Jump to content

Rëne Dekart

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Rene Descartes)
René Descartes

René Descartes, lexo: Rëne Dekart (ose latinisht Renatus Cartesius, 31 mars, 1596La Haye en Touraine, France - 11 shkurt, 1650Stokholm, Suedi), ishte filozof francez, matematikan, dhe shkrimtar i cili pas rinisë së tij shkoi të jetojë në Holandë. Konsiderohet themelues i filozofisë moderne sidomos i filozofisë perëndimore. Shkrimet e tij edhe sot studiohen me vëmendje sidomos libri i tij Meditaticione filozofike vazhdon që të jetë tekst standard në shumë universitete. Descartesi dha kontribute të çmueshme në matematikë Sistemi koordinativ i Descartesit i cili lejon që figurat gjeometrike të shprehen me ndihmën e ekuacioneve algjebrike prandaj ai quhet edhe baba i gjeometrisë analitike. Descartesi është figurë kyçe në të ashtuquajturin Revolucion shkencor.

Konsiderohet themelues i drejtimi filozofik racionalizmi. Fushat e interesit kanë qenë metafizika, epistemologjia, matematika gjithmonë i ndikuar nga Platoni, Aristoteli, Alhazeni, Avicenna, al-Ghazali, St. Augustine, Thomas Aquin, Mersenne, Michel de Montaigne, Duns Scotus, Baruch Spinoza, Thomas Hobbes, Blaise Pascal, John Locke, Gotfried Leibniz, Immanuel Kant etj. Ndjekës ose pasues të Descartesit janë filozofët : Edmund Husserl, Žižek, Chomsky, Stanley, Dirck Rembrantsz van Nierop etj.

Thënia e tij e famshme është: Cogito ergo sum (frëngjisht Je pense, donc je suis) ; (anglisht I think, therefore I am ose I am thinking, therefore I exist) ose në shqip: Mendoj pra jam, të cilën e gjejmë në pjesën e katërt të librit të tij Discourse dë la Methode. Kjo thënie e përmban thelbin e filozofisë racionaliste.

Principia philosophiae, 1685

Rëne Dekarti (René Descartes - Cartesius Renatus), lindur më 31 mars 1596 në La Hajë pranë Turit (i quajtur më pas La Hajë-Dekart, pastaj Dekart), ishte fëmija i tretë i juristit Joakim Dekart dhe e gruas së tij, e cila vdiq një vit më vonë. Rreth moshës dhjetëvjeçare, djali i ri u çua në kolegjin e jezuitëve të La Fleshës, në Anzhu, ku mësoi mes të tjerash fizikën, matematikën dhe filozofinë. Pas tetë vitesh studimi, mësoi për drejtësi në Puatie, ku u formua si jurist. Atëherë Dekarti ndërmori udhëtime të gjata përmes Evropës. Gjatë një qëndrimi në Vendet e Ulëta, u fut në ushtrinë e princit Moris dë Naso, ndërsa pas një viti kaloi në atë të Maksimilianit të Bavarisë. Takimi me mjekun dhe natyralistin Isak Bekman e nxiti të interesohej për çështje shkencore. Gjatë një nate dimri të vitit 1619, kur ndodhej në garnizon në rrethinat e Ulmit, Dekarti pa tri ëndrra, që duhet të kenë ndikuar thellë në rrjedhën e jetës së tij, siç e ka treguar vetë, sepse i zbuluan prirjen e tij shkencore. Ai braktisi jetën prej ushtari mercenar dhe rifilloi udhëtimet përmes Gjermanisë, pastaj në Vendet e Ulëta dhe në Itali. Nga 1625 deri më 1628 jetoi në Paris, ku pati takime me matematikanin Marën Mersenën dhe rrethin e tij shkencor. Atëherë iu përkushtua në mënyrë të veçantë çështjeve të optikës, algjebrës dhe teorisë së ndijimit. Në fund të vitit 1628, për t'u shpëtuar telasheve dhe rëndesës së censurës fetare dhe politike, Dekarti emigroi në Holandë, ku do të qëndronte njëzet vjet, në vende të ndryshme, më së shpeshti në fshatra të veçuara, për të punuar mbi kërkimet dhe shkrimet që kishin të bënin me matematikën, fizikën, mjekësinë (kryesisht anatominë) dhe filozofinë. Vepra e parë u botua në frëngjisht më 1637 - në fillim pa autor - nën titullin e plotë Diskutimi i metodës për ta prirur mirë arsyen e saj dhe për të kërkuar të vërtetën te shkencat, si dhe Dioptrika, Meteorë dhe Gjeometria, që janë sprova të kësaj metode; ai gjeti shumë shpejt një rreth të gjerë lexuesish. Kjo vepër u pasua më 1641 nga Përsiatje metafizike, që përbën veprën e tij kryesore. Tre vjet më vonë u botua Principia philosophie (Parimet e filozofisë), një lloj doracaku në të cilin përmblidheshin në katër pjesë themelet e mendimit të tij dhe të kërkimeve që kishte kryer deri atëherë.

