Jump to content

Kanuni i Lekë Dukagjinit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kanuni i Lek Dukagjinit)
Botimi i parë, Shkodër (1933)

Kanuni i Lekë Dukagjinit apo i njohur edhe si Kanuni i Lekës është njëri prej varianteve të së drejtës zakonore shqiptare i përcjellur gojarisht, i cili fillimisht u kodifikua dhe u botua në turqisht nga administrata osmane në gjysmën e parë të shekullit XIX kur përpiqej për të ndaluar gjakmarrjen,[1] më pas u mblodh nga klerikët katolikë që u shërbyen viseve shqiptare në kapërcyellin e shekujve 19-20.[2] Mbledhjet e klerikëve u botuan në gjuhën shqipe në të përkohshmet si Albania dhe Hylli i Dritës. Kodifikimi i parë dhe i plotë i lëndës zakonore u botua për herë të parë në 1933-shin në Shkodër, vepër postum nga Shtjefën Gjeçovit (i vrarë në 1929-n) që e mblodhi kryesisht në viset e Mirditës dhe rrethinat e saj.

Deri më tani, kanuni i Lekë Dukagjinit është përkthyer në gjuhët: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht dhe serbisht. [3]

Emërtimi Kanuni i Lekë Dukagjinit dokumentohet që në kodifikimin e Selim Sirri Pashë Gjiritit (1289H/1872);[1] kodifikimi i Gjeçovit përdor edhe termin Kanuni i maleve, që vazhdon ta përdorë si term të ndërkëmbyeshëm me atë të titullit.[4] Prej këtij titulli, fisniku mesjetar është menduar gabimisht si autori i lëndës.[5] Krahas Kanunit të Lekë Dukagjinit dallohen edhe Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Dibrës, Kanuni i Lumës, Kanuni i Bendës, etj.

Kanuni i Lekë Dukagjinit

Kanuni përmban 12 libra, 24 krerë, 199 nene dhe 1263 paragrafë. Secili kapitull, siç mund të quhen me gjuhën bashkëkohore juridike trajton një çështje që mund të klasifikohen nga e drejta private tek ajo familjare dhe deri tek e drejta penale dhe civile. Libri i parë i kushtohet kishës dhe mbrojtjes së pronës së saj: libri i dytë familjes; libri tretë martesës, që nga momenti i njohjes së çiftit e deri te organizimi i ceremonisë, duke përfshirë edhe normat e ndalimit midis kategorive në lidhje gjaku. Libri i katërt mban titullin "Shtëpia, gjaja dhe prona", ndërsa në kapitullin e pestë trajtohen çështje që në gjuhën bashkëkohore moderne mund të klasifikohet si e drejta e punës. Në kapitullin e gjashtë janë "të dhanunat", pra huatë, ndërsa kapitulli i shtatë mban titullin "Fjala e gojës”, e cila mund të interpretohet si "premtim" dhe "betim" njëkohësisht. Libri i tetë përbën shtyllën e kanuneve dhe të drejtës zakonore shqiptare, atë që mban lidhjen e këtij kodi dhe e bën të respektueshëm. Në librin e nëntë janë përcaktuar "damet", ndërkaq në librin e dhjetë gjakmarrja, e cila edhe sot në shumë vise shqiptare trajtohet me rregullat e kanunit.[2]

