Jump to content

Paga minimale

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Pagpagesa bazë)
Protestuesit kërkojnë një rritje të pagës minimale, si pjesë e përpjekjes "Luftoni për 15 dollarë" për të kërkuar një pagë minimale 15 dollarë në orë në vitin 2015.

Paga minimale është paga më e ulët për orë, ditore apo mujore që punëdhënësit duhet t'iu japin në kompenzim të punësuarve në saje të marrëdhënies së punës. Thënë me fjalë të tjera, paga minimale është paga më e ulët e mundshme që i jepet punëtorëve në shkëmbim të punës së tyre.[1] Norma e pagës minimale është paga më e ulët e lejuar, rëndom e rregulluar përmes ligjeve shtetërore.[2]

Qëllimi pagës minimale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ligjet mbi pagën minimale e bëjnë të jashtëligjshme punësimin e një individi me kompenzim nën nivelin e pagës minimale. Paga minimale synohet të përdoret si mjet për të rritur mirëqenien e individëve të punësuar dhe për të ulur nivelin e varfërisë dhe rrjedhimisht, për të zvogluar difererencat mes shtresave shoqërore në kuptimin e shpërndarjes së  të  ardhurave. Megjithatë, ekziston debat ndër shkollarë rreth asaj se a mund t’i adresojë këto çështje efektivisht instituti i pagës minimale. Megjithëse janë kryer shumë studime rreth efekteve të pagës minimale,  ende nuk ka pajtim të gjerë mes studiuesëve dhe ekonomistëve rreth kësaj çështjeje.

Argumentet kundër pagës minimale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa njerëz besojnë se paga minimale dëmton pikërisht personat të cilët synon t’i ndihmojë. Kundërshtarët e një norme të sanksionuar mbi pagën minimale thonë se paga minimale në mënyrë “artificiale” vendosë një nivel bazë të pagës që është mbi nivelin e asaj që do arrihej “natyrshëm” përmes tregut. Në këtë rast, në vend se paga të caktohej në prerjen e ofertës dhe kërkesës, paga pret kurbën e kërkesës në pikë më të lartë, që rezulton në numër më të vogël të të punësuarëve (duhet theksuar se në punësim oferta përbëhet nga punëtorët që janë të gatshëm të punojnë, ndërsa kërkesa përbëhet nga bizneset dhe punëdhënësit e tjerë që kanë nevojë për punëtorë). Përveç kësaj, punëdhënësi i cili duhet të paguajë paga më të larta, ka në interest të tij që të ndryshojë procesin e prodhimt në një proces që kërkon më pak punëtorë, ose të zhvendosë operimet tërësisht në një shtet ku fuqia punëtore ëshë më e lirë.[3]

Një argument tjetër kundër pagës minimale është së ajo nuk targeton shtresën e popullësisë që do të duhej të përkrahte. Për shembull, adoleshentët paraqesin një nga grupet që kompenzohen në nivelin e pagës minimale ose vlerë rreth saj. Kushtimisht dhe rëndom, këta nuk varen nga paga për mbijetesë, duke konsideruar se zakonisht vazhdojnë të jetojnë ose të kenë mbështetje nga prindërit e tyre. Paga minimale gjithashtu është më e përhapur në punët me gjysmë orari. Prej kësaj pikëpamjeje, përfituesit e pagës minimale jo domosdoshmërisht janë personat që kanë nevojë për të.

Paga paguhet nga punëdhënësi. Paga minimale, në një formë, zhvendosë përgjegjësinë e ofrimit të mirëqenies nga shteti në duart e bizneseve. Duke rikujtuar problemet e targetimit të pagës minimale, mënyrë më e mirë për të rritur mirëqenien e nje shoqërie do të ishin programet e sociale. Natyrisht, këto do të ishin më të shtrenjta për xhepin e qytetarit dhe do të rezultonin në ngirtje të taksave. Jo rastësisht premtimi për një pagë minimale mund të përdoret edhe si mjet politik.

