Jump to content

Ruzhdi Ushaku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ruzhdi Ushaku (1 maj 1938, Ulqin) është shkencëtar, filolog i spikatur, kritik arti, eseist, etimolog, romanist dhe njihet si studiuesi më i veçantë i shkencave filologjike.[1]

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Rrjedh nga një familje detare-peshkatare, gjurmët e së cilës shpiejnë deri te një dokument osman nga shek.XIX (një fotokopje gjendet në bibliotekën e Ulqinit), ku përmendet gjyshi i tij , Jusuf Ushaku, si dëshmitar dhe anëtar i Parisë së Ulqinit. Po në këtë vend, tradita familjare dokumentohet poashtu me një mikrotoponim në bregun e detit e quajtur ,, Rrasa e Ushakut,, Shkollën fillore shtatëvjeçare e kreu në vendlindje në vitin shkollor 1952/53. Asokohe u shpall nxënësi më i mirë në Komunën e Ulqinit (viti 1950). Normalen e kreu në Prishtinë në vitin 1957. Meqenëse ishte nxënës shembullor i kësaj shkolle, lirohet nga provimi i maturës. Studimet e romanistikës i mbaroi në Sarajevë. Ne cilësinë e absolventit të Fakultetit Filozofik të Sarajevës, me qëllime përsosjeje dhe studimi të mëtejmë, qëndroi 14 muaj në Paris (1962/1963). Atje kreu shkallën e pestë të studimeve moderne frënge me ç'rast merr diplomën me titull: Diplôme Supérieur d’Etudes Françaises Modernes. Një vit më vonë (1964) diplomon Degën e Romanistikës (Gjuhë dhe letërsi frënge me gjuhë latine si dhe gjuhën italiane si gjuhë ndihmëse) të Fakultetit Filozofik të Sarajevës. Gjatë studimeve në Paris ishte student i dalluar. Këtë e dëshmon vlerësimi i suksesit në diplomë. Gjatë studimeve në Sarajevë ishte demonstrator për studentët e vitit I-rë dhe II –të ndërsa një vit kryetar i Klubit të Romanistëve. Në punën pedagogjike Ruzhdi Ushaku ishte mësues në fshatin Krythë të Ulqinit, më pas profesor i gjuhës frënge dhe asaj latine në gjimnazin e Gjilanit (1965-1969), bashkëpunëtor profesional në Bashkësine Krahinore të Kulturës- Prishtinë, asistent në Seksionin e Historisë së Kulturës Kombëtare në Institutin Albanologjik - Prishtinë. Në vitin 1968/1969 vijon studimet pasuniversitare (drejtimi shkencor) në Seksionin e Romanistikës të Fakultetit të Filologjisë në Beograd.

Fillimisht ishte bashkë punëtor i jashtëm i Fakultetit Filozofik të Prishtinës (1969/1970), ku ligjeroi gjuhën latine. Nga viti 1971 punoi mësimdhënës i gjuhës frënge, një kohë edhe të asaj latine në Degën e Gjuhës dhe letërsisë frënge të posaformuar, pranë Fakultetit Filozofik (tanimë i Filologjisë). Nga viti 1985 ishte profesor ordinar i këtij Fakulteti. Me 10.12.1972, mbaron me sukses të dalluar temën “Shprehjet idiomatike të frëngjishtes në tekstet shkollore bashkëkohore serbokroate”. Po në këtë fakultet, në Qershor të vitit 1979, mbaron me sukses të lartë disertacionin e doktoraturës ” Fjalitë hipotetike me SI në gjuhën bashkëkohore letrare frënge”. Gjatë viteve 1989-1991 gjendej në funksionin e kryetarit të Këshillit Mësimor Shkencor të Universitetit të Prishtinës. Nga ky funksion shkarkohet me dhunë në fillim të prillit të vitit 1991.

Me punë krijuese dhe me kërkime shkencore filloi të merret në fillimin e viteve të gjashtëdhjeta. Për këto qëllime qëndroi disa herë në botën e jashtme duke gëzuar bursë nga Qeveria frënge (1972/73, 1985, 1998, 2000), nga Qeveria italiane (Veneci 1983), Shqipëri( 1975), duke vazhduar me kërkime individuale në Gjermani (1998, 2000) si dhe në Republikën e ish-Jugosllavisë. Për herë të parë (1973) mbajti ligjeratë shkencore në Universitee Sorbones (Ecole des Hautes Etudes), kurse në vazhdim ligjerata të shumta në seminare e tubime shkencore të karakterit vendor dhe ndërkombëtar, përfundimisht me dy ligjeratat më të fundit (2000) në universitetet e Parisit (INALCO-Sorbonne Nouvelle dhe Université Paris VIII). Ka formuar dhe udhëhequr kandidatë për master dhe doktorë të shkencave filologjike në Prishtinë, Beograd, Sarajevë, së fundi (2001) bashkëmentor për një doktorant në INALCO-Sorbonne Nouvelle t ë Parisit. Bashkëpunëtor, anëtar i redaksive prestigjioze, përfshirë këtu edhe botimet enciklopedike t ë akademive JAZU-JLZ,EJ-Zagreb. Ne 2002, Espace Culturelle Francaises, ne Prishtine u shpall MEMBRE D'HONNEUR. Në vitin 2006 u pranua anëtar akademik aktiv në Akademinë Evropiane të Arteve (Académie Européenne des Arts) A.E.A, me seli në Leuze të Belgjikës. Në vitin 2013 nderohet me “Diplôme de Plaque d'Honneur “të Rendit Evropian të Arteve, për kontributin e tij në çështje të Shkencave Letrare dhe të Arteve. Në vazhdim, R.Ushaku dekorohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me titullin Nderi i Akademisë (v.2015) dhe me medaljen Nderi i Kombit nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani (v.2017).[2]

