Jump to content

Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/33

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Eqrem Bej Vlora personaliteti i shtetformimit shqiptar

Eqrem bej Vlora (1885-1964) një personalitet poliedrik i kthyer sivjet sipas amanetit të tij nga Austria në Vlorë njihet si politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar. I cilësuar si Beu i fundit, mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi. Eqrem bej Vlora u lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885 si bir i Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit. Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të jugut të Shqipërisë, që falë zotësisë, në ekonomi e administrim, së të atit pasuria e familjes së tij në 25 vjet u gjashtëfishua. Do të marrë mësime nga një djalosh italian, inxhinier Luigji Bekali (Luigi Beccali) nga Mesina, tjetri një shqiptar, Mehmet efendi Lusi, hoxhë i Kaninës që më vonë do zëvendësohej nga prof. Jusuf Riza efendiu, dhe gjermanisht nga zoti Fajgenvinter (Feigenwinter) nga Baseli. I pari do të ishte mësuesi i tij i përhershëm, i dyti mësuesi i tij i fesë. Pra, mes viteve 1891-1896, studimet elementare dhe gjimnazin me profesor privat. 1900-1906, Studimet liceale dhe universitare K.U.K. Theresianum, Akademia Orientale Vjenë. Studioi për drejtësi dhe teologji në Stamboll në 1904. 1906, Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Stamboll. 1907, Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Otomane në Shën Petërburg për tre muaj. 1909, Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane-Stamboll. Hapën të parin klub "Bashkimi" në Stamboll më 1908. Punonte të botonte gazetën e re "Shqiptari" bashkë me ikanakët nga Struga, Ibrahim Mehmet Naxhin dhe Dervish Hima, dhe shkodranin Hilë Mosin. Po atë vit merr mandat nga kolonia shqiptare e Stambollit, që bashkë me Dervish Himën t'i përfaqsojë në Kongresi i Manastirit por pengohet nga shefi i tij. Gjatë Luftërave Ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë. Pas disa luftimesh të suksesshme me forcat greke në zonën e Bregut ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai i tij, Ismail beu. Tek vëllimi "Kujtime" gjejmë deklaratën se zotëronte 9 gjuhë të huaja, të vdekura dhe të gjalla.Në 1912, u bë zëvendës president i Senatit-Pleqësisë ndonëse 27 vjeçar. Më vonë, ai ishte pjesëtar i dërgatës (si përfaqësues i Tiranës e Shijakut) për në Neuwied të takonin Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. I atashohet Princ Vidit si sekretar dhe përkthyes. 1914, Zv/Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare. Ai ishte mbështetës i Fuqive Qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali si austrofil, për pjesën më të madhe Luftës së Parë Botërore, por më pas u bë një nxitës e marrëdhënieve të ngushta mes Italisë dhe Shqipërisë me kapitullim e Perandorisë Austro-Hungareze. 1921, Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë. 1923, Deputet i Asamblesë Kushtetuese, duke përfaqësuar krahun konservator dhe, në 1925, u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe. 1925, Ministër i Shqipërisë në Londër. 1929, Ministër i Shqipërisë në Athinë. Marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun ishin të rralla, megjithëse ai shërbeu në misione të ndryshme diplomatike jashtë vendit. 1932, Drejtor i Punëve Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme Tiranë. 1934, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, grada Ministër (i plotfuqishëm). 10.02.1937 - 05.04.1939, Deputet i Vlorës. 1939, Këshilltar Shteti. 1940, Kryetar i Zyrës së Punëve Civile, Kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.