Njëqind vjet vetmi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Historia e librit më të famshëm të Gabriel García Márquez-it fillon në mars të 1952 gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca, fshati i tij i lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike.

Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, fillimisht menduar me titullin “Shtëpia”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm. Duke u martuar Josè Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci. Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me hidhërimet e tyre, ndryshimet e gjeneratave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund, ku tërë fshati shkatërrohet nga një ciklon tropikal.

Mesazhet e autorit në “Njëqind vjet vetmi” janë të shumta. Marquez na thotë psh. që vetmia e ndjek njeriun hap pas hapi; një njeri që lufton për mos arritur pastaj në asgjë, për t’u gjetur sërisht në pikënisje. Koha përsëritet, faktet gjithashtu, duke dhënë jetë akteret e degjeneruara të personazheve pengojnë çdo përmirësim.

Shpesh herë personazhet e romanit kanë të njëjtat emra dhe është e lehtë për lexuesin të gabohet. Do bënte mirë të pajisej me letër e stilolaps për të shënuar tërë emrat e familjes Buendia. Nuk është një libër i thjeshtë dhe kërkon vëmendje në lexim. Por edhe pse i vështirë, jam e bindur që Macondo, ky vend jashtë botës, mes reales dhe fantazisë, mes së vërtetës dhe legjendës, mes misterit dhe ezoterizmit, magjeps çdo lexues me atmosferën e tij magjike.

Në shumë intervista García Márquez ka thënë se është e vështirë që në romanet e tij të mos gjesh gjë që nuk ka lidhje me realitetin. Pra realizmi i tij është magjik sepse real. Edhe pse nuk e ka shpikur Marquez-i atë.

Në fakt është e çuditshme si fjalët “realizëm magjik” në letërsi drejtojnë lexuesin drejt Amerikës Latine në përgjithësi e drejt Marquez-it në veçanti. Gabimisht do thoja, sepse realizmin magjik me siguri nuk e kanë shpikur latino-amerikanët. Ka ekzistuar gjithmonë në letërsi, dhe pa këtë dimension ireal ajo do të ishte e paimagjinueshme. Mjafton ti hedhim një sy tragjedive greke, Dante Alighieri-t, Cervantes për të zhgënjyer naivitetin e atyre që besojnë se realizmi magjik i përket në mënyre specifike Amerikës Latine dhe shekullit të XX. Ama Gabriel Garcia Marquez me realizmin magjik të “Njëqind vjet vetmi” pa pikë diskutimi bëhet pararendësi i kësaj rryme në letërsinë latino amerikane dhe atë botërore të ‘900. Jo për gjë autori fitoi çmimin Nobel për letërsinë në 1982.

Përkthimet në shqip[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

"Njëqind vjet vetmi" Robert Shvarc

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

https://exlibris.al/perse-duhej-perkthyer-perseri-ne-shqip-romani-njeqind-vjet-vetmi-2/