Shtëpia e familjes Arapi
Shtëpia e familjes Arapi | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Prizren, Kosovë |
Ndërtuar | Shek. XIX |
Emri zyrtar: Monument /Ansambël | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Nr. i referencës | 582 |
Shtëpia e familjes Arapi është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".
Historiku
Shtëpia e familjes Arapi gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në lagjen e “Saraçëve”, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Shtëpia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Themelet dhe muret e katit përdhese në lartësi deri 1-1.5 m janë të ndërtuara prej gurësh lumi të lidhur me llaç gëlqeror, ndërsa pjesa tjetër prej qerpiçëve të lidhur me hatulla horizontale, ku trashësia e mureve është deri 80 cm. Muret e katit janë të ndërtuara me sistemin “bondruk” të mbushur me qerpiçë, të lidhur me llaç balte, ku trashësia e mureve mbajtëse është deri 65 cm, ndërsa e mureve ndarëse deri 20 cm. Konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara prej druri. Kulmi ka planimetri dyujore i mbuluar me tjegulla tradicionale të luguara. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe. Është dykatëshe, e ndërtuar në formë simetrike të tipit me qoshk. Qasja në shtëpi realizohet nga rruga me anë të derës së madhe prej druri. Hyrja në shtëpi realizohet me anë të hajatit të hapur. Mbi hajat, në mes të katit, është qoshku i mbyllur me pesë dritare në ballinë. Në hajat, dhoma dhe qoshk gjenden pajisjet e paluajtshme: tavanet dekorative, dollapët prej druri, jyklykët, shkallët me trabozane, raftet, oxhaku -“çymlekllëku”, banja -“hamamxhiku” etj. si dhe pajisjet e luajtshme: enë bakri, mangalli etj. Shquhet tavani i një dhome në kat i punuar me kombinimin e drurit dhe të gjipsit (stuko). Fusha është e ngjyrosur me ngjyrë të kaltër. Në mes është roza në formë tetëkëndëshe, e zbukuruar me ornamente florale. Oborri ka kopsht të rregulluar, ku gjendet edhe mutfaku. Sot shtëpia akoma është e banueshme.
Referimet
- ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
Lidhje të jashtme
Ky artikull për historinë e Kosovës është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |