Sherif Langu
Sherif Langu (Dibër, 1877 - 9 mars 1956) ka qenë hafiz, hoxhë, imam dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Jeta
Mësimet e para i mori në medresen e shehrit të Dibrës. Më 1894 djaloshi 17 vjeçar ishte në lidhje të ngushta me atdhetarët Said Najdeni, Kadri Fishta dhe Shaqir Daci. Mes tyre, me kurajo e guxim iu përvesh punës për propagandimin e shkollës shqipe. Petku fetar dhe detyra e imamit që po kryente në një lagje të qytetit, nuk e penguan në aksionin e shpërndarjes së abetareve.
Duke jetuar zhvillimet që kalonte Dibra në fund të shek. XIX, Sherifi së bashku me patriotët e tjerë është I pranishëm në tërë ngjarjet. Ai merr pjesë në Kuvendin e madh të Dibrës të 27 shkurtit 1899. Prindët, veçanërisht gjyshi Selim bej Rusi, duke parë te ai një të ri inteligjent, të zgjuar e me të ardhme, e ndihmuan që të vazhdonte studimet në Manastir e më pas për teologji në Stamboll. Këtu pati mundësi t’i zgjeronte njohuritë fetare e shkencore duke u njohur njëkohësisht me atdhetarë dhe rilindas të shquar. Mes rilindasve si Ibrahim Temo, Dervish Hima e të tjerë, Sherifi u afirmua më tej me idealin kombëtar dhe përkushtimin për t’i shërbyer Atdheut. Ai gjatë vitit 1907 lëviz me mision sa në Dibër në Manastir. I njohur me aktivistë të klubit të Manastirit, bën një punë të madhe duke formuar në dhjetor 1908 klubin “Bashkimi” të Dibrës. Si kryetar i këshillit administrativ të klubi, së bashku me aktivistë të tjerë si Kadri Fishta, Riza Rusi, Eqerem Cami, Ibrahim Xhidri, Abdullah Tërshana dhe Ibrahim Jegeni zhvillon një aktivitet të dendur në dobi të çështjes kombëtare. Krahas përpjekjeve të vazhdueshme për shkollë shqipe, së bashku me aktivistë të tjerë luan një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Dibrës të 23 korrikut 1909. Në fund të qershorit 1910 Turgut Pasha, pasi kishte shtypur qëndresën në qytetin e Dibrës, u fut në zyrat e klubit “Bashkimi” dhe grabiti tërë dokumentet e klubit. Edhe pas kësaj “Prifti latin”, siç e cilësoi Turguti Sherifin nuk reshti së punuari në dobi të atdheut, për sëndërtimin e dibranëve me idealin kombëtar.
Pas kësaj, bashkëme patriotë të tjerë dibranë, bëhet insipiruesi i disa mitingjeve e peticioneve me anë të të cilëve këmbëngulej në dhënien e lejes për shkollë shqipe. Dibranët duke parë te Hafiz Sherifi një atdhetar të flaktë, me dhënien e lejes për shkollë shqipe, e zgjodhën unanimisht mësues. Hafiz Sherif Langu e shikonte nga afër fundin e Turqisë, ndaj iu vë punës për organizimin e kryengritjes me armë. Në fund të qershorit të vitit 1912, së bashku me Eqerem Camin, Ismail Strazimirin, Tajar Tetovën, Ramadan Camin, Sulejman Shehun e Zerqanit e të tjerë, merr pjesë në kryengritje me armë. Kjo kryengritje çoi në çlirimin e Dibrës.
Ai tani, me personalitetin e tij fetar, patriotik dhe si luftëtar e udhëheqës popullor ishte bërë figura më e dashur në mbarrë Dibrën. Është kjo arsyeja që së bashku me Haxhi Vehbi Agollin u zgjodhën përfaqësues të saj për në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Me okupimin sërb të viseve të Dibrës dhe Elbasanit niset nga Vlora me mision në këto anë për të organizuar qëndresë. Autoritetet sërbe e arrestojnë, por, përballë presionit të popullit, pas disa kohësh detyrohen ta lirojnë përsëri.
Në Elbasan u fut në lidhje me Aqif Pashë Elbasanin, me të cilin pati një bashkëpunim të vazhdueshëm në dobi të çështjes kombëtare. Duke ruajtur lidhjet me Qeverinë të Përkohshme të Vlorës, iu përvesh punës për të lidhur fiset e Dibrës me administratën e Vlorës. Me ndihmën e Aqif Pashës, në krye të një komisioni të përbërë nga Tajar Tetova, Haki Ismail Peqini, Ahmet Dakli nga Elbasani, ndërmerr disa herë misione në viset e Dibrës duke kontribuar në ngritjen e pushtetit lokal. Në këtë mision ai bashkëpunoi me Ramadan Camin, Hoxhë Muglicën, Hoxhë Kurt Ballën e shumë atdhetarë të tjerë. Nga fundi i vitit 1913 deri më 1917 kryen detyrën e kadiut (gjyqtarit) në viset e Dibrës që mbetën me Shqipërinë. Malli për vendlindjen e hodhi në qytetin e Dibrës ku nga viti 1920 gjer në vitin 1938 kreu detyrën e imamit dhe në disa raste në kadiut. Këtu pati mundësi të vihet në lidhje me miq e shokë të vjetër. Tashmë eminenca e tij përbënte rrezik për shtetin jugosllav, i cili e mbante atë nën vërejtje. Nga viti 1938 gjer në prill të vitit 1941 kryen detyrën e kryetarit të këshillit të ulemave në Shkup. Këtu, duke parë se veprimtaria e tij e mëtejshme ishte në rrezik, largohet për në Tiranë ku u ngarkua me detyrën e kryetarit të komunitetit mysliman shqiptar. Nga ky post i lartë predikoi prosperitet e tolerancë mes besimeve fetare, dashuri, bashkim vëllazëror fetar e kombëtar. Si nacionalist i vendosur aspiroi e punoi për Shqipërinë etnike.
Pas çlirimit, ndonëse në moshën 70-vjeçare, nën akuzën për agjitacion e propagandë dënohet me dhjetë vjet burgim. Qëndrimi i tij në burg dëshmon për karakterin e fuqishëm. Lirohet në vitin 1950 dhe vdes më 1956 duke u lënë brezave mesazhin e besimit e atdhedashurisë.[1]
Burimet
- ^ Lidhja e historianëve shqiptarë dibranë, “Dibra dhe etnokultura e saj”, vëllimi i dytë, Dibër, 1995