Përdoruesi:Brikena Duraku/Arkitektura

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Arkitektura e Kukësit

Kukësi është cilësuar si ndërthurja e 3 qyteteve: atij nënujor, nëntokësor dhe qyteti ekzistues. Arkitektura e këtij qyteti ka pësuar ndryshime të mëdha me zhvillimin e historisë.

Kukësi nënujor[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kukësi i Vjetër është mbuluar nga uji i liqenit te Fierzës dhe rrënojat e tij gjenden nën ujë. Disa karakteristika arkitekturore vërehen tek:

Banesat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbizotëronin banesat tip kulle. Në këto kulla janë zhvilluar kuvende dhe janë pritur patriotët dhe ushtarët nga Kosova.[1]

  • Materialet e ndërtimit - Si material ndërtimi përdorej guri, çerpiçi dhe tullat. Banesat mbuloheshin me dërrasa të holla bredhi (furde) ose tjegulla. Shumica e banesave kishin oborre që rrethoheshin me mur guri ose anje që dalin nga prerja e dërrasave. Dyert e jashtme ishin dy kanatëshe mbrapa të cilave ishte vendosur zilja e dhive prej bronzi. Dyshemetë dhe tavanet ishin të shtruara me dërrasa, dyert dhe dritaret ishin të punuara me dru.
  • Struktura e brendshme e banesave - Shtëpitë e banimit ishin njëkatëshe me bodrume. Në një banesë tipike gjendej bodrumi që kishte tre të ndara: dy ambiente shërbenin si çeranik, një e ndarë e madhe shërbente si dhoma e gatimit dhe e ndenjes që ishte e pajisur me oxhak që shërbente edhe per gatim edhe për ngrohje. Në katin përdhe ishin veranda, koridori, dhoma e ndjenjes dhe dhoma e fjetjes. Shtëpitë kishin edhe një derë të vogël (kapeçik) për të komunikuar me komshinjtë.
  • Mobilimi - Mobilimi i shtëpive bëhej me mindera (stola të gjatë dërrase të mbuluar me shtresa leshi ose pambuku) që vendoseshin në tre anët e dhomës së ndenjes. Korridoret shtroheshin me rrugica, dhomat me qilima dhe dritaret zbukuroheshin me perde prej bezeje të punuara e të qëndisura me dorë. Pas viteve 50 mobilimi i shtëpive pësoi një modernizim. Të gjitha banesat filluan të mobilohen njëlloj: një bufe, dy divana e një tavolinë mesi.
Ura e Vjeter e Vezirit

Urat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kohën e Perandorisë Osmane u ndërtuan disa ura. Urat ishin të gurta dhe me shumë harqe. Ndër më të rëndësishmet kanë qenë “Ura e Vezirit” mbi Drinin e bashkuar, “Ura e Ndërmjetme” mbi Drinin e Bardhë, “Ura e Lumës” mbi lumin Luma. [2]

  • Ura e Vezirit u ndërtua në fillim të shek.XVII nga Hydarerdi Pasha. Ajo ishte një ndër urat më të mëdha të ndërtuara në Ballkan gjatë Perandorisë Osmane. Është e ndërtuar nga 5 harqe me madhësi të ndryshme. Tre harqet e mesit janë më të mëdhenjtë e më të gjerët, ndërsa dy harqet e fundit janë ndërtuar në brigje deri në shpatin e malit. Harku i mesit kishte një lartësi prej 20m. Këmbët e urës ishin të vendosuara në shkëmbinj të fortë gabrorë. Në këmbët mbështetëse qëndronin 13 dritare me harqe në formë lundre. Kjo urë ndodhet në rrugën Shkodër-Prizren. [3]
  • Ura e Ndërmjetme ndodhet midis urës së Vezirit dhe urës së Djallit (Lumës). U ndërtua në shek.XVII nga bushatllinjtë. [4]
  • Ura e Lumës është ndërtuar nga Sinan Pashë Topojani, ndryshe njihet si ura e Djallit (turqisht shejtan kuprisi). Ura mbi Lumë është e lartë dhe ka dy harqe. [5]

