Wilfried Fiedler
Wilfried Fiedler (më 7 maj 1933, Oberfrohna, Chemnitz - 11 shtator 2019) ishte një albanolog, ballkanolog dhe gjuhëtar i shquar gjerman, i njohur për kontributet e tij të rëndësishme në studimet e gjuhës shqipe dhe ballkanologjisë. [1]
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në Oberfrohna, Saksoni, dhe kreu studimet për sllavistikë dhe filologji të tjera në Universitetin "Humboldt" të Berlinit (1951-1955). Pas studimeve, punoi si asistent shkencor në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të RDGJ (1955-1963). Fiedler vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1957, ku qëndroi për katër muaj si pjesë e një ekspedite shqiptaro-gjermane për mbledhjen e këngëve popullore, që rezultoi në botimin e vëllimit "Këngë çame" (1965). Në vitin 1959, ai u kthye në Shqipëri për të mbledhur materiale për disertacionin e tij "Hulumtime për formimin e shumësit në gjuhën shqipe" (1961), dhe nga ai vit, filloi të japë mësim për gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar në Universitetin "Humboldt" të Berlinit. Nga viti 1963 deri në 1968, Fiedler punoi në Komisionin e Gjuhësisë dhe Institutin për Gjuhët dhe Kulturën Romane në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë në Berlin. [2]
Në vitet 1968-1988, drejtoi grupin kërkimor për ballkanistikë në Institutin Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të RDGJ. Në vitin 1988, mbrojti tezën e habilitacionit për albanologji në Universitetin "Humboldt". Pas vitit 1989, Fiedler punoi si profesor i albanologjisë në Universitetin "Ludwig-Maximilian" të Mynihut deri më 1998, dhe gjithashtu dha leksione në Universitetin e Vjenës. Nga viti 1999 deri në 2018, ai vazhdoi të mbante leksione për albanologjinë në Universitetin e Jenës. Në vitin 1991, u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe në vitin 2006, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vepra kryesore e Fiedler-it përfshijnë "Albanische Grammatik" (1988), bashkëautor me Oda Buchholz, "Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku" (2004), një studim i hollësishëm i sistemit foljor të shqipes së shekullit XVI, dhe "Formimi i shumësit të gjuhës shqipe" (2010). Ai gjithashtu përktheu disa vepra të rëndësishme të letërsisë shqipe në gjermanisht, përfshirë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe poezi nga Martin Camaj dhe Ali Podrimja. Wilfried Fiedler njihet si një ndër albanologët më të rëndësishëm të hapësirës gjermanishtfolëse, me një kontribut të jashtëzakonshëm në studimin dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.[3]
Publikime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Albanische Volksmusik. Bd. 1. Gesänge der Çamen. Berlin 1965 (mit Doris und Erich Stockmann).
- Wörterbuch Albanisch-Deutsch. Leipzig 1977 (mit Oda Buchholz und Gerda Uhlisch); Auflagen nach 1990: Leipzig/Berlin/München/Wien/Zürich/New York, ISBN 3-324-00250-8.
- Albanische Grammatik. Leipzig 1987, ISBN 3-324-00025-4 (mit Oda Buchholz).
- Wörterbuch Deutsch-Albanisch. Leipzig/Berlin/München/Wien/Zürich/New York 1997, ISBN 3-324-00251-6 (mit Ardian Klosi).
- Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku (1555). Prishtinë 2004, ISBN 9951-413-15-3.
- Die Pluralbildung im Albanischen. Prishtinë 2007, ISBN 978-9951-413-62-6.
- Vergleichende Grammatik der Balkansprachen (Morphosyntaktisch-typologischer Vergleich des Albanischen mit den anderen Balkansprachen). Prishtinë 2018, ISBN 978-9951-615-88-4.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 669–670. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
- ^ Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 1. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 447–448. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
- ^ Bardhyl Demiraj (2019-09-11), "Shuhet albanologu Wilfried Fiedler", Shqiptarja.com, marrë më 11 shtator 2019