Jump to content

Krimet e regjimit komunist në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri u krijua një sistem sundues diktatorial i cili u mundua të siguronte mbijetesën e tij nëpërmjet metodave të ndryshme frikësuese dhe sanksionuese të njerëzve. Shumë persona janë hetuar, akuzuar, dënuar, persekutuar dhe ekzekutuar në emër të popullit për shkak të kundërshtimit të regjimit.

Nga statistikat mbi numrin e dënimeve rezulton që:

  • janë pushkatuar 5.577 burra dhe 450 gra,
  • janë burgosur për arsye politike 10.133 burra dhe 7.367 gra (nga të cilët 1.065 kanë vdekur gjithsej),
  • kanë humbur aftësinë mendore nga torturat 408 njerëz,
  • janë internuar për motive politike 20.000 familje, nga të cilët kanë vdekur 7.022 persona në zonat e internimit.

Dënimet gjatë regjimit komunist

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burgosja dhe eleminimi fizik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Pamje nga burgu i Spaçit.

Eliminimet fizike, burgosjet, likuidimi i klasave dhe grupeve kundërshtare të komunistëve, u paralajmëruan që pa mbaruar Lufta.[1]

Në vitet 1944 – 1947, tetë burgje ekzistuese në Shqipëri iu  rezervuan të burgosurve politikë të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”, shtatë të burgosurve normal të përcaktuar si “ordinerë” dhe tre burgje ishin të përziera. Me kalimin e viteve regjimi hapi burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë dhe burgjet e destinuara për të burgosurit ordinerë.[2]

Zakonisht në burgje dërgoheshin për të vuajtur dënimin personat e dënuar, të cilët, për shkak të gjendjes së tyre fizike, nuk kanë pasur mundësi të kryenin ndonjë punë në kampet e punës (repartet e riedukimit), si dhe ata të cilët gjatë kohës së mbajtjes së dënimit në kampet e punës kanë shkelur rëndë dhe në mënyrë sistematike rregullat e brendshme, ose në ndonjë mënyrë tjetër mbajtja e tyre në kampet e punës ose repartet e riedukimit ka paraqitur rrezikshmëri. Po ashtu burgjet dalloheshin nga kampet e punës edhe për nga regjimi i mbajtjes së dënimit. Në burgje regjimi i mbajtjes së dënimit ishte më i rëndë në krahasim me kampet e punës ose repartet e riedukimit nëpërmjet punës. Të dënuarit gjatë mbajtjes së dënimit në burgje kishin të drejta më të kufizuara sesa në kampet e punës.[3]

Çdo 3 ditë, një qytetari do t'i bëhej gjyq politik ose ekzekutohej me ose pa vendim gjykate dhe eshtrat e tyre nuk dihen ende se ku janë.

Vetëm në qytetin e Shkodrës janë 400 familje të cilat nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatuarve dhe qindra të tjerë në Shqipëri presin një varr për t'u prehur. Çdo 2 muaj, i burgosuri politik pësonte gjymtime mendore e politike për shkak të keqtrajtimit në hetuesi dhe çdo 2 javë, një i burgosur politik vdiste në burg. Çdo 2 javë, burgosej një qytetar. Çdo 2 muaj, internoheshin 3 persona.

Ndër burgjet e destinuara për “armiqtë e popullit” më famëkeqi ishte ai i Burrelit, konsiderohej si një super burg nga i cili ishte e pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore. [2]

Të shumta janë dëshmitë që tregojnë për të burgosur politikë që vdiqën në burgje apo në kampet e punës, kryesisht prej torturave apo shkaqeve të tjera, si vetëvrasja. Edhe në këto raste, trupi i viktimës nuk i kthehej familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit përgjatë dënimit, madje edhe pas vdekjes. [4]

