Partia Lëvizja e Legalitetit
Kjo faqe përfshin përmbajtje partiake. (dhjetor 2024) |
Ky artikull ose seksion mund të jetë kopjuar dhe ngjitur këtu nga https://legaliteti.al/index.php/partia-test (DupDet · CopyVios), ndoshta në kundërshtim me politikat e të drejtave të autorit në Wikipedia. Ju lutem korrigjoni këtë duke e përmirësuar këtë artikull për të hequr çdo material jo të lirë me të drejtë autori dhe atribuo përmbajtjen e lirë në mënyrë korrekte, ose kandidoje artikullin për grisje. |
Ky artikull mund të ketë tepër tekst, që e bën leximin të vështirë. |
Partia Lëvizja e Legalitetit | |
---|---|
Shkurtesa | PLL |
Udhëheqësi | Shpetim Axhami |
Themeluar | 1924 |
Selia | Tiranë |
Kuvendi | 2 / 140
|
Bashkitë | 0 / 61
|
Faqja zyrtare | |
www.legaliteti.al |
Partia Lëvizja e Legalitetit (shkurt PLL) është një parti kombëtare me qendër në Tiranë e cila mbështet restaurimin e monarkisë në Shqipëri.
Ajo është besnike e kujtimit dhe e frymës së burrave të Rilindjes dhe të Pavarësisë sonë kombëtare të etur për lirinë e pavarësinë e tokës arbërore; besnike e virtyteve të fisit, trashëguese e traditave të besës, të nderit dhe të burrërisë, e mbështetur në fuqinë e shenjtë të familjes, në moralin dhe në zakonet më të shëndosha të vendit me bazë ideje dhe veprimi " Atdheu mbi të gjitha". PLL-ja është parti e njerëzve të lirë që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit. Ajo është vazhduesja e ligjshme dhe e drejtpërdrejtë e Organizatës Kombëtare "Lëvizja e Legalitetit" e krijuar në zjarrin e Luftës kundër nazi-fashistëve në nëntor të vitit 1943 si pasuese e idealeve të Triumfit të Legalitetit më 24 dhjetor 1924. Me dëbimin e pushtuesve nazi-fashistë dhe me uzurpimin me dhunë të pushtetit nga komunistët kjo parti mbijetoi dhe zhvilloi në botën e lirë aktivitetet si formacion i organizuar politik për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura sllavo-komuniste për pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera të robëruara, për rivendosjen e Monarkisë në Shqipëri dhe në favor të çështjes kombëtare në përgjithësi . E ndërgjegjshme për detyrimet që ka ndaj popullit dhe kombit shqiptar, PLL-ja siguron se si programi, ashtu dhe veprimtaria e saj, përjashtojnë përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve politike të vendit. Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka luftuar të tre diktaturat shkatërrimtare dhe më të egra të këtij shekulli për popullin shqiptar: fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe komunizmin sllavo-ndërkombëtar. Ajo e konsideron 7 prillin 1939 si fillimin e tragjedisë kombëtare dhe i të gjitha fatkeqësive të mëpastajme për popullin shqiptar, pasoja nga të cilat ende nuk jemi ndarë. Partia "Lëvizja e Legalitetit" asnjëherë nuk ka pranuar dhe vazhdimisht ka luftuar statusin politik, antikombëtar dhe antikushtetues, të krijuar në Shqipëri jo vetëm pas prillit 1939, por edhe pas 24 majit 1944. Ajo është e mendimit se me vendosjen e përsosjen e plotë të demokracisë, populli është përcaktuesi më i mirë për vendosjen e formës së regjimit, Monarki Kushtetuese apo Republike. PLL bazohet në kapacitetet njerëzore dhe intelektuale më të spikatura të vendit tonë për të ofruar një qeverisje në dobi të interesave të vendit, kombit dhe popullit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjve politik. PLL synon është të zhvillojë ndjenjën e ndërgjegjes kombëtare, qytetarisë, traditës, vëllazërimit, punës, përkushtimit dhe krenarisë së të qënurit Shqiptar dhe ka një program që siguron zhvillim, mirëqenie për të gjithë, shance të barabarta, integrim evropian, stimulim të biznesit vendas, riparim të padrejtësive, rritje të rolit të faktorit shqiptar në rajon, bashkejetesë fetare dhe pavarësi të institucioneve të saj, etj. Para së gjithash, PLL mendon se duhet rikthyer besimi i popullit në Zot, në vetvete dhe në qeverisje, duke luftuar fenomenet si korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, padrejtësitë, degjenerimin dhe amoralitetin. Koncepti i PLL është të përballë të gjitha problemet e shoqërisë dhe t’u japë një zgjidhje të drejtë, përfundimtare dhe afatgjate pa marr parasysh interesat e momentit, por duke u bazuar vetëm në parimet e drejtësisë dhe ligjshmërisë, në interesin e vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Historiku i Partisë "Lëvizja e Legalitetit"
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një skicë përmbledhëse rreth Lëvizjes së Legalitetit 1.Legaliteti si frymë politike (1920-1943)
Origjina e Lëvizjes Legaliste, (pra Partisë Lëvizja e Legalitetit) lidhet ngushtë me ngjarjet politike të viteve 1920-1924 dhe me veprimtarinë e aktet e Ahmet Zogut, në fillim si komandant ushtarak për mbrojtjen e kufijve të shtetit, më pas si Ministër i Brendshëm, e në fund si Kryeministër.
Në lidhje me emrin Legalitet, peshën kryesore në këtë kontekst e mban data 24 dhjetor 1924, kur forcat qeveritare, të kryesuara nga Ahmet Zogu, Komandant i Operacionit të Posaçëm, arrijnë të rikthejnë në pushtet, qeverinë e ligjshme të kryeministrit Iljaz Vrioni. Kjo ngjarje historike është njohur dhe quajtur si Triumf i Legalitetit.
Qeveria Vrioni ishte rrëzuar me forcën e armëve pas një rebelimi ushtarak, të organizuar nga opozita e asaj kohe, që njihej edhe me emrin “dora e kuqe”. Në historiografinë shqiptare dhe studimet e ndryshme ky grupim opozitar njihet me termin “noliste”, për shkak të njërit prej personazheve më të spikatur që merrnin pjesë në të, Peshkopit Fan Noli.
Në vështrim retrospektiv, Triumfi i Legalitetit konsiderohet si data e konsolidimit të një grupi politik me tipare të spikatura, që janë njëherazi “legaliste”, “zogiste”, por dhe “mbretërore”. Ndërkohë mund të themi se në aspektin historiko-politik, Legaliteti është një formacion me tipare e synime të theksuara kombëtare, të cilat i gjejmë të shprehura në veprat e kryera dhe programet e shpallura të kësaj force politike që me daljen në skenë në periudhën para e pas Kongresit të Lushnjes më 1920, e në vijim.
