Salih Kabashi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë




Salih Kabashi (1947) ishte disident i njohur, aktivist dhe i përndjekur politik shqiptar. Është botues, gazetar, udhëpërshkrues e reporter.

Shkrimet e para, poezi e skica, i ka botuar te shtojca për fëmijë e gazetës «Rilindja» të Prishtinës qyshse nxënës i shkollës fillore.

Shkollimin e mesëm e ka mbaruar në Istog e Pejë, ndërsa studimet për gjuhë e letërsi në Fakultetin filozofik të Prishtinës (1974).

Ka shërbyer si mësimdhënës në Gjurakovc e Llukavc të Begut të komunës së Istogut, në vazhdim edhe në Mitrovicë, Klinë e Pejë.

Gjatë periudhës 1968 deri 1981 Salih Kabashi ka përjetuar survejimin, diskriminimin e ndëshkimin politik nga ana e strukturave politike e shtetërore të Istogut e të Pejës si dhe të organeve drejtuese në organizatat punuese ku ai ishte në marrëdhënie pune.

Pas vitit 1981, derisa ishte mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Artit në Pejë, kur diferencimi politik bënte kërdinë, Salih Kabashi mbron kërkesën për avancimin e statusit politik e juridik-kushtetues të Kosovës, reagon me shkrim në shpifjet e shtypit shovinist të Beogradit, polemizon në faqet e revistës serbe NIN e të gazetës bulevardeske Politika Ekspres, akte që së pari i kushtojnë me diferencim e ndëshkim politik dhe pa vonuar edhe me përjashtim nga puna. Policia politike i konfiskon pasaportën e udhëtimit duke e detyruar që ta braktis Kosovën dhe të vendoset në një emigrim të brendshëm në Slloveni.

Strukturat politike të Istogut e të Pejës në koordinim me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror qysh më 1968 atij i kishin vënë etiketën e armikut të RSFJ-së, të frymëzuesit e indoktrinuesit të rinisë me idetë antijugosllave Kosova-Republikë dhe atë të bashkimit të viseve shqiptare nën Jugosllavinë në një shtet të vetëm - Shqipërinë.

Në Lubjanë Salih Kabashi në fillim detyrohet të fsheh identitetin e tij intelektual duke u paraqitur para punëdhënësve me gjoja vetëm shkollën fillore të kryer, ngaqë vetëm asodore ai do të kishte rast të gjente një punë si punëtor fizik. Kështu në nëntor ai u punësua në hekurudhat sllovene, në Zalog të Lubjanës dhe në Litije, në afërsi të saj.

Gjatë periudhës 1982-1984 përmes postës së rregullt, me emër e adresë të rreme dërgon shkrimet e poezitë e tij për gazetën «Zëri i Kosovës» në Gjenevë. Kjo zgjat derisa zimeri i dhomës, i instruktuar nga UDB e KOS nuk ia zbulon shkrimet e fshehura në brendësitë boshe të këmbëve metalike të krevatit. Kjo përshpejton arrestimin e tij të befasishëm nga ana Shërbimi Shtetëror të Sllovenisë në mëngjesin e 4 nëntorit 1984 dhe ekspeditimin e tij në natën nga 4 në 5 nëntor, duarlidhur, fillimisht për në zyrat e Sigurimit në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Prishtinë e pastaj përfundimisht në Burgun e Qarkut në Pejë ku nën hetime qëndron deri në korrik 1987, kur ai rikthehet në Slloveni dhe ku falë edhe vlimeve demokratike që kishin përfshirë Evropën komuniste dhe në atë kuadër edhe Slloveninë dhe Kroacinë fillon aktivizimi i tij intensiv publicistik, me emër e mbiemër të plotë, me artikuj e polemika në shtypin kroat, serb e slloven (Mladina, Telex, Danas, Nin, Start…).

Në këtë kohë Salih Kabashi bëhet pjesë e opozitës demokratike të njohur me emrin Pranvera sllovene (Slovenska pomlad), një lëvizje e fuqishme antikomuniste për demokraci, pluralizëm, zgjedhje të lira shumëpartiake, zbritje nga pushteti të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, barazi të plotë të subjekteve konstitutive të Federatës jugosllave, në të kundërtën - shpartallim të saj, reduktim dhe depolitizim maksimal të Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila ishte vënë asokohe në shërbim të plotë e ekskluziv të politikave të hegjemonisë serbe. Ajo lëvizje kërkonte lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, ndër ta edhe lirimin e nga burgu i gjatë i shkrimtarit shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, ngrinte zërin e protestës për suprimimin e gjendjes së shtetrrethimit në Kosovë, për dhënien fund të supremacisë shoveniste serbe mbi republikat e krahinat tjera jugosllave, veçmas të terrorit mbi shqiptarët e Kosovës.

