Jump to content

Taphanja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Tabhanja
LlojiArkitekturore
VendndodhjaGjakovë, Kosovë
NdërtuarShek. XVII
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës1022

Tabhanja është një monument i trashëgimisë kulturore në Gjakovë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".

Tabhanja gjendet në vendin e quajtur “Livadhi i Tabhaneve” pranë lumit Krena. Objekti i parë i Tabhanës është ndërtuar në vitin 1650 nga esnafi i tabakëve dhe ky objekt përfaqësonte zejtarët e kohës, të cilët pasi u forcuan në rrafshin ekonomik ndërtuan Urën e Tabakëve dhe Urën e Taliqit. Këto dy ura patën rëndësi jetike për mirëqenien e popullsisë të këtij regjioni, sepse këto ura lidhën Gjakovën me Shkodrën dhe me pjesët e tjera të Perandorisë Osmane. Tabakët si prodhues të lëkurave përmenden edhe në udhë përshkrimet e Evlia Çelebisë të vitit 1663 dhe më vonë në raportin e Myllerit të vitit 1838, ku përshkruhet numri i madh i zejeve në Gjakovë dhe veçohen Tabakët si prodhues të lëkurave të bardha dhe të zeza. Gjakova ishte vend i pasur me burime të ujit, që ishte parakusht për organizimin e punishteve të tabakëve, sidomos në lumin Krena kishte një numër të madh dollapësh për përpunimin e lëkurave në të njëjtin vend ku gjendet edhe objekti i Tabhanes. Në vitin 1850 në Gjakovë numëroheshin 60 tabakhane për përpunimin e lëkurave. Esnafi i tabakëve, i cili merrej me përpunimin e lëkurave, veprimtarinë e zhvillonte në dy objekte. Njërin që ekziston edhe sot, e që shërbente si administratë dhe depo e lëkurave dhe tjetri si vendi për tharjen e tyre. Lëkurat e papërpunuara së pari laheshin në “dollapin” nga druri, i cili gjendej në brendinë e lumit, dhe pastaj dërgoheshin në objektin që shërbente për tharje. Kjo ndërtesë gjatë kohës është rrënuar dhe nuk ekziston më. Ishte ndërtesa me një etazh me bazë katrore, por me lartësi në dy etazhe. Etazha e parë ishte e ndërtuar nga gurët, ndërsa pjesa e sipërme ishte nga druri dhe me dritare në varg pa xhama. Kjo shërbente për tharje të lëkurave nën ndikimin e erës. Objekti ekzistues që shërbente si depo dhe administratë, është ndërtesë me dy etazhe. Përdhesja është një hapësirë dhe është e ndërtuar nga gurët gjysmë të gdhendur, ndërsa etazha është e ndërtuar nga druri. Komunikimi me etazhe bëhet përmes shkallëve të drurit që gjenden në pjesën e jashtme të ndërtesës nga ana lindore. Objekti në tërësi është kompozicion i ndërtimit me gurë dhe dru dhe veçohet me plastikën e tij që e përbëjnë hapësirat e plota dhe të zbrazëta. Kulmi është i mbuluar me tjegulla mediteranë dhe me strehë të dyfishtë, që është në harmoni të plotë me dritaret e drurit me parmakë. Ngjyra e bardhë e mureve në etazhe dhe gurët me ngjyrë të murrme në përdhes i japin një kontrast të këndshëm, të kombinuar me ngjyrën e drurit. Tabhanja është rindërtuar me investimin që e ka bërë MKRS-ja dhe është nën mbikëqyrjen e Qendrës Rajonale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë. Sot, objekti i Tabhanes përdoret si restorant për përgatitjen e ushqimit tradicional.[2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Tabhanja (Gjakovë)". Databaza e Trashëgimisë Kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 13 nëntor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]