Në këtë vështrim, pjesë e historisë së Legalitetit si formacion politik mund të konsiderohet edhe Partia Popullore, e cila pati jetë në vitet 1921-1924 si edhe organizata Krahu Kombëtar, e krijuar rreth vitit 1914. Militantë të veçantë të këtyre dy formacioneve, në periudha të ndryshme historike, kanë qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të Lëvizjes Legaliste në Shqipëri.
2.Legaliteti (OKLL) si organizatë politike-luftarake (1943-1944)
Momenti i dytë kulmor në historinë e Legalitetit në Shqipëri, është Kongresi i mbajtur më 21 nëntor 1943 në Zall-Herr, pranë Tiranës. Kjo ngjarje konsiderohet si një gur themeli në historinë e formacioneve politike në Shqipëri, pasi për herë të parë kemi një Kongres që shpall krijimin e një organizate politike.
Kjo ngjarje lidhet fort me figurën e heroit të 7 prillit 1039, majorit Abaz Kupi, i cili ishte edhe organizatori kryesor i këtij evenimenti. Të dhënat historike tregojnë se në Komitetin Drejtues të Lëvizjes së Legalitetit, bënin pjesë personalitete të spikatura politike, intelektuale e kombëtare si z.z. Xhemal Naibi, Ndoc Çoba, Gaqo Goga, Rauf Fico, Pater Lekë Luli O.F.M., Osman Myderrizi, etj., etj.. Në krye të Rinisë Legaliste, ka qenë avokat Ibrahim Sokoli, i cili udhëhoqi përsëri legalistët më 1990, pas rrëzimit të regjimit komunist. Por natyrisht personaliteti kryesor në atë periudhë mund të konsiderohet Abaz Kupi, i cili ishte komandanti i formacioneve luftarake legaliste që u organizuan në të gjithë vendin. Në këto formacione merrnin pjesë ushtarakë të shkolluar në akademitë perëndimore, të cilët kishin dhënë prova të talentit të tyre në artin luftarak, gjatë betejave me repartet e ushtrisë italiane.
Qëllimi kryesor politik i Lëvizjes së Legalitetit në këtë kohë ishte rikthimi i Mbretit Zog në krye të shtetit shqiptar që asokohe ishte Monarki me regjencë. Për legalistët, kthimi i Mbretit në fron ishte “çështje nderi”, pasi largimi i tij ishte pasojë e sulmit të pabesë të një fuqie ushtarake siç ishte Italia e Musolinit. Nga ana tjetër, legalistët kishin rënë dakord në parim që, pas luftës, sipas kushtetutës, të zhvillohej referendumi për formën e regjimit.
Sa i përket çështjes kombëtare, Legaliteti kërkonte bashkimin në një shtet të të gjitha trojeve shqiptare madje Abaz Kupi e konsideronte “detyrë të çdo shqiptari që Kosovën e Çamërinë jo vetëm t’i pretendojë, por të luftojë e të shkrihet deri në pikën e fundit të gjakut derisa këto të bashkohen me Nanën Shqipni!” Në lidhje me aleancat, dihet se Legaliteti ka qenë mbështetës i politikës së fuqive përëndimore, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve.
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, legalistët u gjendën përballë alternativës së një konfrontimi ushtarak me forcat komuniste, ose mërgimit. Në këtë dilemë, sipas fjalëve të një veterani legalist “dallga e luftës ishte më e madhe sesa rezistenca e legalistëve dhe në fund të vitit 1944, sllavokomunizmi arriti të uzurpojë pushtetin!” Legalistët e mbetur në Shqipëri, pas vitit 1945, janë persekutuar në mënyrat më çnjerëzore prej regjimit komunist. Megjithatë, nëpër burgjet politike kishte njëfarë organizimi të fshehtë të zogistëve, të cilët kishin si kod të fshehtë numrin 209, i cili simbolizon deri diku fjalën Zog.
Në literaturën politike, Legaliteti në këtë periudhë njihet përgjithësisht me emrin Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit (OKLL), ndërsa në një variant tjetër thirret me emrin Legaliteti mbretëror, që nënkupton qartazi periudhën para pushtimit italian të 7 prillit 1939.
3.Legaliteti (OKLL) në mërgim (1945-1992)
Në mërgim Lëvizja Legaliste ka qenë drejtuar nga Mbreti Zog, i cili ka pasë ndërmarrë disa nisma të njohura për bashkimin e të gjithë të mërguarve, ndër të cilat veçojmë Komitetin Shqipëria e Lirë. Për këtë shkak, Levizja e Legalitetit nuk u organizua si formacion i dallueshëm politik. Pas vdekjes së Mbretit Zog më 9 prill 1961, krerët më eminentë të Legalitetit, thirrën kongresin e parë në mërgim. Përgjithësisht kongreset e OKLL-së janë zhvilluar një herë në tre vjet, dhe në dhjetëditëshin e fundit të muajit nëntor.
Kongresi i parë në mërgim 24-25 nëntor 1962 (“Sheraton Atlantic Hotel”, New York)
Kongresi i parë në mërgim dhe i dyti në radhë pas atij të Zall-Herrit, i zhvilluar në “Sheraton Atlantic Hotel” të New Yorkut, - u thirr nga Kryetari i OKLL, Abaz Kupi, në bashkëpunim me z.Nuçi Kota, kryetar i Këshillit Qendror të Përkohshëm. Në këtë periudhë, duhet pasur parasysh se Abaz Kupi, për sa kohë që ka qenë gjallë, është konsideruar si kryetar i OKLL, megjithëse organikisht OKLL-ja kishte Sekretar të Përgjithshëm, post i barazvlefshëm me atë të kryetarit të partisë. Në kongresin e parë në mërgim është miratuar programi politik, statuti dhe rregullorja e OKLL-së. Kryetar i Kongresit u zgjodh z.Reshat Agaj, ndërsa z.z.Teki Xhindi dhe Adem Hodo, respektivisht nënkryetar dhe sekretar.
Kandidat për Sekretar të Përgjithshëm ishte z.Nuçi Kota, i cili kishte zgjedhur si zëvendës z.Selim Damani. Propozimet e tyre për anëtarët e komitetit qendror morën mbështetje unanime dhe kësisoj morën mandatin për një tre-vjetësh.
Kryetar i këshillit kombëtar ishte z.Abaz Kupi, i cili njëkohësisht konsiderohej Kryetar i OKLL, formalisht, një titull që ai do ta mbante përgjithmonë, edhe pas vdekjes. Zgjedhja e tij si kryetar bëhej pa votim. Nënkryetar i Këshillit Kombëtar do të zgjidhej z.Ferid Dervishi.
