Jump to content

Nexhmedin Zajmi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Nexhmedin Zajmi (Trebisht, 4 mars 1916 - Tiranë, 19 maj 1991) ka qenë arsimtar dhe piktor shqiptar.

U lind në Trebisht të Gollobordës në Peshkopi në një familje me tre vëllezër dhe një motër, kur ende pa mbushur 6 muaj, mbetet jetim nga vdekja e të atit. Pak vite me vonë, nga një sëmundje e rëndë ngjitëse i vdes nëna dhe motra me vëllezërit. I mbetur jetim, nën kujdesin e gjyshes, në moshën dhjetë vjeçarefutet në shkollën e fshatit ka dallohet për vizatime ku spikasin ato të rilindasve apo të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. Studimet i vazhdoi në shkollën e fshatit Omezhë dhe më 1931 hyn në shkollën teknike të Tiranës, në degën bujqësore si traditë e familjes. Në fund të vitit të tretë të shkollës, Zajmi realizon një portret në skulpturë të një shoku dhe duke parë talentin e tij i shtyu mësuesit t’ja ndryshojnë degën për të vazhduar në atë të dekoracionit, në të cilën Zajmi morri mësimet për pikturë. Ky punim u bë shkak që Nexhmedini të hyjë në degën e dekoracionit të kësaj shkolle, ku studionin piktorët Andrea Mano, Ibrahim Kodra, Gaqo Kollumbi, Qamil Grezda, Kel Kodheli, Sabri Tuçi. Më pas regjistrohet në shkollën e vizatimit në Tiranë, më 1938.

Zajmi kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë (Itali). Student i mjeshtrit Carlo Siviero , nga viti 1939-1944, Zajmi realizon disa tablo që janë edhe veprat e para të tij, ku mund të veçohen ajo e “Puntorit të vogël”, “Pamje nga fusha e Romës”, “Brendija”. Pasi kryen studimet dhe mbrojtjen e diplomës, Zajmi kthehet në Shqipëri e bashkë me një grup piktorësh e artistësh që u diplomuan në akademitë jashtë vendit, janë mësuesit e parë të brezit më të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë.Pas kthimit në atdhe më 1944 emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë (1945) dhe një vit më pas në Liceun Artistik "Jordan Misja".

Në vitin 1955, ai punon si Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe më pas rikthehet në Liceun Artistik si pedagog, ku jep mësim deri në vitin 1963. Po në këtë vit emërohet pedagog në atelienë e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (ish-I.L.A), ku punoi deri në vitin 1969.

Veprimtaria artistike e piktorit Nexhmedin Zajmi është e gjerë dhe e larmishme. Ai nga viti 1945 ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të hapura në Tiranë. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës edhe në ekspozita e konkurime ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si Bienalet e Aleksandrisë, të Bukureshtit, në Sofje, në Vjenë, Petërburg, Kroaci, etj.

Ai ka realizuar tablo me temë historike, peisazhe dhe portrete. Zajmi është një ndër përfaqësuesit më kryesorë të pikturës së realizmit socialist në Shqipëri. Arti i Zajmit shquhet në veçanti për ngjyra, pikturat e tij kanë forcë të madhe e të thellë në aspektin psikologjik, dhe shumë përfshirëse në tipa e karaktere.   Për krijimin e veprave me cilësi të lartë artistike e historike, për kontributin e madh në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë e në zhvillimin e arteve figurative në Shqipëri, piktori Nexhmedin Zajmi është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Merituar” dhe “Artist i Popullit. Ai është gjithashtu fitues i “ Çmimit të Republikës” dhe është dekoruar me mjaft urdhëra të tjerë.

Nexhmedin Zajmi është nderuar me disa çmime në konkurset e ndryshme Kombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe është laureant i disa çmimeve të Republikës. Në vitin 1961 i jepet titulli "Piktor i Popullit". Në aktivitetin artistik rreth 40 -vjeçar, piktori Nexhmedin Zajmi është pjesëmarrës në 27 ekspozita kombëtare. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen 72 vepra të piktorit Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve '40 në Itali.

Karriera e tij

1945 - Pedagog i vizatimit në gjimnazin e Tiranës (Qemal Stafa)

1946 - Pedagog në Liceun Artisik “Jordan Misja”- Tiranë.

1955 - Drejtor I Galerisë Kombëtare të Arteve –Tiranë

1956 - Pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”-Tiranë

1963 - Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve-Tiranë

1970 - Në profesion të lirë

https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Zajmi_Rome.jpg

https://commons.wikimedia.org/wiki/File:N._Zajmi_me_dardharen.JPG

https://commons.wikimedia.org/wiki/File:N._Zajmi_profil.jpg

https://commons.wikimedia.org/wiki/File:N._Zajmi_profil.jpg