Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/36

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Nënë Tereza shqiptare


  • "Unë jam si një laps i vogël në dorën e Atit, asgjë më shumë.
  • Ai është i vetmi që mendon. Është Ai që shkruan.
  • Lapsi nuk ka të bëjë me gjithë këtë.
  • është vetëm për të shkruar."

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup26 gusht 1910 gjatë Shqipërisë të pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997Kalkuta, (Indi), si humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen,kurse me 19 Tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirditë dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania se mos Gonxhja i largohej nga jeta menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali, kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 Janar 1918 në bazë të traktatit të Versajës. I ati, që ishte i përfshirë në lëvizjet politike e asaj kohe, vdes në 1919 kur ajo ishte 8 vjeçe. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin "Tereza" e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: "Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t'ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t'ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja". Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri,qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. "Nënë Tereza e Kalkutës" u quajt kur themeloi urdhërin "Misionaret e Dashurisë" (1951) për t'u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm Shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurre nuk e ka mohuar origjinen e saj shqiptare. Shkrimet e saj ne Shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në Shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në Shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës me 17 Qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri". Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhane as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve '90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve '80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë. Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmëshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu, mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, "Shtëpia e Nënës", pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: "Mother Teresa. IN/OUT". Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve. Sot kemi një dëshmi të Nënë Terezës që flet shqip më 1988, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tre letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Ja se si e shpjegon Lolja letrën e Nënë Terezës dërguar Presidentit të Republikës në vitin 1989, te cilit i theksonte se: "për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim", që është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Më në fund, e para pashaportë (diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë me 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pashaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë per pashaportën Shqiptare ajo u përgjigj:

  • E pranoj me kënaqësi, sepse është pashaporta e vendit tim; atje kam Nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty.
  • Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pashaportën, por ajo nuk pranoi. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002:
  • "Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë".

Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i perket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Në 1950 , ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Vetëm sipas të dhënave të 1980 , ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmure në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima lebrozë në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë. Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilin ja dorëzoi personalisht Papa Gjon Pali II; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë. Janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për Nenën Terezë, por të gjitha flasin të vërtetën se ajo ishte shqiptare, siç e ka deklaruar edhe vetë. Këtë javë 104 vjetorin e lindjes së saj krenohemi për jetën, dinjitetin e manifestuar, mrekullitë e panumërta e të pashkruara edhe në Tiranë ku shumë njerëzve iu përmirsua e ndërroi jeta e shëndeti vetëm me një shikim plot mirësi dhe prekje të duarve të saj. Sheshi Nënë Tereza i restauruar në modernitet në pritje të ardhjes së Papa Françeskut21 shtator 2014 në kryeqytetin e Shqipërisë, Aeroporti i Rinasit dhe Qendra Spitalore me emrin e Saj janë tregues i vlerësimit të lartë dhe mirënjohjes që publiku mbarëkombtar dhe shteti shqiptar ia dedikojnë Nënës së Dashurisë dhe më e rëndësishmja realizimi i Frymës së Ndihmës direkt tek njerëzit në nevojë.