Kongresi i dytë në mërgim 9-10 prill 1966 (“Sheraton Atlantic Hotel”, New York)
Duhet shënuar se ky kongres u zhvillua jashtë afatit statutor, për shkak se kishte ndërruar jetë z.Nuçi Kota, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes. Kandidat i propozuar për postin e Sekretarit të Përgjithshëm ishte vetëm z.Selim Damani, i cili kishte caktuar si zëvendës të tijin, z.Teki Xhindi. Ky propozim dhe lista me anëtarët e Komitetit Qendror, pas debatesh, vërejtjesh e sugjerimesh, u votua me 124 vota pro, 9 kundra dhe 3 abstenime. Kongresin e çeli z.Hamza Drini ndërsa më pas punimet i drejtuan zotërinjtë: Fiqret Ftera, Ferdin Toptani dhe Mexhid Dibra, përkatësisht në postet e kryetarit, n/kryetarit dhe sekretarit të kongresit.
Kryetar i Këeshillit Kombëtar u zgjodh z.Haxhi Xhilaga, ndërsa nënkryetar z.Rexhep Radomira. Kandidatë ishin edhe znj.Selma Zavalani, z.Asllan Zeneli, z.Kol Kiri dhe z.Rexhep Radomira.
Për t’u shënuar në këtë periudhë është aktivizimi i legalistëve të Belgjikës për të mbledhur financime për ngritjen e monumentit të Skënderbeut në Bruksel (Belgjikë), ku thuhet se mbi 2/3 e kërtij fondi është siguruar nga legalistët. Kryetar i komitetit organizator ishte z.Hysen Prishtina.
Kongresi i tretë në mërgim 30 nëntor-1 dhjetor 1968 (“Sheraton McAlpin Hotel” New York)
Ky kongres zgjodhi në postet kryesore, z.Selim Damani - si Sekretar i Përgjithshëm dhe z.Fuad Myftija si zëvendës i tij. Kandidat për Sekretar të Përgjithshëm ishte z.Adem Hodo, i cili u tërhoq nga gara para votimit. Ndërsa sekretar i zyrës së KQ do të caktohej z.Reshad Agaj. Kryetar i Këshillit Kombëtar u zgjodh një figurë e njohur konsensuale si z.Hamza Drini. Kryetar i kongresit ishte Dr.Fuad Myftija, nënkryetare znj.Mary Selma Vrioni-Zavalani ndërsa sekretar z.Reshad Agaj.
Abaz Kupi, nënvizojmë se ishte “Kryetar për jetë”, pra në një post honorifik dhe nuk zgjidhej, por shpallej në përfundim të procesit të zgjedhjes së strukturave drejtuese. Në fjalën përmbyllëse të Kongresit, pas votimit z.Selim Damani do të shprehej “OKLL, shokë delegatë, është e vendosur të luftojë deri në fund që të sigurojë me çdo mjet që të ketë në dorë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mëmë. Dhe jo vetëm të Kosovës, po dhe të Çamërisë!”
Kongresi i katërt në mërgim 25-26 shtator 1971 (“Sheraton McAlpin Hotel” New York)
Kongresi i katërt në mërgim u zhvillua pak kohë para afatit, për shkak të dorëheqjes së parakohshme të Sekretarit të Përgjithshëm z.Selim Damani si edhe për shkak të vdekjes së papritur të kryetarit dhe nënkryetarit të Këshillit Kombëtar z.z.Hamza Drini dhe Rexhep Radomira. Në këtë kongres janë miratuar disa ndryshime të rëndësishme në statut dhe në rregulloren e OKLL-së.
Kongresin e çeli Dr.Xhelal Mitrovica, i cili ndihmohej nga z.Ferdin Toptani. Pas votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kongresit, z.Mitrovica u konfirmua si drejtues i këtij kongresi, ndërsa ndihmësit e tij ishin z.z.Abedin Mulosmanaj dhe Nerim Kupi, si sekretarë të kongresit.
Kryetar i Këshillit Kombëtar do të zgjidhej z.Mahsar Pustina, ish oficer i Ushtrisë Kombëtare, ndërsa dy nënkryetarët ishin z.z.Safet Malushi dhe Fahri Barolli. Në postin vakant të Sekretarit të Përgjithshëm u zgjodh z.Fuad Myftija ndërsa zëvendës të tij ishin zz.Ferdin Toptani dhe Arif Fazo.
Për t’u shënuar si ngarje e rëndësishme në mandatin e këtij kongresi, është nisma e Mbretit Leka I, për të arritur një marrëveshje mes forcave politike, e cila u mishërua në Marrëveshjen e Madridit (2-3 korrik 1972). Si vazhdim i kësaj erdhi edhe themelimi i “Lidhjes Kombëtare” (1 mars 1973).
Kongresi i pestë në mërgim 23-24 nëntor 1974 (“Sheraton McAlpin Hotel” New York)
Këtë kongres e çeli veterani i njohur z.Xhemal Laçi, i cili pas votimit u zgjodh definitivisht në detyrën e Kryetarit të kongresit. Ndihmësit e tij ishin z.z.Teki Xhindi dhe Reshat Agaj si n/kryetar e sekretar.
Kryetar i Këshilli Kombëtar, do të zgjidhej z.Mahsar Pustina, ndërsa z.z.Fahri Barolli dhe Safet Malushi ishin nënkryetarë bashkë me z.Rasim Sina, si sekretar të Këshillit Kombëtar.
Sekretar i Përgjithshëm u rizgjodh z.Fuad Myftija ndërsa zëvendës të tij u konfirmuan zz.Ferdin Toptani dhe Arif Fazo.
Për t’u shënuar në mandatin e këtij kongresi është fakti që më 9 janar 1976 ndëron jetë heroi i Legalitetit Abaz Kupi, ndërsa më 2 korrik 1977 ndërron jetë kryetari i Këshillit Kombëtar major Mahsar Pustina.
Ndërsa si ngjarje e gëzueshme për monarkistët shqiptarë ishte martesa e Mbretit Leka me Mbretëreshën Suzan, në tetor 1975. Për këtë eveniment ka OKLL ka bërë një botim special të posaçëm të gazetës “Atdheu”, ku ka të dhëna mjaft të rëndësishme për historikun e Dinastisë Zogu.
Kongresi i gjashtë në mërgim 26-27 nëntor 1977 (“The Biltmore hotel” New York)
Kryesia e përkohshme e Kongresit të gjashtë në mërgim përbëhej nga z.z.Shehat Osmani, Mustafa Kulla dhe Rasim Sina, përkatësisht si kryetar, nënkryetar e sekretar të kongresit. Kjo kryesi, më pas në seancë të posaçme do të konfirmohej në drejtimin e punimeve të Kongresit.