Procesi gjoja gjyqësor ndaj të dyshuarve për krime apo agjitacion dhe propagandë shoqërohej nga tortura të shumta, dhunë për të detyruar pranimin e akuzave të sajuara apo spiunimin e të pandehurve të tjerë mbi dëshmi të rreme. Gjatë procesit të stisur gjyqësor, diskutimi zgjatej pa fund rreth një argumenti dhe në fund i akuzuari që gjithnjë mbetej fajtor. Në rastin e gjyqeve të figurave të larta të regjimit, i akuzuari gjithashtu përjashtohej nga partia, arrestohej dhe përfundonte përballë skuadrës së pushkatimit. Përfundimisht, protagonisti kryesor i diktaturës komuniste, i hakmarrjes primitive e personale, arkitekti i strukturave dhe normave antinjerëzore, ideatori i luftës së klasave, për deformimin e njeriut, për varfërinë mesjetare, ishte Enver Hoxha. [5]

Burgu i Gjirokastrës.

Nga rrëfimet dhe dëshmitë e ish-personave të dënuar si dhe të dhënat e tjera të kësaj periudhe kohore mësojmë se ndaj të dënuarve në burgjet dhe kampet e punës është përdorur edhe tortura. Si mjete dhe forma të torturave që përdoreshin në burgjet dhe kampet e punës gjatë sistemit komunist në Shqipëri ishin ndër të tjera: jeleku i torturës (torturë e tmerrshme), dëmtimi i organeve gjenitale, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë për ditë të tëra, elektroshoku, futja kripë në gojë me mbushje të plotë të gojës, dërgimi gjoja për pushkatim, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë, djegia e mishit me cigare, hedhja e alkoolit në duar apo në flokë dhe ndezja e flakës, thyerja e kockave dhe shkulja e mishit me darë, futja në ujë dhe lënia të lagur në dimër, përdorimi i zgjonjve me bletë ndaj të burgosurve të zhveshur etj.[3]

Me sloganin “Toka i takon atij që e punon”, qeveria e parë komuniste shqiptare në periudhën 1945-1946, ndërmori nëpërmjet disa fazave një reformë agrare radikale për shpronësimin e pronarëve të mëdhenj e të mesëm të tokave, përfshirë këtu dhe tokat në pronësi shtetërore, të kapitalit të huaj apo ato në pronësi të institucioneve fetare, dhe shpërndarjen e tyre në favor të fshatarëve. Në vitin 1976 me miratimin e Kushtetutës së re, u sanksionua eliminimi i pronësisë private mbi tokën dhe transformimin e saj në pronë shtetërore.[6]

Menjëherë u intestifikua konfiskimi i paligjshëm i pasurive të luajtshme e të paluajtshme të ish-ballistëve, legalistëve, indipendentëve, i të burgosurve e të arratisurve politikë dhe i gjithë atyre pronarëve e qytetarëve, që u quajtën “armiq e tradhëtarë‟. U vendos tatimi i jashtëzakonshëm ndaj tregëtarëve, të cilët burgoseshin e torturoheshin nëse nuk e shlyenin dot,si dhe nisi shpronësimi i borgjezisë dhe pronarëve vendas, shtetëzimi i pasurive e ndërrmarrjevetë tyre private, pa asnjë formë shpërblimi. Nga viti 1951, tatimi i jashtëzakonshëm u aplikua edhe kundër kulakëve.[7]

Shumica prej ish-pronarëve u keqtrajtuan duke iu nënshtruar përbuzjes nga ana e shoqërisë, dhunës, dëbimeve, internimeve dhe spastrimeve. Lufta kundër tyre synonte uljen e influencës së kulakëve dhe realizimin e izolimit politik të tyre. Edhe shtypi i kohës iu kundërvu kësaj klase për të nxitur përkrahësit e regjimit ku Zëri i Popullit shkruante:[7]

Kulakët, nga pozita e tyre si klasë, janë armiq të betuar të fshatarësisë punonjëse dhe të pushtetit tonë popullor. A mund ta ndërrojë kulaku lëkurën dhe shpirtin e tyre? Jo kurrë, ai është armik i betuar i klasës punëtore, i Republikës sonë Popullore, i demokracisë sonë.

