Jump to content

Perandoria Osmane në shek. XIX-XX

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fuqitë e Mëdha vazhdonin të ndërhynin në punët e brendshme të shtetit osman për shumë probleme. Një nga këto ishte çështja greke. Anglia nuk dëshironte luftën e Rusisë kundër shtetit osman. Qeveria angleze dhe ruse nënshkruan një protokoll të ashtuquajtur protokolli i Petërburgut (4 janar 1826).

Protokolli i Petërburgut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në protokoll ishte vendosur t’i propozohej sulltanit që të formonte një shtet grek nën sovranitetin e sulltanit, duke i paguar pushtetit qendror një tribut të përvitshëm. Porta e Lartë të largonte forcat ushtarake nga Greqia. Këto kushte iu bënë të njohura sulltanit. Ai pranoi të hyjë në bisdeime me Rusinë për të kaluar koha deri sa të bënte riorganizimin e ushtrisë dhe të flotës.

Në kryeqytetin e vogël Akerman, rajoni Ismaila në qershor 1826 u hap konferenca ku morën pjesë Rusia dhe Porta e Lartë. Bisedimet vazhduan gjatë. Më në fund u përgatit një konventë. Sipas saj u rinjohën të gjitha privilegjet e principatës së Serbisë të arritura më parë. Porta duhet t’i zgjidhte sundimtarët prej popullsisë vendase: Tregtarët rusë të gëzonin lirinë e lëvizjes në të gjithë perandorinë.

Konventa e Akermanit s’kish nene për çështjen greke, por kjo nuk tregonte se Rusia kishte hequr dorë nga ky problem. Ajo nuk mund të linte në harresë protokollin e Petërburgut. Me vendimet e këtij protokolli u bashkuan edhe Franca, Austria dhe Prusia.

Vendosja e kufijve të Greqisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ibrahim Pasha

Në qershor të vitit 1827Londër, Rusia, Anglia e Franca nënshkruan traktatin mbi zgjidhjen e çështjes greke me anë të bisedimeve. Para bisedimeve të arrihej një armëpushim. Bisedimet të zhvilloheshin mbi platformën e një autonomie të Greqisë nën sovranitetin e sulltanit duke i paguar atij një tribut vjetor. Kufijtë e Greqisë do të përcaktoheshin nga fuqitë e mëdha dhe nga të dy palët. Sipas një neni sekret, në rast se Porta e Lartë nuk përgjigjej brenda një muaji, skuadriljet detare të tri shteteve të merrnin nën mbrojtje Greqinë.

gusht 1827 përfaqësuesit e Francës, Anglisë e Rusisë i drejtuan Portës së Lartë një notë kolektive. Për përgjigjen brenda afatit të caktuar flotat e tri shteteve bllokuan brigjet e Greqisë. Komandantët e skuadriljeve i dërguan një ultimatum Ibrahim Pashës që komandonte forcat detare për shtypjen e revolucionit grek.

Beteja e Navarinës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në ultimatum kërkohej ndërprerja e veprimtarive luftarake. Ibrahim pasha nuk pranoi. Flotat e tri shteteve u ndeshën me flotën egjiptiane në Navarinë (tetor 1827). Flota egjiptiane u shkatërrua. Mbi 50 anije u dogjën. Mijëra vetë vdiqën. Gjendja e Ibrahim pashës u keqësua shumë mbasi u bllokua nga deti nëpërmjet të cilit furnizohej me ushqime.

Pas betejës së Navarinës, Porta e Lartë iu përgjigj notës kolektive. Ajo dënoi betejën e Navarinës, meqenëse ato shtete nuk i kishin shpallur luftë. Gjithashtu kërkoi pushimin e luftës së grekëve dhe kompensimin e humbjeve në Navarinë. Kërkesat e Portës së Lartë u hodhën poshtë. Në shenjë pakënaqësie të dërguarit e Francës, të Anglisë e Rusisë u larguan nga kryeqyteti. Pritej një luftë e re.

Lufta ruso-osmane 1828-1829

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përpjekjet për të shmangur luftën

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Porta e Lartë përdori një manovër të re, për të izoluar Rusinë. Në janar 1828, nëpërmjet patriarkut të Stambollit, ajo u premtoi grekëve amnisti për pjesëmarrësit në kryengritje, kthimin e pasurive të konfiskuara, përjashtimin nga taksat për periudhën e kryengritjes, në rast se ata ndërpritnin luftën dhe i bindeshin sulltanit.