Kryetar i Këshillit Kombëtar (KK) do të zgjidhej mes gjashtë kandidaturash z.Hysen Prishtina. Nënkryetarë të KK u zgjodhën kapiten Marka Dodë Gjini dhe z.Safet Malushi, ndërsa si sekretar u konfirmua z.Rasim Sina.
Në ndryshim nga herët e tjera, kësaj radhe kandidatë për Sekretar të Përgjithshëm ishin zotërinjtë Fuad Myftija dhe Idriz Basha. Në përfundim të votimeve, z.Myftija fitoi me 99 vota kundrejt 55 të z.Basha. Myftija kishte zgjedhur si nënsekretarë të përgjithshëm z.z.Arif Fazo dhe Hysen Mulosmanaj.
Motoja e zgjedhur e këtij kongresi ishte: “Dje, sot e nesër, OKLL, në shërbim t’Atdheut”. Nga ngjarjet më të rëndësishme në mandatin e këtij kongresi ishte përkujtimi i jubileve të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe 50-vjetorit të Mbretërisë Shqiptare me Dinastinë Zogu, eveniment i cili u zhvillua në “Americana hotel” në New York, më 25 nëntor 1978, me praninë speciale të NMT Leka I – Mbret i Shqiptarëve.
Kongresi i shtatë në mërgim 29-30 nëntor 1980 (“Hotel Doral Inn” New York)
Kryesia e përkohshme e Kongresit të shtatë në mërgim, e cila do të konfirmohej më pas definitivisht, përbëhej nga z.z.Hysen Mulosmanaj, Ndrec Gjergji dhe Reshad Agaj, përkatësisht si kryetar, nënkryetar e sekretar të kongresit.
Për drejtimin e Këshillit Kombëtar u zgjodhën emrat e z.z.Hysen Prishtina, Isa Lika (Manastirliu) dhe Safet Malushi, përkatësisht kryetari dhe dy nënkryetarët, ndërsa sekretar u rikonfirmua z.Rasim Sina.
Për vendin e Sekretarit të Përgjithshëm u paraqitën katër kandidatura si vijon: z.z.Idriz Basha, Nerim Kupi, Shehat Osmani dhe Fahri Barolli. Basha, më pas e tërhoqi kandidaturën e tij dhe bëri thirrje të votohej kandidatura e z.Nerim Kupi, “mikut tim të dashtun”, siç u shpreh ai. Edhe z.Fahri Barolli e tërhoqi kandidaturën, duke bërë thirrje që të votohej për z.Shehat Osmani, “kandidati i z.Fuad Myftija”, siç sqaroi ai. Në këtë kongres nuk kandidoi Dr.Fuad Myftija, figura kryesore në atë kohë e lëvizjes legaliste. Mbas votimit, Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh z.Nerim Kupi. Zëvendës të tij si “nënsekretarë të përgjithshëm” dolën z.z.Idriz Basha e Enver Shaska. Shaska më pas është zëvendësuar nga z.Hidajet Bushka në postin e nënsekretarit të përgjithshëm. Drejtimi i OKLL gjatë kësaj kohe ka pasur probleme dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar z.Hysen Prishtina pothuajse është mënjanuar nga aktivitetet e zhvilluara nga Komiteti Qendror dhe lidershipi i Lëvizjes. Problem ka qenë gjithashtu lista e anëtarësisë së Këshillit Kombëtar dhe përmbajtja e gazetës “Atdheu”, çështje që u rregulluan mbas kongresit të tetë me drejtuesit e rinj që dolën.
Ngjarje e shënuar në mandatin e këtij kongresi kanë qenë lindja e Princit Leka II dhe demonstratat e shqiptarëve të Kosovës, të cilat konsiderohen prej historianëve të Jugosllavisë si fillimi i shpërbërjes së këtij shteti mozaik, të njohur për represionin ndaj shqiptarëve.
Kongresi i tetë në mërgim 26-27 nëntor 1983 “Hotel Sheraton Inn” (La Guardia, New York)
Kongresi i tetë u zhvillua në një atmosferë mjaft të ndryshme nga kongreset e tjera për shkak të diskutimeve që u bënë mbi mandatet e anëtarëve të kongresit dhe listës së Këshillit Kombëtar. Kjo çështje u zgjidh në fund me konsensus prej dy kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm, pra Dr.Fuad Myftisë dhe z.Nerim Kupi, kreu i OKLL deri në këtë kongres.
Kryetar i Kongresit u zgjodh z.Jusuf Begeja, ndërsa në postet e n/kryetarit dhe sekretarit u zgjodhën z.z.Mustafa Kulla e Abedin Nezaj.
Kryetar i Këshilli Kombëtar, do të rizgjidhej z.Hysen Prishtina, i cili do të mbante një nga fjalimet më polemike në këtë kongres, duke kujtuar para të gjithëve sakrificat dhe shërbimet që kishte bërë për OKLL-në 50 vjet rresht, dhe njëherazi duke shprehur habinë për fjalët atakuese të Sekretarit të Përgjithshëm z.Nerim Kupi kundër tij e duke i hedhur poshtë me fakte të njohura nga gjithë legalistët.
Në këtë kongres, për herë të parë pati votim mes dy kandidaturash të forta për Kryetar të Këshillit Kombëtar, siç ishin z.Prishtina dhe kolonel Xhemal Laçi, ku pas numërimit të votave rezultoi fitues i pari. Nënkryetarë të Këshillit Kombëtar dolën z.z.Ramiz Dani dhe Safet Malushi.
Gara më e rëndësishme, ajo për Sekretar të Përgjithshëm, u zhvillua mes Dr.Fuad Myftisë dhe z.Nerim Kupi, e cila përfundoi me fitoren e të parit me 82 vota kundrejt 64 votash të z.Kupi.
Si Nënsekretarë të Përgjithshëm u zgjodhën z.z.Fahri Barolli dhe Ibrahim Kulla. Ky kongres u pagëzua si “Kongresi i triumfit të demokracisë dhe legalitetit”.
Kongresi i nëntë në mërgim nëntor 1986 (New York)*
Kongresi i nëntë në mërgim ka ruajtur praktikisht të pandryshuar strukturat e kongresit paraardhës. Kështu në postin e Sekretarit të Përgjithshëm u rizgjodh z.Fuad Myftija. Ndërsa si Kryetar i Këshillit Kombëtar, rikonfirmua z.Hysen Prishtina. Edhe nënsekretarët dhe nënkryetarët ishin po ata që dolën nga kongresi i tetë, pra zotërinjtë z.Ibrahim Kulla e Fahri Barolli si ndihmës të z.Myftija dhe z.z.Ramiz Dani e Safet Malushi si ndihmës të z.Prishtina. Sekretar i Këshillit Kombëtar do të konfirmohej përsëri z.Rasim Sina, ndërsa me çështjet e shtypit dhe gazetës “Atdheu” ishte ngarkuar z.Hysen Mulosmani.
