Ura e Klleznës
Ura e Vjetër në Kllezën është një urë prej guri e ndërtuar në vitin 1696 mbi përroin e Megjureçit në Këlleznën e Sipërme të Komunës së Ulqinit. Ajo ka këto dimensione: gjatësia 12 m, gjerësia 3,60 m, lartësia nga fundi i përroit 9.26 m dhe trashësia e gurëve te çelësi 80 cm.[1]
Për ndërtimin e kësaj urë është një rrëfim interesant që u përcoll brez mbas brezi deri në ditët tona. Thuhet se mjeshtri i cili e ka ndërtuar këtë urë ka qenë nga Dibra. Atij kjo punë i është ofruar nga klleznorët; ai ka thënë se gëlqerja e cila do të përdoret për ndërtim duhet të qëndrojë në gropë 15 vjet. Mbas kësaj periudhe, mjeshtri dibran dhe një punëtor tjetër e kanë ndërtuar këtë urë. Pas kryerjes së punës, mjeshtri është vrarë dhe është varrosur në afërsi të xhamisë së Klleznës, ku edhe sot ekziston varri. Thuhet se atë e ka vrarë, për motive te ulëta, ish punëtori i tij. Nëpër këtë urë kanë qarkulluar banorët e Klleznës, por edhe të tjerët të cilët kanë udhëtuar nga kjo anë për në Ulqin e gjetiu. Ndërsa, me rastin e ndërtimit të rrugës Ulqin-Krythë në vitin 1954, pranë kësaj urë është ndërtuar ura e re për qarkullimin e mjeteve të komunikacionit, dhe nga ajo kohë ura e vjetër humbi vlerat e mëparshme duke u bërë dytësore. Që nga ndërtimi i saj nuk është bërë ndonjë intervenim apo restaurim i saj, ndërsa në vitin 1982 ajo pësoi goditje, sepse mbi urë, pasi u hoqën gurët, u vendosën gypat e ujësjellësit të Millës, duke krijuar kanalin përkatës. Por për fat të mirë ura nuk pësoi dëme të mëdha, edhe pse një gjë e tillë ka mundur të ndodhë. Ndërkaq sikur të kishte pasur trajtimin e monumentit të kulturës në Mal të Zi, një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur.