Sabit Idrizi
Sabit Idrizi u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe. Deri më tash ka botuar këta libra: "Pesha e fundshekullit", poezi, 1995; "Përderisa është e martë", poezi, 1997; "Diell me dhëmbë", poezi, 1998; "Finalja e zhgënjimit...", ditar, 2000; "Mbretëresha është gjallë", poezi, 2006; "Zarfi", roman, 2008 dhe "Ma fsheh bregun tjeter", poezi. Përveç çmimeve tjera letrare, Sabit Idrizi ka marrë edhe çmimin letrar në nivel gjithëkombëtar "Konstandin Kristoforidhi", i cili jepet në Elbasan. Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash. Tani e shtatë vjet me radhë është edhe kryeredaktor i revistës letrare Fjalë e valë, të cilën e financon Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës "Jakup Ceraja". Është redaktor, recensent apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare. Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Mitrovicë.
Ka kohë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Ka kohë që përpiqem për t’ju thënë diçka
- Diçka për kurrgjënë, diçka për gjithçka
- Ka kohë që n’shurdhësi po m’përplaset fjala
- Për do kohë të mira, për do kohë t’përdala
- Ka kohë që po pres të ma vëni veshin
- Ju që iu ka dalë tambli mbi përsheshin
- S’di pse ndiej nevojë për ta thënë një fjalë
- Se ende s’kam vdekur, se ende jam gjallë
- S’di pse ndiej nevojë t’më dëgjoj dikush
- Kur thellë brenda meje diçka djeg si prush
- Ka kohë që jam mbyllur n’timen dashuri
- Më rilind o fjalë, m'shpërthe përsëri...
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Më shumë tekste nga Sabit Idrizi Arkivuar 21 nëntor 2010 tek Wayback Machine Temat letrare