Të po kësaj kohe janë edhe njohjet e miqësitë e Salih Kabashit me figurat kryesore të opozitës sllovene, e cila përbëhej fillimisht nga inteligjencia humaniste, shkrimtarë, artistë e politikanë të ndëshkuar nga regjimi, si Janez Jansha, Igor Bavçar, Iztok Torry, Nada Milharçiç, Ivan Borshtner, Alenka Trlep, Milena Ule, Jasha Zlobec, Toni Zavrl, Dane Zajc, Dimitrij Rupelj, Veno Taufer, Ivan Puçnik, Taras Kermanuer, Matjazh Hanzhek, Slava Partljiç, Alenka Puhar, David Tasiç…

Gjendja gjithnjë më okupuese në Kosovë, helmimet, plagosjet, arrestimet e vrasjet e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë e të Malit të Zi nga ana e regjimit serbo-jugosllav, grevat e minatorëve e punëtorëve si dhe protestat e përditshme të shqiptarëve në mbarë Kosovën, çuan në themelimin e të parit organizim opozitar shqiptar në ish-Jugosllavi - Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë me seli në Lubjanë, kofondator i të cilit ishte Salih Kabashi.

Dëshmitë e drejtpërdrejta për terrorin serb të mbledhura nga aktivistë klandestinë nëpër terren në Kosovë, bëheshin pjesë e raporteve të shumta të cilat të dërguara në Parlamentin evropian, Bundestagun gjerman, Senatin amerikan, OKB, etj., tërhiqnin vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për pozitën nënshtruese të Kosovës në Jugosllavi dhe për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, i themeluar në Lubjanë në fund të shkurtit të vitit 1989 u pasua me themelimin, në qershor të Shoqatës Kulturore Shqiptare «Migjeni» dhe të revistës së parë të lirë, të hapur e të pa censurë ndër shqiptarë përgjithësisht - «Alternativa», themelues, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i së cilës ishte Salih Kabashi.

Aktivitetet e Shoqatës «Migjeni» dhe dalja e revistës «Alternativa», në vazhdim të saj edhe të revistës «Republika» (5 korrik 1990), nën drejtimin e Salih Kabashit për disa vite me radhë e kishin bërë kryeqytetin slloven edhe kryeqendër kulturore e politike si dhe kryeburim të ideve demokratike, çlirimtare, pajtimtare e bashkimtare për popullin shqiptar.[1]

Duke marrë parasysh kontekstin politik e historik të lindjes së revistës «Alternativës» (pushtimi faktik i Kosovës, shtypjen brutale të revoltës gjithëpopullore, suprimimin me dhunë policore-ushtarake të statusit autonom të Kosovës brenda Federatës jugosllave nga Serbia, duke pasur parasysh vendosjen e censurës totale fillimisht, pastaj edhe mbylljen definitive të Radio-Televizionit të Prishtinës, të të vetmes gazetë ditore në gjuhën shqipe, «Rilindjes», me një fjalë të lënies së shqiptarëve në një terr të plotë informativ, revista e re luajti rolin e informimit të publikut shqiptar, serb e slloven dhe të huaj për atë që po ndodhte në Kosovë si dhe të inkurajuesit të inteligjencias, të rinisë e punëtorisë dhe të faktorit politik shqiptar që ai në kushte krejtësisht të reja të bënte veprimet e duhura dhe në situatën e re të krijuar t’i jipte impulse të reja idesë së ndarjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia dhe të shkëputjes së saj nga kthetrat pushtuese serbe.

Salih Kabashi me «Alternativën» e tij [1], aspiratat çlirimtare të shqiptarëve i nxori nga ilegaliteti në të cilin gjendeshin deri atëherë dhe nga retorika asgjëthënëse komuniste-vetëqeverisëse në një artikulim, deklarim, argumentim e kërkesë legale, të hapur, të guximshme e demokratike që do të çonte në ngritjen e Kosovës në rang të Republikës shqiptare, e cila pastaj në kushte të reja do të bënte hapat e shkëputjes deri në bashkim me Shqipërinë.

