Sali Shijaku
Sali Shijaku (Tiranë, 12 mars 1933 - 24 shtator 2022) ka qenë piktor shqiptar, i nderuar me titujt "Artist i Merituar", "Piktor i Popullit".[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Tiranë në një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e mbaroi më 1952-shin, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve "I.E.Rjepin" në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë "Tretjakov" në Moskë. Tabloja e titulluar "Heronjtë e Vigut" ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.
E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës. Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: "Portret vajze" (1953, GKA), "Kostum tiranseje" (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj. Vepra e "Piktorit të Popullit", Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja "Partizanët e batalionit - Hakmarrja" (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës. E veçanta në këtë tablo ishte paraqitja jo e plotë e personazheve të saj, një hap ky mjaft i guximshëm për kohën kur u krijua vepra. Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja "Mic Sokoli" 1969, e "shkëputi" artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe. Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, "Nora e Kelmendit" 1981), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983). Ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive. Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin "Artist i Merituar" dhe në vitin 1979 "Piktor i Popullit". Më 2004-ën ai u nderua me titullin "Nderi i Qarkut të Tiranës". Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Ndërron jetë piktori i njohur Sali Shijaku". panorama.com.al.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)