Normat juridike të mbledhura në Kanunin e Lekë Dukagjinit kanë karakter të dyanshëm: pasqyrojnë marrëdhëniet shoqërore të rendit gjinor, barazinë midis njerëzve, por marrëdhënie të diferencuara ekonomiko-shoqërore, pabarazinë e gruas me burrin etj. Kanuni zbatohej njëlloj për të gjithë malësorët, pavarësisht nga besimi fetar. Ai shpreh origjinalitetin e së drejtës zakonore të shqiptarëve dhe ka një shtrat të përbashkët me kanunet e tjera. Ai është monument historik i kulturës popullore në përgjithësi dhe asaj juridike në veçanti. Po ashtu, ai është një koleksion zakonesh dhe normash të ndryshme, që u përkasin gati të gjitha fushave të jetës dhe të veprimtarisë ekonomike e shoqërore të njerëzve. Njëkohësisht përfaqëson edhe një dëshmi të rrugës që kanë kaluar shqiptarët gjatë procesit të zhvillimit historik. Kanuni është plot me zakone të vjetra, të krijuara në etapa të ndryshme të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Ka zakone që u krijuan në shoqërinë pa klasa, në periudhën e ekonomisë së gjuetisë, si dhe zakone të etapave të tjera. Nga kanuni shihet se karakteristika kryesore e shoqërisë ishte patriarkalizmi dhe rendi fisnor. Disa fise shqiptare bëjnë një lidhje fisesh, në krye të së cilës gjendet kryepari; fiset ndahen në vëllazëri, të cilat përmenden shumë rrallë në kanun, ndërsa katundi si organizim ekonomik dhe shoqëror përmendet më shpesh.[2]

Edhe pse studiuesit e historisë dhe zakoneve të Shqipërisë zakonisht i referohen tekstit të kanunit të Gjeçovit si të vetmin version ekzistues, i cili është i pakontestueshëm dhe i shkruar nga Lekë Dukagjini, ai në fakt ishte i pasaktë. Teksti i Kanunit, shpesh i kontestuar dhe me shumë interpretime të ndryshme, i cili ka evoluar ndjeshëm që nga shekulli i 15-ë, është kodifikuar dhe emërtuar vetëm nga Lekë Dukagjini. [6]

Edhe pse nenet i atribuohen Lekë Dukagjinit, ligjet evoluan me kalimin e kohës si një mënyrë për të vendosur rregull në këto troje. [7] Kanuni i Lekë Dukagjinit me nenet e tij synonte që të rregullonte të gjitha aspektet e jetës shqiptare në viset rurale: organizimin ekonomik të shtëpisë, mikpritjen, vëllazërinë, klanin, kufijtë, punën, martesën, tokën etj. [8]Besa (nderi personal, krahasuar me shprehjen latine fides) dhe nderi (nderi i familjes, lat. honor) janë të një rëndësie parësore në të gjithë kodin si gur themeli i sjelljes personale dhe shoqërore të asaj kohe. [8] [9] Kanuni vlen si për shqiptarët e krishterë ashtu edhe për ata myslimanë.[8]

Disa nga rregullat më të diskutueshme të kanunit (veçanërisht libri 10 seksioni 3) specifikojnë se si duhet të trajtohet vrasja, e cila në të kaluarën (dhe ndonjëherë edhe tani) do të çonte në gjakmarrje që zgjasin derisa të vriteshin të gjithë burrat e dy familjeve të përfshira.[10]  Në situatat e vrasjes, ligji fisnor parashikon parimin e koka për kokë ku familjarët e viktimës janë të detyruar të kërkojnë gjakmarrje (hakmarrje gjaku).[9] Të konsideruara thjesht si prodhuese të pasardhësve, gratë referohen në mënyrë diskriminuese dhe nuk konsiderohen si "objektiva të denja" për gjakmarrje. [10] Në disa pjesë të vendit, kanuni i ngjan shumë hakmarrjes italiane. [11] Këto rregulla u rishfaqën në vitet 1990 në Shqipërinë e Veriut, pasi njerëzit nuk kishin besim te pushteti vendor dhe policia e pafuqishme. Ka organizata që përpiqen të ndërmjetësojnë mes familjeve të hasmuara dhe përpiqen t'i bëjnë ato të "falin gjakun", por shpesh i vetmi vendpushim i sigurt është që burrat e moshës madhore të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të cilat konsiderohen si një strehë e sigurt nga kanuni ose të largohen nga vendbanimi. Ligjet fisnore parashikonin gjithashtu se hajdutët duhet të paguanin gjoba për shumën relative që ishte vjedhur. [9]