Vepra, e botuar në fillim në latinisht, u përkthye në frëngjisht që në vitin 1647. Pas një ngurrimi të gjatë, në verën e vitit 1649 Dekarti pranoi ftesën e mbretëreshës Kristina të Suedisë dhe shkoi në Stokholm për t'i dhënë asaj mësime filozofie. Por mori shumë shpejt një pneumoni që i dha fund jetës së tij më 11 shkurt 1650, në moshën pesëdhjet e katër vjeçare. Pak formulime filozofike janë bërë aq të famshme sa cogito ergo sum "Unë mendoj, pra unë jam" - e francezit Rëne Dekart, e shprehur më 1644 në Principia philosophioe (Parime të ftlozofisë). Filozofi rimerr këtu arsyetimin e traditës skeptike: asnjë përceptim i shqisave nuk është i sigurt; madje unë nuk di nëse një "gjeni i lig nuk është duke më gënjyer me një botë të rreme ; e si ta di me siguri të plotë që thjesht nuk e ëndërroj atë që perceptoj ? E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt është ajo që mendoj, që kryej në vetvete, me vetëdije dhe lirisht, veprimet shpirtërore ekzistenca e të cilave është për mua më e sigurt se ajo e botës materiale, duke përfshirë këtu edhe vetë trupin tim. Edhe sikur vetëm të ëndërroj, mendimi im tek ëndrra do të jetë diçka. Nga e gjithë siguria e parë - "unë mendoj" - rrjedh detyrimisht siguria e dytë - "unë jam" ; kështu, ka diçka që ekziston, një të Qenë, që është vetja ime.

Te Persijatje metafizike, Dekarti e çon deri në fund mendimin që kishte prekur më 1637 tek e famshmja Diskutim për metodën : të mendosh dhe të arsyetosh shkencërisht, nuk mund të pohosh se asgjë nuk mund të shfaqet përsosurisht e sigurt dhe e qartë ; duhet t'i shpërbësh çështjet në aq përbërës sa do të jetë e nevojshme për të mundur të flasësh me siguri për secilin prej tyre.

Fjalët e qarta dhe të thjeshta lejojnë të ndërtosh pak nga pak gjërat më të ndërlikuara. Për të provuar efikasitetin e metodës së tij - bazuar para së gjithash mbi proceset e ndërtimit të gjeometrisë - Dekarti shtoi si aneks te Diskutimi tri "sprova" shkencore: një mbi përthyerjen e dritës (dioptrik) ; një mbi meteorologjinë (meteores) ; dhe një të tretë (gjeometria),ku shtjellonte gjeometrinë analitike që kishte shpikur dhe që mbetet aktuale, sipas së cilës ekuacionet algjebrikë pasqyrohen në figura gjeometrike falë sistemit të koordinatave "karteziane" dhe anasjelltas.