Argumente për pagën minimale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa njerëz e shohin pagën minimale si mjet të nevojshëm për të mbrojtur punëtorët nga eksploatimi. Mbështetësit e pagës minimale besojnë se tregu i punës nuk është plotësisht konkurrues. Thënë ndryshe, ata besojnë se punëdhënsëi nuk e ka pagën të përcaktuar nga forcat e tregut, por që ushtron fuqi mbi caktimin e pagës. Në këtë rast rritet probabiliteti që mund te ekzistoj ekploatimi i punëtorëve.

Si ilustrim, të paramendojmë një biznes që është punëdhënësi i vetëm në një rajon apo për një pjesë të fuqisë punëtore. Ky biznes ka monopol mbi punësimin, ose thënë ndryshe është blerës i monopolizuar i shërbimeve të punëtorëve, pra ka monopson. Si i tillë, një monopson ballafaqohet me një kurbë të përpjetë të ofertës, ndryshe nga një punësues në treg kompetitiv që ka një pagë fikse, të përcaktuar nga tregu. Kështu, një monopson duhet të ofrojë pagë më të lartë për të punësuar punëtorin e ardhshëm. Përveç kësaj, nëse supozojmë se monopsoni nuk diskriminon, atëherë duhet të rritet paga edhe për punëtorët që tashmë janë të punësuar në kompani. Në këtë mënyrë, përveç kurbës së ofertës, ekziston edhe një kurbë që përshkruan koston margjinale të  punësuarit. Kjo kurbë qëndron mbi kurbën e ofertës ngase kostoja e një punëtori më shumë nuk është vetëm paga e ngritur për punëtorin e ri, por edhe kostoja e rritjes së pagave të të punusuarëve paraprak. Për të maksimizuar fitimin, ky biznes to të punësojë deri në pikën ku kurba e kostos margjinale të të punësuarit pritet me kurbën e kërkesës. Kjo pikë do të caktojë nivelin e punësimit, por jo pagën. Paga vendoset në atë pikë ku niveli i punësimit pret kurbën e ofertës. Paraqitur në grafikon, kjo do të thotë se një monopson tenton të punësojë më pak dhe të paguajë një pagë më të vogël se nje biznes qe operon ne treg kompetitiv.

Mbështetësit e pagës minimale besojnë se kushtet e një monopsoni është rregulli, ndërsa tregu kompetitv është përjashtim nga ky rregull. Nësë është kështu, atëhere vendosja e një page minimale mbi pagën që paguan monopsoni do të kishte efekt pozitiv. Përveç rritjes së pagës do të ngritej edhe niveli i punësimit. Si rrjedhojë dhe për pasojë të vendosjes së një page minimale zvogëlohet niveli i eksploatimit të punëtorëve. Ky rezultat vlen deri në pikën ku paga minimale mbërrin nivelin e pagës që do vendoste tregu konkurrues. Mbi pagën kompetitive, vendosja e një page minimale do të zvogëlonte numrin e të punësuarve.

Thënë shkurtimisht, paga minimale rrit numrin e të punësuarëve si dhe pagën në rastet kur bizneset paguajnë paga që janë më të ulta se ato të vendosura nga nje treg kompetitiv.[3]

Krahas kësaj, një pagë më e lartë shtynë bizneset që të gjejnë detyra më produktive për punëtorët e tyre, dhe si pasojë ngritë produktivitetin e biznesit. Pagat më të larta lidhen me zvogëlimin e qarkullimit të punëtorëve (me qarkullim nënkuptojmë shkallën me të cilën punëtorët lëshojnë vendin e punës). Si pasojë, punëdhënësit mund të reduktojnë kostot e lidhura me rekrutimin e punëtorëve të rinj.[4] Këto kosto përfshijnë koston për të promovuar pozitën e hapur, koston për të vlerësuar dhe intervistuar aplikantët dhe kostot e ngritjes së kapaciteteve të punëtorëve të rinj.[3]

Efeketi neto i pagës minimale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Edhe nëse pajtohemi me sygjerimin se institucionalizimi i një ligji për pagë minimale ndikon në rritjen e papunësisë, kjo nuk do të thotë se efekti i përgjitshëm është negativ. Mund të jetë që rritja e të ardhurave për ata të cilët mbesin në punë e kompenzon uljen e nivelit të papunësisë. Për të determinuar efektin e pagës minimale duhet të shikojmë këto tri efekte:

  • Efekti në personat që zhvendosen nga puna si pasojë e pagës minimale;
  • Efekti  në të ardhura për personat që mbesin në punë; dhe
  • Efekti në shpërndarje të të ardhurave.