Ndërkaq, gjatë jetës dhe punës së tij krijuese, intelektuale, Profesor Ushaku është marrë me përkthime të teksteve shkollore nga gjuha latine, frënge, serbokroate. Në fushën e beletristikës, po ashtu, ka përkthyer poezi, prozë të zgjedhur nga gjuha frënge dhe italiane. Në këtë kontekst, spikatet një vepër madhore që priste përkthyesin nga gjuha frënge në gjuhën shqipe. Ishte kjo vepër dyvëllimshe e shkruar në gjuhën frënge nga dijetari i spikatur Muhamed Hamidullah, kushtuar jetës dhe veprës së Muhammedit A. S. Në botim te LOGOS A_2011, vll. I, 551 f., vëll. II, 404 f. Atëbotë, shqipja ishte e treta gjuhë në botë falë përkthimit të Ruzhdi Ushakut : Muhammad Hamidullah, LE PROPHETE DE L' ISLAM. Dijetari Ushaku ka hobi muzikën dhe astronominë. Kohëve të fundit qarkullojnë në YOUTUBE Serenatat ulqinake me 8-të sosh me tekstin dhe muzikën e tij dhe vajzës Adelinës pianiste që janë mirëpritur nga adhuruesit e serenatave, falë realizuesit Jusuf Lika, përkatësisht Fondacionit Lika.[3]

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku ka botuar 14 vepra, ndër ato 2 në bashkautorsi dhe rreth 100 punime-studime të veçanta shkencore edhe në gjuhë të huaja (serbo-kroatisht, frengjisht, anglisht, gjermanisht dhe japonisht).

  1. Kërkime filologjike, Prishtinë, Rilindja-Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku; 1981
  2. Les propositions hypothétiques introduites par SI dans des textes littéraires en français contemporain ( Fjalitë hipotetike me lidhëzën SI në gjuhën bashkëkohore frënge të teksteve letrare botar në serbokroatisht dhe version përmbledhës në gjuhën frënge), Prishtine, Filozofski fakultet-Prishtinë, Fakulteti Filozofik-Ruzhdi Ushaku; 1983, 226 f.
  3. Paralele të ligjërimit poetik. Kërkime dhe trajtime gjuhësore (Parallèles du langage poétique-Recherches et traitements linguistiques), Prishtinë, Rilindja-Ruzhdi Ushaku; 1986, 232 f.
  4. Ulqini në gjurmët e shekujve, Ulqin, Art Club-Ruzhdi Ushaku 1991, 189 f.
  5. Hulumtime etnolinguistike (Ethnolinguistic researchs), Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë-Faculty of Philology-Prishtina-Ruzhdi Ushaku; 2000, 271 f.
  6. Veprimtaria shkencore e Prof. Dr. Ruzhdi Ushakut, Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation-Ruzhdi Ushaku, Jup Kastrati, 2003, 126 f.
  7. Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, UP-Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë-Ruzhdi Ushaku 2006, 213 f.
  8. Ulqini nga dritaret e kohës(Ruzhdi Ushaku dhe Jusuf Lika) Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2006, 421 f.
  9. Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi, Fondacioni LIKA Foundation, 2010, 336 f.
  10. Shqipia si çelës për dy fraza enigmatike nga "Zogjte e Aristofanit" shek.V para erës së re, BKSH ne MZ - Fondacioni "Lika"-Art Club, Ulqin 2011, 71 f.
  11. Servantesi në Ulqin mes gojëdhënave dhe realitetit-Fakte dhe përsiatje, Fondacioni "LIKA" Ulqin, 2014, 147 f.
  12. Gjurmë dhe anëshkrime nga folkori i Ulqinit,Fondacioni "LIKA" BKSHMZ, Ulqin, 2015 232 f.
  13. Enigma e Valdanosit, Art Club-Fondacioni"LIKA" Ulqin, 2019, 149 f.
  14. Gjurmë dhe gjurmime filologjike-Nga disa areale të Ballkanit ilirik, Fondacioni "LIKA", 2020, 312 f.

Përveç veprave të sipërshënuara, Ushaku ka botuar rreth 100 punime të tjera të zhanrit esejistik, të kritikës së arteve, publicistikës në shumë gazeta apo revista shqiptare të asaj kohe, shpeshherë me pseudonimin Redon Moreja. Mjerisht, për shkaqe objektive dhe subjektive ato kanë mbetur pa u ribotuar dhe si të tilla krijojnë zbrazëti informacioni për lexuesit e sotëm dhe të nesërm, derisa dikush tjetër do t i përgatiste dhe sistematizonte në formë librash apo broshurash sipas tematikës dhe zhanreve përkatëse.[4]

  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1711. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://www.botasot.info/kultura/1094707/ruzhdi-ushaku-ndash-figure-e-shquar-e-kombit/
  3. ^ https://ulqini-online.com/sajti/?p=27956
  4. ^ https://ul-info.com/n-aliu-profesori-im-ruzhdi-ushaku/