Manovra politike dështoi. Grekët nuk pranuan këto propozime. Në prill 1828 Rusia i shpalli luftë shtetit osman. Ky i fundit u gjend i papërgatitur për luftë. Luftërat e gjata me Rusinë dhe Iranin kishin gëlltitur mjete të mëdha financiare. Gjenbdja ushtarake ishte e keqe. Sapo ishte shkatërruar korpusi i jeniçerëve. Ushtria e re nuk kishte përgatitjen e duhur. Në të mungonin oficerët. Edhe më e keqe ishte gjendja e flotës. Ajo ishte shkatërruar në Navarinë.

Fillimi i luftës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në ditët e para të majit 1828 ushtria ruse kapërceu lumin Prut dhe hyri në Moldavi. Brenda një kohe të shkurtër ajo mori Jasin Gallacin, Bukureshtin dhe Braillën. Porta e Lartë i shpalli luftë Rusisë. Ushtria e re la kryeqytetin dhe u drejtua për në Veri. Përparimi i ushtrisë ruse u ngadalësua.

Me fillimin e luftës ruso-osmane u aktivizua veprimtaria e revolucionarëve grekë. Kjo e vështirësoi edhe më shumë gjendjen e shtetit osman. Në qershor të vitit 1828 përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Rusisë në Londër arritën një marrëveshje për largimin e forcave osmane-egjiptiane prej Moresë. Pas dy muajsh forcat egjiptiane pranuan të largoheshin nga Moreja të detyruara nga korpusi francez i përbërë prej 16 000 ushtarësh.

Planet për shtetin grek

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krahas veprimeve ushtarake vazhdonin bisedimet midis përfaqësuesve të Anglisë, Francës e Rusisë mbi çështjen greke. Në mars të vitit 1829Londër u arrit një marrëveshje për Greqinë e ardhshme. Shteti i ri grek do të përfshinte territorin nga gjiu i Vollosit në Lindje, përmes Agrafës e Artës deri në gjirin e Ambrakisë në Perëndim. Në të do të hynin edhe ishujt Eubea e Qikladet. Shteti grek do të ndodhej nën pushtetin e Portës dhe do të paguante çdo vit një tribut prej 1 500 000 grosh.

Në organizimin e brendshëm shteti grek do të gëzonte autonominë e plotë. Sundimtari do të zgjidhej prej tre shteteve të mëdha e Portës. Për pjesëmarrësit në luftë të shpallej një amnisti e përgjithshme. Përfaqësuesit e tri shteteve filluan bisedimet me përfaqësuesit e Portës. Nga ana tjetër Rusia për ta detyruar Portën e Lartë të përfundonte paqen, nisi në mesin e majit 1829 fushatën e dytë. Rreth 70 000 veta u hodhën mbi ushtrinë osmane, e cila ishte shumë më e madhe në numër. Ushtria e rregullt nuk i kalonte 50 000 vetët. Rusia kishte supremaci në flotën e Detit të Zi. Kjo ndikoi mjaft në zhvillimin e luftës në favor të Rusisë.

Rënia e Adrinopojës dhe Erzurumit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ushtria ruse theu ushtrinë osmane në fshatin Kuleviç, në juglindje Shumlës. U hap rruga drejt Adrianopolit. Në gusht 1829 ushtria që mbronte këtë qytet kapitulloi . Qyteti ra në duart e rusëve. Ushtria ruse marshoi drejt kryeqytetit. Ushtria osmane kishte pësuar humbje edhe në frontin e Azisë së Vogël. Në duartë e rusëve ra Erzurumi. Përmes Anadollit Qendror ata synonin kryeqytetin.

Rënia e Adrianopojës në Ballkan dhe i Erzurumit në Azinë e Vogël, afrimi i forcave ruse në kryeqytetein osman, blokimi i Bosforit dhe i Dardaneleve veështirësuan pozitat e sulltan Mahmutit II. Këtë gjëndje e shfrytëzuan edhe shtresat konservatore e antireformiste. Pakënaqësia po kthehej në kryengritje të armatosur. Perspektiva pa shpresë e luftës dhe rreziku i shpërthimit të një kryngritjeje në kryeqytet e detyruan Portën e Lartë të kërkojë paqe.

Për paqe ishte edhe Rusia. Gjendja e ushtarëve në Ballkan ishte e vështirë. Rusia kërkonte njohjen e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme ruso-osmane duke përfshirë konventën e Akermanit si dhe protokollin e Londrës së 22 marsit 1829. Bisedimte filluan në Adrianopojë më 2 shtator 1829 dhe vazhduan dy javë.