Në vitin 1979, në Shqipëri nuk kishte asnjë fermë individuale private. [6]

Pas vendimeve të marra në dhjetor 1944, një sërë urdhëresash detyruan një kategori të caktuar njerëzish: pronarë tokash, tregtarë, ish-politikanë të largohen nga qytetet kryesore të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër etj., dhe të jetonin në zona të tjera të vendit. Këtyre individëve u hiqej e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, të cilat u konfiskuan dhe e përdorën për të strehuar zyrtarë të regjimit të ri. [8]Të internuarit dërgoheshin sa më larg banimit të tyre: jugorët në veri dhe veriorët në jug.[9]

Që prej vitit 1945, filloi të përdorej internimi si një masë ndëshkimore ndaj kundërshtarëve politikë. Të dhënat më të hershme që kemi për zbatimin e kësaj mase i takojnë shkurtit të vitit 1945, kur Mehmet Shehu porositi të internohen personat që strehojnë të arratisurit në male, apo “kriminelët e luftës”, si dhe ata që nuk pranonin të dorëzonin armët. Një tjetër kategori që u internuan që në fillimet e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ishte ajo e familjeve të personave që ishin dënuar si “kriminelë lufte”[8]

Logo e gazetës 'Zëri i Popullit', organ qendror i shtypit dhe propagandës komuniste.
Pullë poste që komemoron gazetën Zëri i Popullit.

Që në hapat e parë të instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio.[10] Mediat ishin totalisht të varura dhe të kontrolluara nga pushteti i kohës dhe ato kontrolloheshin rreptësisht nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i komitetit qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo drejtoria e agjitacion-propagandës. Agjenda e shtypit dhe e mediave totalitare përcaktohej nga pushteti komunist në varësi dhe në shërbim të propagandës së shtetit.[11]

Festival i 11 i Këngës në RTSH.

Shtëpitë botuese ekzistuese u mbyllën të gjitha, gazetat dhe revistat gjithashtu. Revistat që kishin bërë emër gjatë dekadave paraardhëse, si si “Hylli i Dritës”, apo “Përpjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. U krijua Lidhja e Shkrimtarëve, pranë së cilës, një komision letrar militant, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorë shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani etj.[10]

Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste (më vonë Partia e Punës). Shtypi ndahej sipas vendodhjes gjeografike të gazetave në shtypin qëndror dhe shtypin lokal. Shtypi qëndror përfshinte organin zyrtar të shqytpit të Partisë, Zëri i Popullit, si edhe gazetat e tjera: Bashkimi, Zëri i Rinisë, Puna, Mësuesi, Drita, Luftëtari dhe Sporti Popullor. Shtypi lokal përfshinte rreth 27 gazeta. Zëri i Popullit, si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.[11]

Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të reptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët ishin shpeshherë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim një pjesë të madhe të trupës artistike.

Zhdukja e trupave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si çdo diktaturë, edhe ajo shqiptare ishte e vetëdijshme se nëse ekzekutimet politike do të ishin të rralla, njerëzit e përndjekur do të përbënin rrezik të përhershëm për atë regjim, nëpërmjet shprehjes së mendimeve të tyre kritike mbi regjimin komunist dhe mungesën e lirisë dhe jetës normale të njerëzve. Po ashtu, nëse trupat e njerëzve të pushkatuar për arsye politike do të varroseshin në mënyrë normale, ata do të mund të shndërroheshin në simbole konkrete dhe frymëzuese të zhgënjimit dhe urrejtjes ndaj regjimit komunist. Zhdukja e trupave të të përndjekurve politikë të ekzekutuar krijonte një trysni të fortë psikologjike mbi të afërmit e viktimave dhe shoqërinë në tërësi, se krimet e tyre kishin qenë aq të rënda sa u mohohej edhe varri dhe nderimi pas vdekjes, që bënin pjesë në traditat njerëzore të zakonshme të të gjitha kohëve dhe të të gjithë popujve.[12]