- (Shënim: për këtë kongres na mungojnë të dhënat e dorës së parë, dhe informacionet i kemi nxjerrë në rrugë të tërthorta)
Kongresi i dhjetë në mërgim 25-26 nëntor 1989 (“Royce Hotel” New York)
Kongresi i dhjetë në mërgim po zhvillohej në një kohë ndryshimesh tektonike në rendin botëror, ishte koha e rënies së të ashtuquajturës “Perandori e së keqes” dmth rrëzimi i regjimeve komuniste në të gjithë lindjen e Europës. Vetëm Shqipëria kishte ngelur pa asnjë ndryshim politik, duke ndjekur vijën e saj staliniste.
Legalistët e diasporës organizuan një kongres model dhe u shprehën entuziastë për rrëzimin e shpejtë të regjimit komunist në Shqipëri.
Kandidat për sekretar të përgjithshëm përballë z.Fuad Myftija, kësaj radhe u paraqit z.Guri Durollari. Në përfundim të votimeve. Z.Myftija fitoi përsëri besimin e shumicës dërrmuese të legalistëve. Nënsekretarët e përgjithshëm u rikonfirmuan z.z.Ibrahim Kulla e Fahri Barolli.
Kryetar i Këshilli Kombëtar, do të zgjidhej z.Hysen Prishtina ndërsa zëvendësi e tij do të konfirmoheshin z.z.Safet Malushi e Ramiz Dani. Rasim Sina do të caktohej për të disatën herë si sekretar i Këshillit Kombëtar. Kryetar i këtij Kongresit ishte z.Mustafa Kulla, nënkryetar z.Agim Sula e sekretar z.Abedin Nezaj.
Ky ishte kongresi i fundit i zhvilluar në mërgim, që prej vitit 1962. Kongresi i radhës do të zhvillohej në atdhe dhe do të shënonte zhvendosjen e qendrës së Legalitetit nga New Yorku në Tiranë.
4.Legaliteti (PLL) si parti politike (1992-2009)
Mbas rënies së regjimit komuist më 1990, u çel udha që legalistët të zhvillonin zyrtarisht aktivitetin e tyre politik. Por në fakt gjërat nuk ishin aq të thjeshta saç dukeshin. Porosia e shefit të Partisë Komuniste (ose PPSH) ishte që Legaliteti mos të aprovohej ligjërisht si parti. Kjo qe arsyeja që vetëm mbas kërkesash ligjore e përpjekjesh të shumta, më 20 shkurt 1992, u miratua Partia “Lëvizja e Legalitetit”. Kryetar i komisionit të përkohshëm organizativ ishte z.Ibrahim Sokoli. Ky grup njerëzish arriti të organizojë degët e PLL në rrethe, megjithëse mjetet financiare dhe të tjera praktikisht ishin inekzistente.
Ndërkohë drejtuesit e OKLL në diasporë kishin ardhur disa herë në Shqipëri dhe u angazhuan në organizimin e Kongresit të XII-të, që u quajt kongresi i bashkimit të Legalitetit. Ky kongres ishte i dyti që mbahej në atdhe, pas atij të Zall-Herrit më 1943. Në mërgim ishin zhvilluar 10 kongrese, që prej vitit 1962.
Kongresi i 12-të i Legalitetit, 29-30 maj 1993 (Pallati i Kongreseve, Tiranë)
Kongresi XII i Legalitetit u zhvillua më 29-30 maj 1993 në Tiranë dhe njihet si kongresi që bashkoi në një formacion OKLL e PLL. Kryetar i këtij kongresi ishte z.Hysen Mulosmani. Kandidatë për kryetar u shpallën z.Guri Durollari, z.Rasim Sina si dhe u propozuan z.Bajram Xhafa e z.Ahmet Kolgjini. Këta dy të fundit nuk garuan dhe tërhoqën kandidaturat.
Raportin e punës për grupin nismëtar e mbajti z.Ahmet Kolgjini, i cili kishte qenë zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Komisionit Nismëtar të PLL deri në këtë kongres. Kryetar i Këshillit Kombëtar u zgjodh z.Fuad Myftija, ndërsa dy nënkryetarët ishin z.z.Ramiz Mena e Angjelin (Lin) Martini. Sekretar i KK ishte z.Riza Berberi. Pak çaste para votimit, z.Rasim Sina e tërhoqi kandidaturën për kryetar të PLL, kështuqë zgjedhja e z.Durollari u bë një formalitet.
Ekipi fillestar i z.Durollari përbëhej nga z.z.Ahmet Kolgjini e Lluka Adhami si nënkryetarë dhe z.Rasim Sina si sekretar i përgjithshëm. Por ky ekip nuk do të kishte jetë të gjatë, pasi z.Durollari praktikisht nuk bënte mbledhje asnjëherë. Në një tubim të këshillit kombëtar (23 tetor 1994), nënkryetarët e partisë japin dorëheqje, por z.Durollari i zëvendëson menjëherë, pa u thelluar në arsyet e këtyre dorëheqjeve. Ekipi i ri i z.Durollari do të plotësohej me z.Skënder Kalaja si nënkryetar dhe z.Bajram Xhafa si Sekretar i përgjithshëm. Por edhe këta do të konfrontoheshin shpejt me kryetarin Durollari dhe ky i fundit do të krijonte përsëri një kryesi të re me z.z.Riza Mehmeti, Ahmet Kaziu etj.. Me këtë gjendje amullie do të hyhej në zgjedhjet e 26 majit 1996, ku Legaliteti pati rezultate modeste.
Kongresi XIII i PLL, 21 nëntor 1996 (Pallati i Kongreseve, Tiranë)
Kongresi i radhës, i 13-ti, do të zhvillohej më datë 21 nëntor 1996. Kandidat përballë z.Durollari formalisht ishte shpallur z.Sitki Spahiu i degës së Shkodrës. Kryetar i Kongresit u zgjodh z.Murat Basha. Por kongresi nuk arriti të kryente punimet në këtë datë, megjithëse ishte njoftuar se kongresi do të përfundonte punimet brenda ditës. Debatet e ashpra që u zhvilluan, bënë që seancat të mos zhvilloheshin normalisht. Seanca tjetër e Kongresit u zhvillua një javë më pas, më datë 28 nëntor.