Në kohën kur Serbia kishte mbyllur e paralizuar veprimtarinë botuese në gjuhën shqipe duke vënë në Index librorum prohibitorum (listë e librave të ndaluar) veprat e autorëve më të shquar shqiptarë, të hershëm e të mëvonshëm, Salih Kabashi në Lubjanë botoi disa disa krijime të autorëve të ndaluar nga pushteti serb, ndër to edhe dy veprat madhore të Gjergj Fishtës, «Lahuta e Malsis» dhe «Mrizi i zanavet», veprën «Gjarpijt e gjakut» të Adem Demaçit, «Vitin e mbrapshtë» të Ismail Kadaresë, romanin «Oso Kuka» të Sulejman Krasniqit, «Vjeshtën e ankthit» të Bashkim Shehut, etj.. Në revistën «Alternativa» Salih Kabashi hapi faqet për shkrimtarët e intelektualët e ndjekur e të ndëshkuar, për autorët e ndaluar, margjinalizuar dhe për krijuesit me vepra të ndaluara nga censura komuniste jugosllave në Kosovë. Aty gjetën vendin e tyre autorë të rinj dhe ide të reja deri atëherë të ndrydhura. Me një fjalë «Alternativa» luajti rolin e një tribune të hapur e të gjerë të mendimit të ri e të çliruar politik.

Salih Kabashi si anëtar i një delegacioni treanëtarësh (Louise Christian, avokate londineze e Antoine Garapon, jurist parisien nga FIDH, Fédération internationale des ligues des droits de l'homme, në shtator 1990 bënë shumë intervista me të përjashtuarit, me të diferencuarit nga shtresa intelektuale, nga të sapoliruarit e fushatës në shkallë të gjerë të izolimeve… duke krijuar asodore një raport të gjerë e të argumentuar drejtuar ndërgjegjes evropiane e botërore që mundësonte parje nga afër të përmasave të rrezikshme të shtypjes së popullir shqiptar në Jugosllavi. Raporti pati një jehonë të gjerë, pasiqë atë fillimisht e botoi gazeta prestigjioze franceze «Le Monde Diplomatique».[2]

Në fillim të vitit 1990 Salih Kabashi i shoqëruar nga intelektuali e demokrati i shquar slloven Jasha L. Zlobec të ftuar nga Kujtim Qafa, Sejdi Bytyçi dhe Ekrem Bardha vizituan ShBA-të ku pos takimeve të shumta me bashkatdhetarë deponuan në Senat dhe ndër kongresmenë amerikanë dëshmi autentike të mirësistemuara, të mbledhura, edhe me rrezik për jetën, nga aktivistë të shumtë në Kosovë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë me seli në Lubjanë (shkurt 1989), i cili këshill inkurajoi themelimin e një asociacioni të ngjashëm edhe në Kosovë në dhjetor të të njëjtit vit.

Organizimi i manifestimit madhështor gjithëshqiptar në Lubjanë (Cankarjev Dom, Hala Tivoli dhe Bled), në kuadër të njëvjetorit të themelimit të Shoqatës Kulturore Shqiptare «Migjeni» dhe të daljes së numrit të parë të revistës «Alternativa», ku u diskutua tema deri atëherë tabu mbi Hapësirën e përbashkët kulturore shqiptare, paraqet një ndër ndërmarrjet më të lavdishme në biografinë e Salih Kabashit. Manifestimi në fjalë kishte mbledhur elitën intelektuale shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga mërgata e ndjekur politike në ShBA, Evropë, Egjipt e Turqi, disidencën politike që po delte në liri nga burgje të gjata… Aty për herë të parë shqiptarët në një tubim të mbajtur brenda kufijve jugosllavë haptas e pa ekuivoke, përmes referatit kryesor të mbajtur nga akademik Rexhep Qosja dhe referues të tjerë shfaqën kërkesën për një Republikë shqiptare e cila do të përshinte të gjitha viset shqiptare brenda saj.

Revista «Alternativa» si deri aty edhe më tutje mbeti frymëzuese e veprimeve e veprimtarive të pareshtura në funksion të daljes së Kosovës nga kthetrat serbe.

Më 5 korrik 1990 del numri i parë i Revistës «Republika» me botues e drejtues Salih Kabashin, e cila qëndroi në tregun mediatik të Diasporës shqiptare dhe të Kosovës, me disa ndërprerje të shkurtra, deri në vitin 2006.

Salih Kabashi pos punës madhështore për «Alternativën» e «Republikën» dhe paraqitjeve të shumta në shtypin jugosllav, ka bashkëpunuar edhe me gazeta të Kosovës, Shqipërisë. Kishte edhe një periudhë nëntë vjeçare të korrespodenturës nga Franca dhe Evropa për Radio Kosovën, bashkëpunim që e ndërpreu ndërhyrja politike. Ndërkohë Salih Kabashi edhe më tutje mbetet një ndër gazetarët e reporterët më produktivë, kualitativë e aktivë shqiptarë, si dhe një nga udhëpërshkruesit, polemistët e stilistët më brilantë të zhurnalistikës bashkëkohore shqiptare.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]