Sistemi i vuajtjes së dënimit gjatë regjimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Statistika të burgosjeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Represioni ligjor i të ashtuquajturve 'armiq të regjimit', nisi menjëherë pas çlirimit të vendit. Në ligjin e datës 15.12.1944 mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit popullor, parashikoheshin dënimet për veprime kundër regjimit, të cilat varionin nga 30 vjet burg, në dënim të përjetshëm apo dhe me vdekje. Përveç arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve, u bë edhe sekuestrimi i pasurisë së të gjithë personave që shpalleshin kriminel lufte. Në vitin 1945, numri i personave të kësaj kategorie ishte 2048 persona.

Gjatë viteve të para të instalimit të regjimit komunist, si rezultat i politikës së goditjes masive numri i të dënuarve u rrit me shpejtësi dhe përmasa të papara. Kështu më 1 janar 1950, Shqipëria kishte 7168 të dënuar me heqje lirie dhe 2000 të internuar që arrinin gjithsej në 9168, pra 753 të dënuar për 100 mijë banorë.[1]

Sipas të dhënave të vitit 1951, sistemi i burgjeve ishte i mbushur përtej kapaciteteve, me persona të dënuar për krime ordinere ose politke.[1]

Burgjet Kapaciteti Gjendja Mbikapacitetet
Tirana 478 1775 1337
Elbasani 281 540 259
Korça 312 840 528
Vlora 313 674 523
Shkodra 521 1129 618
Durrësi 325 405 80
Berati 216 487 273
Gjirokastra 351 735 384
Burreli 228 581 353
Shuma 3005 7168 4163

Kampet e punës së detyruar

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Rrënoja të mbetura nga Kampi i Tepelenës.

Përveç burgjeve regjimi filloi dhe ndërtimin e kampeve të punës, si vende 'edukimi dhe rehabilitimi', ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si bonifikim tokësh, ndërtime publike, nxjerrje mineralesh apo punë në bujqësi. Kampet e punës ndërtoheshin posaçërisht pranë vendit ku të burgosurit duhet të punonin. Pothuajse të gjithë të burgosurit që ishin në gjendje të punonin, dërgoheshin në këto kampe dhe me kalimin e viteve numri i kampeve të punës tejkaloi atë të burgjeve. Punimet publike më të mëdha në Shqipëri, gjatë viteve të komunizmit, janë realizuar nëpërmjet punës së detyruar të të burgosurve. [2]

Menjëherë pas ardhjes në pushtet, në vitet 1945-1953, komunistët konsoliduan pushtetin duke vrarë dhe persektuar të gjithë kundërshtarët e tyre politike. Në këtë periudhë regjimi ngriti 6 kampe përqëndrimi të rrethuar me tela për të internuar “familjet armike” të kundërshtarëve politikë, kryesisht gratë, pleqtë dhe fëmijët e atyre që ishin arratisur, dënuar ose ekzekutuar. Për rreth 8 vite u mbajtën hapur kampe të rrethuar me tela në Krujë (1945-1947), Berat (1945-1949), Porto Palermo (1949-1950), Tepelenë (1949-1953), Kamëz (1948-1953) dhe Valias (1948-1953).[9]

Ngritja e kampeve të punës së detyruar me të dënuar dhe paraburgosur si dhe ngritja e kampeve të internimit, kishte qëllim të shumëfishtë, përdorimin e punës së detyruar, pa pagesë në degët më të vështira të ekonomisë, eliminimin e klasave kundërshtare, parandalimin e rrëzimit të pushtetit dhe ndikimin në gjithë popullatën.[1]

