Jump to content

Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/28

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ekoturizmi i Pukës


Puka Ekoturistike shtrihet në pjesën qendrore të Shqipërisë Veriore: për gjatë krahut të majtë të Drinit, që nga Ura e Vezirit e Fusha e Dukagjinit në lindje dhe deri në afërsi të grykëderdhjes së Gomsiqes në perëndim. Nga jugu e ndajnë me Mirditën kreshtat malore: Maja e Runës, Thirra, Maja e Roshit, Bjeshkët e Tërbunit. Në Lashtësi Puka si krahinë gjeoetnologjike përfshihej brenda trevës veriore të fisit ilir Pirustët , i njohur si shkrirës dhe përpunues metalesh. Zhvillimi ekonomik gjatë Antikitetit dhe Mesjetës i dhanë shkas zhvillimit të jetës qytetare me qytetet a qytezat, si: Ad Picaria , Puka , Shqeli , Delmace , Gralisht , Iballe , Crevenum , Sarda. Në shek. VI - VIII bëhet e njohur "Kultura e Komanit" në Delmace , një kulturë materiale qytetare arbërore mesjetare të një ekonomie të zhvilluar zejtare vendase në një mjedis bashkësie fshatarësie aktive. Në këtë zhvillim ekonomik dhe qendrat urbane, ndër shekuj është e lidhur edhe prania e një rrjeti institucionesh të rëndësishme të kultit të krishter e më vonë islamik, si peshkopatat në Delmace; Sarda, Dukagjin (Spas) dhe Abacia e Shën Palit në Kabash, Xhamia e Pukës, Xhamia e Dukagjinit dhe Teqja e Simonit (Spas). Në shek.XI-XII krahina e Pukës përfshihet në principatën e Veriut, të Centës; kurse brenda vendit në trevën krahinore "Pulatum" . Më pas, Puka bëhet një nga krahinat kryesore të principatës së Dukagjinëve, por pa i humbur të gjitha lidhjet e mëparshme me trevën veriperëndimore të vendit, pra, me Pultin, gjë që shprehet: në veshën pultake, ciklin e kreshnikëve, lahutën, kuvendet, si edhe lidhjet fisnore. Rritja e forcimi i prineipatës së Dukagjinëve mbi një trevë të gjerë, ku hynin: Puka, Mirdita , Luma , Hasi , Rrafshi i Dukagjinit , Zadrima dhanë shkas për një zhvillim tëj mëtejshëm" ekonomik të përbashket dhe, mbi këtë themel, u shtuan mundësitë për një unitet më të gjerë të kulturës materiale, shoqërore dhe artistike. Ky unitet i gjithanshëm u shpreh për disa shekuj me emrin e përbashkët Dukagjin, gjithashtu, u shpreh gjerësisht në të drejtën e përbashkët kanunore, të njohur me emrin "Kanuni i Lek Dukagjinit". Princi Lekë Dukagjini (Leka III) qe bashkëkohës i Skënderbeut dhe vazhdues i luftës mbrojtëse antiosmane, sidomos në mbrojtje të qyteteve: Krujë e Shkodër . Dhe së fundi, u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në drejtimin e Kryengritjes së vitit 1481. Të gjitha këto e bënë Lekë Dukagjinin (Lekën III) një personalitet historik të nderuar në kujtesën e popullit, sidomos në Trevën e Dukagjinit Mesjetar, ku ka sunduar. Prandaj çdo ngjarje historike, çdo traditë të asaj kohe malësorët e lidhin me emrin e Lekë Dukagjinit; siç shkruan edhe M. E. Durham: " Në Malësi ligje, dokja, shprehia, të gjitha i atribuoheshin Lekës", Po kështu edhe çdo kështjellë mesjetare në krahinën e Pukës e më gjerë mbajnë emrin e përbashkët, atë të Lekë Dukagjinit, pavarësisht se kush mund të ketë qenë sundimtari i saj; si p.sh. Kalaja Leks në Kabash, kalaja Leks në Mico, Kala Leks në Breg, Kalaja Leks në Flet, Kulla Leks në Pap (Berishë), Kalaja Leks në Dardhë, Kalaja Leks në Vaspas, Kalaja Leks në Shumri, etj. Për rrjedhojë edhe pse e drejta dokesore shqiptare, që në treva të ndryshme u atribohet personaliteteve historike, si: Skënderbeut, Lekë Dukagjinit etj. “duhet kërkuar në origjinën dhe zhvillimin e tyre shoqëror e ekonomik gjatë shumë shekujve”, që përbëjnë nënshtratin e përbashkët të së drejtës zakon ore e të kulturës juridike të kombit shqiptar.” Por, në treva e krahina të ndryshme kjo e drejtë dokesore merr ngjyrim dhe element lokal duke dhënë variante kanunore nga të një karakteri më të përgjithshëm deri në ato të një karakteri më të ngusht krahinor, pamjen e të cilëve, - siç shprehet Çabej, - e jep edhe gjuha shqipe”. Në këto dallime lokale hynë edhe varianti kanunor i Pukës. Si përfundim, emërtimi i këtij Kanuni me emrin e Lekë Dukagjinit duhet parë si një përkushtim që i bëhet këtij personaliteti, duke i dhënë emrin e tij në shenjë nderimi për ta. Por, njëkohësisht duhet parë edhe si një mbështetje tek figura historike e Lekë Dukagjinit për vazhdimësinë e së drejtës dokësore tradicionale bashkë me plotësimet e bëra nga koha në kohë përmes kuvendeve dhe sulleve, ku duhej të përdorej me qëllim “formula magjike”: “Kështu e la Leka! Kshtu pleqnoi Leka! Kshtu e ka Kanuni i Leks! Kshtu pleqnohet me Kanu t'Lek Dukagjinit në malet tona”. Prandaj përdorimi i emërit të Leke Dukagjinit në të Drejtën Dokësore të Trevës së Dukagjinit Mesjetar është mënyra e hyjnizimit të Kanunit, si edhe i figurës së Lekë Dukagjinit në botën shpirtërore të malësorëve të kësaj treve që në shekuj përfunduan të pandashëm. Atëhere, edhe Varianti Kanunor i Pukës nuk mund të dilte jashtë emrit tradicional të Lekë Dukagjinit. Për këtë arsye vazhdon të përdoret, por në një kuptim simbolik të veçantë. Vetë mbledhësi i folklorit dhe sistemuesi i Kanunit At Shtjefën Gjeçovi është nga Kryeziu i Pukës dhe rajoni sot përfaqësohet nga kullat dhe rezidencat turistike të familjes Alia të njohur prej veprës së shkrimtarit Dritëro Agolli që realizuan hidrocentralin e parë modest me bateri Dinamoje në zonë dhe kontributin e vijueshëm të studjuesit Gjovalin Alia dhe inxhinierit të drurit Tonin Alia. Hane dhe shtëpi turistike ku natyra dhe historia martohen më së miri janë Hani i Alpinistit Përparim Laçej në hyrje të qytetit dhe shtëpia turistike e Pal Papushit në Kryezi. Atraksion është famullia e Kqirës në Kishën e Shën Nikollës ku mund të shijoni shportën e prodhimeve natyrale me mjaltin e gështenjës, reçelin e boronicës, shurupin e arrës dhe erëzat aromatike të mbjella me dashuri dhe përkushtimin e banorëve dhe priftit italian Dom Xhovani dhe famullitarit Dodë Marinaj. Kështu formula e mikpritjes që në epokën e Çezarit mbetet: Bukë, Kripë e Zemër!!!