Jump to content

Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2015/5

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ismail Kadare

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të vlerësuar bashkëkohorë i cili shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me "Prix Mondial Cino Del Duca" ; në 2005 fitoi "Man booker International Prize" dhe në vitin 2009 mori çmimin "Prince of Asturias për Artet" . Ai jeton mes Francës dhe Shqipërisë, dhe është martuar me shkrimtaren e njohur të skicave dhe tregimeve për fëmijë, Helena Kadare si dhe kujtime të bashkudhtarëve "Kohë e Pamjaftueshme" . Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani "Qyteti pa reklama" , që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Romani i dramatizuar nga Jeton Neziraj ishte premiere të mërkurën (28 janar) në Teatrin “Instanbul Büyükşehir Belediyesi Şehir Tiyatroları” në Stamboll, Turqi. Sipas "Multimedia" dramatizimi i “Gjeneralit…” [Ölü Ordunun Generali] i përkthyer në turqisht nga Bilge Emin, është vënë në skenë në teatrin kryesor të qytetit të Stambollit, nga regjisori turk M. Nurullah Tuncer. Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat arkaike. Autori shqiptar me veprën e tij ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) dhe e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë me historinë dhe kulturën e pasur shekullore . Kohët e fundit sipas mediave shqipe shkrimtari i mirënjohur ka fituar çmimin Jeruzalemi për vitin 2015 . Gazeta Haaretz thekson se Kadare i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij. Edhe pse në formën e të shkruarit, personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale thuhet në motivacion. Çmimi pritet t’i dorëzohet Kadaresë në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin në datën 8 Shkurt 2015. Në ceremoni do të jenë të pranishëm edhe fituesit e mëparshëm të çmimit prestigjioz të cilët janë: Bertrand Russell (fitues i parë) , Mario Vargas Llosa, Milan Kundera , Simone de Beauvoir , Susan Sontag , Arthur Miller, Haruki Murakami dhe Ian McEwan