Efekti i parë që ka si pasojë rritjen e nivelit të papunësisë është dukshëm negativ. Efekti i dytë, që është rritja e të ardhurave, sigurisht është pozitiv. Efekti i tretë është më vështirë të përshkruhet. Rritja e papunësisë rritë dallimet mes shtresave shoqërore, por rritja e të ardhurave e zvoglon atë. Prandaj ky efekt mund të jetë pozitiv apo negativ, varësisht nga situata dhe konteskti.

Paga minimale në Kosovë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aktualisht paga minimale ne Kosovë është 130 Euro në muaj për personat deri në moshën 35 vjeçare, ndërsa është 170 Euro në muaj për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare.[2]

Paga minimale në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aktualisht paga minimale në Shqipëri është 30,000 Lekë në muaj. Kjo pagë është ngritur nga 26,000 Lekë në muaj prej vitit 2019.[5][6][7][8][9][10]

Vlera reale e pagës minimale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Paga minimale bie në vlerë nëse nuk ndryshon bashkë me shkallën e inflacionit. Krahasimisht, 130 Euro sot do të vlejnë më pak vitin e ardhshëm nëse ka inflacion. Me fjalë të tjera dhe sipas këtij trendi, vlera reale në vitin e ardhshëm është më e vogël nëse ka inflacion gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye disa shtete si Belgjika dhe Luksemburgu, lidhin pagën minimale me shkallën e inflacionit. Disa shtete të tjera si Franca, Gjermani e Japonia, përditësojnë pagën minimle në baza vjetore në bazë të indikatorëve të ekonomisë së tyre.[3]

Pse Sindikatat lobojnë për rritje të pagës minimale?

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sindikatat vazhdimisht argumentojë për rritjen e pagës minimale. Megjithatë, anëtarët e sindikatave rrallëherë punojnë për paga minimale. Përkundrazi, janë punëtorët e pasindikalizuar që më së shpeshti marrin paga minimale. Përfaquësuesit e këtyre shoqatave thonë se mbrojnë interesin e përgjithshëm të fuqisë punëtore. Megjithatë, në mënyrë indirekte, rritja e pagës minimale ka ndikim pozitiv për punëtorë që janë të anëtarësuar në sidnikata. Kur punëtorët e sindikalizuar paraqesin kërkesa te punëdhënësi, punëdhënësi mundet thjeshtë t’i injorojë këto kërkesa duke e zëvendësuar punëtorin e pasindikalizuar me dikë tjetër që pranon të punojë për një pagë më të vogël. Duke rritur pagën minimale, punëtorët e sindikalizuar zvogëlojnë diferencën mes pagës së tyre dhe asaj minimale. Në këtë mënyrë, këkesa për punëtore të sindikalizuar bëhet më joelastike. Thënë thjeshtë, me një pagë minimale të rritur është më e vështirë të zëvendësosh një punëtor të sindikalizuar me një punëtorë të pasindikalizuar.

Referime dhe shënime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Encyclopædia Britannica. "Minimum wage", Encyclopædia Britannica Online,
  2. ^ a b "Niveli i pagave në Kosovë 2012 - 2018" (PDF). ask.rks-gov.net. Agjencia e Statistikave të Kosovës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 janar 2020. Marrë më 19 dhjetor 2019.
  3. ^ a b c d Hyclak, Thomas; Johnes, Geraint; Thorton (2004). Fundamentals of Labor Economics (në anglisht). Cengage Learning. ISBN 9780357442128.
  4. ^ R. McConnell, Campbell; Brue; Flynn (2011). Microeconomics, Principles, Problems and Policies (në anglisht). New York, NY: McGraw-Hill Education. ISBN 978-0072875614.
  5. ^ [1]
  6. ^ [2]
  7. ^ [3]
  8. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 15 janar 2021. Marrë më 13 janar 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  9. ^ [4]
  10. ^ "Instituti i Statistikave". Marrë më 19 dhjetor 2019.