Kukësi nëntokësor[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kohën e regjimit komunist për mbrojtjen kombëtare gjatë luftërave të shumta u ndërtuan tunele nëntokësorë të cilët ndërthuren si një labirint që shtrihet përgjatë gjithë sipërfaqes së qytetit të Kukësit. Po ashtu u ndërtuan edhe bunkerë në mënyrë që ata të mund të garantonin mbrojtjen e ushtarëve. [1]

Turizmi i Ri ne vjeshte

Kukësi i Ri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Kukësi ndahet ne tri krahina etnografike: Luma, Gora dhe Malëziu.
    Obelisku i Eksodit te Kosovareve

Në Lumë dhe Gorë mbizotëronte banesa e tipit kullë me shkallë brenda. Në Malëzi mbizotëronte banesa njëkatëshe prej druri me ose pa çardak. Ka qenë e përhapur banesa me divanhane apo ballkon e shkallë jashtë. Lëndët kryesore të ndërtimit janë: guri, tulla e papjekur, druri, gëlqerja, rëra dhe balta e zakonshme. Për shtroje përdorej argjila, rrasat e gurit, kashta (Gorë, Cajë, Bushtricë), tjegulla (Lumë) furda (Malëzi, Lumë). Kati i parë përdorej për strehimin e bagëtive dhe depo, ndërsa i dyti për familjen.

Oda (dhoma) e miqve, tradicionale në Lumë dhe Malëzi, ishte vendi ku priteshin miqtë. Vendin qëndror e zinte oxhaku dhe anash tij vendi shtrohej me qilima, cerga, sixhade, jastekë e postiqe. Pjesë e odës ishte takëmi i kafesë që vendosej mbi derë ose në anë të oxhakut. Në shumë raste takëmi dhe tavanet kishin zbukurime me vlerë artistike.[6]

  • Pas përmbytjes u ndërtua qyteti i ri i Kukësit. Gjatë ndërtimit të qytetit, ai u pasurua me elemente te reja arkitekturore.
Pallati i Kultures Kukes
  • Pallati i Kulturës "Hasan Prishtina" u përurua më 21 Maj 1988.[7]
  • Obelisku ose siç njihet ndryshe si kulla e përkujtimit të dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga Kosova në vitin 1999. Është i vendosur rrëzë një kodre buzë liqenit të Kukësit, shumë afër me Hotel Amerika. Kulla e Eksodit në Kukës, është e ndërtuar aty ku popullata kosovare ishte strehuar në çadra masive, është e gjatë 23.5 metra.[8]
  • Sapo hyn në Kukës bie në sy ndërtesa e ish–Turizmit (Turizmi i Ri), një ndërtesë gjashtëkatëshe e vendosur sipër urës së Drinit të zi që lidh Kukësin me pjesën tjetër të Shqipërisë. Kjo ndërtesë konsiderohej moderne për kohën duke u bazuar në mënyrën e arredimit dhe pranisë së ashensorëve. Edhe pse një ndërtesë jofunksionale, dikur ka shërbyer si pika kryesore e turizmit në qytetin e Kukësit.

Referencat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Kukësi i vjeter", Elmaz Dokle, Kukes, SIPRINT,2013 fq.39-40
  2. ^ "Kukesi i vjeter ",Elmaz Dokle ,Kukes,SIPRINT ,2013 fq.60
  3. ^ "Kukesi i vjeter ",Elmaz Dokle ,Kukes,SIPRINT ,2013 fq.61-62
  4. ^ "Kukesi i vjeter ",Elmaz Dokle ,Kukes,SIPRINT ,2013 fq.63
  5. ^ "Kukesi i vjeter ",Elmaz Dokle ,Kukes,SIPRINT ,2013 fq.64
  6. ^ "Vendlindja ime, Kukësi" Nazif Dokle, ERIK,fq.47-48
  7. ^ "Kronike e Kukesit te viteve te pushtimit popullor" Nazif Dokle, GEER,fq.181
  8. ^ http://gazetadielli.com/vizite-ne-kukes-qytetin-legjende-kandidat-per-cmimin-nobel/

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]