Kjo ngjarje, - ku kandidati rival përballë z.Durollari nuk garoi fare, madje nuk mori dot pjesë as fizikisht në sallë, ndërsa z.Durollari u zgjodh me gati 99% të votave pro, - ka nxitur gjykime për të mos e njohur si kongres të ligjshëm. Vetë ngjarja në tërësi shkaktoi një krisje të fortë brenda Lëvizjes së Legalitetit, pasi shumë legalistë nuk e njihnin kongresin dhe strukturat e tij si legjitime. Kryetar i Këshillit Kombëtar u caktua formalisht z.Rexhep Krasniqi. Ndërsa anëtarët e kryesisë nuk diheshin me saktësi, pasi z.Durollari nuk u dha autoritet dhe legjitimitet asnjëherë.
Kjo gjendje u fashit disi pak muaj më vonë, në kohën e rebelimit komunist të vitit 1997, kur erdhi Mbreti Leka I në atdhe dhe zhvilloi fushatën për referendumin. Shprehja e tij kur zbriti në Aeroportin e Rinasit “Paqe, Bashkim, Vllaznim!” do të bëhej moto e fushatës së referendumit, ndërsa për legalistët tashmë ajo thënie është pjesë integrale e filozofisë politike, së bashku me atë të Mbretit Zog “Atdheu mbi të gjitha!” Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, PLL për herë të parë merr dy deputetë, Dr. Guri Durollari e z. Spartak Ngjela, ndërsa dihet se rezultatet e referendumit u manipuluan dhunshëm në dëm të monarkisë.
Më 12 korrik Mbreti Leka I dhe një pjesë e stafit të tij largohet nga Shqipëria, pas një qendrimi 3-mujor në Shqipëri (12 prill-12 korrik).
Neokomunistët e rikthyer në pushtet rrëzuan në Gjykatë rezultatin pro monarkisë të referendumit për formën e regjimit. Gjyqtarët e diktaturës, tashmë të rikthyer në piramidën e drejtësisë, ngritën edhe një padi qesharake kundër Mbretit Leka dhe ministrit të Oborrit Mbretnor z.Abedin Mulosmani gjoja për organizim të një kryengritjeje të armatosur, akuzë e cila degjeneroi gjatë seancave të ndryshme gjyqësore, deri sa u mbyll gjithë procesi me një vendim që hidhte poshtë të gjitha pretendimet absurde të prokurorisë politike.
Kongresi XIV, i jashtëzakonshëm, 12 prill 1998 (Salla e “Teatrit Kombëtar” Tiranë)
Pas ngjarjeve të ‘96-‘97-ës, në PLL kishte zhvillime e debate të vazhdueshme, të cilat kulmuan me thirrjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm, i 14-ti, i cili u mbajt më 12 prill 1998 në sallën e madhe të “Teatrit Kombëtar”. Në këtë kongres konkurruan 5 kandidatë: z.z.Ekrem Spahiu, Bahri Kollçaku, Spartak Ngjela, Sadedin Balla e Murat Basha. Në fund të votimit, fitues u shpall z.Ekrem Spahiu. Kryetar i kongresit ishte z.Hamit Kurti, ndërsa nënkryetar z.z.Rasim Sina e Bardh Kulla. Sekretarë të Kongresit ishin z.z.Namik Mehmeti e Dashamir Moli. Në postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar u zgjodh z.Ethem Fezollari ndërsa z.Hamit Kurti dhe z.Shpëtim Myftaraj ishin përkatësisht nënkryetar dhe sekretar i KK.
Kryesia e PLL, përveç z.Spahiu, tashmë përbëhej edhe nga nënkryetarët z.z.Bahri Kollçaku e Murat Basha, sekretari organizativ z.Sadedin Balla, sekretari për Marrëdhëniet Publike z.Shaqir Hasani, sekretari për marrëdhëniet me Jashtë z.Sulejman Gjanaj etj..
Ekipi i ri i z.Spahiu zhvilloi një punë të jashtëzakonshme për të riorganizuar në çdo aspekt strukturat e PLL në qendër e në bazë, dhe për ta rritur profilin politik të Legalitetit. Për fat të keq, pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, neokomunistët arrestuan kryetarin Spahiu nën akuzën e organizimit të të ashtuquajturit “grusht shteti” të datës 14 shtator 1998. Spahiu do të qëndrojë padrejtësisht i burgosur për 13 muaj.
Në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, z.Spahiu arrin të fitojë mandatin e deputetit, bashkë me 4 anëtarë të PLL që ishin z.z.Bahri Kollçaku, Sadedin Balla, Ethem Fezollari dhe Sali Shehu. Kësisoj, për herë të parë në historinë post-komuniste, Legaliteti arrin të krijojë një grup parlamentar të vetin, çka përbën ende arritjen më të madhe politike sa i përket jetës partiake.
Gjatë mandatit të tij si kryetar, stafi i ri i z.Spahiu i kushton mjaft vëmendje aspektit mediatik, dhe në këtë kuadër edhe gazetës “Atdheu”. Një tregues i qartë i kësaj vëmendjeje është fakti që për dy vjet u shtypën më shumë numra të gazetës “Atdheu”, sesa ishin shtypur gjatë 5 viteve të drejtimit të z.Durollari dhe 40 viteve të botimit në diasporë. Konferencat e shtypit ishin të shpeshta me një frekuencë gati javore. Kontributet në mediat e tjera, të shkruara apo elektronike ishin të vazhdueshme dhe me efekt.
Përfundimisht Legaliteti po tregonte forcë idesh, freski e vitalitet politik në qendrimet e veta, çka e shndërroi praktikisht në forcën e parë në të djathtën shqiptare, pas PD-së si një parti dukshëm antikomuniste e nacionaliste.
Kongresi XV, 8 tetor 2001 (Salla e “Akademisë së Arteve”, Tiranë)
Kongresi i 15-të i PLL u zhvillua më 8 tetor 2001. Kandidatë për kryetar ishin z.z.Ekrem Spahiu, Bahri Kollçaku e Shaqir Hasani. Pas votimit, z.Spahiu u konfirmua përsëri kryetar përballë dy rivalëve të tij. Ekipi i ri i z.Spahiu do të kishte praktikisht të njëjtën përbërje që kishte para këtij kongresi, me të vetmin ndryshim që z.Sadedin Balla tashmë do të promovohej në postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Kongresi miratoi disa ndryshime të rëndësishme statutore në lidhje me strukturat, funksionet, afatet kohore etj të PLL. U formuan organizatat partnere të PLL siç janë Senati i veteranëve, Forumi i Grave dhe Forumi rinor. U vendos që mandati i kryetarit dhe delegatëve të jetë 4 vjet, si dhe u fiksuan postet e nënkryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm. U modifikua edhe organizimi i Këshillit Kombëtar, i cili tashmë drejtohej vetëm nga Kryetari si ofiqar i vetëm i këtij forumi. Kongresi XV mund të quhet me plot gojën si kongresi i konsolidimit të Lëvizjes Legaliste në Shqipëri.
