meshtar prej Kardinalit F. Biondi dhe pas një viti pasi mori bakalaureatin për drejtësi kanonike u kthye në vendlindje ku nis të shërbejë në kurjen e ipeshkvnore të Sapës si kancelar.
Më 1939 caktohet sekretar i delegacionit Apostolik në Shkodër. Në vitin 1940 caktohet zv. famullitar në Tiranë, ku zhvillon një veprimtari të gjallë, në kishën e famullisë e në institutin Jezuit. Si fillestar organizon nji rreth "Veprimi Katolik", me të rinj. Në Tiranë boton broshura për mbrojtjen e të drejtave të kombit, si reagim, kunder okupacionit italian. Si kundervenie, ne prill 1942 transformohet ne dioqezin e Sapës, famullitar në Kryezi- Pukë. Me ardhjen në fuqi të komunizimit, arrestohet me 11 maj 1946 dhe u dënua me 5 vjet burg, që i kreu në Shkodër. Pas lirimit, u internua në Tepelenë e Lushnjë. Në vitin 1955 u lirua nga internimi dhe u emërua në Pulaj të Arkidioqezës së Shkodrës. Po atë vit kaloi në dioqezën e tij në Dardhë e, më pas, në Laç të Vaut të Dejës. Nga Laçi drejtoi punimet për ndërtimin e altarit të madh të katedrales së Shkodrës (1958). U internua sërish në Lushnjë, Çermë, Gradishtë etj. U lirua më 1965 dhe banoi tek e motra në Shkodër. U arrestua sërish në prill të 1967- s dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie.
U lirua më 1987. Pas rihapjes së kishave, ndonëse në moshë të thyer, shërbeu si famullitar në Laç të Vaut të Dejës dhe në shërbimin e Caritas-it të qytetit të Shkodrës, deri sa ndërroi jetë më 1996, pranë familjes së motrës së tij.[1]
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Me pseudonimin Nik Barcolla, Dom Nikollë Mazrreku botoi një sërë novelash e poezish në të përkohshmet “LEKA” e “Kumbona e së diellës”. Është dhe autor i broshurave “Veprimi katolik” e “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e kombit shqiptar”, si dhe i prozës “Me flamujt e Kastriotëve”[1] të cilën e shkroi në Burgun e Burrelit.[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Hoxha, Çelo; Qazimi, Azem, red. (2016). Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist L-M (PDF). Vëll. V. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 251–252. ISBN 978-9928-168-01-6.
- ^ Simoni, Ipeshkëv Zef (2006). Letërsia shqipe e pame ndryshe. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 169. ISBN 9994386336.