Tom Clancy's Rainbow Six
Tom Clancy's Rainbow Six është lojë kompjuterike e zhanrit tactical shooter dhe loja e parë në serinë Rainbow Six. Loja është zhvilluar dhe publikuar nga Red Storm Entertainment në vitin 1998 për PC. Është bartur në Mac OS, Nintendo 64, PlayStation, Dreamcast, dhe Game Boy Color. Pako e zgjeruar e saj, Tom Clancy's Rainbow Six Mission Pack: Eagle Watch, u lansua më 31 janar 1999. Muzika e lojës është kompozuar nga Bill Brown.
Në botën fiktive të lojës, Rainbow është njësi e sapoformuar shumëkombëshe e forcave speciale për luftim të terrorizmit, e përbërë nga elita e ushtarëve të shteteve anëtare të NATO-s.
Përshkrimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Si lojë e zhanrit tactical shooter, Rainbow Six fokusohet më shumë në fshehtësi dhe taktika se sa në fuqinë e zjarrit, duke eksploruar vdekjen nga një plumb i vetëm. Për të shtuar në realizëm, të gjitha karakteret e lojës duke përfshirë terroristët, pengjet dhe operativët Rainbow, mund të plagosen apo vriten brenda disa fraksioneve të sekondës me vetëm një apo dy plumba. Veglat si jelekët e armuar, automatikët, dhe granatat kanë pak vlerë para se lojtari të mësohet me rregullat e lojës.
Para çdo misioni është faza e planifikimit, gjatë së cilës lojtari udhëzohet, dhe pastaj zgjedh operativët të cilët do të përfshihen në mision, armët e tyre, pajisjet dhe uniformat. Gjatë këtij hapi, lojtari paracakton urdhërat dhe lëvizjet e ekipeve. Faza e planifikimit determinon elementet si rrugët të cilat ekipet e kontrolluara nga inteligjenca artificiale ndjekin gjatë misionit, si dhe pikat në të cilat ata do të përdorin pajisjet si granatat dhe eksplozivët për hapjen e dyerve.
Misionet e suksesshme shpesh zgjasin vetëm disa minuta, por mund të kërkojnë përsëritje të shumta apo ndryshime të planifikimit (sidomos për lojtarët fillestarë). Gjatë lojës, lojtari kontrollon vetëm një anëtar të ekipit në mënyrë direkte, dhe mund të shohë statistikat për atë anëtar dhe për të gjitha ekipet tjera në ekranin e integruar të helmetës. Ekipet të cilat nuk janë në kontroll të lojtarit ndjekin urdhërat që u janë dhënë në fazën e planifikimit. Lojtari mund të merr kontrollin e çdo operativi të gjallë, duke e bërë automatikisht lider të ekipit.
Loja përfshin një fushatë e cila përbëhet nga një seri e skenareve, në të cilat subjekti shpaloset gjatë udhëzimeve të misionit të secilit skenar. Çdo humbje e operativëve që ndodh gjatë një misioni është permanente, kështu që operativët e vdekur nuk mund të përfshihen në misionet e ardhshme. Rrjedhimisht, shumë lojtarë përsërisin misionet të cilat kanë qenë teknikisht të suksesshme vetëm për të zvogëluar numrin e viktimave.
Për dallim prej verzioneve tjera, verzioni për PlayStation tregonte armën e mbajtur në duart e lojtarit.