Urani Rumbo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Urani Rumbo
(1895[1] - 1936)

UraniRumbo.jpg
Emri: Urani
Mbiemri: Rumbo
Lindi më: 1895[1]
Vendlindja: Stegopull, Gjirokastër
Vdiq më: 1936
Vdiq në: Gjirokastër
Profesioni: Mësuese

Urani Rumbo, "Mësuese e Popullit", aktiviste e shquar për të drejtat e gruas shqiptare dhe dramaturge. U angazhua fuqishëm në promovimin e të drejtave të grave shqiptare të asaj kohe. Ishte themeluese e Lidhjes së Gruas, njëra ndër organizatat e para të shquara të kësaj natyre në Shqipëri.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Urani Rumbo, u lind në Stegopul (Gjirokastër) në 1895,[1] ku mori mësimet e para. Studimet i vazhdoi në Kurfuz, për letërsi. Në moshë shumë të re, si pesëmbëdhjetë vjeçare, ajo filloi t`u mësonte njerëzve të afërt, shkronjat dhe alfabetin e gjuhës shqipe. Nga viti 1910, Urania ndoqi një shkollë të lartë në Janinë, por arsimimi i saj u ndërpre për shkak të luftërave ballkanike. Gjatë luftës, si autodidakte, ajo mësoi italishten dhe frëngjishten. Në vitin 1916 ajo fillon punën si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Dhoksat, një qytezë në Jug të Shqipërisë. Në vitet 1917 - 1918 e gjejmë si mësimdhënëse në Mingul dhe Nokovë të Luxhërisë.[2] Pas Luftës së Parë Botërore shkon në Gjirokastër ku themeloi shkollën femërore "Koto Hoxhi". Ditën e hapjes, ajo mbajti një fjalë tepër prekëse: “Gëzimi im më i madh është se vendosa në një bankë e krah për krahë vajzën myslimane të Manalatit me atë të Varoshit si motra të pandara nga njëra-tjetra”. Fillimisht ajo caktohet mësuese e gjuhës shqipe në Dhoksat; kështu ajo u rendit midis mësuesve më të nderuar lunxhiotë. Në vitet 1917-18 punon mësuese në Nokovë e Mingul. Që në moshë të re, bëhet anëtare e shoqërisë “Drita” të Gjirokastrës, të formuar në 1908. Më vonë ajo formoi shoqatën “Motërmate” që kish qëllim bashkim-vëllazërimin e grave. Mendimet e saj përparimtare ajo i shfaqi në organet e shtypit që dilnin në Gjirokastër e sidomos në gazetën Drita[3] të themeluar në 1920, e të drejtuar nga Veli Harshova, e cila ishte gazeta e parë që griti lart flamurin e lartësimit të gruas.

Më 8 gusht 1920, me nismën e Uranisë e të patrioteve të tjera të shoqatës “Motërmate” organizohet në Gjirokastër e para mbledhje e grave, të cilat kërkonin dritë, arsim e përparim. Urania më 20 nëntor 1920 harton një manifest në emër të grave gjirokastrite dhe e boton. Në të ngrihej problemi i barazisë së burrit me gruan. Në disa raste ajo ka shkruar në shtypin e kohës edhe me pseudonimin “Trumpeta”, siç ishte rasti i një artikulli në ”Drita”, ku ajo ngrihet ashpër kundër robërimit të gruas dhe e përfundoi artikullin me fjalët “Përpara ! Të përpiqemi të realizojmë përparimin!” Përpjekjet për përparimin e gruas po shkonin mbarë dhe më 25 korrik 1924 organizon shoqërinë e grave të quajtur “Përmirësimi” ku edhe u zgjodh në krye të saj. Me këtë rast ajo përgatiti edhe një statut. Më pastaj këtu u organizuan kurse arsimore për gratë e shtresave të ndryshme shoqërore.[4] " Mori pjesë aktive si anëtare e shoqërisë përparimtare “Drita” të Gjirokastrës".[5] Me riorganizimin e “Lidhjes së Mësuesve të Shkollave Fillore” në mars 1924, ajo ishte në komisionin nismëtar dhe u përpoq për mësimin laik, zhvillmin e teatrit, për edukimin kombëtar të fëmijëve si dhe për t’i dhënë ngjyra kombëtare liceut francez të hapur në 1923. Pas disa kohësh nën presionin e kundërshtarëve konservatorë, Urania u largua nga lidhja duke deklaruar se: “Meshëndeni, unë një grua e vetme jam midis jush.” Kundërshtarët donin që ajo të largohej nga Gjirokastra. Pas 18 vjet pune në këtë shkollë ajo transferohet në Vlorë.