Pasi me cogito ergo sum gjeti një të vërtetë metafizike të thjeshtë, me të njëjtin kuptim dhe tepër të kufizuar, përsëri Dekarti bën një kthesë nëpërmjet teologjisë, për të nxjerrë sigurinë e aksiomave matematike, si dhe sigurinë e vetë trupit të tij dhe të botës së jashtme: unë gjej në mendimet e mia idenë e një qenie të përkryer, domethënë të Zotit. Kjo ide është këtu sepse e mendoj, por nuk mund të vijë prej meje përderisa jam i papërsosur dhe se përsosuria - aksiomë e rimarrë nga Dekarti nga tradita antike dhe skolastike që, për veç të tjerash, e përbuz - nuk mund të vijë nga papërsosuria. Pra, jashtë meje duhet të ketë Zot, dhe meqenëse Zoti në përsosurinë e tij nuk mund të më mashtrojë, nuk ka vend për zhgënjim: unë kam fare mirë një trup, ka fare mirë një natyrë rreth meje, dhe "dy edhe dv bëjnë katër", si i thotë Don Zhuani Sganarelit (Don Zhuani III, skena I). Pasi i dha shkencës natyrore një bazament metafizik të pacenueshëm (sipas tij), dhe pasi siguroi në këtë mënyrë "metodën" e tij të kërkimit, Dekarti mundi të shtjellonte fizikën e tij mekanike. Ashtu si mendimi përbëhet nga njohja dhe dëshira, po ashtu edhe bota materiale përbëhet nga trupa pak a shumë të shtrirë dhe nga lëvizja e këtyre trupave. Mbarë universi është mbushur nga thërrmija të pjesëtueshme në pafundësi, me trupa dhe forma të ndryshme ; meqenëse nuk ka zbrazëti, as edhe hiç, këta trupa ndajnë së bashku në qëndrueshmëri lëvizjet e tyre, ashtu si në një orë një rrotë me dhëmbëza formon ingranazh me një rrotë tjetër. Vetë Zoti është si energjia, që mban në lëvizje këtë orë të universit. Në shekullin XVII, nuk shërbente vetëm ora si model për shpjegimin e natyrës, por edhe loja e ujërave në parqet e senjorëve të mëdhenj. Gjëndra epifike e trurit (ose epifiza), që për Dekartin është qendra e sistemit nervor, funksionon, sipas tij, si stacioni rele-ndërresë shpërndarës i lojërave të ujit. Përshtypjet që japin shqisat arrijnë aty si valë të vogla të trysnisë; prej andej, me ndërmjetësinë e fijeve nervore që veprojnë si një sistem hidraulik, shtytjet u përcillen muskujve të trupit dhe shndërrohen në lëvizje muskulore. Trupi i njeriut, ashtu si universi, është një makinë. Mbetet që zot i kësaj makine të jetë shpirti i qenies njerëzore.

Dekarti, në shtjellimet e tij mbi moralin, tregon si shpirti mëson tërë shkathtësi të zotërojë pasionet e trupit; se vullneti njerëzor mund të ngadhënjejë mbi këtë të fundit. Shpirti mendimtar dhe që fiksohet me dëshirë te qëllimet, mbetet për të rrënjësisht i ndarë nga bota materiale - krejt ndryshe nga sistemi materialist i Tomas Hobsit. Dekarti ripërtëriu kështu dualizmin e vjetër platonik të shpirtit dhe të trupit, por në mënyrë të tillë që do të linte gjurmë në filozofinë e kohëve moderne : shpirti është subjekti i njohjes - kuptohet që Dekarti nuk përdor ende konceptin "subjekt" në këtë kuptim - përballë të cilit ngrihet bota materiale e objektit. Edhe trupi njerëzor i përket kësaj bote të objektit. Por një çështje mbetet pezull e që Dekarti nuk mund ta zgjidhë dhe për këtë këshillon të merret si e dhënë: çështja e ingranazhit midis trupit material dhe shpirtit jomaterial. Kjo çështje do të vazhdojë edhe në metafizikën moderne. Mendimi (shpirti) është gjithmonë për Dekartin diçka vetjake: shprehja e tij "unë mendoj (dhe dua)", mbetet pikënisja e metafizikës së tij. "Uni", që mbretëron mbi trupin dhe që synon gjithashtu të sundojë natyrën e jashtme me anën e makinave, është një koncept i ri në historinë e mendimit. Ai dallohet krejtësisht nga "uni" mesjetar, i ngulitur në traditat e qëndrueshme, por edhe i lirë ndaj nevojave dhe dëshirave të natyrshme. Ai dallohet po ashtu nga "uni" i Rilindjes italiane, që kërkonte shpalosjen e lirë të pasioneve të tij fizike. Shekulli XVII i kundërvuri kësaj një etapë të rëndësishme në shtjellimin e mendimit, që sociologu gjerman Norbert Elias (1897-1990), e pagëzoi "proces i qytetërimit". Fisnikët francezë pranuan disiplinën dhe etiketën e jetës së Oborrit që i mobilizonte; tregtarët holandezë dhe anglezë mësuan t'i kalonin në plan të dytë kërkesat e çastit, për të grumbulluar kapitalin e përcaktuar në transaksionet e ardhshme. Ata duhej të disiplinonin kështu vetveten, pa kërcënimin e një dhune të drejtpërdrejtë, me një fjalë ta ndanin "unin" e tyre nga nevojat dhe pasionet fizike. Ky "un" "modern" shfaqet në filozofinë e Dekartit, në dramat e Kalderonit (1600-1681), si dhe në autoportretet e Rembrandit. Sistemi i Dekartit, duke lënë mënjanë "problemin e shpirtit dhe trupit", është më i përpunuar se ai i Hobsit, konkurrenti i tij i mundshëm, por edhe më pak i hapur ndaj përvojave të reja.

