Jump to content

Struktura e degëve industriale në Kosovë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shteti i Kosovës është i pozicionuar në juglindje të kontinentit evropian, gjegjësisht në pjesën perendimore të Gadishullit Ballkanik. Kushtet natyrore dhe pozita e favorshme gjeografike, mundësojnë potencial të madh për zhvillimi ekonomik dhe industrial. Në anën tjetër, faktorët e tjerë kyç të lidhur ngusht me aspektin politik dhe të shkuarën përplot pushtime, kanë ndikuar që Kosova sot të jetë ndër vendet më të prapambetura për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe industrial.[1] [2]

Historiku i zhvillimit industrial

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vitet ’50-’90

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fazën fillestare, që përfshin vitet e ’50 të shekullit XIX, struktura e industrisë kosovare ka qenë shumë e thjeshtë dhe me një numër të vogël degësh të zhvilluara. Prej 11 degëve industriale sa ishin atë kohë, metalurgjia me ngjyra ka punësuar gjysmën e punëtorëve në industri e xehtari, industria e materialit ndërtimor 1/8 e tyre, po aq edhe prodhimi i qymyrit, për gjysmë më pak industria e jometaleve, e duhanit, e drurit dhe e tekstilit. Metalurgjia me ngjyra ka dhënë pjesën më të madhe të vlerës së prodhimit, ndërsa pas saj radhitej industria e drurit.

Me zhvillimin e degëve të reja industriale, sidomos atyre përpunuese, struktura e degëve industriale në Kosovë ndryshoi dukshëm. Në bazë të të dhënave të vitit 1987, degët që krijuan vlerë më të madhe ishin energjia elektrike, metalurgjia me ngjyra, prodhimi i makinave dhe aparateve teknike, industria e tekstilit, metalopërpunuese, ushqimore, metalurgjia e zezë, industria kimike, e materialit ndërtimor, e drurit dhe lëkurë-këpucëve.

Deri në vitet ’80, industria arriti nivel të konsiderueshëm zhvillimi, mirëpo për shkak të situatës kritike të viteve ’90, u shënua ngecje në zhvillim, prodhim, punësim dhe eksport. Kjo fazë dhe lufta që do të pasonte, ndikuan në rënien gati të plotë të industrisë së sektorit shtetëror-shoqëror.

Periudha e pas-luftës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në këtë periudhë, Kosova ishte në gjendje të rëndë ekonomike e sociale, në gjendje emergjente, kur duheshin siguruar ushqimi, strehimi, përtritja e shtëpive e banesave të shkatërruara. Pas tejkalimit të fazës emergjente, filloi procesi i komercializimit të fabrikave, i cili nuk arriti të mundësoj rifillimin e punës në shumicën e fabrikave ekzistuese. Në anën tjetër, procesi i privatizimit që filloi me vonesë në vitit 2003, e vazhdon edhe sot, pësoi ngecje dhe nuk ofroi rezultatet e dëshiruara. Parashikohet që edhe pas përfundimit të fazës së privatizimit, të mos ekzistojë mundësia e angazhimit të kapaciteteve të plota të dikurshme, pasi që ato ishin të konstruktuara në atë mënyrë që të siguronin prodhim për një treg dukshëm më të madh, duke prekur edhe tregun botëror. [3]

Metalurgjia me ngjyra dhe metalurgjia e zezë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me qëllim përpunimin e mëtutjeshëm të plumbit e zinkut, në qytetin e Mitrovicës u ndërtuan fabrika e akumulatorëve për automjete, në Pejë fabrika e baterive industrial, në Gjilan fabrika e baterive nikel-kadium, në Skenderaj fabrika e municionit për gjueti dhe në Vushtrri fabrika e llamarinës së zinkut. Në Rrafshin e Kosovës, metalurgjia e zezë ishte e prezantuar me fabrikën e tubave të salduara në Ferizaj, e cila në vititn 1988 ka prodhuar mbi 51 mijë tonë tuba. Duke u bazuar në xehet e nikelit, në vitin 1984 filloi prodhimin kombinati i feronikelit në Drenas, i cili në vitin 1988 prodhoi 15.000 tonë feronikel dhe punësoi rreth 4500 punëtorë.

Në minierat e njohura të Kosovësë në vitin 1988 u nxorrën 1.3 milionë xehe plumbi e zinku. Prej sasisë së xehes së nxjerrë, u prodhuan 83.000 tonë plumb i rafinuar, 48.5 mijë tonë zink elektrolit, 95 tonë argjend, 45 mijë tonë centrat plumbi, 42 tonë koncentrat zinku dhe 119 tonë koncentrat piriti. Në kombination xehetaro-metalurgjik dhe miniera kanë punuar mbi 10.000 punëtorë, ndërsa vetëm në miniera 6000 punëtorë. [4]

Me mbylljen e minierës së Stantërgut dhe minierave të tjera pas largimit të dhunshëm të punëtorëve shqiptarë, shkritorja e Zveçanit punoi edhe disa vjet me kapacitet të zvogëluar nga koncentratet e importuara. Pas periudhës së luftës, kjo industri pothuajse ka pushuar dhe duhen investime të mëdha për riaktivizimin e saj.

Prodhimi i energjisë elektrike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Para ndërtimit të termocentraleve, Kosova furnizohej me rrymë nga hidrocentrali i Radavcit në Pejë, i Kozhnjerit ne Deçan dhe i Dikancit në Dragash. Ndërkaq, ishte planifikuar edhe ngritja e një hidrocentrali në afërsi të Zhurit, por që nuk u ndërtua asnjëherë.