Vdiq në Gjirokastër më 26 mars 1936, si një mësuese e dalluar, edukatore dhe veprimtare e shquar për emancipimin e gruas shqiptare[6]. Ajo ka lënë në dorëshkrim veprën “Theoria e Ifijenisë”. [nevojitet citimi] [7]

Deri më sot janë publikuar dy monografi lidhur me këtë mësuese të shquar të shkollës shqipe. E para është monografia e autores Valentina Mosko me titull: “ Urani Rumbo: Mësuese e Popullit,” botuar në Tiranë, në vitin 1977, nga Shtëpia botuese “ 8 nëntori,”[8][9] kurse e dyta është ajo e Iljaz Gogajt me titull: “ Urani Rumbo punëtore e shquar e shkollës shqiptare,” botuar po ashtu në Tiranë, në vitin 2008, nga Shtëpia botuese “ Tartari.”[10]

Citate[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

“ Shoqëria e cila e mban femrën të mbyllur në kafaz i ngjan një zogu i cili me një krah nuk mund të fluturojë.“ 

                                                                                                               Urani Rumbo[11]
" Është detyra juaj ta dashuroni Gjirokastrën e nderuar. Të respektoni zakonet e mira të saj. Të ecni në rrugën e virtytit. Të shkoni të studioni me të ... se ju pret Gjirokastra që të nderohet dhe të lartësohet ashtu siç e meriton.        
                                                                                                               Urani Rumbo

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi III). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë. 2009
  • Francisca de Haan, Krasimira Daskalova & Anna Loutfi: Biographical Dictionary of Women's Movements and Feminisms, in Central, Eastern, and South Eastern Europe (19th and 20th Centuries). Central European University Press. Budapest - New York. 2006
  • Hajrullah Koliqi: Gruaja ndër shekuj – Arsimimi dhe emancipimi i saj. Libri shkollor. Prishtinë. 2009
  • Pasho Baku: Enciklopedi universale e ilustruar. Shtëpia botuese "Bacchus". Tiranë. 2011
  • Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë. 8 nëntori. Tiranë. 1983

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Lidhur me vitin e saj të lindjes kemi të dhëna kontaradiktore. Kështu p.sh. në “Fjalorin enciklopedik shqiptar,” Vëllimi III, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në Tiranë, në vitin 2009, në faqe 2267 shkruan se ajo u lind në vitin 1884. Po këtë vit si datë të lindjes së saj, e gjejmë edhe në “Enciklopedi Universale të Ilustruar,” të autorit Pasho Baku, botuar në Tiranë, në vitin 2011, nga Shtëpia botuese “Bacchus,” në faqe 811. Këtë vit, e gjejmë edhe në disa burime të tjera. Në anën tjetër, në veprën “Fjalor i pedagogjisë,” të autorit, Shefik Osmani, botuar në Tiranë, në vitin 1983, nga Shtëpia botuese “8 nëntori,” e gjejmë vitin 1895. Po këtë vit e gjejmë edhe në veprën, “Biographical Dictionary of Women's Movements and Feminisms in Central, Eastern, and South Eastern Europe: 19th and 20th Centuries,” të autoreve Francisca de Haan, Krasimira Daskalova dhe Anna Loutfi, botuar në gjuhën angleze nga, Central European University Press, në Budapest dhe Nju Jork, në vitin 2006, në faqen 475. Po këtë vit e gjejmë edhe në Wikipedia si dhe në disa burime tjera.
  2. ^ Francisca de Haan, Krasimira Daskalova, Anna Loutfi: Biographical Dictionary of Women's Movements and Feminisms, in Central, Eastern, and South Eastern Europe: 19th and 20th Centuries. Central European University Press, Budapest - New York, 2006, fq. 475
  3. ^ de Haan, Franciska; Krasimira Daskalova; Anna Loutfi (2006). Biographical dictionary of women's movements and feminisms in Central, Eastern, and South Eastern Europe: 19th and 20th centuries. G - Reference,Information and Interdisciplinary Subjects Series. Central European University Press. ff. 475–77. ISBN 963-7326-39-1. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Falor enciklopedik shqiptar. (Vëllimi III). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë. 2009. fq. 2267
  5. ^ Shefik Osmani. Fjalor i pedagogjisë. 8 nëntori. Tiranë. 1983. fq. 606
  6. ^ Francisca de Haan, Krasimira Daskalova, Anna Loutfi: Biographical Dictionary of Women's Movements and Feminisms, in Central, Eastern, and South Eastern Europe: 19th and 20th Centuries. Central European University Press, Budapest - New york, 2006, fq. 475 - 477
  7. ^ Shih në faqen me titull Stegopul
  8. ^ Valentina Mosko:Urani Rumbo: Mësuese e Popullit,” 8 nëntori, Tiranë, 1977
  9. ^ Mosko, Valentina (1977). Urani Rumbo: Mësuese e popullit. 8 nëntori. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Iljaz Gogaj: “Urani Rumbo punëtore e shquar e shkollës shqiptare,” Tartari, Tiranë, 2008
  11. ^ Hajrullah Koliqi: Gruaja ndër shekuj – Arsimimi dhe emancipimi i saj. Shtëpia botuese Libri shkollor, Prishtinë, 2009, fq. 259.