Wikipedia:Artikulli i javës/2024/4
Metodat e mësimdhënies janë një grup metodash dhe strategjish të përdorura nga mësuesit për të mundësuar të nxënit dhe mësimin e nxënësve. Këto metoda dhe strategji përcaktohen pjesërisht nga lënda që do të mësohet dhe pjesërisht nga natyra e nxënësit. Që një metodë e caktuar mësimdhënieje të jetë e përshtatshme dhe efikase, ajo duhet të marrë parasysh nxënësin, natyrën e lëndës dhe llojin e mësimit që supozohet të shtjelloj. Qasjet për mësimdhënien mund të klasifikohen gjerësisht në qasje me mësuesin në qendër dhe nxënësin/studentin po në qendër të mësimdhënies. Në një qasje të të nxënit me në qendër mësuesin (autoritar), mësuesit janë figura kryesore e autoritetit në këtë model. Nxënësit dhe studentët shihen si "enë boshe" roli kryesor i të cilave është të marrin informacion në mënyrë pasive (nëpërmjet leksioneve dhe udhëzimeve të drejtpërdrejta) me një qëllim përfundimtar testimin dhe vlerësimin. Është roli parësor i mësuesve që t'ua përcjellin njohuritë dhe informacionin nxënësve të tyre. Në këtë model, mësimdhënia dhe vlerësimi shihen si dy entitete të veçanta. Të nxënit e nxënësve matet përmes testeve dhe vlerësimeve me pikë objektive. Ndërkaq, n; qasjen e njohur si mësimi me në qendër nxënësin, mësuesit nuk janë figura e vetme e autoritetit në këtë model, sepse mësuesit dhe nxënësit ose studentët luajnë një rol po aq aktiv në procesin e të mësuarit. Roli parësor i mësuesit është të trajnojë dhe lehtësojë mësimin e nxënësve dhe të kuptuarit e përgjithshëm të materialit. Të nxënit e studentëve matet nëpërmjet formave formale dhe joformale të vlerësimit, duke përfshirë projektet në grup, portofolet e studentëve dhe pjesëmarrjen në klasë. Mësimdhënia dhe vlerësimi janë të ndërlidhura; mësimi i nxënësve matet vazhdimisht gjatë mësimit të mësuesit.