Ngjarja më e rëndësishme në këtë periudhë shënohet kthimi përfundimtar i Familjes Mbretërore në atdhe, më 29 qershor 2002. Por njëkohësisht me këtë kthim, do të shihnim të ndërronin jetë njëra pas tjetrës MS Nëna Mbretëreshë Geraldinë si dhe MS Mbretëresha Suzan.
Ndërsa në jetën e brendshme partiake mund të shënohet përjashtimi nga radhët e PLL-së i tre deputetëve, që votuan në një rast në kundërshtim me vendimet që kishte marrë kryesia e PLL.
Në fund të vitit 2003 dhe në fillim të vitit 2004, z.Spahiu bëri një rifreskim të ekipit të tij drejtues duke afruar në drejtimin e PLL njerëz të rinj e me kontribute në radhët e PLL. Shënojmë gjithashtu që zgjedhjet e 3 korrikut 2005 shënuan një rënie të profilit politik të Legalitetit, për shkak të daljes në skenë të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Kjo nismë politike e dëmtoi rëndë lëvizjen legaliste në Shqipëri, duke e lënë jashtë parlamentit për një mandat 4-vjeçar, në një kohë që votat e marra nga elektorati nuk e justifikonin një pozitë të tillë.
Kongresi XVI, 8 tetor 2005 (Salla e “Akademisë së Arteve”, Tiranë)
Kongresi XVI u zhvillua në 8 tetor 2005 dhe kandidatë përballë z.Spahiu kësaj radhe ishin: z.Blerim Kamberi, Sekretar për burimet njerëzore, i cili u tërhoq nga gara në minutën e fundit dhe z.Astrit Kola, zëdhënës politik i PLL.
Pas votimit, z.Ekrem Spahiu fitoi përsëri postin e kryetarit për një mandat 4-vjeçar. Ekipi drejtues i PLL do të pësonte ndryshime të lehta, por në përgjithësi do të ruhej ekipi që tashmë drejtonte prej 2 vitesh PLL-në. Kryetar i Këshillit Kombëtar u rizgjodh z.Nebi Ganellari. Legaliteti në këtë periudhë është udhëhequr nga filozofia monarkiste që përmblidhet në fjalët: “Kur nuk është e rëndësishme të ndryshosh, bëhet e rëndësishme të mos ndryshosh”.
Në fund të vitit 2008, PLL rifreskoi përsëri përbërjen e Kryesisë, duke plotësuar sekretariatin, me qëllim që të forcoheshin disa aspekte të aktivitetit të PLL në prag të zgjedhjeve të vitit 2009.
Për t’u shënuar në këtë periudhë është emërimi i z. Ekrem Spahiu si zv.ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Kongresi XVII, 21 nëntor 2009 (Salla e “Akademisë së Arteve”, Tiranë)
KONGRESI I XVIII I PLL. Ne Nentor te vitit 2013 ne Tirane zhvilloj punimet Kuvendi i XVIII i PLL. Punimet e kuvendit u zhvilluan ne sallën e Akademisë së Arteve në Tirane. Ne këtë kuvend kandiduan për Kryetar të PLL. Z.Ekrem Spahiu ish kr i PLL i cili dali me propozim nga delegatet e salles kuvendit, pasi paraprakisht ishte terhequr për të mos kandiduar. Z.Sulejman Gjana Z.Murat Basha Z.Agim Kraja Ne raundin e parë asnjëri prej kandidateve nuk mori mbi 50% të votave. Ne raundin e dytë me palotazh kandiduan z.Ekrem Spahiu dhe z.Sulejmen Gjana ku pas votimit dhe numerimit te votave fitues dhe kryetar i ri i PLL u shpall z.Sulejman Gjana. Nga Kuvendi dolen strukturat e larta te tjera drejtuese. Z.Sadedin BALLA sek pergjithshem. Artan TUJANI Kr kesh kombetar Shpetim Axhami Zv. kryetare Dilaver Nela Sek organizativ Skender Zogu Kr senati Anila Biba Kr forumit guas Gentian Kaca Kr forumit rinor
Kryesia e re nën drejtimin e z Gjana intensifikoi punen tashme në një strukturim tjetër duke pasur parasysh edhe ndarjen e re administrative. U zhvilluan shume aktivitete politike dhe perkujtimore. U ribotua si shtyp i shkruajtur “Gazeta Atdheu” Ne zgjedhjet lokale te vitit 2015 me ndarjen e re administrative PLL ishte pjese e kualicionit dhe arriti te marr nje numer te konsiderueshem votash dhe keshilltaresh bashkiak. Ky numer votash ishte me i ulet se numri i votave ne zgjedhjet lokale te vitit 2011, por me i larte se ai i zgjedhjeve parlamentare te vitit 2013. Ne 2015 duke u nisur edhe nga këto rezultate nga disa drejtues dhe ish drejtues te PLL u kerkua mbledhje e keshillit kombetar për thirrjen e kuvendit të jashtzakonshëm të PLL. Mos perkrahja e kesaj nisme nga shumica tjeter bëri që kjo tentative të dështoje. Legalistet ditën të qendrojnë të bashkuar si gjithmonë. Rol në amortizimin e situates luajti edhe senati i PLL nisur kjo nga shkeljet statutore qe ishin vënë re dhe pasojat negative që solli kjo tentative. PLL, në prag të zgjedhjeve parlamentare te vitit 2017 iu bashkua koalicionit opozitar duke qenë serioze, besnike dhe aktive në këtë aksion të përbashkët. Marrveshje e 17 Majit Rama-Basha detyroj mos regjistrim e partive të tjera në zgjedhje dhe kandidimin vetëm me sigel PD për të gjithë aleatët. Kryetari i PLL z.Gjana u radhit i katerti në listen e PD për Qarkun Diber, kjo radhitje nuk ishte e duhura për vetë faktin kush është PLL brenda së djathtës shqiptare, vlerave dhe kontributeve të saj edhe pas viteve ‘90, e për vetë strukturat e saj organizative në baze. Z. Gjana u terhoq nga ky kandim. Kriza politike, marrveshja e paparashikuar e bërë mes PD dhe PS , e gjeti PLL të papregatitur duke mos marrë pjesë dhe duke mos u perfaqësuar si subjekt në këto zgjedhje, fatkeqesisht dolëm të humbur pa perfaqesim në parlament dhe pa një përqindje në numer votash Menjëherë pas situates së krijuar filloj zhvillimi i organizimit te konferencave në rrethe dhe pregatitja për kuvendin e ardhshem ku z.Gjana, qytetarisht mbajti personalisht pergjegjesine dhe vendos per të mos rikandiduar për në postin e ri si kryetar i PLL.
