Jump to content

Sindikatat Gjermane dhe shkrime tjera

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fehmi Agani

Sindikatat Gjermane dhe shkrime të tjera është Vepra e V-të e përmbledhjes së krijimtarisë së Fehmi Aganit. Vepra e pestë e profesor Aganit apo „Sindikatat Gjermane dhe shkrime të tjera“ i ka 304 faqe dhe është e pajisur me shënimet përcjellëse dhe materiale të shfrytëzuara nga autori dhe janë shënuar në formën e fusnotave.

Kjo vepër ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga studimi „Format dhe shkalla e bashkëvendimmarrjes të punëtorëve gjermanoperëndimorë në drejtimin e ndërmarrjeve“, me të cilën prof. Fehmi Agani në vitin 1965 në Universitetin e Beogradit e ka mbrojtur titullin „Magjistër i shkencave politike“. Studimi i prof. Aganit me të cilin ka mbrojtur titullin shkencor në shkencat politike ndahet në tre pjesë: I. „Mekanizmi institucional i bashkëvendimmarrjes punëtore në Republikën Federale të Gjermanisë“, II. „Tradita e pjesëmarrjes punëtore në udhëheqjen e prodhimit në Gjermani dhe përcaktimi ligjor i bashkëvendimmarrjes në RFGj“, dhe III. „Bashkëvendimmarrja punëtore në RF të Gjermanisë – synimet dhe realizimet“.

Ndërsa në pjesën e dytë të titulluar shkrime të tjera, janë përfshirë tre studime mbi Shqipërinë: 1. „Shqipëria“, 2. „Shqipëria 1965“ dhe 3. „Nji vështrim rreth proceseve shoqnore - politike dhe ekonomike në Shqipni më 1966“. Këto studime të prof. Aganit mbi Shqipërinë dhe zhvillimet ekonomike dhe politike të asaj kohe, janë tema të trajtuara mirë dhe me të dhëna të kompletuara. Kjo gjë është domethënëse kur kuptohet se prof. Agani, studimin e ka bazuar ekskluzivisht në shtypin dhe literaturën e kohës që botohej në Shqipëri. Jo vetëm këto tri tema, por e gjithë vepra ka pasur qasje objektive dhe mjaftë reale me zhvillimet politike e ekonomike në Shqipëri, të cilat i ka bërë në vazhdimësi, studime këto që do t’i pasurojë dhe do t’i kurorëzojë me disertacionin e vitit 1973 kur do të marrë titullin doktor shkencash në Universitetin e Prishtinës.

Në veprën e pestë të prof. Fehmi Agani janë përfshirë edhe disa studime mjaftë me interes. Njëri ndër ta është ai përkitazi me regjistrimin e popullsisë në Kosovë, çështje kjo që vazhdimisht ka qenë kontestuese. Ky studim i përket vitit 1971, përkatësisht kohës kur është përmirësuar logjika e regjistrimit dhe kur këtë regjistrim në masë të madhe e kanë udhëhequr shqiptarët, por paraqitja tabelore e regjistrimit të vitit 1971 dhe krahasimi që i bënë me vitin 1961, vë në pah parregullsi të theksuara dhe është me interes edhe sot të studiohen këto maliverzime të asaj kohe, pavarësisht nga ajo se prof. Agani i ka thënë qysh në atë kohë, madje duke i bërë publike si punime shkencore. Po me aq interes janë prezantuar edhe kumtesat e prof Aganit në Konferencat e Studimeve Albanologjike të mbajtura në janar e prill të vitit 1968, si dhe parathënia e bërë për librin e prof. dr. Hivzi IslamitDimensioni demografik i çështjes së Kosovës“, shkrimi „Viti 1981“ është një uverturë, kurse libri mbyllet me shënimin: „In memoriam, Akademik Gazmend Zajmi (1936 - 1995)“.

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]