Kjo "konkurrencë" midis racionalizmit "kartezian"francez dhe empirizmit pragmatik të anglosaksonëve është përjetësuar deri në ditët tona, megjithëse që të dy kanë një zanafillë të përbashkët në kundërshtinë e traditës skolastike me një vulë të theksuar aristotelizmi dhe e vlerësuar shumë lart nga Kishat. Dekarti dhe Hobsi shpresonin nëpërmjet një metode kërkimi më racionale dhe më afër realitetit, që t'u jepnin fund grindjeve dhe smirës midis autoriteteve shpirtërore, që për ta ishin shkaktarët realë të luftërave të tmerrshme të fesë në kohën e tyre. Synimi i tyre nuk qe pa sukses , sepse "shkenca" u bë shumë shpejt autoriteti më i fuqishëm, ndërsa konfliktet fetare kaluan shumë shpejt brendapërbrenda vetë kishave.

Dekarti e pagoi shtrenjt betejën kundër autoriteteve shpirtërore tradicionalë: ai u detyrua ta kalonte jetën e tij në Holandën kalviniste, që ishte atëherë - të paktën për mysafirët e saj - vendi më modern dhe më liberal i Europës. Pavarësisht kësaj, ai i qëndroi besnik Kishës Katolike, madje edhe gjatë qëndrimit të tij të fundit në Suedinë luteriane. Feja ishte pjesë përbërëse e "unë mendoj" dhe nuk lejoi asnjëherë të diktohej mendimi i tij nga cilido autoritet.

Kureshti nga jeta e filozofit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Dekarti ishte njeri me ndjenja shumë bujare. Një herë e pyetën se pse nuk ishte hakmarrë me një person që e kishte fyer.

- Kur dikush më fyen - u përgjigj filozofi, - unë ngrihem me shpirtin tim aq lart, sa që fyerja nuk më arrin dot.

  • Duka Duras e ngacmonte Dekartin, të cilit i pëlqenin shumë drekat dhe darkat e mira.

- Ju besoni se natyra i ka bërë gjërat e mira vetëm për të paditurit ?

  • Dekartin e pyetën njëherë për gjërat më të rralla dhe më të çmuara: - Tri janë, - u përgjigj filozofi i madh, - një orator i përsosur, një libër i mirë dhe një grua pa të meta.
  • Dekarti ishte pak i dobët nga shëndeti. Megjithatë ai i bënte të gjitha detyrat dhe ishte gati për çdo sakrificë për t'i plotësuar ato. Një miku i tij, që mrekullohej me të, mori këtë përgjigje prej Dekartit :

- Po ç'të bëj ? Kur e kam shumë të sigurtë jetën, atëherë merrem me mjetin tjetër të sigurtë që të mos druhem nga vdekja.

  • "Jeta është një ëndërr", ky është titulli i një pjese teatrore të dramaturgut të madh spanjoll Pedro Kalderon, shkruar kur Rëne Dekarti përpunonte filozofinë e tij. Një princi, që i ishte grabitur trashëgimi, ia mbushin mendjen se po jetonte thjesht një ëndërr. Atë e ndihmon vetëm urtësia filozofike: duhet të veprojë në mënyrë të virtytshme, qoftë në ëndërr apo zgjuar. "Uni" sigurohet për qenien e tij duke u ngritur mbi mashtrimet e botës së jashtme, pasioneve dhe dobësive të trupit të tij. Kjo përputhet në mënyrë të përkryer me shfaqjen etike të cogito- s kartezian, sipas së cilës Uni që mendon, sundon trupin dhe botën fizike.
  • "Prova ontologjike", Zoti ekziston, sepse nuk do të mund ta kapja përsosurinë, po të mos ekzistonte - kjo është ajo që e quajnë "provë ontologjike" e ekzistencës së Zotit, formuluar për herë të parë në shekullin IX nga Shën Anselmi i Kantëbërit. Shën Thoma d'Akuini nuk shkoi aspak më larg, sepse përziente regjistrat e mendimit dhe të qenies. Por me të arritur Dekarti në një përfundim logjik të mendimit për ekzistencën e qenies, prova ontologjike e ekzistencës së Zotit u bë e kapshme.
  • Rëne Dekarti vlerëson se asnjë nga perceptimet tona jetëshkurtra nuk mund të mbartë siguri. Siguria e vetme është që "unë jam" dhe që "unë mendoj". Siguritë e tjera mund të jenë shtjelluar duke filluar nga këtej, me ndihmën e matematikës ; nga ana e saj, ajo na lejon të vëmë rregull në botën e dukjeve të jashtme. Kështu mund të përmblidhet shkurtimisht kartezianizmi : "Unë mendoj, pra unë jam"
  • Dekarti, «babai i filozofisë së kohës së re», është një nga mendimtarët më të mëdhenj racionalistë të të gjitha kohëve. Pas disa kaptinave kryesisht biografike të cilat në realitet janë teza hyrëse - në pjesën e katërt të Trajtesës mbi metodën të njohur të tij - libër i cili u botua në frengjishte, dhe jo në gjuhën tradicionale latinishte arrin te qëndrimi fundamental i tij, problematika dhe zgjidhja e të cilit paraqesin skeletin e tërë filozofisë së tij, kurse më vonë edhe të racionalizmit të kohës së re. Pakënaqësia ndaj gjithë gjendjes së deri atërshme të shkencave shndërrohet në dyshim që përfshin tërë përmbajtjen e vetëdijes. Të gjitha gjërat që kanë hyrë në vetëdijen time si përmbajtje e saj, mund të jenë gjithashtu rezultat i fantazimit dhe i gënjimit të shtrembëruar, sikur është për shembull gënjimi që e përjetojmë në gjumë. Mund të supozoj dhe të përfytyroj se nuk kam trup, se nuk ekziston as bota, as vendi mbi të cilin qëndroj. Për më tepër, mund të dyshojmë edhe në perëndinë dhe të supozojmë se jemi krijuar në një mënyrë e cila do të na gënjente gjithmonë. Gjithçka, çdo përmbajtje mund ta përfytyrojmë: se nuk ka as tokë, as qiell, se jemi pa duar, pa këmbë, pa trup. Mirëpo në të njëjtën kohë kur kështu mendojmë, derisa kështu dyshojmë, e vetmja gjë për të cilën nuk mund të dyshohet është vetë ky dyshim, domethënë mendimi, sepse edhe derisa mendohet se gjithçka është e shtrembër, medoemos ai që mendon është, ekziston: Cogito, ergo sum. Këtu, pra, është zbuluar për të parën herë baza e sigurt, e kjo është ai «fillimi i kulluar» (Hegeli), mbi të cilin më vonë u ndërtua tërë sistemi, këtu është thënë se fryma nuk njeh asgjë, as përpara as më mirë as më qartë nga vetvetja. Rezultati, pra, i skepsës metodike të Dekartit nuk është i njëjtë si te skeptikët, dyshimi, por vërtetësia. Mendimi është pikënisje e botës, esenca e tij dhe mundësia e vetë sigurisë së njohjes. Kjo është ajo formë e çlirimit të njeriut, e cila karakterizohet me pavarësimin mijëvjeçar nga stagnimi spekulativ i filozofisë kishtare dhe e cila në këtë mendim të ri dhe të çliruar, vetvetes i shtron ligjësi që në to për vete të çlirohet vetë.
  • Përveç zbulimeve gjeniale matematike të veta dhe të njohjes në fushën e fizikës, Dekarti ndikoi dukshëm edhe në zhvillimin e psikologjisë. Psikologjia e tij e pasioneve është përpjekje e parë e një teorie të ndjejshmërisë, të bazuar në pikëpamjen e tij mbi fiziologjinë dhe teorinë e shpirtrave animale.
  • Me gjithë kufizimet e tërësishme të kushtëzuara nga gjendja e atëhershme e shkencës, si dhe në përgjithësi nga rrethanat dhe tendencat shpirtërore të kohës në të cilën jetoi, me gjithë tezat e tij vulgaro-mekanike dhe njëan-shmërisht racionaliste, filozofia e Dekartit paraqiste një epokë të re në zhvillimin e të menduarit njerëzor. Thelbi i revolucionit filozofik të Dekartit qëndron në pohimin se kurrgjë s'ka të drejtë të ketë një autenticitet të tillë sikurse që kanë njohjet njerëzore të qarta dhe të kuptueshme. Të gjitha pohimet e tjera duhen reduktuar në këto njohje dhe të vërteta njerëzore, për t'u bërë edhe vetë të vërteta. Duke provuar guximshëm këto njohje si njohje të vetme autentike, Dekarti në studimet e tij njëkohësisht hodhi poshtë paragjykimet mijëvjeçare, besimin në autoritete, në mistikë dhe në gënjeshtra duke ndërtuar mbi themelet e skolastikës së rrënuar, në mënyrën e vet edhe sot të freskët, interesante dhe të gjallë të të menduarit, një filozofi të besimit racional në mundësitë njohëse të njeriut, një filozofi optimiste të arsyes njerëzore.