Paqja përmbante këto çështje:

  1. Porta e Lartë t’i paguante Rusisë një kontribut për dëmet e luftës.
  2. Rusia të largonte ushtrinë nga territori osman. Kufiri midis tyre të mbetej lumi Prut.
  3. Grykëderdhja e Danubit me ishujt i kalonte Rusisë.
  4. Bregu i djathtë i Danubit i takonte shtetit osman.
  5. Rusisë i kaloi bregu lindor i Detit të Zi, Gruzia e rajonet përtej Kaukazit.
  6. Porta duhej t’i njihte Vllahisë Moldavisë, lirinë e besimit, t’u sigurohej jeta njerëzve e një drejtim i pavarur; sulltani të mos përzihej në punët e brendshme të tyre.
  7. Sundimtarët të emëroheshin nga popullsia vendase.
  8. Për Serbinë ishte vendosur që Porta t’i plotësonte vendimet e konventës së Akermanit.
  9. Tregtarët rusë të gëzonin liri të plotë tregtare në të gjithë Perandorinë Osmane. Përmes ngushticave të kalonin anijet e tyre me flamurin rus ose me atë të shteteve të tjera me të cilat shteti osman kishte marrëdhënie paqësore.
  10. Të gjithë rusët që ndodheshin në shtetin osman të gjykoheshin nga konsujt rusë.
  11. Porta e Lartë për 18 muaj duhej t’i paguante Rusisë 1500000 dukatë holandezë për humbjet e tregtarëve rusë gjatë luftërave 1807-1829 si dhe 10000000 si dëmshpërblim për luftën.

Zgjidhja e çështjes greke

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për Greqinë u pranuan vendimet e marrëveshjeve të Londrës të 6 qershorit 1827 e 22 marsit 1829. Paqja e Adrianopojës u ratifikua nga 2 sundimtarët. Cari ishte shumë i kënaqur nga këto kushte, kurse sulltani nuk ishte nga t’ia mbante. Ai shpresonte se do të ndryshonte gjendja me ndihmën e Anglisë e të Francës, por u gabua.

Paqja e Adrianopojësi siguroi autonominë Greqisë. Sipas marrëveshjes Porta e Lartë ishte e detyruar të pranonte rekomandimet e tri shteteve për drejtimin autonom. Por përfaqësuesit e këtyre shteteve në shkurt 1830 vendosën t’i jepnin pavarësinë Greqisë dhe këtë vendim ia imponuan sulltanit.

Zgjidhja e çështjes serbe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Paqja e Adrianopojës pati rëndësi edhe për Serbinë. Në zbatim të kushteve të kësaj paqeje, në gusht 1830 sulltani shpalli autonominë e Serbisë. Pas paqes së Adrianopojës qeveria cariste filloi politikën e afrimit me Portën e Lartë. Ajo filloi t’i zbresë pak nga pak kontributin. Tani nuk kishte më interes të shkatërronte shtetin osman.

Planet e reja të Francës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Abd al-Kader

Humbjet e shtetit osman në vitet ‘20 Fuqitë e Mëdha u përpoqën t’i shfrytëzonin për interesat e veta. Franca i vuri syrin Algjerisë ku qarqet drejtuese franceze shihnin një plasdarm për pushtimin e Afrikës dhe për forcimin e pozitave të saj në Detin Mesdhe. Algjeria kishte rëndësi ekonomike. Ajo mund të shërbente si treg për shitjen e prodhimeve industriale. dhe për blerjen e lëndës së parë. Tokat Algjeriane mund të kënaqnin fshatarët francezë që kishin mbetur pa tokë.

Me pretekstin se piratët algjerianë kishin kapur disa anije tregtare franceze, ushtria franceze në qershor të vitit 1830 zbarkoi në brigjet algjeriane, theu forcat algjeriane dhe pushtoi Algjerinë. Pastaj ranë edhe qytetet e tjera.

Shteti osman nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë agresionit francez. Porta e Lartë urdhëroi Mehmet Aliun të hynte në luftë kundër francezëve, por nuk pati rezultat. Gjithashtu nuk pati asnjë mbështetje te shtetet e tjera.

Në luftën kundër pushtuesve francezë hynë vetëm algjerianët nën komandën e emir Abd-al-Kaderi. Lufta vazhdoi 15 vjet dhe Francës i solli humbje të mëdha. Në një luftë të pabarabartë, Franca forcoi pozitat e saj në Algjeri, të cilën e ktheu në koloni të Francës.

Gjatë 30 vjetëve të pare të shek. XIX shteti osman humbi territore të konsiderueshme. Prej tij u shkëputën Besarabia, brigjet kaukaziane të Detit të Z, një pjesë e madhe e Greqisë, Moldavia dhe Vllahia kishin forcuar autonominë, kurse Serbia kishte fituar statusin e vet.. Egjipti, ndonëse ishte pjesë përbërëse e perandorisë, faktikisht ndodhej nën qeverisjen e Mehmet Aliut.