KONGRESI I XIX I PLL. Me 25 Nentor 2017 zhvilloj në Tiranë punimet Kuvendi i XIX i PLL. Si gjithmonë edhe ky kuvend i radhës u zhvillua në menyren më demokratike të mundshme. Delegatët ishin zgjedhur nga zhvillimi i konferencave zgjedhore në çdo dege. Kuvendi i nisi punimet në ora 10.00 në sallen e Xheko Imperial Hotel Kryetar i drejtimit të punimeve trë kuvendit ishte z.Gramos Xhaferi. Fjalën përshëndetëse në emër të Princit Leka II e mbajti z.Tomorr Alizoti. Në seancen e fundit të punimeve të kuvendit u zhvillua votimi i fshehte për kryetarin e ri të PLL. Per kryetar të PLL kandiduan Z. Shpëtim Axhami dhe z.Beniamin Bakalli kjo pas terheqjes nga gara e kandidimit e znj. Anila Biba.
Krytar i ri i Partise Levizja e Legalitetit me votim të fshetë me votë unanime pas numërimit të votave u zgjodh z.Shpetim AXHAMI.
Kongresi i PLL nxori Kryesinë të perbere nga 17 veta dhe drejtuesit e larte të partise. Shpetim AXHAMI Kryetar i PLL. Dilaver NELA Sek. Pergjithshem. Fatmir HAVERIKU Kr.keshilit kombtar. Bernard Vata Zv kryetar. Gramoz Xhaferi Zv kryetar. Sulejman Gjana Sek i jashtem. Lurian Mena Sek organizativ. Edmond Guri Sek politik. Bajram Xhafa Kryetar senati. Anila Biba Kryetare Forumit Gruas PLL. Martin Toro Kryetar i Forumit Rinor PLL. Kryesia e re nën drejtimin e z. Axhami filloj punën për organizimin dhe ridimensionimin e strukturave te partise. Ne këtë periudhe organizimi u pa qartë një frymemarrje e re hapje, afrim dhe bashkim i elementeve të rinjë dhe intelektual e me integritet shoqerore. U rifreskuan dhe u ngriten disa degë në ato bashki ku akoma ato nuk funksioninin. U krijuan dege te PLL edhe ne disa shtete te tjera te Europes si Angli, Gjermani, Itali dhe Greqi. PLL, kryesia e saj në vazhdimsi u tregua konseguente në vendimmarrje duke i qendruar korrekte programit dhe zbatimit statutor të partise. Në vazhdimesi për çfo zhvillim politik ne vend, rajon dhe me gjere, PLL ka mbajtur qendrimet e saj publike nëpërmjet deklaratave mediatike. Kryesia PLL bashkë me strukturat e tjera ishte prezente në organizimin e eventeve, në perkujtimin dhe vleresimin si duhet ne cdo date historike e te cdo figure atdhetare patriotike që kanë lidhje me historinë e lavdishme rreth njeqindvjecare të saj, që kanë lidhje me Mbretërinë Shqiptare, zogizmin dhe legalitetin. Gjatë kesaj periudhe vendi u fut në një krize politike e shoqeruar kjo me lenie mandatesh nga deputetet e opozitës. U zhvilluan protesta periodike për një periudhe të gjatë. U vendos mosmarrja pjesë nē zgjedhjet lokale të vitit 2019. Duke u nisur nga këto zhvillime opozitare dhe nga kjo krize politike, me vendim të Kryesise së PLL, miratuar ky edhe në Keshillin Kombetare, PLL merr vendimin për të ju bashkuar koalicionit OPOZITA E BASHKUAR. PLL nëpërmjet kryetarit të saj z.Shpetim AXHAMI nenshkroj marrveshjen me Partine Demokratike për të qenë pjesë e ketij koalicioni, ky nenshkrim u bë me kryatarin e opozites dhe të PD z.Lulzim Basha nën prezencën e dy perfaqesive politike ku nga ana e PLL ishin prezent. z.Shpetim AXHAMI, z.Dilaver NELA, z.Fatmir HAVERIKU, z.Edmond GURI, z.Edison TORO. Një ndër arsyet kryesore të nenshkrimit të kesaj marrveshje ishte ajo se vendi po drejtohej nga nje mazhorance majtiste e cila po i sillte popullit varferim ekonomik, humbje shprese, largim të rinisë e me të gjitha format po kapte çdo lloj pushteti. Ndërkohë ishte veshtiresuar edhe hapja e negociatave për në BE. Ne Maj të vitit 2019 PLL ju bashkua vendimit te koalicionit Opozita e Bashkuar për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019. PLL ishte tepër aktive në këto periudhe në mbeshtetje të aksionit opozitare në çdo proteste e aktivitet tjetër politik. Legalistet ishin prezent në çdo proteste dhe të identifikuar dukshem për kurajen e tyre. Kryetari i PLL në cdo tryeze opozitare mbajti qendrime dhe shprehu gjithmonë propozimet e dala nga kryesia e PLL e çdo forum tjetër drejtues i saj. Situata politike ishte veshtiresuar, u miratua në menyre të njeanshme kodi zgjedhor, u ndaluan koalicionet parazgjedhore, u ndalua kandidimi me emra dhe u krijuan shume subjekte të reja politike me origjine nga e djathta e pas ‘90 (PD) Perballë kësaj situate të turbullt, tē panjohur dhe e papare në asnjë palë zgjedhjesh kryesia e PLL me miratim te Keshillit Kombetar vendos te dalë me koalicion në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, pavarsisht se ishin pregatitur të gjitha modulet ligjore për të qenë të gatshëm për kandidim si subjekt më vete. Ne zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, PLL ishte pjese e koalocionit Parti Demokratike-Aleanca per Ndryshim ku u perfaqesua me kandidatet e saj ne listat e perbashketa në kater qarqe, Tirane, Fier, Durres, Diber. Pas një fushate dinjitoze rezultoj se vetem në kater qarqe u moren 2.2 here më shume vota krahasuar kjo me votat e mara në të gjithë Shqiperinë në zgjedhjet e meparshme parlamentare ku PLL kishte marrë pjesë. Në zgjedhjet e 2021 pas 20 vitesh PLL behet parti parlamentare me deputeten e koalicionit PD-AN kandiduar në siglen e PLL znj Andia ULLIRI Qarku Durres. Për PLL tashmë ka nisur një rrugë e re me shpresë e bindje për të zënë vendin e merituar në spektrin e politikës shqiptare dhe në arritjen e kërkesava programore të saj të kthyera në kauzë prej vitesh BASHKIM KOMBTARË NËN KURORËN MBRETËRORE. Sot vazhdon organizimi i punës për një ridimensionim të mëtejshëm të strukturave të PLL...
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- http://legaliteti.org/ Arkivuar 15 mars 2012 tek Wayback Machine
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Faqja zyrtare e PLL Arkivuar 17 nëntor 2011 tek Wayback Machine