Jump to content

Prokop Gjergo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Prokop Gjergo (Durrës, 3 korrik 1917 – 26 shkurt 1997) ishte ekonomist, poet dhe përkthyes i disave prej veprave më të njohura të letërsisë klasike franceze në shqip, duke u specializuar në dramën në vargje.

Gjergo lindi në një familje tregtare me origjinë nga Berati, e cila ishte vendosur në Durrës në fund të shekullit XIX duke hapur një kinkaleri dhe një agjensi tregtare.

Studioi një vit në Liceun Francez të Korçës, por e la shkollën me vdekjen e të jatit në 1932 dhe studimet e mesme i përfundoi në Shkollën Tregtare të Vlorës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, punoi financier në ndërmarrje të ndryshme të qytetit të Durrësit. Në vitin 1948 ai shkruan fshehurazi poemën “Dhë rënkoi gjithë Shqipëria” kushtuar Shefqet Bejës, por poezitë arriti t'i botojë pas rënies së komunizmit.

Përkthimin e parë, rrëfimin e gjatë "Inkuizitori i madh" brenda romanit "Vëllezërit Karamazov" të Dostojevskit, e kreu në vitin 1949. Përkthimi i parë i botuar ka qenë tragjedia "Sidi" e Kornejit në vitin 1960 nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", më pas përktheu "Andromakën" dhe tragjedi të tjera të Zhan Rasinit, "Mizantropin" dhe mjaft komedi të tjera nga Molière, pjesë të hershme teatrale të Viktor Hygoit, "Cyrano de Bergerac" të Edmond Rostand-it. Ka përkthyer dhe "Artin poetik" të Bualoit dhe romanin "Krimin e Silvestër Bonarit" nga Anatole France. Pas viteve nëntëdhjetë, shtëpia botuese Jozef në Durrës nxori një pjesë të përkthimeve të pabotuara të Gjergos. Numri i veprave të përkthyera mbërriti në 49 dhe i vargjeve të përkthyera në më shumë se 75,000.[1][2]

Një nga sfidat për Prokop Gjergon ishte balancimi i pasionit të tij për përkthimin me punën e tij të përditshme si financier. Megjithatë, në shtëpinë e tij modeste, ai i shfrytëzonte kohët e lira për të punuar në përkthimet e tij. Më vonë, financieri dhe përkthyesi i shquar u rrethua nga një bibliotekë e madhe librash, që të gjitha rezultonin nga puna e tij intensive dhe pasionante në botimin e veprave të përkthyera.

Pas një sëmundje të rëndë, Prokop Gjergo u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të madhe kulture. Veprat e tij të përkthyera mbeten si një testament i pasionit dhe dedikimit të tij për kulturën, dhe meritojnë të vlerësohen dhe të studiohen me kujdes për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.[3] [4]

  1. ^ Hidri, Sali (2009). Një jetë e jetuar. Poeti dhe përkthyesi Prokop M. Gjergo (bot. 2nd). Tirana: Argeta-LMG. fq. 107. ISBN 9995617072.
  2. ^ Marku, Vinçens (2010). "Mjeshtëri përkthimore në shqip e vargut aleksandrin nga Prokop Gjergo përmes veprës "Arti poetik" të Nikola Bualosë" (PDF). Buletin Shkencor - Seria e shkencave shoqërore. 60: 137–143.
  3. ^ https://durreslajm.al/perkthimet-e-prokop-gjergos-jozef-fillon-botimin-me-molierin-kornej-e-rasin/?noCache/
  4. ^ https://shqiptarja.com/lajm/prokop-gjergo-financieri-qe-perktheu-mjeshtrat-e-komedise-franceze/