Duke u bazuar në rezervat e mëdha të linjitit, shteti i atëhershëm u orientua në ndërtimin e termocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike. Nga viti 1961 e deri m1 1975, u ngritën dy termocentrale të Kosovës B me kapacitet 678 MW. Në elektroekonominë e Kosovës më parë ishin të punësuar 7400 individë, ndërsa tani rreth 4000. Me sasinë e prodhuar të rrymës, Kosova jo vetëm që i plotësontë kërkesat e veta, por edhe i jepte rrymë pjesëve të tjera të ish-Jugosllavisë, sidomos Maqedonisë. Në periudhën e pasluftës, Kosova ka probleme të mëdha me furnizimin me energji elektrike, edhe pse nuk ka shfrytëzues të mëdhenj nga industria. Si alternativa më e mirë, është parashikuar ndërtimi i një termocentrali të ri.

Industria e metaleve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Industria e metaleve në Kosovë është relativisht e re. Objekti i parë i kësaj industrie u ngrit më 1968 në Pejë – fabrika e autopjesëve, pastaj fabrika e amortizatorëve në Prishtinë më 1974. Në Prizren ishte aktive fabrika Fampia që prodhonte pajime për kuzhinë të praruara me argjend dhe ari dhe pajime sanitare. Industria metalike Metaliku në Gjakovë, Metalci në Janjevë, Vinexi në Viti, e armaturës metalike në Podujevë, ishin bartësit e kësaj industrie në Kosovë. Në këtë industri kanë punuar në vitin 1987 rreth 8400 punëtore. Prodhoheshin ambalazhe metali, stufa, konstruksione nga llamarina e hekuri, enë të emajluara, enë alumini etj. Në Pejë u ndërtua edhe fabrika e bicikletave e cila nuk filloi asnjëherë të prodhojë.

Industria e jometaleve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kosova ka pasuri jometalike të tilla si magnezi, lapor cimentoja, kaolini për pllaka, argjila, kuarci, betoniti, zhavori etj. Në xehroren e Goleshit nxirrej ndërsa në Magure bluhej e piqej magneziti në magnezit të pjekur kaustik. Përpunimi i magnezitit nuk ishte i mundur në Kosovë.

Kaolini i nxjerrë në Karaçevë dërgohej në Dardanë ku prodhoheshin pllakat e qeramikës – rreth 20.000 tonë në vit. Në Kacanik prodhohej gëlqerja e pashuar dhe e shuar, në Han të Elezit punonte çimentorja – 246.000 tonë në vit, tuba të azbest-çimentos, elemente betoni për muratim, pllaka për mbulimin e pullazeve etj. Në disa fabrika të materialit ndërtimor me lokacione në Prishtinë, Podujevë, Skenderaj, Pejë, Gjakovë e Landovicë prodhoheshin tulla, blloka dhe tjegulla.

Kjo industri cilësohej si degë e re. Prodhohej acid sulfurik, sulfat alumini, superfosfat, plehra azotike, filamente poliamidi, ambalazhe të plastmasit, prodhime plastike, vajra teknike, prodhime gome, ngjyra, llaqe dhe barna. Industria kimike shtrihej në Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Prizren, Vushtrri, Suharekë dhe punësonte rreth 4500 punëtorë.

Industria e tekstilit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Industria e tekstilit është një ndër degët e para të zhvilluara, e përhapur në disa qendra të Kosovës. Prodhoheshin fije pambuku, fije ledhi, pëlhura sintetike, trikotazh, konfeksione, perde dhe qilima. Fabrikat më të njohura ishin Kosovska në Prishtinë, Poleti në Vushtrri, Printex dhe Sinteloni në Prizren, Emin Duraku dhe Konfeksioni në Gjakovë, Integji dhe Taftingi në Gjilan, Dratexi në Dragash dhe Teuta në Vrellë. Prodhimet e tekstilit nuk mbulonin vetëm kërkesat vendase por edhe eksportoheshin. Në këtë industri ishin të punësuar rreth 14 mijë punëtorë.

Kjo industri filloi të zhvillohet në vitet ’70. Prodhoheshin elektromotorë, rrotomakina, ujti, akumulatorë, transformatorë, celësa elektrikë etj. Fabrikat e kësaj industrie ndodheshin në Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Kastriot. Të punësuar ishin rreth 4000 punëtorë.

Industria ushqimore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo industri është zhvilluar mjaft herët. Janë prodhuar një sërë artikujsh ushqimorë si mielli, buka, ëmbëlsirat, sheqeri, birra, pije alkoolike, pije freskuese, vera, recele, xhema, konserva perimesh, konserva mishi, suxhuk, vajra të rafinuara, margarinë, tharm etj. Objektet e kësaj industrie ishin vendosur në zona në afërsi të së cilave sigurohej lënda e parë. Në Fushë Kosovë ndodhej Mulliri, Thertorja, Qumështorja, Kosovarja, në Pejë fabrika e sheqerit, alkoolit, mjaltit e birrës, në Gjakovë, Suharekë e Lypjan fabrikat e lëngjeve, në Krushë të Vogël, Rahovec e Suharekë bodrumet e verësë, në Prizren fabrika e konservimit të pemëve e perimeve, në Ferizaj fabrika e vajit etj. Në bazë të të dhënave për vitin 1987, në këtë industri punonin mbi 6000 individë.[5]

  1. ^ "Ekonomia e Kosovës". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Ekonomia e Kosovës/ MIE". Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016. Marrë më 8 qershor 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Ekonomia dhe investimet në Kosovë". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "Sektori i metalit". Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 8 qershor 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Gjeografia 12 - per gjimnazin e shkencave te natyres/ gjuhesor/ te pergjithshem