E drejta zakonore shqiptare, në përgjithësi, vlerësohet si një nga më të vjetrat në Evropë e në botë. Studiuesit e së drejtës krahasuese arrijnë në përfundimin se ajo është më e vjetër se ligjet e Dymbdhjetë Tabelave romake dhe e krahasojnë atë me Manusmritin hinduist, duke supozuar një prejardhje të përbashkët.[12][13] Kanuni përmban disa doke që kanë prejardhjen tek besimet pagane ilire, tipare kryesore të të cilave janë nderimi i paraardhësve, animizmi dhe totemizmi e që rrjedhin shumë kohë para Lekë Dukagjinit.[14] [15] Duke krahasuar Kanunin e Maleve me Iliadën dhe Odisenë, studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto arriti në përfundimin se konceptet etike themelore të strukturës shoqërore pa shtet të kohërave homerike – besa, nderi, gjaku, hakmarrja (gjakmarrja), buka dhe miku – janë të njëjtat doke kanunore të shoqerisë fisnore shqiptare.[15] [16]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Kanuni i Lekë Dukagjinit.
  • Kanuni i Lekë Dukagjinit (wikisource)
  • The criminal law in the "Kanun of Lekë Dukagjini"
  • G. T. The albanian customary law and the Canon of Lekë Dukagjini: a clash or synergy with modern law
  • Elsie, Robert (2001). A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture (në anglisht). NYU Press. ISBN 978-0-8147-2214-5.
  1. ^ a b Dibra, Fatos (7 tetor 2021). "Gjobari". peizazhe.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b c Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 752-753. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  3. ^ https://www.albinfo.ch/spanja-perkthen-kanunin-e-leke-dukagjinit/
  4. ^ Bardhoshi, Nebi (2016). Antropologjia e Kanunit. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 119–120. ISBN 978-9928-185-38-9.
  5. ^ Reinkowski, Maurus (2005). "Gewohnheitsrecht im multinationalen Staat: Die Osmanen und der albanische Kanun". Rechtspluralismus in der Islamischen Welt: Gewohnheitsrecht zwischen Staat und Gesellschaft (në gjermanisht). Vëll. 16. Walter de Gruyter. fq. 129. ISBN 9783110184556.
  6. ^ Anna Di Lellio (2006). The case for Kosova (në anglisht). London: Anthem Press. ISBN 0-85728-712-5. OCLC 930994209.
  7. ^ Religion and Society in Present-Day Albania by Antonia Young
  8. ^ a b c Cook, Bernard (2001). Europe since 1945: an encyclopedia (në anglisht). Vëll. 1. Garland Publishing. fq. 22. ISBN 0-8153-4057-5.
  9. ^ a b c Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 30. ISBN 9781845112875.
  10. ^ a b "'We'll Get You': An Albanian Boy's Life Ruined by Blood Feuds". Spiegel Online (në anglisht). Spiegel Online GmbH. 6 qershor 2014. Marrë më 12 qershor 2014.
  11. ^ Angélique Kourounis; Thomas Iacobi; Jean Christophe Georgoustsos; Nikos Arapoglou (17 nëntor 2012). "Reportage : Albanie, la Bible contre la vendetta" (video). Faut pas croire (në frëngjisht). Geneva, Switzerland: Radio télévision suisse. Marrë më 25 janar 2013. Des jeunes catholiques, soutenus par une religieuse, ont brisé la loi du silence pour combattre le « kanun », un code d'honneur ancestral qui justifie la vengeance et le meurtre.
  12. ^ Rushani, Mirie (1997). La vendetta ed il perdono nella tradizione consuetudinaria albanese (në italisht). Religioni e Società. fq. 137–152.
  13. ^ Yamamoto, Kazuhiko (2005). The ethical structure of Kanun and its cultural implications (në anglisht). Melosi Design. ISBN 9780972992398.
  14. ^ Studime Historike. Vëll. 9. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSH., Instituti i Historisë. 1972. fq. 107–110.
  15. ^ a b Yamamoto, Kazuhiko (2002). "The Ethical Structure of Homeric Society". Collegium antropologicum (në anglisht): 164.
  16. ^ Cullhaj, Florian (2016). Democratization from Within: Political Culture and the Consolidation of Democracy in Post-Communist Albania (në anglisht). Edizioni Nuova Cultura. fq. 222–223. ISBN 978-88-6812-825-8.