Pas vitit 1954, regjimi i internoi të dënuarit politikë në qindra kampe të hapura kryesisht në fshatra dhe zona të thella malore. Të internuarit paraqiteshin 3 herë për apel dhe u ndalohej largimi nga vendi i internimit.[9]

Në periudhën e viteve 1950-1990 u ndërtuan edhe 90 kampe të tjerë: ato mbeten të hapur për kohën e nevojshme që duhej për të përfunduar punën e besuar të burgosurve. Më i madhi dhe më famëkeqi ishte ai i Spaçit, i cili mbeti i hapur nga viti 1968 deri në vitin 1990 për shfrytëzimin e një miniere bakri dhe piriti. [2]

Kampi i Tepelenës

Burgu i Spaçit

  1. ^ a b c d Sulaj, Femi; Sota, Marinela (17 maj 2019). "Jeta në kampet e punës së detyruar, nga vështrimi i raporteve zyrtare" (PDF). AIDSSH. Arkivuar nga origjinali më 9 gusht 2022. Marrë më 14 shtator 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  2. ^ a b c d "Burgjet dhe kampet e punës | Bunk'art". bunkart.al. Arkivuar nga origjinali më 14 shtator 2022. Marrë më 2022-09-14.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  3. ^ a b Gashi, Rexhep. "Llojet e burgjeve dhe kampeve të punës dhe pozita e personave të dënuar në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës komuniste" (PDF). Arkivuar nga origjinali më 14 shtator 2022. Marrë më 14 shtator 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  4. ^ Bogdani, Mirela. "Personat e Zhdukur gjatë Regjimit Komunist në Shqipëri: Standardet Ndërkombëtare dhe Konteksti Kombëtar" (PDF). OSCE. Arkivuar nga origjinali më 27 maj 2022. Marrë më 1 nëntor 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  5. ^ "Fjalët e fundit të Kadri Hazbiut para pushkatimit". 2024-03-04. Arkivuar nga origjinali më 2024-03-04. Marrë më 2024-03-04.
  6. ^ a b "100 vjet: Ekonomia shqiptare gjatë regjimit komunist (1945-1990)". Revista Monitor. 2012-11-28. Arkivuar nga origjinali më 21 tetor 2022. Marrë më 2022-10-21.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  7. ^ a b Pendavinji, Najada (2018-01-01). "Sistemi i Përndjekjeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist 1945-1968". THE SYSTEM OF PERSECUTION IN ALBANIA DURING THE COMMUNIST REGIME 1945-1968. Arkivuar nga origjinali më 23 tetor 2022. Marrë më 21 tetor 2022.{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  8. ^ a b Meta, Beqir. "Vështrim analitik mbi sistemin e burgjeve, internimeve dhe përdorimin e punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri" (PDF). AIDSSH. Arkivuar nga origjinali më 14 shtator 2022. Marrë më 14 shtator 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  9. ^ a b c "Shqipëria burg: harta e burgjeve dhe kampeve të internimit në diktaturën e Enver Hoxhës". Exit | Shpjegon Shqipërinë. 2020-02-26. Arkivuar nga origjinali më 14 shtator 2022. Marrë më 2022-09-14.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  10. ^ a b "Censura dhe shkrimtarët shqiptarë në diktaturë | Arteka.al". arteka. Arkivuar nga origjinali më 15 shtator 2022. Marrë më 2022-09-15.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  11. ^ a b Paja, Sokol. "Shtypi komunist si një element i rëndësishëm në propagandën ateiste në regjimin totalitar shqiptar 1960-1970" (PDF). Arkivuar nga origjinali më 15 shtator 2022. Marrë më 15 shtator 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  12. ^ Starova, Teuta. "Një analizë sociologjike mbi përndjekjen politike dhe zhdukjen e njerëzve nga regjimi komunist" (PDF). OSCE. Arkivuar nga origjinali më 27 maj 2022. Marrë më 1 nëntor 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)