Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2017/29

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Bajo Topulli (1872-1930) ishte veprimtar dhe mësues shqiptar. Qysh 11 vjeç Bajo niset për të studiuar në Stamboll, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos. Sipas këshillave të tyre ai hidhet në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe, edhe pse nuk ishte e thjeshtë, duke qenë se ndodhej mes dy zjarresh, atij turk e atij grek. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të Bajos në Manastir solli ngritjen e “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhi rreth vetes patriotë shqiptarë. Në nyjën (nenin) e parë të Kanonizmës së komitetit thuhej se “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinëkombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”. Disa muaj më pas do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.





Parapamje në vitrinë[Redakto nëpërmjet kodit]